Nga Mero Baze
Kur një artiste që ka prekur suksesin në Hollivud pranon të bëhet ambasadore e Tiranës, na bëhet të gjithëve një nder. Një vajzë dinjitoze në karrierë, e cila nuk ka komplekse nga origjina shqiptare e babait të saj, i bën nder kryeqytetit tonë duke u prezantuar dhe në emër të tij. Na bën nder sidomos në këto ditë të vështira për imazhin e Shqipërisë, kur emri i saj radhitet nga gazetat në botë si vend problematik sa herë përmendet dhuna politike, korrupsioni, prekja e zgjedhjeve dhe vrasjet e demonstruesve antiqeveritarë.
Një vend, i cili disa vite më parë po merrej seriozisht si vend me aspiratë properëndimore duke hyrë në NATO dhe duke tentuar të aplikojë për në Bashkimin Evropian, tani është jashtë çdo gare për të vazhduar rrugën e tij evropiane dhe po jeton nën makthin e përzierjes së krizës politike me atë ekonomike duke fundosur çdo shpresë për ringritjen e tij. Eliza Dushku është duke na bërë nder që pranon të jetë ambasadorja e Tiranës në botë, dhe për këtë duhet të dijë dhe çfarë të papritura të hidhura mund të ndeshë nga ky angazhim, të cilin e ka marrë si rol episodik në filmat pa rëndësi.
Me aq sa dëgjova nga media ajo ka kërkuar të marrë shtetësinë dhe pasaportën shqiptare. Shpresoj që kjo të jetë thirrje e brendshme e zërit të të parëve ndaj saj, dhe të mos ja banalizojnë këtë gjest siç ja banalizuan një tjetër artisti të madh shqiptar në SHBA, James Belushit, për të cilin më shumë u përfol fakti që me pasaportë shqiptare nuk paguan taksat e 2 milionë eurove që mori për promocion se sa që i duhej për origjinën e tij shqiptare. Është e rëndësishme posaçërisht për Elizën kjo pikë, pasi njeriu që e ka thirrur në zyrë dhe i ka ofruar Misionin e Ambasadores së Tiranës, e ka gruan e vet pa pasaportë shqiptare. E ka pasur dhe ia ka hequr se i prishte punë në bizneset e tij në Hollandë.
Sado që gjesti i Elizës mund të jetë i kundërt, pra ajo mund ta marrë se i duhet për bizneset e saj në Tiranë, do të ishte mirë që ajo të ishte e përgatitur për këtë zhgënjim që mund të pësonte opinion publik. Marrja e shtetësisë shqiptare nga një vajzë e suksesshme si Eliza na e nderon pasaportën tonë, më shumë se sa lavdërimet e kryeministrit që e quan më të mirën në botë për shkak të tenderit të shtrenjtë që ka bërë për të. Por që të ketë kuptim si gjest duhet të ruhet nga banalizimi që mund t’i bëjë këtij gjesti vetë fakti që njeriu që e ka thirrur në zyrë nuk ka respekt për këtë pasaportë si familje dhe e marrin dhe e lënë sipas nevojave të biznesit të tyre.
Po ashtu dëgjova që Eliza e ka quajtur Lulëzim Bashën të ndershëm. E besoj sinqeritetin e saj, dhe ndihem keq që kemi filluar ta keqpërdorim emrin e saj ende pa e përdorur për të mirën e kryeqytetit. Pak më lart thashë se kryeqyteti ynë dhe imazhi i tij në veçanti ka plot probleme që mund t’i lehtësojë Ambasadorja Dushku. Por nëse kjo histori nis si Ambasadore për Tiranën dhe përfundon si Ambasadore për Lulëzim Bashën atëherë është Mision i Pamundur. Lulëzim Bashën nuk guxoi ta pastronte nga skandali më i madh financiar në historinë e kombit tonë as gjykata shqiptare. Ai është i akuzuar zyrtarisht nga prokuroria për vjedhje dhe shpërdorim të 220 milionë eurove, dhe Gjykata e Lartë e Shqipërisë shmangu gjykimin dhe arrestimin e tij me teknikë procedurë duke harruar një ditë dosjen në shkallët e Gjykatës.
Kjo e bën Lulëzim Bashën hajdutin e vetëm zyrtar të pagjykuar në historinë tonë. Unë e kuptoj që Eliza as ka kohë të mësojë gjithë këtë histori të pistë prej hajduti për Lulëzim Bashën, por duhet të bëjë kujdes që të pastrojë sa mundet imazhin e Tiranës, i cili është errësuar ndjeshëm nga Lulëzim Basha dhe Sali Berisha, por kurrsesi nuk do t’ia dalë dot të pastrojë nga imazhi i hajdutit Lulëzim Bashën. Për miliona shqiptarë fjala hajdut është epiteti i parë që u vjen në mendje sa herë e shikojnë të buzëqeshë si shtiranak nëpër ekrane. Është e pamundur për Elizën t’ia arrijë kësaj. Së paku të përpiqet të pastrojë shijen e keqe që Tirana ka marrë nga kjo histori.
Dhe së fundmi siç u ka hije njerëzve të famshëm dhe që i kanë të sinqerta nismat e tyre për të ndihmuar shoqëri parademokratike dhe të traumatizuara si kjo e jona, Eliza është mirë të bëhet ikonë e dashur për gjithë shqiptarët, jo vetëm për ata që adhurojnë vjedhjet dhe vrasjet e Lulëzim Bashës, pasi kjo do ta zvogëlonte atë si artiste e mirëpritur në Shqipëri. Nëse ka kohë të shkojë në një fshat afër Lezhës ku jetojnë dy vajza të vogla, njëra 4 vjeç dhe tjetra ende pa mbushur vitin. Janë të dyja të bukura dhe afërsisht në moshën e vajzave të Lulëzim Bashës. Janë të dyja të pafajshme dhe të vërteta në trishtimin që u rri në sy nga mungesa e babait në prag të shtëpisë.
Janë të ngjashme në trishtimin e tyre me lotët e Anës, një vajze tjetër 11 vjeçare që jeton në një fshat të Fierit edhe ajo pa baba. Këta janë fëmijët jetimë të Shqipërisë, fëmijët në nevojë ndaj të cilëve kemi detyrim tua bëjmë jetën më të lehtë. Janë pa baballarë. Baballarët e tyre janë vrarë më 21 Janar të këtij viti duke protestuar paqësisht në Bulevardin kryesor të Tiranës për mjerimin e tyre ekonomik kundër një qeverie hajdute. Baballarët e tyre janë vrarë me urdhër të Lulëzim Bashës, njeriut që ka pritur Elizën në zyrë dhe i ka kërkuar t’i pastrojë historinë e tij si hajdut dhe vrasës.
Por Eliza duhet t’i tregojë se nuk është vetëm në anën e atyre që vrasin dhe vjedhin, por dhe në anën e atyre që vriten dhe vidhen. Eliza duhet të tregojë se i dhimbsen lotët e Anës dhe buzëqeshja e mekur e dy vajzave të vogla të Aleks Nikës, vajzave që kanë mbetur pa baba në moshën e vajzave të Lulëzim Bashës. Duke qenë në anën e tyre, Eliza mund të bëhet vërtet person i adhuruar nga shoqëria shqiptare që po bën diçka për t’ia lehtësuar imazhin e një vendi ku vritet dhe vidhet për të qëndruar në pushtet dhe pastaj me paret e krimit dhe gjakut të pafajshëm blihen njerëz si Eliza për tu pastruar duart nga gjaku dhe parat e pista.
Eliza dhe mund të mos e bëjë këtë, dhe mund të mos kuptojë gjë farë se ç’po bëjnë me të këto ditë në Tiranë, por nëse ajo përdoret për të pastruar imazhin e hajdutëve dhe vrasësve të këtij vendi, që është damkosur ndërkombëtarisht për këtë shkak prej tyre, atëherë ajo nuk do të përdoret, por thjesht do keqpërdoret nga një regjim feudal dhe mafioz.
Sido që të jetë puna, ne gëzohemi që Eliza pranon të jetë shqiptare, pasi ajo është pjesa jonë e mirë, për të cilën jemi krenare, dhe pikërisht për këtë shkak na vjen keq që miliona shqiptarë në këtë vend të ndjehen keq që ajo të ngjajë me një perëndeshë të zënë rob nga ata që kanë nevojë tu pastrojë historitë e tyre të pista në këtë vend. Dhe në fund do thënë si derra të kënaqur: e paguam për shërbimin.