Qeveria shqiptare i shtrin dorën Orientit

0
88

Nga: Ervin Qafmolla

Qeveria shqiptare përherë e më shumë po i kërkon paratë që i mungojnë në arkat e Lindjes së Mesme, por edhe të Largët. Pas një romance të gjatë me arabët, së fundmi Tirana zyrtare e ka shtirë dorën e zbrazët nga Kina, ndërsa vetë Kina ka kthyer sytë nga kapacitetet portale të Shqipërisë. Kjo ambicie mbështetet edhe nga deklaratat e Kryeministrit Berisha për gatishmëri ndaj “investime në infrastrukturën portuale” nga kompanitë kineze. Megjithatë, nuk dihet nëse loja e vogël e Shqipërisë do t’i mbijetojë lojës më të madhe të gjeopolitikës perëndimore

Çfarë ndodh kur nuk ke para? “U shtrin dorën aziatikëve”. Kjo në fakt mund të mos jetë përgjigja konvencionale për këtë pyetje, por pikërisht këtë po bën qeveria shqiptare. Në fakt, qeveria ka kohë që e bën diçka të tillë, kryesisht mes marrëdhënieve me bankat arabe. Por kësaj radhe, kursori i kërkimit të parave për buxhetin e sfilitur shqiptar është zhvendosur nga Lindja e Mesme në Lindjen e Largët. Kina e Madhe, lavdia e diktaturës komuniste të suksesshme – por vetëm për shkak të eliminimit të ideologjisë ekonomike komuniste – duket se mund të jetë partneri i ri i Shqipërisë në fushën e investimeve.
Kinezët kërkojnë Portin e Vlorës, si një pikë strategjike detare në Mesdhe për interesat e komerciale të vendit të tyre. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë Ministrisë së Jashtme dhe vjen pas takimeve më shumë se të ngrohta të Kryetares së parlamentit, Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë dhe Presidentit me një delegacion kinez në Tiranë i kryesuar nga ministri i Jashtëm Jang Xhiençi. Ky i fundit është kreu i diplomacisë për 1.3 miliardë banorë të një planeti prej rreth 6 miliardësh. Si rrjedhojë, vizita e njërit prej kinezëve më të rëndësishëm në botë, nuk mund të jetë rastësore dhe as një nga ato sebepet e kortezisë, ku palët flasin për mirëkuptim, harmoni dhe paqe e lumturi në rajonin e Ballkanit.
Përveç argumentit logjik se një superstari si Xhiençi nuk i bie rruga kot në Shqipërinë e vogël, ekzistojnë edhe prova më të forta në mbështetje të kësaj teori gjysmë-konspirative. Së pari në çdo takim, vetë ai por edhe shtetarët përkatës shqiptarë nuk harruan të përmendin investimet kineze. Nga ana tjetër, vizitës së Xhiençi, i parapriu ajo e një kinezi tjetër, jo aq të rëndësishëm, por që u mirëprit si i tillë nga vetë Kryeministri. Berisha priti në fund të korrikut në një takim kryeredaktorin e agjencisë kineze të informacionit “Hsinhua”, He Ping, së bashku me delegacionin që e shoqëronte. Berisha u tregua entuziast për këtë vizitë, duke qenë se sipas të përditshmes së pavarur “55”, “pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri u shpreh se kjo vizitë do të jetë një kontribut i ri dhe i rëndësishëm në marrëdhëniet miqësore e tradicionale midis dy kombeve e vendeve tona”. Gjithashtu, ai deklaroi se “kompanitë kineze janë të mirëpritura për të investuar… Kryeministri Berisha u ndal në potencialet e mëdha hidrike, turistike, minerare, etj, që ofron Shqipëria dhe në këtë kuadër ftoi biznesin e madh kinez të përfitojë prej tyre”.
Po sipas të pavarurës “55”, kreu i agjencisë së lajmeve të vendit monopartiak deklaroi gatishmërinë e tij për të nxitur bashkëpunimin me institucionet informative shqiptare, siç është edhe ATSH-ja.
Thuajse menjëherë pas kësaj vizite, mbërriti në Tiranë vetë ministri Xhiençi. Me këtë rast, Kryeministri shqiptar lëshoi një deklaratë shumë serioze duke premtuar se qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësitë e nevojshme, në mënyrë që investimet kineze të kthehen në histori të vërteta suksesi. Duke vënë në dukje pozicionin e favorshëm gjeografik të Shqipërisë, kryeministri u shpreh i gatshëm të mbështesë krijimin e një zone të lirë për investimet kineze, si dhe inkurajoi investime në infrastrukturën portuale. Deklarata të ngjashme bënë edhe Topalli e Haxhinasto. Ky i fundit ka deklaruar heqjen e vizave me Kinën si rrjedhojë e komunitetit të biznesit. Gjithashtu, Haxhinasto deklaroi me entuziazëm mbështetjen ndaj marrëdhënieve ekonomike mes vendeve. “I vlerësoj marrëdhëniet e shkëlqyera që kemi dhe miqësinë tradicionale mes dy vendeve tona. Kjo klimë e shkëlqyer sigurisht që duhet përkthyer në një bashkëpunim ekonomik politik që është duke ndodhur, Kina është vendi i tretë me potenciale të mëdha që bashkëpunon fuqishëm me ne”, deklaroi ministri shqiptar.

Jo gjithë punët shkojnë mirë
Një interes i tillë për “investime në infrastrukturën portuale” u shfaq edhe në kohën e qeverisë Nano, por kjo e fundit u bllokua si pasojë e presionit të Perëndimit. Ndërkaq, i njëjti presion nuk dihet nëse është ende në lojë, duke qenë se përveç Berishës, edhe vetë SHBA personalisht po i rishikon marrëdhëniet e saj me Kinën e Kuqe.. Sekretari amerikan i Tregtisë, Gary Locke deklaroi para pak ditësh në Uashington se SHBA-ja i mirëpret investimet e drejtpërdrejta kineze. “Investimet direkte nga Kina janë në të mirë të krijimit të vendeve të reja të punës, si dhe japin më shumë shanse tregtare për kompanitë amerikane”, theksoi ai. Në media u njoftua se deklarata e sekretarit amerikan të Tregtisë, Locke, erdhi gjatë një mbledhje, ku ai theksoi se shtimi i investimeve direkte nga Kina, favorizon punëtorët si dhe kompanitë amerikane.
Në fakt, kinezët kanë shprehur interes për të investuar në Shqipëri, në më shumë se një rast. Përveç ëndrrës së vjetër për Vlorën, të cilën nuk e morën italianët, por tashmë po u duan t’ia dorëzojnë kinezëve, ekziston edhe ndonjë precedent tjetër i mbetur në tentativë.
Në fakt një ndër projektet më të përfolura të parealizuara mbetet edhe koncesioni kinez i hidrocentralit të Bushatit, vepër që nuk u ndërtua kurrë për shkak të frenimit që iu bë projektit, sipas deklaratave të kohës, nga Banka Botërore. Justifikimet e publikuara në atë kohë ishin të larmishme, madje edhe sureale, duke përfshirë shpëtimin e disa shpendëve tepër të rrallës, si dhe disa lloje pilivesash në zhdukje e sipër.
Motivet e vërteta lidheshin me frikën e ekspansionit kinez në rajon. Vetë lobingu kundër projektit, i cili u udhëhoq nga ndërkombëtarët, ndonëse preku edhe argumente ekonomike, përgjithësisht, u kufizua në një parullë që urdhëronte ndërprerje. Në një intervistë të mëparshme për Revistën, Gjergj Bojaxhi, në atë kohë zëvendësministër i Energjetikës, pohoi se pavarësisht justifikimeve ambientale, “hidrocentrali i Bushatit është bllokuar më parë për arsye financiare dhe politike, por jo për arsye të tjera”.
Nga ana tjetër, pavarësisht ngrohjes (ende) mediatike të marrëdhënieve SHBA-Kinë për çështje që lidhen me investimet, nuk është e thënë që Amerika të ketë ndryshuar qëndrim, që nga hera e fundit kur i njëjti plan për Vlorën iu mohua qeverisë “Nano”. Ndaj çështja e “investimeve në infrastrukturën portuale”, siç e quan Kryeministri aktual, është një diskutim ende i pambyllur.
Kinezët arritën në fakt të marrin në përdorim portin e Pireut në Greqi në vitin 2009, mes një marrëveshjeje prej 4.3 miliardë euro për 35 vjet, ndërmjet Autoriteti Portual të Pireut dhe Cosco Pacific Ltd., e cila është një prej administratorëve më të mëdha të kapaciteteve portuale në botë. Është gjithashtu, një kompani kineze. Cosco deklaroi se do ta rriste kapacitetin e portit me 250 për qind, si dhe do të krijonte rreth 1000 vende të reja pune për vendasit. Kjo marrëveshje erdhi në një kohë kur kriza greke kish shpërthyer në gjithë furinë e saj. Por, çuditërisht një vendim i tillë u prit me protesta jo vetëm nga vendasit, por dhe nga vetë punonjësit e portit, të cilat në fakt po përballeshin me vështirësi serioze në paga. Përse ndërhyrja shpëtimtare kineze u prit aq keq, ende nuk dihet me siguri, por më shumë se një analist deklaroi se pas trazirave qëndronin interesat dhe krenaria e lënduar e Perëndimit. Si rrjedhojë, përveç dëshirave dhe interesave të qeverisë shqiptare dhe kineze, çështja e portit të Vlorës, mbetet ende e paqartë.

Arabët kryesojnë
Nga ana tjetër, qeveria shqiptare nuk ka hasur ndonjë rezistencë lidhur me shtrirjen e gjerë të financimeve arabe në projekte të ndryshme zhvillimi, kryesisht në infrastrukturë. Arabët u bënë së fundmi protagonistë në nënshkrimin e një shume vigane për ndërtimin e një pjese të rrugës Tiranë-Elbasan. Banka Islamike për Zhvillim dhe Ministria e Financave nënshkruan një kredi prej 222.7 milionë dollarësh. I gjithë projekti në fjalë kushton më tepër se kaq, rreth 407 milionë dollarë, sipas Kryeministrit Sali Berisha.
Ky nuk është i vetmi projekt ku “donatori” në fjalë hedh para. Banka Islamike është përfshirë edhe në financimin e Rrugës së Kombit. Gjithashtu, në korrik të këtij viti, Kryeministri takoi Presidentin e bankës Islamike, Amad Mohammed Ali, dhe duke e falënderuar atë për kredinë e rrugës së Elbasanit, shprehu edhe mirënjohjen për mbështetjen e Bankës Islamike për Zhvillim, për financimin e një sërë projektesh në fushën e transportit dhe të shëndetësisë, si projekti për rrugët dytësore dhe lokale, rrugën Kalimash-Rexhepaj, apo spitalet e Durrësit dhe Kavajës. Kjo bankë në fakt, është shtrirë në financimin e në një sërë sektorësh si infrastrukturë rrugore, ujësjellës-kanalizime, shëndetësi, energji, bujqësi etj.
Gjithashtu, qeveria shqiptare ka Korporatës Islamike për Zhvillimin e Sektorit Privat. Ky institucion ka shprehur interes për nxitjen e mikrokredive në sektorin bujqësor dhe blegtoral, si dhe për kredi të mirëfillta në sektorin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme.
Por nëse kinezët përbëjnë problem për politikat e Perëndimit, pse jo dhe arabët? Duhet theksuar se krditorët arabë me të cilët bashkëpunon Shqipëria janë nga vendet më të pasura të zonës, domethënë Arabi Saudite & kompani, çka nënkupton se janë në ligën e “arabëve – shokë të Amerikës”. Këta lloj arabësh kanë investime në të gjithë botën, përfshi madje edhe vetë Shtetet e Bashkuara, kështu që në fund të fundit, janë të gjithë miq të mirë me këdo.