Mero Baze
Sali Berisha u shfaq në Pragë. I lodhur nga sëmundja që e ka mbyllur në shtëpi, ai duket se po bën më shumë kujdes kohët e fundit ndaj funeraleve. Sidomos të atyre, të cilët sa kanë qenë gjallë nuk u bën dot as miqtë e tij, as të ngjashmit e tij, dhe as lakenjtë e tij. Këtyre ka pritur tu përdorë funeralin.
Vaslav Haveli është një ikonë e ndryshimeve demokratike në Lindje, një simbol për atë se si Perëndimi kërkonte mbi të gjitha të bëheshin ndryshimet. Ai udhëhoqi Çekosllovakinë nga komunizmi në demokraci dhe pa konsumuar asnjë konflikt ndau dy kombe paqësisht duke u rizgjedhur sërish në krye të Çekisë. Nuk ishte ndonjë shkrimtar i madh ashtu siç ia përmend Berisha, por ishte një politikan i madh. Ishte demokrat, properëndimor i palëkundur dhe frymëzues i Çekisë postdiktatoriale. Ka folur për Sali Berishën në vitin 1997, duke e cilësuar atë një ish- komunist të pandreqshëm që po çonte vendin në luftë civile.
Nuk ka pasur kurrë ndonjë raport me Sali Berishën, nuk ka qenë kurrë i ftuari i tij në Shqipëri dhe as ky në Pragë. Nuk janë puqur bashkë me njëri- tjetrin në asgjë që kanë bërë, as në karrierën e tyre dhe as në perspektivën që u kanë dhënë vendeve të tyre. Sikur Sali Berisha për ndonjë arsye fizike të kishte vdekur para atij, kam frikë se as telegram ngushëllimi nuk do të kishim. Ai nuk ishte një hipokrit dhe nuk respektonte një model udhëheqësi që nuk e pranonte.
Sali Berisha në të vërtetë ka një raport tjetër me vdekjen e të tjerëve dhe sidomos me vdekjen e analogëve të vet. E shikon atë si një rast pafuqie të të vdekurit për t’i thënë “më rri larg”. Në Shqipëri ka bërë çka mundur në këtë drejtim. Azem Hajdarin, themeluesin e partisë që ai ka trashëguar, e mbajti tetë vitet e lirisë së tij larg dyerve të partisë dhe pushtetit dhe të vetmen ditë që e nderoi duke e përdorur ishte funerali i tij. Aty i harroi të gjitha ç’i kish bërë dhe sa larg e kish mbajtur. Kështu ka bërë më pas me Ali Spahinë, Safet Zhulalin, dhe së fundmi Leka Zogun e Sabri Godon.
Dhe me armiqtë e familjes së tij është sjellë po kështu. Kosta Trebickën, të cilën e quajti një trafikant femrash që kish tentuar t’i kompromentonte të birin, e quajti njeri të mirë sapo u gjend i vrarë në udhëtimin e tij misterioz për gjah, i vetëm në një vend të shkretë. Tundimi i tij për të përdorur funeralet si një vend ku tenton të vjelë diçka nga mirësia që lë pas i ikuri, është i njohur.
Dje u shfaq në Pragë. Në mes të dimrit, i sëmurë dhe i rrëgjuar, ai kërkon të prekë atë që s’e arriti dot, liderin model të postkomunizmit në Evropë, atë që ka thënë postulatin e madh që nuk ka antikomunist më të rrezikshëm se sa ish- komunistët e kthyer në demokratë. Ka shkuar pranë njeriut, i cili 20 vitet në liri pas komunizmit ia ka kushtuar luftës ndaj modelit të Sali Berishës, kudo që shfaqej, që nga Kremlini deri në Tiranë. I ka shkuar në funeral një njeriu, i cili është antiteza e tij, por dhe ëndrra e fshehtë e tij.
Dëshira për të qenë një Havel në çdo vend ish- komunist buronte nga frymëzimi dhe modelimi që Haveli i dha portretit të liderit postkomunist modern. Sali Berisha nuk kishte as fuqi, as vullnet dhe as karakterin e duhur për t’i ngjarë atij. Përkundrazi, ai ishte modeli i liderit postkomunist, ndaj të cilit luftoi Haveli këto 20 vjet pas rënies së Murit të Berlinit. Haveli nuk vodhi zgjedhje, nuk futi vendin në anarki edhe pse e ndau atë në dy shtete, nuk vodhi pronat, dhe mbi të gjitha nuk vrau kurrë siç ka vrarë ky njeri për të mbrojtur karrigen e tij më 21 janar, gati një vit më parë.
Haveli më shume se sa për mënyrën si rrëzoi komunizmin në Çeki do mbahet mend si luftoi përsëritjen e komunizmit në Çeki përmes liderëve autoritarë. Vendi i tij sot është një vend krenar në Bashkimin Evropian dhe pasardhës të tij po drejtojnë në Bruksel politikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Rezistencën e fundit që ata hasin e kanë tek Sali Berisha.
Vaslav Havel do të përcillet sot në banesën e fundit. Nuk di sa shanse ka Sali Berisha të fotografohet pranë arkivolit të tij, por di që ai nuk ka asnjë shans të ketë në funeralin e tij atë nderim që ka njeriu që është simbol i rezistencës ndaj totalitarizmit komunist dhe tendencave totalitariste postkomuniste në Lindje. Ai u bë i njohur duke rrëzuar komunizmin, por u bë një figurë e nderuar në botë, pasi iu përkushtua për 20 vite betejës kundër atyre që tentuan të rikthejnë totalitarizmin e komunizmit në shoqëritë e korruptuara postkomuniste, duke bërë aleancë me mafien, duke prishur zgjedhjet, duke persekutuar shtypin e lirë dhe duke krijuar një regjim të ri, jodemokratik, i cili vret qytetarët që protestojnë. Këto 20 vite në liri ai luftoi kundër “saliberishëve” të Lindjes. Dhe bash për këtë nderohet më shumë. Natyrisht jo prej Sali Berishës.