Partia e “Xhepit” dhe e “Qorrit”

0
85

Nga Sokol Balla

Ajo që e bën situatën interesante, është se në dallim nga viti 2009, kur kundër kryetarit u ngrit një emër dhe një zë i ri, kësaj radhe në korin e zvargur të ankesave dhe ambicieve janë rikthyer hije të vjetra. Të cilat në kor, por kërkojnë jo thjesht që të iki i “vjetri”, por që në vend të tij të rikthehen ata, edhe më të vjetër se ai.

Ajo që pritej ndodhi. Siç ndodh rëndom një gjirin e formacionit më të vjetër politik në vend, edhe kësaj radhe asgjë nuk iu la rastësisë. Ashtu si në vitet e para të formimit pas vitit 1941, partia më e moshuar e vendit prodhoi zërat e radhës kundër kryetarit të radhës. Sigurisht asgjë e re për ata që meren me politikë. E vetmja gjë e re, kësaj radhe, duket se nuk janë më zëra të rinj që ngrihen kundër kryetarit të vjetër. Kundër kryetarit të vjetër, po ngrihen tashmë të dështuarit e vjetër.

Kjo nuk ka bërë vaki që nga themelimi i PKSH, kur, xhelozë për ngritjen e shpejtë në karrierë të Enver Hoxhës, i cili u fut rastësisht në mbledhjen e parë, për të dalë prej saj lideri politik, Anastas Lula i mbiquajtur Qorri dhe Sadik Premtja i mbiquajtur Xhepi, tentuan komplotin e parë ndaj të “riut” Hoxha. Që nga ajo kohë, të gjithë të tjerët ishin veçse rishtarë, që kërkon pushtetin e ëmbël dhe të pashpjegueshëm që kjo parti ka ofruar e ofron edhe sot, për arsye ende të pashpjegueshme.

Për këtë mjaft të kundrosh historinë e re të saj, prej vitit 1991, kur atë e mori në dorë Fatos Nano. Ndoshta është pak e tepruar, por nuk besoj se ka një formacion politik në historinë e Europës demokratike, ku kryetarit të partisë iu desh të priste 11 vjet, e të kalonte katër vjet burg, për t’u bërë kryeministër. Para tij nuk ngeli riosh mjekër padirsur, pa u bërë kryeministër. Së paku një herë. Mbi 123 ministra prodhoi lufta e brendshme për pushtet në tetë vjetët e fundit të “mbretërimit” në krye të vendit të partisë së themeluar nga Xhepi dhe Qorri.

Ajo që është interesante, është se lufta për pushtet në gjirin e socialistëve nuk pushon, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë. Dhe ky është një fenomen që kërkon shpjegimin e vet, por besoj se sindroma “Xhepi & Qorri”, është aty e pranishme për një arsye të vetme: kjo parti, për keq apo për mirë, është përfaqësuesja e vërtetë e psikës kolektive të shqiptarëve, si një komb individësh dhe jo komunitar, ku secili dhe të gjithë pretendojnë se janë më të mirët, se janë mbret, president e kryeministër. Kjo shpjegon se përse aty secili ndjehet lider, se edhe Kaçit i shkon mendja për President, rrotë më rrotë me Gimen e Puros. Kjo shpjegon se përse kur kritikojnë kryetarët, shemrat nxitojnë të përmendin pa pikë turpi e të krahasohen me emra të mëdhenj: nga Cameron te Bakojanis. Sepse aty në grigjën rozë, është mbledhur ajka e vanitetit tonë si komb. E natyrisht edhe kajmaku i karakterit tonë shoqëror.

Por ajo që e bën situatën interesante, është se në dallim nga viti 2009, kur kundër kryetarit u ngrit një emër dhe një zë i ri, kësaj radhe në korin e zvargur të ankesave dhe ambicieve janë rikthyer hije të vjetra. I riu I 2009-s hesht. Jo sepse është me kryetarin, përkundrazi. Por se edhe ai, po kundron me heshtje atë që paradoksalisht quhet risi: rebelimin e “të vjetërve”. Të cilët në kor, por kërkojnë jo thjesht që të iki i “vjetri”, por që në vend të tij të rikthehen ata, edhe më të vjetër se ai.

Ata që bënë pazare me Berishën jo sot, për njësinë pesë, por që në vitin 1996, kur linjës së rezistencës së kryesuar nga Pëllumbi, iu kundërvunë me shpifje, insinuata, puçe në distancë, ndaj tij dhe kryetarit të burgosur. Nga ata që bënë pu[e e spiunime në vitin 2002, kur ish mikut të tyre i futën thikën pas shpine, për të kapur një vend në qeverinë e Nanos, qeveri e ngritur mbi kurbanin që quhej Rexhep Meidani.

Sot të njëjtat fytyra përballë kryetarit, tashmë të vjetër Edi Rama. Dhe i kërkojnë të ikë. Nga Rexhep Meidani e deri tek Dritëro Agolli. Njeriu që parashikoi aq mirë në qershor të vitit 1991 se PS nuk do të rinovohej kurrë, e që uroi Bashën për fitoren e shkërdhyer në Tiranë. Por si mund të rinovohet një parti, e ngritur që në fillim të saj, mbi kurbane të veseve, dhe të etjes për pushtet? Jo thjesht pushtetin e privilegjeve, por atë të pastrin, të dlirtin për të cilin flet me mallëngjim Princi i Makiavelit. Veset janë vese, ato lindin dhe vdesin me shoqërinë njerëzore. Shikoni për shembull PD, aty ku këto vese nuk ekzistojnë. Ndaj ajo parti ka vdekur. Aty nuk ka kush të jetë Qorri (megjithë pasionin e Olldashit për Makiavelin). Ndërsa Xhepi? Xhepi është bërë kryetar bashkie (hahaha)

Ndërsa partia tjetër, në shtatëdhjetë vjetorin e lindjes së saj, mbetet sërish e njëjta. Si 70 vjet më parë, edhe sot, aty është rishfaqur fantazma e Xhepit dhe e Qorrit. Bile edhe e Miladin Popoviçit.

Analogjia që nuk guxoj ta bëj, është ajo finale me Enver Hoxhën. Ai ishte mbreti i veseve, por mbeti në historinë e PP (PS), i fundit pastrues i veseve të saj. Pas vdekjes së tij, fabrika rozë e puçeve prodhoi e po prodhon shumë pinjollë të rinj e të vjetër.

Asgjë e ngjashme me Teorinë e Rrëshqitjes apo grupin Armiqësor të Ekonomisë. Jo jo.

Thjesht diareja e radhës e një partie që vuan spazmat e të qenit në pushtet, edhe pas gjashtë vjetësh në opozitë.