TemA, 24 Korrik 2012
Nga Vladimir Lenini te Vladimir Putini? Këtë pyetje shtron në fillim të një analize botuar sot në “Shqip”, Andrea Stefani. Analiza merr shtysë nga fakti që dy kompani shtetërore ruse “Gazprom” dhe “Rosneft” kanë shfaqur ambicie për të blerë “Albpetrolin” e nxjerrë në privatizim nga qeveria dhe për të depërtuar kështu në industrinë energjetike të Shqipërisë.
Shkruan Stefani: “Ndërsa betohet për integrim me Europën dhe Perëndimin, qeveria shqiptare është në prag të vendimeve historike që mund të çojnë në një integrim thelbësor ekonomik të Shqipërisë me shtete autokratike si Rusia, dëmtimin e lidhjeve të saj me Perëndimin, si dhe cenimin e integrimit ndërkombëtar të Kosovës. Një i tillë hap është edhe privatizimi i “Albpetrolit”, kompanisë shtetërore të nxjerrjes së naftës në Shqipëri. Dhe procedurat tenderuese të privatizimit kanë krijuar mundësi për blerjen e këtij aktiviteti strategjik edhe nga kompani të fuqishme ruse duke sfiduar rrezikshëm shanset e një integrimi ekonomik të vendit me Perëndimin”.
Alarmi është ngritur para pak ditësh, në një artikull të analistit Janusz Bugajski, i cili shkruan: “Tirana zyrtare përballet me një zgjidhje strategjike: Ngatërrimin me rrjetin energjetik të Rusisë apo marrëdhënie më të ngushta me SHBA”? Sipas Bugajskit, Shqipëria është bërë një nga shënjestrat e Moskës në Ballkanin Perëndimor. Krijimi i vartësisë energjetike prej Moskës, shfaqet kështu si një element kyç i strategjisë së Putinit dhe “kur ai i vë drynin një vendi ekonomikisht, korrupton elitat politike dhe ato të biznesit, duke minuar pavarësinë kombëtare”.
Bugajski shkruan se qëllimi është të promovohen regjimet miqësore ndaj Moskës, të minohet kohezioni europian dhe të zvogëlohet ndikimi amerikan. Gjithashtu, këshillohet qeveria shqiptare që të jetë syçelët që të mos bjerë në kurthin energjetik të Moskës. A do t’i dëgjojë Kryeministri Berisha këto këshilla?
http://respublica.al/artikuj/2012/07/24/nga-vladimir-lenini-te-vladimir-putini-pyesin-bugajski-dhe-stefani







