Nga Filip Çakuli, 08.08.2011
Zoti Kryeministër!
Lexova me endje shkrimin tuaj në RD, për krimin e kryer nga unë ndaj katër krijesave që më kanë zënë rrugën një natë kur kthehesha për në vendlindjen time. Në fillim dhe mua më erdhi keq. Ishin katër dele të gjora, që në mes ta natës në një kthesë pa asnjë shenjë paralajmëruese po kalonin një rrugë, që e ke përuruar tri herë deri tani, por ende nuk ka asnjë masë mbrojtëse për shoferët që udhëtojnë aty. Sidoqoftë pasi u shfaqën befasisht para meje, fillova të mendoj atë çast se cili ishte shembulli që duhet të ndiqja.
Në atë çast mu shfaqe para sysh Ti zoti kryeministër. Siç na ke mësuar këto 20 vjet, por siç na ka mësuar dhe paraardhësi juaj më parë, cilido që të pret rrugën, duhet të gjejë vdekjen. Mendova për një çast se delet që mu shfaqën befas në rrugë ishin instruktuar që unë të bëja aksident, të dilja nga rruga, të bija në humnerë dhe kështu armiqtë e mi të realizonin ëndrrën e tyre. Bile dyshova se kërraba e çobanit e kishte majën me helm se dhe zilet e deleve ishin bomba surprizë. Në këtë moment, pasi mu shfaqe ti para, dhe sidomos mënyra se si shpartallove puçin e shtetit më 21 Janar, ku njerëz me thika me helm dhe çadra pistoletë të sulmuan në punën tënde, u mobilizova tërësisht, mbajta timonin drejt dhe u sula katër deleve që më dukën më agresoret. I vrava të katërta.
Ashtu si Ti i madhi udhëheqës më 21 janar i vrave ata të katërt që deshën të merrnin pushtetin dhe unë i vrava të katër krijesa, që më zunë rrugën dhe deshën të më marrin jetën. Në këtë pikë të jam mirënjohës për shembullin që më ke dhënë. Pas kësaj nën shembullin tënd kam ngritur një padi ndaj bariut agresor, që ishte pjesë e puçit për të më marrë jetën mua dhe familjes sime dhe pres me padurim të mblidhet parlamenti dhe t’ia shtoj Komisionit Halimi, tani Strazimiri, këtë krim kundër meje.
Pas kësaj mendova se çfarë mund të kopjoja më tej nga shembulli yt i madhi udhëheqës dhe mu kujtua tim bir. Vendosa që pavarësisht se krimin e kam kryer unë, pasi unë isha personi që i kam blerë makinën djalit, unë i kam paguar dokumentet, unë e kisha furnizuar me naftë kur u nisëm për udhëtim, unë i kam paguar patentën e të tjera detaje si këto, atëherë vendosa të fsheh gjurmët e aksidentit teknologjik. E vetmja rrugë ishte t’ia lija përgjegjësinë djalit siç bëtë ju në rastin e aksidentit teknologjik të Gërdecit.
Shembulli yt në këtë pikë ishte shumë ndriçues. Për fat nuk kisha baxhanakun në makinë që të ishim barazuar, por kisha pjesëtarë të familjes. Skema u bë e plotë. Ashtu sikurse ti për shkak të aksidentit teknolgjik në Gërdec vrave 26 vetë dhe ja le djalit përgjegjësinë, dhe unë vendosa nën këtë shembull t’ia lë përgjegjësinë djalit. Kjo i nderuar udhëheqës na çliron nga përgjegjësia direkte dhe na lë vetëm përgjegjësinë tonë atërore.
Tani na ka ngelur dhe hapi i fundit që ta mbyllim këtë histori. Me gjithë rrezikun e madh me të cilin unë u përballa dhe puçin për eliminimin tim fizik dhe familjar nga një bari me kërrabë me majë të helmuar nga nepërkat e Malit Mile, si dhe nga zilet në formë bombash surprizë, unë sërish jam i vendosur t’i dëmshpërblej barinjtë puçist për dëmin. Për këtë kam vendosur që t’i paguaj 50 mijë lek për katër krijesat e vrara.
Nën këtë shembull dhe duhet të veproni edhe ju. Kam dëgjuar se u keni dhënë ca pare atyre që vratë në Gërdec, kurse këtyre që vratë në Bulevard, jo vetëm që s’u keni dhënë pare, por vazhdoni persekutimin. Meqë unë e ti po plakemi dhe s’ka ndonjë rëndësi se ç’do të ndodhë me ne, nuk është mirë që fëmijëve tu lëmë armiqësira të hapura për të cilat njerëzit mund të hakmerren dhe të na i zhdukin dhe fizikisht.
Ndaj të kërkoj miqësisht si miq të vjetër që jemi që nën shembullin tim që dua t’i paguaj 50 mijë lek për viktimat e mia, dhe ti të paguash për gjakun e katër të vrarëve në Bulevard dhe 26 të vrarëve nga aksidenti teknologjik në Gërdec. Nuk jam i sigurt nëse familjet e atyre që ke vrarë ti dhe yt bir janë dakord ta lajnë gjakun me pare apo jo. Bariu im është gati të ma falë gjakun po mori 50 mijë lekë që i duhen për të blerë katër dele dhe unë do të tërheq në fund dhe Komisionin Hetimor Strazimiri për masakrën e kryer. Nëse nuk ta falin, unë të propozoj të dyfishosh, të trefishosh dhe dhjetëfishosh shumën.
Dikur ata do të binden që ta lajnë gjakun me lek. Nëse je keq për pare, ti vajza apo djali jot, jam i gatshëm të të ndihmoj me gjithë kursimet e mija. Siç e thashë dhe më lart, ne të dy jemi burra të thyer në mish dhe jemi duke ikur nga kjo botë. Me aq shumë të vrarë sa ke lënë pas dhe aq shumë prapësi sa ke bërë, zor se do ta gëzojnë të qetë jetën pasardhësit e tu po nuk ua lave gjakun me lek siç po bëj unë për katër delet. Ndaj po të këshilloj si mik që ta paguash sa më shpejt gjakun për të qenë i qetë. Kështu edhe njerëzit na kanë frikën se po na zunë rrugën i vrasim edhe na respektojnë fëmijët, të cilëve po u lëmë shumë gjynahe.
Me respekt Filip Çakuli, bashkëfajtor dhe bashkëvuajtës me ju këto 20 vjet.