Nga Preç Zogaj
Në pikun e verës, në një ditë që rikthen temperaturat e larta, zgjedhjet e përsëritura në disa komuna të vogla të Shqipërisë kanë fare pak gjasa të tërheqin vëmendjen e publikut të gjerë. Për më tepër, ato zhvillohen në shenjën e stërngopjes dhe neverisë ndaj një procesi zgjedhor të stërzgjatur e të manipuluar mu në Tiranë, mu në zemër të vendit, si askund tjetër në tokën e Europës. Në kushte të tilla, kur dielli djeg vetëm shumë dhe kur regjimi i Berishës e ka goditur me sa ka mundur besimin e njerëzve te vota e lirë, katedrat e politikës parashikojnë natyrshëm indiferencë, mpirje, limonti, pjesmarrje të ulët, votime sa për të kaluar radhën, fitore të lehta të kandidatëve të shumicës qeveritare, një mbyllje të shëmtuar dhe mjerane të maratonës së zgjedhjeve vendore që mbuluan pranverën dhe verën e vitit 2011!
Vërtetë, duket se nuk ka asgjë intriguese në këto zgjedhje të përsëritura; nuk ka kuriozitet, nuk ka pritshmëri, nuk ka jehonë; përvec kandidatëve, stafeve respektive dhe disa zyrave partiakë, askush nuk i ka në defter këto zgjedhje të përseritura. Mendjet e mprehta të botës mediatike po merren me kuptimin e dashit të kurbanit në bashkinë deri dje laike të kryeqytetit shqiptar, me sulmet e reja të zotit Berisha kundër Presidentit Bamir Topi, me “gurin” e koalicionit hipotetik PS-LSI që dikush e hodhi në lumë dhe dhjetë të tjerë s’po e nxjerrin dot…
Por zgjedhjet e përsëritura në dhjetë komuna të vogla nuk janë e nuk kanë përse të jenë në vëmendjen e tyre në këtë moment. Shokët e mi në Tiranë perqeshin me takt përfshirjen time në emocionet e zgjedhjeve në komunën e Kolshit në Lezhë. Nuk e thonë hapur se janë njerëz të edukuar, por e marr me mend se çfarë mendojnë për mua: “E tërheq ajo dreq Lezhë, ajo dreq province; e argëton, por edhe e zvogëlon, apo jo? Këtu, pas asaj që ndodhi në Tiranë, është vënë në diskutim e ardhmja e politikës, kurse ai jep e merr me Lalmin e ri, me Manatinë, me Barbullojën…”.
Në fakt, përkundër asaj që përceptojnë disa prej miqve të mi në mediat e Tiranës, unë kam një ide tjetër për zgjedhjet e përsëritura në dhjetë komuna. Kam idenë se këto zgjedhje, përveç qëllimit të respektueshëm për zgjedhjen e kryetarëve të ligjshëm, kanë edhe një mision. Kanë misionin të sfidojnë goditjen që i është votës së lirë me maskaradën zgjedhore në Tiranë. Me fjalë të tjera, të sfidojnë psikozën e disfatës dhe kapitullimit që mbjell në shpirtin e njerëzve vjedhja e votës. Kësaj radhe manipulimi ka qenë spektakolar, live, para kamerave. I vjedhuri nuk ka qenë dokushdo, por vetë shefi i opozitës, Edi Rama. Goditja e madhe, bereqeti i madh! Kështu kanë gjykuar ata që vunë në jetë maskaradën: me një gur të vrasin dy zogj.
Të marrin bashkinë e kryeqytetit dhe njeherësh të shkurajojnë më shumë se kurrë opozitën, zgjedhësit e saj. Pra “të fitojnë” qysh tani edhe për herën tjetër, mundësisht me duar të pastra herën tjetër, pa qenë më nevoja e shtimit të votave me dorë, pra pa e bërë baltë si qenë të detyruar ta bëjnë kësaj here, por urtë, butë, ashtu sic thuhet se ia bën Putini në Rusi, i cili, me gjasë nuk vjedh më vota dhe nuk ka përse të vjedhë pasi një numër shumë i madh i zgjedhësve të lirë dhe opozitarë në Rusi nuk shkojnë më në zgjedhje me mendimin se vota e tyre vidhet, nuk numërohet, tjetërsohet dhe për të mos ua dhenë këtë kënaqësi kusarëve nuk shkojnë fare.
Duke i vjedhur disa herë, Putini me gjasa ia ka dalë t’i lerë në shtëpi, domethenë t’i përjashtojë ata në formë vetwpërjashtuese nga e drejta e votës. Kjo është sigurisht ëndrra e gjithë putinistëve të Europës, të mëdhenj a të vegjël qofshin. Jo rastësisht, pas zgjedhjeve në Tiranë janë shtuar ndjeshëm në internet dhe në media opinionet pesimiste dhe disfatiste të qytetarëve për vlerën e votës. Por nga ana tjetër duket qartë se është rritur shumë edhe zemërimi për atë që ka ndodhur. Janë të shumtë ata që nuk duan gjë tjetër vecse të mund të votojnë e të votojnë për të nxjerrë “inatin” për Tiranën me një votë kundër Berishës.
Zgjedhjet e përsëritura në dhjetë komuna erdhën në këtë kontekst. Ato do të ishin një test i parë i efekteve që kanë krijuar manipulimet në Tiranë. Ato do të na jepnim mundësinë të shihnim se në c’raporte janë mpirja dhe disfatizmi në një anë me vendosmërinë dhe zemerimin në anën tjetër. Nuk kam një përgjigje shterruese për të gjitha komunat ku u përëriten zgjedhjet. E dhëna e parë përshtypjelënwse dhe optimiste ishte pjeswmarrja e lartë në votime. Më e lartë se në zgjedhjet e 8 majit. Në fshatrat afër apo larg qyteteve ku shtrihen këto komuna njerëzit vërshuan nga mengjesi në mbrëmje drejt qendrave të votimit. Vërshuan zgjedhësit qeveritare, vërshuan po aq të vendosur, madje edhe më të vendosur zgjedhësit opozitarë.
Kjo ndodhi në një ditë të nxehtë vere, që kishte shumë pak gjasa për të prodhuar një ngjarje, por që prodhoi megjithatë një lajm shumë të mirë për demokracinë: pjeswmarrjen e lartë në votime si shprehje e një vetwdijeje akoma më të lartë për vlerën e votës. Në komunën Kolsh të rrethit të Lezhës pjesmarrja ishte rreth tre përqind me e lartë se me 8 maj. Kishin ardhur disa emigrantë, por numri i tyre ishte më i vogël se numri i shtuar i votuesve në tërësi. Një dëshirë e tillë për të votuar nuk ishte parë prej vitesh në ketë komunë që rrethon si një shall qytetin e Lezhës.
Mazhoranca angazhoi ministra, deputetë dhe gjithë panelin e drejtorëve rajonalë. Nuk ka dyshim se ky fakt ka patur ndikimin e vet pozitiv në rritjen e interesimit të banorëve për zgjedhjet dhe në angazhimin simetrik të palës opozitare. Por ngjarja kuptimplote në këtë komunë të mesme ishte pjesmarrja shumë e madhe e zgjedhësve opozitarë dhe përmbysja spektakolare e rrezultatit të datës tetë maj në favor të kandidatit të Opozitës së Bashkuar, Ferdinand Ndoja.
Në 8 maj kandidatët rivalë ishin thuajse barazim, me një epersi të pallogaritshme prej pesë votash të kandidatit të shumicës, epërsi që u hodh poshtë nga Kolegji Zjedhor për shkak të mospërputhjes së numrit të votave me numrin e votuesve. Kurse me 31 korrik kandidati i opozitës mori rreth 400 vota me shumë. Analizat partiake do të ndricojnë arsyet e kësaj përmbysjeje. Partitë e opozitës ndoshta do të evidentojnë me të drejtë rwndësinë vendimtare të bashkimit të faktorëve dhe aktorëve opozitarë të majtë dhe të djathtë. Nga krahu i shumicës ndoshta do të kërkojnë ndonjë “kokë turku”.
Por unë besoj se përtej arsyeve strikte lokale, ka një arsye më të përgjithshme që ka përcaktuar këtë përmbysje. Është përgjigja e një bashkimi të gjerë opozitar kundër atentatit më të fundit të qeverisë ndaj votës së lirë në Tiranë. Votohet përsëri, më fort, më bindshëm. Në Kolsh u eksperimentua kjo përgjigje, që çoi me shumë njerëz në zgjedhje dhe i dha vlerën e merituar votës. Edhe të “vegjlit” mund të japin mesazhe për gjithë vendin. Tani jam i bindur se edhe miqtë e mi në Tiranë po mendojnë ndryshe për zgjedhjet e së dielës.







