Nga: DRITAN HILA
Një fjalë e urtë italiane, thotë që “Mos u merr kurrë me idiotët se del gjithmonë i humbur”, pasi ata në fillim të ulin në nivelin e tyre, dhe pastaj të mundin me eksperiencë”. Është një fjalë, që vlen gjithmonë për replikat dhe kundër replikat në faqet e shtypit, të cilat fillojnë dhe s’kanë të sosur, sidomos kur kundërshtari, është përfaqësues i shtetit, pasi “sherri do pare dhe qejfi do nge”, thonë shkodranët. Dhe punonjësi i shtetit i ka të dyja.
Që mos ta bëj tërkuzë hyrjen, bëhet fjalë, pikërisht për të ripërmendurin kaq herë, të paktën nga ana ime: ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasilin. Shkaku që më shtyn të shkruaj përsëri për të është se, para disa ditësh, një miku im, me akses në ambientet mjekësore, më thotë se është hapur fjala, se shkrimi im i para dy javëve “Raxh Kapuri i mjekësisë”, qenkësh sponsorizuar nga një farë Pajtim Lutaj, person të cilin unë as e njoh dhe as e di, dhe as më shkon në mëndje se çfarë kontradiktash mund të ketë me doktor Petritin. Nuk i vura veshin, pasi punë fjalësh mendova.
Siç ka pasur fjalë të miletit që kur Petriti ishte Drejtor i Parësorit në ministrinë e shëndetësisë, në kohën e qeverisë Nano, nuk ju firmoste dietat punonjësve, pa dhënë 10 % të tyre, ashtu edhe në rastin tim, gojët e liga nuk mungojnë të flasin. Por, ja që para ca ditësh, si dhe herët e tjera, kur është mësuar të futet në poturet e shefave dhe nën fustaneve të grave, këtë radhë i fshehur pas breçkave të një gazetari, bënte litaninë e radhës, në një organ kryesor të shtypit, për sukseset e dikasterit që drejton.
Ndaj, ky është një moment që i duhet rikthyer, jo për faktin se kjo lloj gazetarie është bashkëpunëtore me pushtetin në vrasjen e misionit të saj dhe humbjen e besimit tek publiku, por se është detyrë që të tregohet se ky farë ministri, rishtas gënjen. Në mbrojtjen e tij, përmendet se inati i Vangjel Tavos me Vasilin, ka lidhje me mosndërhyrjen e këtij të fundit në emërimin e një primari pavijoni, ku primari përshkruhej si një burrë fisnik e i paqtë. Personalisht nuk i besoj këtyre profkave, pasi një nga primarët që njoh unë, ka gjashtë skanerë të regjistruara në emër të shoferit të tij.
Por kur lexova për këtë farë primari, mu kujtua fabula poetike e Dritëro Agollit, për minjtë që i tregonin mamasë se si kishin parë e takuar një plak qimebardhë e fisnik, i cili për dreq ishte maçok, i cili me racën e tyre nuk bëhej mik. Po ashtu, është e vështirë të zbulosh rrënjët e sherrit të Vangjel Tavos, por e mira është që ky, të mbarojë rrethimin e pronave të reja dhe të vjetra, dhe nuk ka pse ëndërron drejtimin e mjekësisë, e cila është aq e tretur, sa nuk mban dot në kurriz një shushunjë tjetër.
Petriti, me dorën e huaj, thotë se mjekësia jonë ka përparuar në infrastrukturë. Epo qenka pykë në diell për çfarë drejton. Korridoret e Spitalit Nr. 1, në mure, janë gjithë të fshira tabane këpucësh, në tokë mbushur me çimçakiza të pështyrë, ndërsa reanimacioni, mund të vizitohet nga gjithkush, ku në sallë vjen era e urinës nga banjoja që ka derën e shqyer, dhe ajri është i rëndë si në një qeli burgu. Urgjenca e spitalit Nr.6, është me krevate zgjyrë, dhe mjekë e infermierë me uniforma zhul, ndërsa muret e dyshemeja e komplet godinës, është si ajo e Spitalit Nr. 1. E njëjta pamje është tek neurologjiku, ku edhe nëse hyn shëndoshë, del i sëmurë me nerva. Le të shkojë tek urgjenca që ndodhet pranë kafene Ujëvarës, dhe do vërejë një ndërtesë të denjë për tu shembur. Dhe këtu po flasim për Tiranën dhe jo për Leskovikun.
Bën apologjinë se ilaçet kanë një rrugë tenderimi, ku ky nuk është pjesëmarrës! Le mos bëjë sherr-budallën, pasi edhe një specialist e di që asnjë ministër nuk firmos tendera, po nuk ka si shpjegohet ndryshe që tenderat fitohen me 99.99% të kufirit limit, dhe në rastin e tij, meqë ka dhënë edhe shifra, le të thotë në një nga performancat e tij televizive se sa për qind të totalit të tenderave ose komisionimeve fiton firma “Megapharma”, dhe çfarë lidhje ka me pronarin.
Por mos na çudisë duke shpjeguar palidhshmërinë e tij me paratë, pasi dihet që ministri, as kërkon para dhe as është pjesë në komisionin e tenderimit, por janë zarat e tij që e vërtisin lojën. Ndaj mos bëjë të “zgjuarin” e të përdorë justifikime të dala boje para 20 vjetësh. Këtë shpjegim, e kërkojmë sa për fillim. Me kalimin e kohës, mund të ketë rastin të na shuajë edhe kuriozitete të tjera për afera të tjera të ministrisë. Daljen 450 herë nga 600 ditë që ka në funksion, e quan marrëdhënie me publikun! Ouuu!!!
Epo një ministër, nëse nuk jep kurse online se si bëhet gjilpëra e matet tensioni, të cilat Petriti nuk ja ka haberin, pasi nuk ka punuar një ditë si mjek, kjo nuk është veçse demagogji. Ndërsa rasti kur doli para kamerave, dhe njoftoi se kishte lajmëruar Ministrinë e Brendshme, që të bënte disifektimin e territorit kundër mushkonjave, mund të quhet patologji e tij, për të shuar frustrimin personal të mungesës së qenies në vëmendje të njerëzve.
Për të shushatur miletin me markë të huaj, jepte edhe performancën e dikasterit të tij, duke përmendur OBSH-në. Një metodë e vjetërsuar e fillimit të tranzicionit, pasi dihet që këto organizata i nxjerrin statistikat nga të dhënat që jep vetë Ministria, dhe statistikat janë shumë të manipulueshme, mjaftë të lëvizësh një tregues ose bazën e të dhënave.
Dhe në fund, si për shaka apo ngjallur dhimbje në kampin opozitar, thotë se këto sulme ndaj tij, janë tentativa të Ilir Metës për ta hequr. Domethënë, Meta paska arritur në atë derexhe, sa paska nevojë për shtypin për të hequr nga posti Petritin dhe Haxhinaston. “Bir Selman i nënës, kë të qaj më parë”, vajton një këngë e vjetër. “Të qaj Petritin, apo gazetarin”, do ishte vazhdimi sot.
Gjithë sa citova më sipër, ndoshta nuk do ja vlente ti ripërmendja, por për hatër të pensionistëve dhe shqiptarëve që rropaten në dyert e një sektori, ku mafia do kishte ç’të mësonte, ishte nevoja e një përgjigjeje. Ishte nevoja edhe njëherë që të thuhet se çfarë shkatërrimi janë për shëndetin e njerëzve procedurat e pritjes, ku mund të humbasësh dy deri në gjashtë ditë, për një vizitë. Mjaft të përmend se për të bërë një skaner, më futën në listëpritje, ku radha më vinte pas tre muajsh, dhe nuk ka statistikë që e mbulon rrënimin e mjekësisë. Fshati që duket nuk do kallauz.
Partia Demokratike, duhet të marrë përgjegjësitë e saja, dhe nuk ka pse e lë akoma këtë sektor në dorë të partive aleate. Partitë e koalicionit, i përgjigjen elektoratit që i ka zgjedhur, ndërsa PD-ja ka përgjegjësi ndaj shqiptarëve, dhe kjo do të thotë që ose ta marrë në vartësi të saj dhe të vlerësohet me votë, ose nuk ka pse bën të paditurin. Ky sektor, nuk është në nivelin zero, por është në gropë. Mjekësia, nuk është se nuk ka kuadro të përgatitur edhe në perëndim, apo nuk është se mungojnë ishuj të miradministrimit që tregon se ka edhe mjekë të përgjegjshëm dhe besnikë të betimit të Hipokratit.
Në këtë situatë ku është ky sektor, mund të fillojë ringritjen vetëm nën drejtimin e një personi teknik, i cili ka besimin dhe mbështetjen e kryeministrit. Kjo formulë e bën drejtuesin e dikasterit, të pandijshëm ndaj politikanëve periferik, dhe në marrëdhënie vetëm me një person, ndaj të cilit mund të trembet dhe japë llogari. Problemi qëndron, nëse forca lider, do të marrë përgjegjësitë e saja dhe ti japë zgjidhje këtyre problemeve, apo do vazhdojë ta ketë monedhë tratativash partiake shëndetësinë. Mos harrojnë, se mund të rrinë në pushtet gjithë jetën, por një ditë, para se të shkojnë tek Zoti, do kenë punë një herë me shëndetësinë.
Dhe me kaq, siç thuhet në Dhiatën e Re, “fola dhe shpëtova shpirtin tim”. Nuk kam më ndër mënd të merrem me këtë njeri, që nëse nuk do ishte ministër, nuk ka asnjë vlerë të harxhosh bojë me të. Shpresoj që dikush të mendojë për këtë sektor, e duke parë se shpesh, për shkak të keqmenaxhimit vdesin njerëz, nuk do ishte keq të merrej edhe prokuroria.