I tradhtuar nga koshienca për krimin

0
32

Nga Mero Baze

Është e pabesueshme tronditja që i ka shkaktuar kryeministrit Sali Berisha një humor i disa djemve, shumica adoleshentë, që kanë shpërndarë disa postera me humor për të tërhequr vëmendjen e kryeministrit. Ata kanë dizajnuar vlerësimin e tyre për Berishën në formën e një lajmërimi vdekje dhe kanë theksuar në përmbajtje “meritat” e kryeministrit.

Tani posteri është bërë popullor pasi është publikuar në media. Policia i ka gjurmuar në rrugët e Tiranës dhe në orën 3 të mëngjesit i ka arrestuar katër djemtë e forumit Rinia Aktive, pjesë e Kuvendit Civil Shqiptar. Mes tyre ishte dhe Geraldo Durda, 17 vjeçari, i cili është vëllai i Edison Durdës, fëmijës së vrarë nga shpërthimi në Gërdec.

Kur rri e shikoj reagimin e frikshëm të kryeministrit, i cili prej dje deri sot e ka përmendur katër herë publikisht këtë humor të të rinjve shqiptarë me të, kuptoj qartë dy gjëra. E para që ata janë arrestuar me urdhër të tij, dhe e dyta që kryeministri është trembur seriozisht nga ideja kanunore se dikush që ka humbur vëllain për shkak të djalit të tij mund të marrë gjakun.

Arrestimi në orën 3 të mëngjesit i katër të rinjve është tërësisht vepër e tij. Përfytyroni një polic apo patrullë që ka lexuar atë poster. Përse duhet t’i shkonte në mendje të gjente dhe të arrestonte autorët kur aty nuk kish asgjë të rrezikshme veç humorit? Dikush ka raportuar shef pas shefi dhe kryeministri i ka hapur rrugë arrestimit “për agjitacion dhe propagandë” kundër tij.

Aq e vërtetë është kjo, sa të rinjtë dëshmojnë se në orën 3 e 30 të natës, në rajonin e policisë ku i çuan, erdhën shumica e drejtorëve të policisë së Tiranës për t’i marrë në pyetje dhe për t’i identifikuar kush ishin. Kjo gatishmëri e shkallës së lartë, tregon se njeriu i vetëm që ishte zgjuar nga ankthi në atë orë ishte Sali Berisha. Ai e tradhtoi vetën të nesërmen në mbrëmje, disa orë pasi të rinjtë i liroi me vendim të prerë prokurori i çështjes. Berisha doli me një deklaratë ku theksonte se të rinjtë i kishte shtyrë Edi Rama, ndaj duhet të liroheshin. Të rinjtë në fakt ishin liruar.

Por përpjekja e tij për të jetuar një kazus shfajësimi për ta, tregon se sa shumë ka vuajtur për të gjetur një motiv për t’i arrestuar. Ç’kuptim ka që duhen liruar nëse i ka vënë Edi Rama, nëse i ka vënë Jozefina, apo nëse i kamë vënë vetë ata postera të rinjtë. Thelbi i atij posteri nuk ka asgjë kriminale veç humorit me kryeministrin. Cilësia e tij nuk ndryshon as nga autorët direkt, as nga autorët e fshehur që shikon në ëndërr Sali Berisha.

Pra, ata të rinj nuk mund të arrestoheshin në asnjë mënyrë, nëse nuk urdhërohej arrestimi i tyre nga Sali Berisha, dhe nuk u liruan prej tij. Fakti që ai pas lirimit, në përpjekje për të mos u dukur i humbur nga ajo betejë idiote me të rinjtë, shpikte autorë të tjerë, tregon se ai ka qenë thellësisht i përfshirë në atë veprim, çka tregon një degradim të tij jo vetëm politik, por dhe psiqik. Ai jeton me paranojën e vdekjes dhe të armiqve që e kanë në grykë të pushkës.

Ka rrethuar rrugën e shtëpisë së tij si Enver Hoxha dikur rrugën e Bllokut, ka blerë Benz të blinduar, udhëton me antiplumb, shmanget nga daljet e lira në publik dhe thuajse ka kaluar në ilegalitet familjen. Është në makth, si gjithë njerëzit që presin që dikush të hakmerret ndaj tyre. Sundimi në një mjedis armiqësor, është tipar i regjimeve, dhe Sali Berisha po e demonstron këtë me makthin që demonstron për jetën e tij dhe vdekjen e mundshme.

Por përtej paranojës dhe përfshirjes direkte në arrestimin e të rinjve, Berisha duket se është tronditur dhe nga një element kanunor në reagimin e mëpasmë. Kur ka urdhëruar arrestimin, ai nuk e ka ditur kush ishin ata djem të rinj 18 vjeçarë.

Pas arrestimit, dhe sidomos pas lirimit të tyre, ai mësoi nga media se një prej tyre është vëllai i Edison Durdës, vrarë në Fabrikën e Vdekjes që i biri i tij ndërtoi në Gërdec. E ëma e Geraldos dhe Edisonit është ajo gruaja legjendare me të zeza që shkon në çdo seancë gjyqësore të Gërdecit dhe dëgjon e heshtur dhe e tmerruar talljen me gjakun e djalit të saj. Sali Berisha ka bashkuar në mendjen e tij të mplakur dhe rrënuar mbiemrin Durda me gjakun e pamarrë nga drejtësia për Gërdecin.

Lajmërimi me humor për vdekjen e tij, dhe shpërndarësi i trakteve me mbiemrin Durda, kanë prodhuar në mentalitetin kanunor të tij hijen e gjakësit. Edhe pse Geraldo është një adoleshent paqësor dhe shumë i mençur për moshën që ka, edhe pse është një djalë që nuk i ka shkuar kurrë në mendje ajo që i ka shkuar Sali Berishës, është kthyer pa dashje në një makth për të parin e vendit. Prej lirimit të tij e deri në këto momente kryeministri në çdo deklaratë për shtyp që bën, flet se kundërshtarët e duan të vdekur.

Ngjan herë i çmendur, herë qesharak, herë i trembur, e herë i fiksuar pas idesë se do ta vrasin. Është prototipi i njeriut që e di çka bërë, dhe çuditet si njerëzit nuk marrin hak dhe nuk sillen siç ai është sjellë ndaj tyre. Është një ndëshkim i mrekullueshëm për një njeri, i cili po përplaset me hijen e veprës së tij dhe po vuan dënimet që i cakton vetë vetvetes. Është në atë gjendje të mjerë dhe plot makthe, sa të gjithë duhet t’i urojmë jetë të gjatë për të parë sa e tmerrshme është të jetosh me frikën e vdekjes që çuditesh pse po vonon të të marrë.