Nga Mero Baze, 8 Mars 2013
Në intervistën e tij të fundit publike me Blendi Fevziun, Edi Rama krijoi perceptimin se nuk ka ndërmend të merret me Sali Berishën kur të fitojë zgjedhjet, pasi do të ketë shumë punë për të bërë, ndërkohë që është shprehur se gjyqi ndaj fajtorëve për vrasjet e 21 Janarit dhe Gërdecit ende nuk ka filluar. E parë në një perspektivë politike, duket sikur Edi Rama ka ngritur dy sisteme për të konkurruar, njërën për të bërë tolerantin politik, dhe tjetrën për të bërë pedantin institucional me drejtësinë. Pra, në një anë do të kemi një kryeministër që nuk do të merret me liderin e opozitës, dhe nga ana tjetër duket sikur do të kemi një kryeministër që do të krijojë një klimë të re politike që gjyqet e famshme të pandëshkueshmërisë të ribëhen.
Por a mund t’ia dalë dot duke manovruar në këtë teh shpate mes dy qëndrimeve që janë të kundërta në thelb?
Nga sondazhet paraprake në opinion, ndëshkueshmëria është pritshmëria që ka më shumë pikë në opinion publik. Edhe pse shumë nga zotimet e Spahiut janë të ekzagjeruara dhe ndonjë herë diletante, shumë njerëz janë gati ta besojnë çdo gjë që ai thotë kur vjen fjala për të ndëshkuar politikanët e korruptuar. Në këtë pikë Edi Rama po zgjedh me vetëdije të kundërtën, të mos premtojë protagonistin e ndëshkimeve, por premtuesin e klimës së ndëshkimeve. Si teori është moderne dhe parimore, por njerëzit kanë nevojë për garanci.
Në klimën e sundimit politik në Shqipëri, njerëzit kanë pak siguri nga premtimet, akoma më pak siguri nga institucionet dhe më shumë siguri nga emrat që premton se do të jenë luftëtarë të korrupsionit. Në këtë pikë ka shumë debate dhe brenda opozitës. Ka një vëmendje më të madhe se ç’duhet, përqendruar rreth emrave të rinj të grupit të drejtësisë që po i ofrohen grupit parlamentar të Partisë Socialiste nga Edi Rama. Kandidimi i Celibashit në Fier, i Muçmatës në Kukës e Sollakut në Asamblenë Socialiste, pra i disa figurave të njohura të drejtësisë shqiptare, ka krijuar mendime të përziera rreth të ardhmes së ndëshkueshmërisë së pushtetarëve.
Personalisht mendoj se ata janë socialistë të mirë dhe njohës të rrethanave në të cilat zhvillohen procesi i ndëshkimit dhe tolerimit politik në Shqipëri. Mes tre garancive që Rama duhet të japë për ndëshkueshmërinë, atë të emrave me të cilat do motivohet drejtësia, atë të premtimit për ndëshkueshmëri, dhe atë të forcës së institucioneve, mbetet që Rama të operojë fort me premtimin për krijimin e institucioneve dhe krijimin e klimës politike për të sjellë ndëshkueshmërinë. Kjo mund të jetë gjëja e re që ai mund t’i sjellë politikës shqiptare. Emrat nuk sjellin asgjë veç idesë që socialistët po vijnë në pushtet.
Qofshin juristët që po i afrohen PS, qofshin dhe këta që janë në PS, nuk përbëjnë ndonjë revolucion në mendjen e shqiptarëve dhe as ngjallin ndonjë besim të ri. Besim këtu mund të ngjallë vetëm angazhimi serioz i Edi Ramës për një klimë politike për të ndëshkuar proceset e pagjykuara.
Më 15 mars mbushen pesë vjet nga tragjedia e Gërdecit, më pas do të mbushen tre vjet nga tragjedia e 21 Janarit, dhe kështu me radhë. Socialistët duhet të debatojnë pa doreza për këtë çështje. Gërdeci dhe 21 Janari nuk janë arsye përse ata duhet të vijnë në pushtet, por nëse këto procese nuk rigjykohen, atëherë PS do të ngjajë me PD, që vjen në pushtet me arkivolin e Azem Hajdarit në kurriz, dhe për tetë vjet vetëm sa i gjen punë me lek gruas së Azemit.
Pandëshkueshmëria është një problem që duhet të marrë fund me klimë politike, me institucione dhe debat të gjallë brenda PS, pa u kompleksuar nga emrat që hyjnë e dalin në parti dhe pushtet. Pyetja a do të falë Rama, Sali Berishën, është naive, por është shumë infektuese për të çoroditur plot vota opozitare të lëkundura. Nuk duhen lënë që këto vota ta falin Sali Berishën duke e lënë në pushtet, pa i lënë shans Edi Ramës ta falë apo ta dënojë.