A duhet ta braktisë Gjermania, euron?

0
69

Nga Xhorxh Soros, 27.06.2010

Gjermania dikur ishte në qendër të integrimit europian. Burrështetasit e saj deklaronin se Gjermania nuk kishte politikë vetjake të jashtme, por vetëm politikë europiane.

Pas rënies së Murit të Berlinit, liderët gjermanë e kishin të qartë se ribashkimi i vendit të tyre do të mund të ndodhte vetëm në kontekstin e një Europe të bashkuar dhe kësisoj gjermanët do të kontribuonin pak më shumë dhe do të përfitonin më pak prej saj, sesa të tjerët.

Por, ato ditë tash kanë marrë fund. Euroja është në krizë dhe Gjermania është protagonistja kryesore. Gjermanët nuk ndjehen më edhe aq të pasur, prandaj nuk duan të vazhdojnë të shërbejnë si xhep i thellë për pjesën tjetër të Europës.

Ky ndryshim në sjellje është i kuptueshëm, por, megjithatë, e ka ngrirë procesin e integrimeve europiane.

Shenjat e para të këtyre telasheve u shfaqën pas kolapsit të institucionit Lehman Brother, në shtator të 2008-ës, atëherë kur ministrat e financave të Bashkimit Europian vendosën, në një takim emergjent në Paris, të ofrojnë një garanci virtuale, të cilën asnjë institucion i rëndësishëm financiar nuk do të lejohej ta bënte.

Pasojat e zhvillimeve të mëtejme u shfaqën këtë vit, kur Greqia u vu në qendër të vëmendjes, pasi qeveria e saj e re pranoi se paraardhësit kishin gënjyer për sasinë e deficitit buxhetor të vitit 2009.Autoritetet europiane ishin të ngathtë në reagimet e tyre, sepse anëtarët e Eurozonës mbanin qëndrime radikalisht të kundërta.

Franca dhe vendet e tjera donin të dëshmonin solidaritet, por Gjermania, e traumatizuar dy herë në shekullin 20 nga krizat financiare, ishte alergjike ndaj presioneve të inflacionit.Dhe, kur liderët europianë më në fund reaguan, atyre iu është dashur të ofrojnë një pako edhe më të madhe shpëtimi, se ajo që ishte e nevojshme, po ta miratonin më herët.

Politikat e imponuara aktualisht në Euro-zonë janë në kontradiktë të drejtpërdrejtë me mësimet që janë nxjerrë nga periudha e Depresionit të Madh të viteve ’30 dhe rrezikojnë ta shtyjnë Europën drejt një periudhe të stagnimit të stërzgjatur ose edhe më keq. Kjo do të prodhojë pakënaqësi dhe shpërthim social.

Në rastin më të keq, BE-ja do të mund të paralizohej apo shkatërrohej nga rritja e ksenofobisë dhe ekstremizmit nacionalist. Dhe, nëse kjo ndodh, Gjermania do të mbartte mbi vete përgjegjësinë më të madhe. Prandaj, gjermanët duhet ta marrin në shqyrtim eksperimentin e menduar tashmë, atë të tërheqjes nga euroja. Marka e rivendosur gjermane do të ngjitej lart, kurse euroja do të kufizohej.

Pjesa tjetër e Europës do të bëhej konkurruese dhe do të mund të dilte nga vështirësitë, ndërkohë që vetë Gjermania do të zbulonte se sa e dhimbshme është të kesh një valutë të mbivlerësuar.Natyrisht, e gjithë kjo është hipotetike, sepse po ta braktiste Gjermania euron, pasojat politike “nesër” as që mund të paramendohen… Por, eksperimenti mund të jetë i dobishëm në parandalimin e asaj që “sot” s’mund të paramendohet.

*Botuar në “Financial Times”. Përkthimi në shqip nga sajti online i radios amerikane “Europa e Lirë”. Titulli në origjinal: “Gjermania të pasqyrojë të paimagjinueshmen”