Kriza shqiptare dhe keqkuptimi i Perëndimit

0
64

Nga Mero Baze

Një zyrtar i qeverisë gjermane, pjesë e kabinetit të Kancelares Merkel, u përpoq të ishte i qartë në përgënjeshtrimin e rolit të ndërmjetësit në krizën shqiptare. Dirk Niebel, Ministër për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Politik në Gjermani mohoi para medies rolin e tij si ndërmjetës i krizës shqiptare duke theksuar se palët duhet ta zgjidhin atë vetë. Ky nuk është rasti i parë kur një zyrtar perëndimor mban distancë nga kriza shqiptare.

Në fillim Këshilli i Evropës dhe më pas Bashkimi Evropian dhe zyrtarë të veçantë të tij, u dorëzuan para kësaj krize duke theksuar në fund të lodhur se palët duhet ta zgjidhin vetë këtë krizë. Në të vërtetë në këtë shprehje nuk ka realisht ndonjë pafuqi të tyre për të zgjidhur krizën, por një pafuqi të tyre për të gjetur një mekanizëm presioni ndaj demokracive të reja, të cilat nuk dëshirojnë të pranojnë standardet perëndimore. Bashkimi Evropian, dhe në tërësi institucionet evropiane përfshi dhe Këshillin e Evropës, e kanë pasë marrë seriozisht faktin se Shqipëria është një vend që dëshiron të hyjë në Evropë dhe kanë menduar prej kohësh se strategjia e duhur për tu bërë presion palëve në Shqipëri është kërcënimi për izolim të Shqipërisë dhe bllokim të hapave drejt Bashkimit Evropian.

Kjo strategji është tërësisht e gabuar dhe e keqkuptuar nga Bashkimi Evropian. Edhe pse shoqëria shqiptare e dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian apo standardet perëndimore të demokracisë dhe shtetit ligjor, ajo nuk ka fuqinë e duhur për të mposhtur qeverinë e saj, të cilës realisht nuk i intereson ndonjë përparim drejt standardeve të Bashkimit Evropian. Qeveria shqiptare realisht i ka kundër interesave të saj standardet e Perëndimit, dhe është marrëzi të mendosh se ajo kërkon të avancojë axhendën tonë evropiane.

Liberalizimi i vizave ka qenë një hap populist i mjaftueshëm për të thënë se ka bërë diçka për të çuar shqiptarët në Evropë, por nuk ka ndërmend të bëjë ndonjë hap për të sjellë Evropën këtu. Standardi i zgjedhjeve dhe prekja e tyre e vazhdueshme tashmë janë kthyer në një traditë të pandëshkueshme nga askush, dhe qeveria shqiptare është komode në këtë situatë.

Që Perëndimi të gjejë një negociator për krizën shqiptare, duhet të gjejë në fillim dy mekanizma për ta bërë atë të suksesshëm. I pari është elementi i presionit mbi qeverinë shqiptare dhe i dyti një linjë direkte mes shoqërisë shqiptare dhe strukturave perëndimore që të shërbejë si element presioni i brendshëm ndaj pushtetit. Në vitin 1997 kancelari Franc Vranicki kishte në dorë paqen sociale në vend nëse tërhiqte mbështetjen ndërkombëtare dhe po ashtu revoltën popullore nëse Sali Berisha nuk bindej.

Negociatorët e tanishëm nuk kanë asgjë në dorë. Ata vijnë i thonë Sali Berishës se me këtë që po bëni rrezikoni hapat tuaj drejt Bashkimit Evropian dhe jam i sigurt se Berisha përsërit me vete “ah sikur të jetë e sigurt kjo”. Po ashtu ata ikin duke thënë ‘zgjidheni vetë krizën’, një mesazh ky që tek shoqëria shqiptare përkthehet si lodhje e Perëndimit nga klasa politike shqiptare dhe braktisje e Shqipërisë.

Për këtë arsye lajmet se Perëndimi do të zgjidhë me negociator krizën shqiptare, janë tashmë më negative dhe më dëshpëruese se sa vetë kriza. Ajo nuk mund të zgjidhet nga Perëndimi dhe as mund të vazhdojë pafundësisht si një lëvizje anti-perëndimore. Ajo duhet të ndërpritet qoftë dhe me forcë dhe revolta popullore nga vetë shqiptarët, dhe me Berishën duhet negociuar nëse ai do të përballet me revoltat i vetëm apo do bëhet pjesë e zgjidhjes së problemit.

Me Berishën nuk mund të bësh politikë duke i kërkuar publikisht ato që do dhe as të ulesh në tavolinë për hipokrizi. Nëse dikush mendon se mund t’i marrë diçka Berishës që është kundër interesave të Berishës dhe pro interesave të demokracisë, është naiv. Berishës nuk i kërkohet asgjë. Atij ose i jepet, ose i hapet rrugë rrënimit të vlerave perëndimore në vend.

Duke ju kthyer dhe një herë çështjes kryesore se cili duhet të jetë elementi i presionit mbi qeverinë shqiptare nga Perëndimi, mbetemi tek legjitimiteti i pushtetit të tij. Nëse prekjet e zgjedhjeve dhe rrëmbimet e mandateve nga Berisha quhen regrese të pranueshme, Berisha do të vazhdoj të mbetet një e keqe e pranueshme nga Perëndimi. Nëse Perëndimi do t’ia bënte të qartë këtë radhe Berishës se prekja e mandatit, siç e preku, është një pushtet i papranueshëm nga Perëndimi, atëherë në Shqipëri mund të ngjallen forca që të shërbejnë si mekanizëm mbështetës për presionin e Perëndimit ndaj tij. Gjestet aktuale të Perëndimit ndaj Berishës dekurajojnë shoqërinë të veprojë ndaj tij dhe ne do të vazhdojmë të mos kemi nevojë as për negociatorë krize dhe as për presion të dështuar perëndimor.

Ideja se shqiptarët do ngrihen në revolta se Berisha nuk po na çon në BE është naive për shoqërinë tonë. Shqiptarët e kanë më lehtë të marrin pasaportën dhe të ikin nga çifligu i Sali Berishës se sa të rrinë këtu dhe të luftojnë për ta evropianizuar atë.