Berisha flet dhe qesh në seminar, ilaritet e habi në sallë e panel

0
37

TemA, 5 Janar 2012

Kryeministri u shpjegon të pranishmëve se si mendon të konkurrojë Shqipëria me vende si Kina

AMA NEWS

Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në seminarin “Bota e Re 2012, Risi dhe Ndryshim”. Ka qenë një seminar me tematikë ekonomike ku pjesa më e madhe ishin ekonomistë dhe inxhinierë dhe i vetmi ndryshim ishte kryeministri ynë, një mjek.

Madje edhe presidenti francez nuk ka qenë i pranishëm, por vetëm as ka organizuar këtë seminar duke ndihmuar Ministrinë e Financave, Industrisë dhe Ekonomisë. Por ashtu siç pritej dhe ishte njoftuar nga Kryeministria, Sali Berisha ka folur për shumë pak, as 5 minuta fjalim, në këtë seminar. Por ajo që ra së tepërmi në sy ishte karakteri depresiv i fjalimit, kontradiktor në sjellje, mimikë dhe ato ç’ka transmetonte kryeministri. Bënte përshtypje fakti se pas çdo fjalie Berisha lëshonte një buzëqeshje karakteristike të shtirur prej aparatçiku, teksa të pranishmit në panel jo vetme kanë dëgjuar me gojën hapur, por e kanë shoqëruar fjalimin e Berishës edhe me kruajtje koke, mbajtje balli, fërkim syzesh e sysh dhe deri tek mosbesimi.

Secili prej tyre ka pritur me shumë padurim që ai të mbaronte fjalinë, në të cilat përmendi faktet se në 1990 shqiptarët ishin më të varfrit në botë me pak të ardhura, kurse tani janë më të pasurit dhe ekonomitë më të zhvilluara! Pikërisht kjo fjali ka shkaktuar ilaritet në sallë dhe çudi tek të pranishmit që kanë nisur madje edhe të nënqeshin. Një tjetër deklaratë e kryeministrit ishte edhe se “Shqipëria është vendi me taksat më të ulëta në Evropë”. Por në fakt këtu zbatohet taksa e sheshtë e njëllojtë si për ata që kanë dhe për ata që nuk kanë. Por kush ishin pjesëmarrësit për të kuptuar edhe përse gjendej Berisha në këtë seminar, kur në fakt ishte ftuar vetëm Ridvan Bode ?!.

“Të pranishëm ekspertë ekonomistë, gazetarë të fushës ndërkombëtarë, kryeministri francez François Fillon, që ishte dhe organizator i seminarit, Rubens Barbosa, ambasador dhe president i Këshillit të Tregtisë së Jashtme të Federatës së Brazilit, Khaldoun Al-Mubarak, president i autoritetit ekzekutiv të Abu Dhabi, në Emiratet e Bsshkuara Arabe, Christophe de Margerie, presidenti i përgjithshëm i “Total”, Valérie Pécresse, ministre e Buxhetit, Punëve Publike dhe Reformës Shtetërore dhe zëdhënëse e qeverisë franceze”, shkruajnë mediat franceze dhe agjencite e lajmeve per kete seminar.

Më poshtë janë pyetjet e drejtuar ndaj kryeministrit Sali Berisha në këtë seminar dhe përgjigjet që ka dhënë ai.

Si mendoni se mund të konkurroni me vende si Kina?

Kryeministri Berisha: Nëse i shikoni këto vende të sapoardhura, vendet e mëdha, ata kanë arritur aty ku janë sot, sepse kanë ndryshuar qëndrimin e tyre kundrejt lirive. Gjithashtu, nuk duhet të përjashtojmë se qëndrimi ndaj lirive ekonomike mund të jetë ndoshta më i lehtë se sa në vendet e zhvilluara. Në shumicën e vendeve të zhvilluara liritë ekonomike janë përballur me probleme shumë të mëdha, me faturat sociale, janë përballuar me taksa të larta, por sot zgjerimi më i madh i sistemit kapitalist është kriza që po vazhdon, një krizë që, padyshim, do të kërkojë reforma.

Vendi im, njëzet vjet më parë, erdhi si një nga vendet më të rrënuar në Evropë. Të ardhurat tona për frymë ishin të njëjta me Angolën, 204 dollarë amerikanë për frymë. Unë isha një kardiolog pa njohuri për sa i përket sistemeve ekonomikë socialistë dhe për sistemet kapitaliste, por isha një ndjekës i Ronald Reagan, i cili fliste gjatë gjithë kohës për të drejtat e njeriut. Me të ardhur në pushtet në zgjodha modelin e tij. Së pari, taksat e ulëta. Vendosa në vendin tim barrën më të ulët fiskale në Evropë, privatizim i shpejt, liberalizim i plotë. Vendi im kaloi në një rritje dyshifrore. Pastaj humba pushtetin. Pasi erdha sërish në pushtet iu riktheva modelit tim, modelit të Reagan. Reagan thotë se ‘paratë në llogaritë e personave privatë janë më të vlefshme për shoqëritë se në llogaritë publike’. Ky është besimi im. Vendosa taksën e sheshtë 10 përqind, 15 përqind kontributin e sigurimeve shoqërore.

Më lejoni t’ju paraqes shkurtimisht çfarë ndodhi në Shqipëri. Nga viti 2006 në vitin 2011 të ardhurat u rritën të gjitha së bashku, në mënyrë akumulative, 6 miliardë dollarë amerikanë. Zvogëlova më shumë se gjysmën e taksave. Eksportet në vitet 2007 – 2011 u trefishuan, në 2009 – 2011 u dyfishuan. Ndërkohë që liritë ekonomikë në botë vitin e kaluar pësuan një frenim, në Shqipëri u rritën me 16 përqind dhe investimet e huaja direkte u rritën me 316 përqind, sipas UNCTAD. Ato ishin 37 përqind më të ulëta në vitin 2010 sesa në vitin 2007.

Kështu, unë mbetem optimist. Jam thellësisht i bindur se të gjitha këto arritje dhe sidomos arritjet që ka bërë Kina janë veçanërisht për sa i takon kërkimit. Dhe kjo është një gjë e mirë. Kina ka kaluar në krye sa i përket kërkimit dhe kjo është në interes të të gjithë njerëzimit. Ku ndodhet fuqia? Fuqia ndodhet tek liria. Unë besoj ende se bota është njëpolare. Modeli i vjetër duhet të reformohet, por edhe duhet të ndiqet, nuk duhet kundërshtuar. Modeli i vjetër ka fytyrën njerëzore dhe fytyra njerëzore është vitale. Ai është më tepër se disa ekzagjerime, fatura të shtrenjta dhe disa reforma, por nuk është kurrë për tu kundërshtuar.

Çfarë do të thotë lindja e fuqive të reja për vendet e vogla me rritje të shpejtë? A shihen këto fuqi të reja si një model rritje nga ata? Si i shkojnë vendet më të vogla me rritje të shpejtë fuqitë e reja në rritje?

Kryeministri Berisha: Për sa i përket vendit tim, qëllimi më madhor është të bëhet i gjelbër. Duke shpresuar që kjo do të jetë mënyra më e mirë e zhvillimit për këtë vend. Potencialet për t’u bërë të gjelbër janë të jashtëzakonshme, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Ndoshta nuk janë të lehta për t’u arritur, por janë jetësore dhe vendimtare. Shikoni Shqipërinë, një nga vendet më të vogla në Evropë, ka një potencial të pamasë të energjisë hidrike. Mund të ndërtojë më shumë se 443 hidrocentrale dhe ambicia ime është ta shoh atë si një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon.

Të bëhemi të gjelbër. Ne po punojmë, gjithashtu, në fusha të tjera. Po punojmë në pyllëzimin e vendit nëpërmjet drurëve frutorë. Vendi im ka shumë pak tokë bujqësore, për momentin ka 1800 m për frymë, më e ulëta në Evropë, por potenciali është shumë i madh nëse zbatojmë pyllëzimin nëpërmjet drurëve frutorë, sepse vendi im është një vend ideal për arrorët. Prandaj ne kemi vendosur të mbjellim 250 milionë drurë arrorë të të gjitha llojeve. Po mbjellim 50 milionë ullinj. Unë besoj se duke ndjekur këtë mënyrë pyllëzimi, nëpërmjet drurëve frutorë, është mënyra për të rritur prodhimin, është një mënyrë për të luftuar varfërinë, por, gjithashtu, është një mënyrë për të rritur sipërfaqet e gjelbra dhe të shkosh më shumë drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Ne po punojmë në burime të tjera të energjisë. Prandaj unë besoj se rruga e gjelbër është e ardhmja dhe mënyra më e mirë për vendin tim.

Në këtë kontekst mund të behët shumë edhe në planin ndërkombëtar. Unë ndjek me interes të madh negociatat në Durban dhe kudo tjetër. Por vendimtar është krijimi i një fondi për të ndihmuar sektorin privat, jo sektorin publik. Të ndihmojmë sektorin privat për prodhimin dhe sistemet e energjisë së rinovueshme do të jetë shumë e dobishme në këtë rrugë zhvillimi. Ndoshta, së shpejti këto kompani të energjisë së gjelbër, por edhe kompani të tjera mund të jenë kontribues të mëdhenj në këto fonde për zhvillimin e energjisë së rinovueshme. Shpresoj se nuk do ta shohin si konkurrencë. Shpresoj se do ta shohin si një zhvillim vendimtar për të gjithë botën.

Si e shihni të ardhmen, vitin 2012, ju vendet me ekonomi të reja që keni njohur rritje?

Kryeministri Berisha: Jam plotësisht dakord me ministrin që gjeja më e mirë është forcimi i institucioneve aktuale financiare, reformimi dhe forcimi i rolit të FMN-së e i Bankës Botërore. Konsultimet janë të domosdoshme. Nga ana tjetër, unë jam shume i bindur që në këtë krizë solidariteti mes qeverive është i nevojshëm. Por qeveria e çdo vendi duhet të bëjë gjithçka për të dalë nga kjo krizë. Një vend nuk mund të dalë nga kriza vetëm me solidaritet. Gjithsecili duhet të bëj më të mirën. Prandaj unë besoj që duhet forcuar fibra kombëtare e reformave të çdo vendi dhe duhet proceduar me reforma te thelluara. Kjo është rruga e vetme e përballimit të krizës dhe e zhvillimit. Duke përfunduar, edhe diçka tjetër. Në Shqipëri janë duke u ndërtuar 63 hidrocentrale. Në vendin tonë ka kompani ndërkombëtare si Statkraft që po investon në energji. Janë duke punuar dhjetëra kompani nga Izraeli deri në Norvegji.

Ju ftoj të shihni dhe të ndiqni shumë seriozisht privatizimin e afërt të Albpetrolit, që ka nisur.