Sokol Sadushi – Në sekretet e Gjykatës Kushtetuese

0
31

Nga: Lorenc Vangjeli

Për herë të parë një rrëfim për Gjykatën Kushtetuese dhe raportet e saj me politikën në Shqipëri nga një prej protagonistëve të institucionit. Cilat kanë qenë përplasjet e mëdha të më shumë se një dekade të njerëzve me toga të zeza dhe qeverisjeve në vend, nga sherret për prokurorët e përgjithshëm tek marrëveshja për ujërat me Greqinë, nga heqja e dënimit me vdekje tek mbikalimi i Zogut të Zi.

Sokol Sadushi, për 13 vjet anëtar i kësaj gjykate, thotë se dhënia e drejtësisë lë gjithmonë të pakënaqur një palë, por duhet të bindë domosdoshmërisht të gjitha palët. “Fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ndodh në Shqipëri, nuk ndodhi as në vendimmarrjen e kolegjit Zgjedhor për Tiranën dhe as 10 vjet më parë në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese në zgjedhjet e përgjithshme të asaj kohe”, thotë Sadushi në rrëfimin e tij të pazakontë për “sekretet” publike të Gjykatës Kushtetuese

Rrallë, por ndodh! Ndodh rrallë që gjërat më të mëdha në profesion, një individ t´i bëjë në një moshë fare të re dhe në një moshë fare të re, t´i duhet të bëjë një nga ato zgjedhje që ndryshojnë jetën dhe ndikojnë në shumë jetë. Sokol Sadushi ishte vetëm 35 vjeç kur ju desh të merrte, mes shumë dilemash, vendimin për të nesërmen e tij profesionale.

Nga njëra anë ishte avokatia e dhënia mësim në universitet dhe autorësia e teksteve themelore të jurisprudencës dhe nga ana tjetër, veshja e togës së zezë të gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese. Ismail Lleshi dhe Fehmi Abdiu, ish-deputetë socialistë, dolën garant për profesionalizmin e Sadushit dhe më pas, një telefonate e kryeministrit të kohës, pothuaj moshatarit të tij Pandeli Majko, njoftoi përzgjedhjen politike ish-prokurorit dhe avokatit Sadushi dhe më pas, nuk pati shumë histori: ai dekretohet nga ish-presidenti Meidani dhe votohet në Kuvendin e Shqipërisë si një nga anëtarët më të rinj të institucionit që duhet të shërbente si garant i Kushtetutës.

Më pas, një nga detyrat e para që ju caktuan si anëtar i trupës gjykuese ishte relator për pajtueshmërinë me Kushtetutën të dënimit me vdekje. Me fjalë të tjera, duhet të vazhdonte apo jo shteti të vriste individë në emër të së drejtës apo e drejta e jetës ishte mbi gjithçka tjetër. Sot, 13 vjet më pas, një gjë e tillë ngjan e tejkaluar, por në atë kohë, në vitin 1998, ky ishte një debat që vetë politika e kishte të pamundur ta zgjidhte dhe gështenja e nxehtë u nxorr nga zjarri me duart e anëtarëve të gjykatës kushtetuese. Atëherë ndodhi dhe përplasja e parë e madhe me politikën, një segment i të cilës, madje, kur shqiptohej vendimi, kishte organizuar dhe një protestë përpara gjykatës. Përplasje të cilat do të forcoheshin me kalimin e kohës deri në kërkesa për shkrirjen e plotë të saj.

13 vjet më pas, gjykatësi Sadushi afron për herë të parë, në një rrëfim eskluziv për revistën MAPO të fshehta të parrëfyera që kanë ndodhur mbas dyerve të mbyllura të insititucionit të tij. Përplasjet me qeveritë socialiste, përplasjet me qeveritë e Doktor Berishës, proceset e bujshme që nga ai i heqjes së dënimit me vdekje, tek shkarkimi i Prokurorëve të Përgjithshëm, nga çështja e Mbikalimit të Zogut të Zi e deri tek marrëveshja e ujërave me Greqinë dhe ligji për lustracionin. Sadushi është kritik për të shkuarën dhe më i rezervuar për të sotmen, por kritika e tij për të sotmen, të paktën për rolin që pati sistemi i drejtësisë në procesin zgjedhor të 8 majit, është gjithashtu e lidhur me kritikën ndaj të shkuarës.

“Dhënia e të drejtës nuk i kënaq kurrë palët e përfshira në proces, por është e trishtueshme një drejtësi që nuk bind apo që bind vetëm një palë. Dhe një gjë e tillë tashmë është rregull dhe jo përjashtim, për fat të keq”, thotë ai duke ju referuar së paku dy vendimeve të drejtësisë në harkun e një dekade për proceset zgjedhore, 2001-2011.

Normalisht, qeverisja e çdo ngjyre është “klient” i gjykimeve të Kushtetueses, por shumica qeverisëse është ajo që dhe zgjedh trupën e gjykatësve. Gjykoni se ka një mospërputhje në këtë drejtim, sepse ngjan se ju detyroheni të bëheni, për të përdorur një term të zhargonit të përditshëm, mosmirënjohës ndaj saj?

Eshtë e vërtetë, terminologjia juaj, në gjuhën doktrinare etiketohet si “parimi i mosmirënjohjes” ndaj atij që të ka zgjedhur. Caktimi i një gjyqtari të lartë apo gjyqtari kushtetues kalon domosdoshmërisht nëpërmjet filtrit të politikës, për arsye të mekanizmit të emërimit të tyre, që zakonisht është politik. Për shkak të kësaj veçorie, shpesh dyshohet se pikpamjet e gjyqtarëve, në lidhje me interpretimin ligjor dhe kushtetues, kanë tendencën për të qenë të njëjta me ata që i zgjedhin. Njëkohësisht, kufizimi kohor i mandatit të gjyqtarëve përbën një tjetër arsye që ata të jenë në vijimësi të trysnuar për të ardhmen e tyre, pas përfundimit të mandatit. Pra, një lloj preference e politikës ndaj kandidaturës së gjyqtarit kushtetues sigurisht që nuk shmanget, por kjo nuk nënkupton se gjyqtari duhet t’i nënshtrohet zgjedhësit.

Performanca e një gjykate kushtetuese nuk varet nga fakti se shumica qeverisëse zgjedh gjyqtarët, por nga ata që veshin mantelin e gjyqtarit. Prandaj dhe “parimi i mosmirënjohjes” ndaj atij që bën zgjedhjen, i përdorur kaq gjerësisht nga studiuesit konstitucionalistë, merr vlerë për ruajtjen e pavarësisë së gjyqtarit kushtetues. Sa dhe si ka ndodhur një gjë e tillë në Shqipëri? Eshtë herët që ta them unë personalisht një gjë të tillë, është vonë që mungon një debat i mirëfilltë profesional për këtë temë.

Mund të kujtoni përplasjet me qeveritë socialiste në periudhën 1998-2005, cilat kanë qenë proceset më të vështira përballë saj?

Gjatë ushtrimit të funksionit të drejtësisë kushtetuese, Gjykata ka qenë e detyruar të sillet me legjislacionin në një mënyrë të pafavorshme apo kundërshtuese për dëshirat e shumicave parlamentare dhe të qeverisë. Periudha për të cilin pyesni nuk dallohet për ndonjë përballje të ashpër me mazhorancën qeverisëse. Arsyet lidhen sa me mungesën e një përvoje jurisprudenciale të kësaj gjykate, aq dhe me mos vendosjen e saj përpara presionit për nisjen e një gjykimi kushtetues, qoftë nga opozita e kohës, po aq dhe nga subjekte e tjerë legjitimues.

Një opozitë e fortë mund ta vendosë Gjykatën Kushtetuese përballë sfidave, duke e vënë atë në provën e legjitimitetit, por opozita e kohës, duke kundërshtuar politikisht dhe duke mos njohur shumicën e institucioneve të vendit në atë periudhë, pak ose shumë pak ka tentuar ta verë në lëvizje gjykatën. Një arsye tjetër ishte dhe impakti jo pozitiv që la gjykata tek opozita për shkak të përfshirjes së saj në procesin zgjedhor të vitit 2001. Në këtë kohë, shpallja si antikushtetues i dekretit të Presidentit të Republikës dhe e vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm shkaktoi një situatë të paprecedent për realitetin shqiptar, nëpërmjet qëndrimeve politike të disa funksionarëve të lartë të shtetit.

Pati atëherë deri dhe thirrje për shkrirjen e Gjykatës Kushtetuese dhe presione nga më të çuditshmet, të cilat u shoqëruan dhe me dorëheqje të bujshme, si në rastin e kryetarit të Kuvendit Namik Dokle. Për ironi të fatit, interpretimi përfundimtar që Gjykata Kushtetuese i bëri dispozitave kushtetuese, evidentoi mangësi të theksuara në aktet bazë, mbi të cilat kryheshin procedurat parlamentare dhe ato, bindën më pas deputetët të ushtronin nismën legjislative për amendimin e Rregullores së Kuvendit. Një zgjidhje e tillë dëshmonte për drejtësinë e kësaj vendimmarrje kushtetuese.

Si e gjykoni sot, një dekadë më pas, përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese në procesin zgjedhor të vitit 2001, kur ende sot kjo gjykatë është nën akuzë se ka shpërndarë mandate pa të drejtë për deputetë të majtë? Dhe në të njëjtën optikë, si do ta gjykonit veprimtarinë e Kolegjit Zgjedhor në vendimmarrjen për Tiranën?
Dhënia e të drejtës nuk i kënaq kurrë palët e përfshira në proces, por është e trishtueshme një drejtësi që nuk bind apo që bind vetëm një palë. Dhe një gjë e tillë tashmë është rregull dhe jo përjashtim, për fat të keq. Të dy rastet që citoni, bashkohen në këtë pikë, as publiku dhe besoj, as palët, nuk janë bindur as atëherë dhe as kësaj here. Duke thënë një gjë të tillë, nuk i hyj thelbit të vendimeve, por si qytetar, edhe pse pjesë e sistemit të drejtësisë, bëj pjesë në atë shumicë dërmuese të publikut që është i pakënaqur nga dhënia e drejtësisë.

Në rastin e parë, me Kodin Zgjedhor të vitit 2000 Gjykata Kushtetuese u vendos në një pozicion disi të dyshimtë për rolin që i ngarkonte Kushtetuta. Ajo u caktua, si e vetmja gjykatë, për të zgjidhur çështjet e pavlefshmërisë së zgjedhjeve dhe të verifikimit të rezultateve të tyre. Parashikimi në Kodin Zgjedhor i kompetencës së Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm dukej si zgjidhje e pamenduar mirë, por implikonte njëkohësisht edhe çështje të natyrës kushtetuese.

Megjithë ngarkesën e paprecedent për një gjykatë kushtetuese, për të shqyrtuar rreth katër çështje në ditë për afro një muaj, ajo nuk arriti të bindë as faktorin vendas dhe as atë ndërkombëtar për zgjidhjet që i dha disa prej çështjeve. Nëse do t’i rikthehesha sot disa prej çështjeve të asaj periudhe, sigurisht që do të reflektoja një tjetër qasje. Pak a shumë e njëjta histori është dhe në rastin e Kolegjit Zgjedhor dhe vendimmarrjen për Tiranën. Po ju përsëris vendosmërisht: vendimet e tij nuk bindën as të fituarit, as të dëmtuarit. Në logjikë të fundit, të humburit e vërtetë janë qytetarët që nuk marrin drejtësi dhe dyshojnë në legjitimitetin e atyre që i drejtojnë.

Sa janë zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që teorikisht janë të detyrueshme për t´u zbatuar. Po ju sjell në vëmendje dy raste, duke ju pyetur në mënyrë direkte, si quhet sot Prokurori i Përgjithshëm dhe kush ka paguar për prishjen e Mbikalimit të Zogut të Zi?
Nëse vihet në dyshim zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, atëherë kjo nuk është më një çështje e vetë Gjykatës, se sa një defekt i funksionimit të shtetit të së drejtës. Sa herë që është vënë në diskutim zbatimi i një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, problematika e tij ka lidhje me çështje të mprehta të politikës.

Ekzistenca e një gjykate kushtetuese të fuqishme dhe aktiviste, e autorizuar veçanërisht për të shfuqizuar ligjet që nuk kanë përputhje me formulimet kushtetuese, është një çështje ku evidentohet një mosmarrëveshje e pastër ndërmjet dy autoriteteve të larta – shumicës së legjislaturës dhe shumicës së gjykatës kushtetuese. Nuk pranohet lehtësisht që shumica e gjykatës kushtetuese – minimumi i të cilës është me pesë gjyqtarë – të jetë ajo që e di ose e kupton më saktë kushtetutën nga shumica e parlamentit. Megjithatë, në të vërtetë, kështu ndodh.

Dimensioni politik i kontrollit kushtetues njihet si një çështje e debatueshme, për shkak të angazhimit të gjykatës kushtetuese në linjën e politikëbërjes dhe të ligjbërjes. Është pushteti që zotëron, si gjykata ashtu dhe gjyqtarët kushtetues, që i bën ata në mënyrë konstante subjekte të sulmeve të quajtura politike. Gjykata kushtetuese ka detyrimin, në rradhë të parë, të bindë shoqërinë se vendimet e saj nuk kanë konsiderata politike, por bazohen në standardet dhe vlerat kushtetuese.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen “Rakipi” që detyronte parlamentin për të rishqyrtuar të gjithë procedurën e shkarkimit të ish Prokurorit të Përgjithshëm është ende i pazbatuar. Ai vendim përbën sot e kësaj dite një dëshmi të mënyrës se si nuk duhet të funksionojë një shtet i së drejtës. Çështja tjetër e mbikalimit të Zogut të Zi, është një ndër çështjet më të rëndësishme që krahas zgjidhjes që i bëri mosmarrëveshjes ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore, ka pasuruar doktrinën kushtetuese shqiptare duke dhënë një kontribut thelbësor mbi elaborimin e parimeve kushtetuese të decentralizmit të pushtetit dhe të autonomisë vendore. Ky vendim nuk listohet në vendimet e pazbatueshme të kësaj gjykate, për arsye se çështja e dëmit financiar të shkaktuar nga shembja e kësaj vepre me rëndësi publike, nuk ka qenë objekt i gjykimit kushtetues, por i gjykimit të zakonshëm.

Cilat kanë qenë përplasjet më të mëdha me qeverisjen e partisë demokratike, sa vendime të saj apo të Kuvendit janë shpallur si antikushtetuese nga Gjykata?
Në përgjithësi, veprimtaria e Gjykatës Kushtetuese nuk ka qenë e lehtë sidomos kur merr parasysh ndjeshmërinë politike të epokës së tranzicionit, shqetësimin e vazhdueshëm politik të parlamentit dhe natyrën tejet të politizuar të shumicës së çështjeve që i është dashur të vendosë. Nëpërmjet disa vendimeve tepër të guximshme, Gjykata Kushtetuese ka përmbushur misionin, për të cilin është ngarkuar nga Kushtetuta, duke kontribuar fuqishëm në konsolidimin e një demokracie funksionale e në përputhje me shtetin e së drejtës.

Kontributi i saj në drejtim të integrimit të Shqipërisë në bashkësinë ndërkombëtare ka qenë vendimtar, si në rastin e vendimit për heqjen e dënimit me vdekje apo dhe kur i kërkohej nga ekzekutivi të zgjidhte një çështje komplekse në raportin ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian për qëndrimin ndaj Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i shtatorit të vitit 2002, i krijoi lehtësitë e nevojshme parlamentit shqiptar për ratifikimin e kësaj marrëveshje ndërkombëtare, që krijonte një situatë pozitive në drejtim të përshpejtimit të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, por pa cenuar në të njëjtën kohë marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një reagim të përafërt dhe me qëndrime mjaft kritike ka shfaqur politika kur Gjykata Kushtetuese gjatë shqyrtimit të pajtueshmërisë me Kushtetutën të ligjit “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve” (i quajtur ndryshe ligji i lustracionit), evidentonte shqetësimin serioz që krijonte për parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve ndryshimi apo kufizimi me ligj i kompetencave të disa organeve kushtetuese. Përfundimi në të cilin arriti Gjykata Kushtetuese mbi ligjin për lustracionin, ishte në të njëjtën gjatësi vale me faktorin ndërkombëtar, i cili vlerësonte vendimmarjen kushtetuese si një kontribut i ndjeshëm për arritjen e “një demokracie funksionale në përputhje me shtetin e së drejtës.”

Koha ka vërtetuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë shkaktuar kundërshtitë më të mëdha, janë përdorur më pas prej vetë politikës, si mjet për përligjen e qëndrimeve të saj në çështje analoge. Kështu, pavarësisht debateve të nxehta që shkaktuan në terrenin politik shqiptar vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2002, që interpretonin procedurat e shkarkimit të Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, mazhoranca parlamentare…

… e disa viteve më vonë, i përdori si argument për të përligjur procedurën e shkarkimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm. Gjithashtu një tjetër vendim i Gjykatës Kushtetuese, që interpretonte kufijtë kushtetues të komisioneve hetimore parlamentare, për të cilët nuk rreshtën kritikat nga politika e kohës për cenimin që, sipas saj, i bëhej parimit të supermacisë së parlamentit, po shërben ende, si referencë për të dyja kahet e politikës për të përligjur qëndrimet e ndryshme që ato mbajnë për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Pikërisht, ekzistenca e qëndrimeve të tilla kaq kontradiktore, në kohë të ndryshme dhe ndaj të njëjtës vendimmarrje kushtetuese, përbën një dëshmi për drejtësinë e zgjidhjes së çështjes dhe për legjitimitetin në ngritje të Gjykatës Kushtetuese.

Keni kthyer mbrapsht marrëveshjen e ujërave me Greqinë, çfarë kujtoni nga ky proces dhe mbi të gjitha, si jurist, gjykoni se kush ka firmosur për të, duhet të ishte pjesë e ndonjë procesi tjetër penal?
Shqyrtimi dhe shpallja si të papajtueshme me Kushtetutën të marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare…” përbën shembullin më të qartë të integritetit që duhet të ketë një institucion kushtetues, kur përballet me interesa madhore të vendit, në një rrafsh shumë më të gjerë se ai kombëtar. Çështje të tilla që kanë një sensibilitet të lartë, sidomos ndërkombëtar, nuk lidhen thjeshtë dhe vetëm me pasjen nga trupa e gjyqtarëve të koncepteve të qarta për Kushtetutën e vendit, por me vizionin që ata krijojnë dhe me synimin që kanë për t’i dhënë legjitimitet institucionit që duhet të përmbushë funksionet e drejtësisë kushtetuese.

Kjo vendimmarrje me legjitimitet kushtetues është para së gjithash dhe një veprim me mjaft domethënie për aktorët e politikës shqiptare, të cilët duhet të dinë se drejtësia kushtetuese është në rradhë të parë pushtet i gjyqtarëve dhe se rregullat janë pronë më parë e juristëve se sa e politikës. Ky vendim, për mënyrën si u morr, për mënyrën sesi u përpilua, i bën nder jo trupës së gjykatësve, por besoj të sotmes dhe të nesërmes së këtij vendi. Për më tepër, nuk është në tagrin e Gjykatës Kushtetuese të thotë se çfarë duhej të ndodhte në një proces të mundshëm penal. Kjo është një pyetje që i duhet drejtuar organit të prokurorisë.

Një nga vendimet e fundit të Gjykatës ishte rasti Beqja, i cili u detyrua të lerë mandatin e deputetit. Ka pasur paralelisht një kërkesë të ngjashme nga PS-ja e cila implikonte një numër deputetësh të tjerë. Të paktën media e ka çuar në 15 numrin e deputetëve të djathtë që kanë mandat të dyshimtë në Kuvend, cili është komenti juaj?
Nuk mund të komentoj një vendim të Gjykatës Kushtetuese, që ende nuk është shpallur, por nga pyetja juaj marr shkas për të evidentuar pengesën që i krijon Kushtetuta pakicës parlamentare për të bërë objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese konstatimin e rasteve të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit të deputetëve, në rast se shumica e Kuvendit nuk bindet në drejtësinë e një kërkese të tillë. Ky rregullim kushtetues që i ka dhënë të drejtë vetëm shumicës parlamentare për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin për konstatimin e faktit të papajtueshmërisë, krijon një lloj ngërçi në pushtetin e pakicës parlamentare. Ndërsa për rastin Beqja mund t´ju them vetëm diçka: vendimi im ishte pjesë e pakicës, mendova ndryshe nga kolegët e tjerë që kërkuan lënien e mandatit të zotit Ilir Beqja.