Mllefi i Vangjel Tavos

0
71

Endri Xhafo, 15.08.2011

Ç’ka Vangjel Tavo që i është ngjitur Petrit Vasilit e s’po i shqitet prej disa ditësh? Deputeti Tavo, i afruar rishtas te LSI pas dezertimit nga PS, po e akuzon nënkryetarin e partisë së tij të re me argumente në dukje parimorë: gjendja e shëndetësisë, mungesa e ilaçeve në spitale, etj. Por duke rrëmuar pak më thellë mësohet se pas akuzave qëndron një mllef personal:

Vangjel Tavo i ka kërkuar këto ditë Petrit Vasilit që ky i fundit të ndikonte me tërë peshën që i jep posti, në zgjedhjen e një shefi pavijoni. Për hir të së vërtetës, mjeku në fjalë është një profesor i respektuar, që i bën nder mjekësisë shqiptare. Përpara zgjedhjeve të fundit, ai ishte ndërkaq shef i pavijonit ku punonte. Akoma edhe ca kohë më parë, thuajse i vetëm, profesori mbajti mbi shpatulla organizimin e Kongresit II treditor mbarëshqiptar të specialistëve të fushës së vet, me ndërhyrje edhe të mjekëve të njohur nga bota. Profesori, autor i shumë botimeve, ka bërë njësh shkencën me praktikën. Kurrë ndonjëherë, profesori i nderuar nuk është përmendur për mitëmarrje. Në fakt, profesori është në radhë të parë “njeri”!

Arsyet pse bordi nuk e rikonfirmoi në postin e shefit të pavijonit janë po aq të paqarta sa është e padepërtueshme bota e mjekësisë në Shqipëri. Por duket se profesori ka paguar haraçin e “kokëfortësisë” për të përfshirë në konkursin e specializimit, vitin e shkuar, të gjithë studentët e degës dhe jo vetëm ata që kishin mesataren më të lartë (siç e parashikon rregullorja), por që e patën të pamundur në konkursin me gojë të zgjidhnin një rast praktik brenda programit. Mirëpo si një njeri që e di se në mjekësi praktika ka më shumë vlerë se teoria, profesori shqetësohet me të drejtë për cilësinë e mjekëve që po prodhohet vitet e fundit. Ai pohon me trishtim se sot, ata që çajnë më shumë dhe që i qepin letrat më mirë për të bërë një doktoraturë (përfshirjen e emrit në një botim, rekomandimet e 2-3 profesorëve etj.), janë ca palo mjekë që nuk i kanë parë ndonjëherë dyert e klinikave.

A duhet të rizgjidhej pra profesori, me këtë antikonformizmin e tij të theksuar, në krye të departamentit dhe të pavijonit? Unë mendoj, po! A është argument i mjaftueshëm për të goditur ministrin e Shëndetësisë pse profesori nuk u zgjodh? Unë mendoj, jo! Aq më tepër që, siç edhe u bë publik, votimi dha një rezultat tepër të ngushtë, 3 me 2. Bordi që përzgjodhi shefat e pavijoneve përbëhej nga pesë anëtarë, të pestë me vota të barabarta, të pestë njerëz me personalitet të fortë, që për shkak edhe të posteve që mbajnë dhe lidhjeve të kryqëzuara politike, ishin komplet të pavarur njëri nga tjetri. Ndërkohë që ankesa e paraqitur nga profesori lidhur me rishikimin e procesit të vlerësimit dhe të zgjedhjes është marrë në konsideratë. Ankesa do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës së bordit, duke futur një standard të ri, pozitiv e të mirëpritur.

Në fakt, duke e njohur profesorin, plot fisnikëri dhe mirësjellje prej borgjezi, e pamundur të mendohet se ai mund t’i ketë pëshpëritur qoftë edhe një gjysmë fjale Vangjel Tavos për të goditur Petrit Vasilin. Thjesht nënkryetari i Parlamentit e ka marrë ca si shumë personale faktin që ministri i Shëndetësisë nuk i “mbaroi” një porosi. Për të mos thënë se mund të ketë edhe një prapavijë politike, që duhet kërkuar te ndryshimet e përfolura qeveritare në shtator, apo lëvizjet brenda vetë deputetëve minoritarë (Vangjel Tavo është pjesëtar i minoritetit grek).

Akuzat e deputetit Tavo për gjendjen e rëndë nëpër spitale, paaftësi në drejtimin e ministrisë etj., janë për më tepër të paargumentuara. Vërtet në spitale nuk i gjen të tëra ilaçet, – ndërkohë që blerjet prej tre vjetësh bëhen jo nga ministria, por nga QSUT dhe spitalet rajonale, sipas ligjit të prokurimeve dhe me fonde të dhëna nga ISKSH, me të cilin spitalet kanë kontratat e administrimit, – por edhe gjendja nuk është më ajo që ka qenë. Poliklinikat e lagjeve, për shembull, kanë fituar kohët e fundit një tender vaksinash shumë të mira për fëmijë, të njëjtat që bëhen nga spitalet private, e që poliklinikat i administrojnë falas për të lindurit pas janarit 2011.

Po ashtu, sistemi i referimit, – pra kalimi i detyrueshëm nga mjeku i familjes, përpara konsultimit me mjekun specialist, – është një element i pamohueshëm i reformës në shëndetësi, që ka shfryrë dyndjet në spitale dhe ka rritur, sipas vetë mjekëve, cilësinë e diagnozës. Ministria, e cila është shndërruar aktualisht në një institucion politikëbërës, ka markën e vet edhe në ligjin e ri të sigurimeve shëndetësore. Me “paaftësinë” menaxheriale që denoncon Vangjel Tavo, ministria mundi të përballojë mjaft mirë pandeminë e AH1N1. Në vend u regjistrua numri më i ulët i vdekjeve për numër popullsie, me kostot më të ulëta. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e cilësoi këtë një nga modelet më profesionale të shëndetit publik në rajon. Po ashtu OBSH, në konferencën e ministrave të Shëndetësisë në Andorra, e cilësoi dhurimin e gjakut në Shqipëri si një histori suksesi në Europën Juglindore, me një nivel dhurimi vullnetar deri në 80%, nga 80% dhurime me pagesë që ka qenë më parë. Kurse përballimi i situatës sanitare gjatë përmbytjeve në Veri, pa asnjë problematikë mjekësore dhe pa fonde shtesë nga buxheti i shtetit, mbeti i vetmi element gratifikues për qeverinë, pas dështimeve të saj të njëpasnjëshme, në administrimin e situatës hidrike në kaskadën e Drinit dhe me skemën e kompensimit financiar për banorët, pa folur për pakënaqësitë gjatë shpërndarjes së ndihmës humanitare.

Këto janë fakte! Ashtu siç është fakt edhe pakënaqësia jonë nga cilësia e shërbimeve në spitalet publike. Por shëndetësia në Shqipëri mbart prej vitesh probleme strukturore. Nga rreth 600 ditë në krye të ministrisë, Petrit Vasili (ose bashkëpunëtorët e tij) kanë komunikuar rreth 450 herë me mediat, transparencë gjatë së cilës nuk kanë shprehur për asnjë moment ambicien se spitalet shqiptare do të transformohen në spitale gjermanë apo francezë; edhe pse kjo do të duhet të bëhej! Problemet më të mprehta mendohet se do gjejnë zgjidhje nga kostifikimi i shërbimeve spitalore dhe miratimi i një ligji të ri për financimin e sistemit shëndetësor. Por për këtë, vetë Kryeministri Berisha, në një mbledhje të task-forcës së shëndetësisë, ka deklaruar se do të duhet ende kohë.

Pra Petrit Vasilit i duhet bëjë si të bëjë me çfarë ka. Aq më tepër që shkurtimet buxhetore kanë prekur më shumë arsimin dhe shëndetësinë, dy sektorë që edhe pa këto shkurtime, buxhetet i kanë pasur gjithmonë të kufizuar. Në këto kushte a është Petrit Vasili ministri më i mirë i Shëndetësisë që Shqipëria ka pasur? Këtë koha do të tregojë. Por Vangjel Tavo është e sigurt se nuk është kurrë zëvendësuesi i tij!

Vangjel Tavo, të cilin LSI e futi në tavën e pushtetit, duke e bërë nënkryetar të Parlamentit, – në këtë matje force me ministrin e Shëndetësisë, nuk heziton ta akuzojë këtë të fundit si të korruptuar. Akuzat e deputetit Tavo, kopje identike e akuzave që Partia Socialiste formuloi pak kohë më parë në drejtim të ministrit Vasili, e që vijnë në momentin kur ende nuk janë sqaruar akuzat që Dritan Prifti bëri kundër Ilir Metës, të krijojnë (gabimisht) idenë e një lufte thuajse permanente për katarsis brenda familjes LSI. Për rrjedhojë gjendet i përforcuar perceptimi publik se kjo parti është shndërruar në një “shpk.”, që mbart bacilin e korrupsionit dhe infekton me të këdo që merr një post drejtues. Në këtë prizëm, Vangjel Tavo po i prish shumë punë LSI-së! Edhe sekretari gjithmonë buzagaz i LSI-së, Luan Rama, pa e prishur me njërin për ta ndrequr me tjetrin, në një moment tha se “janë të papranueshme të gjitha sulmet që marrin karakter personal”. Një mënyrë e qetë për t’i thënë deputetit Tavo: “Ej, nuk je më në PS, o Vangjel”!

Nëse Vangjel Tavo i është ngjitur pas Petrit Vasilit, sepse e ka marrë si shenjë impotence politike faktin që nuk i eci njëherë fjala tek ai, dikush nga brenda LSI-së duhet ta shkundë pak, që ky t’i thërrasë mendjes. Por nëse Vangjel Tavo nuk është mendjelehtë, por i ndërgjegjshëm për zullumin që po bën, atëherë në luftën për pushtet, ai është një “kalë Troje” brenda LSI-së.