Nga Skënder Minxhozi
Kriza politike e kutive të 28 qershorit po arrin ngadalë majën e saj. Në fakt koncepti i majës në rastin konkret mbetet disi i mjegullt, në momentin që askush, me siguri edhe vetë shtabet politike në lojë, nuk e kanë të qartë se ç’pamje do të ketë pika kulmore e këtij sherri të nxehtë në mes të dimrit të butë shqiptar. Ajo që ne shohim sot për sot, është tendenca ashpërsuese e toneve, sharjeve, dhe sulmeve, të cilat tani i kanë tejkaluar plotësisht të gjitha limitet e njohura dhe të panjohura të dialogut dhe komunikimit politik në një sistem që formalisht njeh dominimin e ligjit mbi gjithçka.
Në këtë pazar tipik ballkanik (dhe shqiptar), pala e tretë, ajo që ka qenë e gjithëpranishme në njëzet vjetët e fundit dhe që ka vendosur në një masë të konsiderueshme fatin e ngjarjeve, po qëndron në heshtje. Bashkësia ndërkombëtare ka zgjedhur, të paktën në pamje të jashtme, të qëndrojë pasive në përplasjen pozitë-opozitë. Që nga 20 nëntori, kur opozita u derdh rrugëve, nuk ka thuajse asnjë deklaratë publike të përfaqësuesve diplomatikë në Tiranë. Nga ajo datë, nuk dëgjohen më ftesat e përsëritura për ta futur opozitën në parlament, por as ndonjë mesazh çfarëdo, në lidhje me replikat ekstreme që Berisha dhe Rama shkëmbyen në orët që pasuan. Askush prej ambasadorëve apo rangjeve më të ulëta diplomatike, tepër të ndjeshëm për çdo dhunim apo kundërvajtje që ndodh në Shqipëri, nuk ka reaguar disi ndaj fjalës së kryeministrit në Kuvend, ku shau me çfarë i erdhi në mend familjen e kundërshtarit të tij, Edi Rama. Megjithëse është e pakonceptueshme që presidenti Sarkozi apo kryeministri Braun të venë në dyshim atësinë e fëmijëve të kundërshtarëve të tyre politikë, me sa duket edhe kjo gjë qenka e tolerueshme për Shqipërinë.
Berisha dhe Rama do të ulen një ditë rreth një tryeze. Kjo s’ka asnjë diskutim. Nuk është çështje zgjedhjeje, por është një rrugë me një drejtim, pa mundësi kthimi pas, për sa kohë që ata janë krerët e dy koalicioneve që janë të dënuar të qeverisin në Shqipëri. E meqë është po kaq e sigurt që kjo do të ndodhë pas një ndërmjetësimi ndërkombëtar (afërmendsh këta dy burra nuk ulen pa një arbitër), atëherë pyetja banale në dukje e njeriut të thjeshtë shqiptar është: Përse të mos ndërhyhet shpejt për të shuar një zjarr që mund të bëjë shumë dëme?! Përse ndërkombëtarët kanë zgjedhur të mos ushtrojnë fort dhe hapur presionin e tyre mbi palët, për të gjetur një zgjidhje të pranueshme?
Ndoshta e gjitha kjo ka lidhje me faktin se diplomatët e huaj në Tiranë dhe kancelaritë që qëndrojnë pas tyre, po presin ende që opozita të ulë tonet dhe pretendimet, e t’i kthehet Kuvendit. Ndoshta perëndimorët gjykojnë vërtet se ky ambient mund të “mbajë” edhe më shumë tendosje dhe krizë brenda vetes. Ka shumë mundësi që edhe vetë të huajt, që shkojnë e vijnë në Shqipëri, të jenë mësuar që të na shohin vetëm në sherr dhe në prag të katastrofës.
Do të ishte dëshpëruese, nëse arsyeja e kësaj heshtjeje, tani që është momenti për të folur dhe vepruar, të ishte pikërisht kjo. Bashkësia ndërkombëtare ka përgjegjësi të reja dhe të vjetra ndaj Shqipërisë dhe klasës së saj politike. Raporti i fundit i zgjedhjeve është njëra ndër këto përgjegjësi të prekshme, me ambiguitetin e tij, me frazat kontradiktore dhe formulimet e mjegullta, ku të gjithë aktorët politikë gjetën material për ta përdorur kundër njëri-tjetrit. Historia e tranzicionit shqiptar ka treguar se krizat e harruara dhe të lëna pas dore në këtë vend, janë mahisur dhe kanë degjeneruar në konflikte të rrezikshme politike e sociale. Nuk e dimë nëse ky i tanishmi është një i tillë, porse premisat janë shqetësuese.