Në çfarë regjimi jetojmë?

0
28

Ilir Yzeiri, 19.08.2011

Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit nuk e zgjidhi përsëri dilemën e shqiptarëve të lodhur që kanë vendosur të jetojnë në kufijtë e shtetit shqiptar. Ky raport nuk bindi askënd se çfarë ishin ato që u kryen në vendin tonë më 8 maj. Ishin zgjedhje? Ishin maskaradë? Ishin tallje? Ishin një turp apo çfarë tjetër ishin? Teksti i raportit natyrisht është një vlerësim dhe regjistrim sipas stilit të kronikës dhe autorët e tij i thanë dhe i përshkruan të gjitha ato që ndodhën më 8 maj e në vijim. Mirëpo ajo që ne prisnim të na e thoshin, ajo, pra, se çfarë ishin ato, pikërisht emërtimi i tyre, nuk gjendet në asnjë rresht të raportit.

Dhe është mirë të flemë mendjen njëherë e përgjithmonë se miqtë dhe partnerët tanë nuk kanë për të na e thënë kurrë se çfarë janë ato që ne zhvillojmë një herë në disa vjet për të ndryshuar institucionet kushtetuese të vendit tonë. Nuk kanë për të na e thënë se ne jemi një popull i mbrapshtë që prodhojmë gjithmonë të keqen për njëri-tjetrin, të zezën për këtë vend. Miqtë tanë dhe partnerët tanë të nderuar e kanë kuptuar tani se armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët, se ata janë të ndarë më dysh dhe se Kryeministri i tyre është pjella tipike e konstitucionit të tyre moral e antropologjik.

Pas rënies së komunizmit dhe sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në mjediset perëndimore që e përkrahnin dhe e çmonin kauzën shqiptare si në Uashington apo edhe në ndonjë vend tjetër, flitej nën zë se shekulli XXI mund të quhet si shekulli i shqiptarëve. Në pamje të parë ashtu dukej, por dalëngadalë, vetë shqiptarët nisën ta zhbëjnë vendin e tyre. Vetëm në vitin 1997 u vranë më tepër se ç’ishin vrarë e pushkatuar gjatë pesëdhjetë vjetëve të regjimit komunist.

Plaçkitja e pasurisë kombëtare dhe ndarja tragjike e vendit në dysh, zotërimi vetëm i ligjërimit politik luftarak dhe mpirja e jetës intelektuale, zhbërja e kulturës dhe letërsisë janë vetëm disa prej plagëve të dukshme të shoqërisë shqiptare sot, ndërsa gjithçka tjetër vërtitet rreth luftës së papërmbajtshme për të mos e lëshuar pushtetin. Një mendje normale mund të pyesë pse është e domosdoshme që të mbahet pushteti me çdo kusht? Pse për të marrë Bashkinë e Tiranës, qeveria dhe Kryeministri bënë të pamundurën dhe ndërtuan një sistem kriminal e mafioz?

Për ç’arsye lufta e djeshme që bënin komunistët kundër atyre që nuk e përkrahnin kauzën e tyre, është zëvendësuar me luftën e egër dhe mafioze që bën sot një njeri i vetëm për të mbajtur pushtetin me çdo kusht? Në qoftë se ky shekull është shekulli i shqiptarëve, përse duhet që një njeri i vetëm të na sundojë për njëzet vjet rresht, përse duhet që një njeri i vetëm të blejë gjithçka: media, biznese, të krijojë lobingje me paratë tona dhe të rrijë në pushtet e të dalë në TV e të na thotë ky vend është imi dhe unë nuk iki që këtu?

Në qoftë se ky është shekulli i shqiptarëve, përse një njeri i vetëm nuk pranon të largohet nga pushteti me anë të votës, përse ky njeri vjedh vota? Nuk ka interpretim më të pavend sesa ai që bënte Kryeministri për tekstin e OSBE/ODIHR. Si ka mundësi që të arrijë deri aty dhe të shpjegojë një tekst me të paqenën e tij, me sofizma banale të tipit që “po, ata thoshin që të miratohet ligji, po nuk thoshin që pse u numëruan”… apo të tjera si kjo? Ai tekst vetëm në këtë pikë ishte i qartë dhe thoshte se mandati i Tiranës u grabit.

Mirëpo, teksti nuk thoshte asgjë tjetër dhe nuk merrte përsipër të na tregonte neve se në çfarë regjimi jetojmë. Ne këtë duhet ta dimë dhe ta kuptojmë vetë. Ndërsa ligjërimi i Kryeministrit tonë për suksesin ekonomik është i papërballueshëm, sidomos tani në gusht. Specialistët më të mirë të ekonomisë thonë se Shqipëria, sipas klasifikimit që i bën një nga tre kompanitë e raitingut ekonomik, është një vend me ekonomi të brishtë dhe se borxhi sa 60% e GDP-së është një kërcënim serioz. Ndërsa gjendja reale e ekonomisë është katastrofike.

Investimet thuajse janë zero dhe ne vijojmë të paguajmë me kreditë që marrim borxhin për kompaninë që na ndërtoi Rrugën e Kombit. Le të na tregojë Kryeministri ynë ku janë investimet publike. Në rrugën e Elbasanit, kompania greke po punon me paratë që janë marrë me kredi. Rruga Tepelenë–Levan ka dhjetë vjet që nuk po përfundon. Sa është rritur konsumi në ekonominë shqiptare? Kush mund të na e thotë? Askush. Mirëpo, ne jemi të detyruar të dëgjojmë një njeri të vetëm që na flet për Eldoradon shqiptare.

Në qoftë se është kështu, përse ai nuk heq dorë nga vjedhja e votave? Përse kërkon të rrijë në pushtet me çdo kusht? Shekulli ku kemi hyrë, është quajtur shekulli i shqiptarëve, por shqiptarët po bëhen gjithnjë e më të zymtë, shqiptarët po jetojnë natë e ditë në një vend ku nga mëngjesi në darkë njerëzit janë nën efektin e dhunës makabre akustike të televizioneve që ka blerë Kryeministri, të cilët flasin për sukseset e partisë së Kryeministrit dhe shajnë armikun e tij, liderin e opozitës.

Në këtë vend nuk ka më as filma, as teatër, as letërsi, as autoritet tjetër moral. Ka vetëm pasion si në ethe për të mbrojtur Kryeministrin që vjedh votat dhe shkatërron shqiptarët dhe paradë mediokrish, sharlatanësh e dallkaukësh që dalin sa në një ekran në tjetrin e flasin për sukseset e Shqipërisë demokratike dhe shajnë armikun e Kryeministrit, liderin e opozitës. Viti 2012 është viti i zgjedhjeve të mëdha parlamentare në shumë vende perëndimore, sidomos në SHBA. Ne do të ndjekim me pasion ato zgjedhje dhe do të bëjmë tifozllëk për kandidatë alternativë.

Do të kemi rast të shohim teatrin e bukur e madhështor të demokracisë. Por vetëm kaq, se pas atij viti do të vijë 2013-a, viti i zgjedhjeve tona elektorale. Që tani duhet të jemi gati që të durojmë edhe një herë tjetër mashtrimin e një njeriu që do të shesë e do të blejë gjithçka që të mos ikë nga pushteti. Pas asaj maskarade ne do të presim raportin e radhës, i cili, ashtu si gjithë të tjerët, do të përshkruajë me saktësi se si janë vjedhur mandatet, por nuk do të vërë asnjë emër për regjimin në të cilin ne jetojmë. Atë emër dhe atë regjim ne e meritojmë prej kohësh, megjithëse ky është shekulli i shqiptarëve.

Një filozof gjerman për të karakterizuar situatën ekonomike e politike, ideologjike e shpirtërore të europianëve në ditët e sotme, kujton një shkëmbim telegramesh mes shtabeve gjermane dhe austriake gjatë Luftës së Dytë Botërore. Gjermanët u kishin dërguar një telegram austriakëve në të cilin u thoshin: “Te ne situata në front është serioze, por jo katastrofike”. Ndërsa austriakët përgjigjeshin: “Te ne situata është katastrofike, por jo serioze”. Nuk e di cila nga këto i shkon vendit tonë.