Arben Rrozhani, 23.12.2009
Sokrat Boçi nuk ishte i gëzuar mbrëmë. Skandali që hapi ai pak muaj më parë, është finalizuar me prangosje zyrtarësh, por jo ata që ai denonconte në gazetën “Shekulli” pak muaj më parë. “Në burg duhet të përfundojnë të gjithë ata që nga kupola e qeverisë” – thotë jo pa trishtim nënkomisari, ish-specialist veshmbathje në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
E thënë troç, ata që janë prangosur dhe akuzuar dje me bujë për tenderin me uniformat janë zbatues të urdhrave, ishin njerëzit e përshtatshëm për të bërë ndonjë lek nga drejtuesit e korruptuar të mafias.
Por lista që ai hartonte, me argumente juridikë dhe ekonomikë, ishte tjetër, dhe bënte fjalë për qeverinë që bënte një ligj tjetër për uniformën duke shfuqizuar atë ekzistuese që vesh ende policitë në Shqipëri. Për ta vazhduar me drejtues apo ish-drejtues të ministrisë.
Sokrat Boçi nuk ka asnjë arsye të jetë i gëzuar. Edhe pse mund të jetë fytyra më e qeshur dhe më babaxhane që shihet rrugëve të Tiranës. Sepse ka pasur shumë fatkeqësi dhe dështime në vitet e fundit.
Bashkëshortja i iku në moshë shumë të re, duke i lënë dy vajza si drita që duhen shkolluar dhe ai po ia plotëson amanetin gruas së ndjerë, duke bërë të pamundurën që fëmijëve të mos u mungojë buka e gojës dhe në këtë fundviti edhe ndonjë dhuratë e vogël. Ai është një Sokrat i vuajtur, shumë i vuajtur. E kanë trajtuar shumë, shumë keq.
Kanë dashur ta bëjnë vegël të paudhësive të tyre, por ai nuk ka pranuar, duke flakur tutje milionat që i ofronin në këmbim të shitjes së ndershmërisë dhe pjesëmarrjes në korrupsionin zyrtar që është ulur këmbëkryq të administratën shtetërore.
Për ta bërë të qartë së kush është Sokrat Boçi, mjafton të thuhet: është hartuesi i uniformës që vesh policia në Shqipëri, nga rrobat deri te aksesorët. Një njeri i fiksuar pas cilësisë, përpikshmërisë, efektshmërisë, ndershmërisë dhe racionalitetit.
Aq i saktë dhe aq profesionist, saqë asnjë ministër i brendshëm apo drejtor policie me dy pare mend në kokë nuk kishte mundur dhe nuk do të donte ta flakte në rrugë, ashtu siç bënë drejtuesit e Ministrisë së Brendshme pak vite më parë, sepse mjafton të thuhet vetëm një fakt: Sokratin e flakën në rrugë, por as gjashtë specialistët që kanë marrë në punë nuk dalin.
Por, ai nuk u duhej zyrtarëve të ministrisë që sajuan uniformën e re, edhe pse ajo ishte bërë vetëm në vitin 2004 dhe është po ajo uniformë që vijon ta veshë policia e Shtetit sot e kësaj dite.Uniforma e re ishte jo vetëm e klonuar nga Italia, sepse edhe firma fituese e tillë ishte, duke i hequr identitetin shqiptar.
Një uniformë që kishte abuzime në çdo detaj, ku milionat fitoheshin edhe me një kopsë këmishe mangut, edhe me një kapak xhepi në këmishë, pa folur pastaj për lëkurën e këpucës, shtrojet apo shojet e saj e mijëra yçkla të tjera, ku zyrtarët harbutë gjejnë vrimat nga rrjedh paraja e pistë.
Dhe ku firma fituese duhet të kishte ISOO apo kritere që ishin paracaktuar për firmat që do të kualifikoheshin, sigurisht pas një pazari të majmë me zyrtarët e lartë për të ndarë të ardhurat nga korrupsioni.
Dhe mundësisht firma fituese të kishte edhe dyqanin e saj ku policët e shkretë të blejnë xhupat me lekët e tyre për 6 mijë lekë të reja, dhe këto para nuk dihet se ku përfundojnë, sepse me vendim të qeverisë së Berishës uniforma e tyre është e jashtëligjshme.
Në datën 9 nëntor 2009, kur Sokrat Boçi solli pjesën e parë të dosjes së skandalit të uniformave në faqet e gazetës “Shekulli” peshkaqenët e korrupsionit në Ministrinë e Brendshme u tërbuan.
Me dhjetëra telefonata, kërcënuese dhe fyese merrte Sokrati i vuajtur, ndërsa gjerbte një teke raki, për të mbytur hidhërimin pse mund të trajtohet kështu një njeri i ndershëm, po edhe për të frenuar lumturinë që ndjente pse u kish prishur qetësinë derrave të kënaqur atje në batakun e pistë, ndërsa ish- kolegët i thonin: “Shefo të heqim kapelen!”.
Të nesërmen ai nuk u frikësua për të vijuar pjesën e dytë të dosjes korruptive të gati 12 miliardë lekëve, që do të jepeshin për të bërë një uniformë që vetëm policisë nuk i duhej, nga të cilat të paktën 5.4 miliardë do të shkonin për korrupsionin. “Policia e Shtetit nuk kishte dhe nuk ka nevojë për ndryshim uniformash dhe gradash, por për rritje pagash.
Dhe jo si deri me sot, paga të mira vetëm për agallarët (kryekomisarë e lart), por paga të mira për të gjithë punonjësit e policisë, nënkomisarët e komisarët, të mos mbeten ushtarë” – thoshte Sokrat Boçi, duke folur në emër të atyre mijëra uniformave që marrin rroga qesharake dhe u diskutohet ende sot shpërblimi mjeran për punën shtesë që bënë në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit.
Sokrat Boçin mund ta ndeshësh edhe sot rrugëve të Tiranës, po aq të vuajtur sa edhe më parë. Ai e fitoi gjyqin me qeverinë e hoqi nga puna padrejtësisht, me paratë e fituara me gjyq i bëri shërbimet e fundit gruas së ndjerë.
Edhe pse fytyrëqeshur, gaztor, duke treguar anektoda, Sokrati, i vuajtur do të jetë, deri kur atij të mos jepet haka që meriton dhe derrat e kënaqur të mos i trazojë askush nga bataku i pistë i korrupsionit.