PËRPJEKJE PËR LIGJE

0
55

Monika Shoshori Stafa, 02.08.2011

Kur ligjvënësi miraton me dy standarde: formalisht pro euroligjeve, përmbajtësisht pa marrë asnjë përgjegjësi

Me siguri që do ta kisha nxjerrë nga mendja pjesëmarrjen në një konferencë të disa javëve më parë, nxitur prej UN WOMEN, një prej organizatave nënfishe të OKB-së, që ka për funksion kryesor mbrojtjen e të drejtave të njeriut prej diskriminimit gjinor. Konferenca i kushtohej nismës së ndërmarrë prej Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare për përllogaritjen e kostos së zbatueshmërisë së Ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, një prej standardeve të njësuar për mosdiskriminim në familje. Më kishte bërë përshtypje që, kundër çdo arsyetimi qoftë dhe formal, ky ligj ishte miratuar pa aneksin e domosdoshëm të buxhetit dhe askush nuk ishte marrë me këtë kusht që u jep fuqi veprimi ligjeve, megjithëse kishin kaluar gati pesë vjet.

Në gjuhën e eurokulturës juridike, miratimi i ligjeve pa marrjen e përgjegjësisë financiare të domosdoshme për zbatimin e tyre është një akt demagogjik. Eshtë, si të thuash, një propagandë përmes ligjit, domethënë të bësh sikur po merresh me një çështje duke mos u marrë aspak me të.

E interesuar për këtë mospajtim, që teknikisht në gjuhën e hartimit të ligjeve quhet flagrant, mësova se kjo kishte ndodhur dhe më parë e më pas me veprimtarinë ligjvënëse në Shqipëri dhe se askujt nuk i bënte përshtypje pse një ligj, për më tepër një ligj për mbrojtje e barazi, ishte miratuar pa faturë financiare, madje pa e vrarë mendjen sa mund të ishte kjo kosto, si qe rasti i Ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Duke qenë se diskriminimi dhe dhuna më së pari drejtohen ndaj pjesës me më pak mbrojtje e siguri në shoqëri, përllogaritja e kostos së ligjit për mbrojtjen e individit prej dhunës në familje ishte ndërmarrë prej një grupi veprimtaresh zonja, të cilat, duke pasur mbështetjen e UN WOMEN, kishin kryer vëzhgime, kishin organizuar anketa, kishin shpërndarë pyetësorë dhe kishin statistikuar të dhëna duke iu referuar katër njësive administrative të vendit, katër qarqeve. Prej këtyre të dhënave mund të përfytyrohet kostoja e përgjithshme dhe, në mos qoftë pjesë e ndikimit të efektit krizë, vitin e ardhshëm mund të parashikohet në buxhet, në mënyrë që institucionet e ngarkuara me detyra ligjore (policia, gjykatat), por edhe vetë viktimat e dhunës në familje, të jenë të motivuara për të kryer detyrën dhe për të arritur zbatueshmërinë e ligjit.

Me të drejtë hartimi i një projekti për koston e zbatueshmërisë së këtij ligji ka nisur me përllogaritjen e kohës faktike të shpenzuar prej gjyqtarit dhe punonjësit të policisë për zbatimi e urdhrave të mbrojtjes dhe urdhrave të mbrojtjes së menjëhershme (terma të ligjit vetë). Duke i mesatarizuar të dhënat e anketimit rezulton kjo evidencë kostoje në kohë:

1. Koha mesatare e çdo gjyqtari për të dëgjuar palët në proces ka rezultuar 1 orë e 24 minuta.
2. Për përgatitjen e vendimit çdo gjyqtar harxhon mesatarisht 1 orë e 15 minuta.
3. Për të lëshuar urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes çdo gjyqtar harxhon 1 orë e 10 minuta.
4. Rastet e komplikuara zënë mesatarisht 5 në 10 raste për një punonjës policie.
5. Një punonjës policie për një rast të tillë harxhon 9 orë e 30 minuta.
6. Në rast se punonjësi i policisë shoqëron viktimën në strehëza harxhon mesatarisht 1 orë e 50 minuta.
7. Në rastet kur viktima paraqitet tek punonjësi i policisë me fëmijë të mitur, koha e harxhuar është 3 orë e 20 minuta.
8. Për përgatitjen e kërkesë-padisë punonjësi i policisë harxhon 1 orë e 20minuta.
9. Që punonjësi i policisë të kompletojë dokumentacionin duhen afërsisht 3 orë.

Këto të dhëna e bëjnë problemin më konkret se sa mund të duket dhe e kthejnë veprimin e ligjit nga agjitacion dhe konformizëm ndaj organizmave dhe standardeve ndërkombëtare në një çështje që meriton përgjegjësi.

Plotësimi i mëtejshëm i projektit lehtësohet duke qenë se koha në orë nuk është e vështirë të kthehet në kohë të pagueshme dhe më tej në para, duke qenë se pagat e punonjësve të policisë dhe të gjyqtarëve janë të indeksuara. Të dhënat janë statistikuar në mënyrë të besueshme, duke qenë se janë së paku 64 intervista me funksionarë të përfshirë në zbatimin e deritashëm të ligjit (gjyqtarë, prokurorë, punonjës policie dhe vetë viktimat e dhunës) në qytetet Kukës, Durrës, Korçë dhe Tiranë. Kostoja e zbatimit të urdhrave të mbrojtjes së menjëhershme është përllogaritur ndaras. Detyra e ligjvënësit kështu është letësuar shumë dhe mbetet të verifikohet se çfarë vullneti ka dhe sa i sinqertë ka qenë miratimi i ligjit. Në mënyrë të përmbledhur në dy tabelat në vijim paraqitet kostoja e kohës së shpenzuar prej gjykatës (evidenca e parë) dhe prej policisë (evidenca e dytë), e kthyer në para, domethënë e buxhetizuar. Përballimi i kostos së zbatueshmërisë së një ligji të miratuar nga Kuvendi është e institucionit qeverisës:

Evidenca e parë: Para për kohë të shpenzuar nga gjyqtarët
(pa parashikim në buxhet për periudhën 2006-2011)

Paga e një gjyqtari
117,000
lek
Paga e një gjyqtari në 3 muaj
351,000
lek në 3 muaj
UM në 3 muaj
25
raste
Koha që harxhohet për një UM
7.3
orë
Koha që harxhohet për 25 UM
182.5
orë
Orët që harxhon një gjyqtar në ditë
10
orë
Mesatarja e ditëve të punës në një muaj
26
ditë
Mesatarja e ditëve të punës në 3 muaj
78
ditë në 3 muaj
Orët e punës për një gjyqtar në 3 muaj
780
orë në 3 muaj
Përpjesëtimi i pagës së gjyqtarit në orë punë (UM 182,5 orë) në tre muaj
82,125
lek në 3 muaj

Evidenca e dytë: Para për kohë të shpenzuar nga punonjësit e policisë
(pa parashikim në buxhet për periudhën 2006-2011)

Paga e një polici në muaj
51,380.00
lek/muaj
Paga e një polici në 3 muaj
154,140.00
lek në 3 muaj
Mesatarja e rasteve të dhunës në 3 muaj
5
raste në 3 muaj
Koha që duhet të zgjasë një rast
9.2
orë
Koha që një polic punon në ditë
8
orë
Koha që nje polic punon në 3 muaj
624
orë në 3 muaj
Koha e harxhuar për 5 raste
46
orë në 3 muaj
Përpjesëtimi rrogës së një polici për rastet e dhunës
11,362.88
lek në 3 muaj

Ajo që meriton theksim duke marrë shkas prej këtij ligji, faqja buxhetore e të cilit po projektohet prej faktorësh joqeverisës dhe prej organizatave ndërkombëtare, është se miratimi i ligjeve në Kuvend me apo pa koston e zbatueshmërisë është një test për të diferencuar seriozitetin e nismës ligjore, përgjegjësinë e propozuesit dhe mbi të gjitha se qendrimi ndaj mbështetjes ose jo me buxhet është shprehje e veprimit me inerci të një tradite të mbijetuar prej periudhës totalitare, gjatë së cilës gjithçka ishte e shtetit dhe nuk ishte e nevojshme të kushtëzohej ligjshmëria me buxhet. Fakt është se edhe në Shqipërinë e sotme, dy dekada pas ndarjes prej totalitarizmit, demagogjia, agjitacioni, propaganda dhe konformizmi janë përbërëse të dukshme të ligjvënies.

Le të krahasojmë, sa për ta bërë dhe më të vërejtshme demagogjinë dhe standardin e dyfishtë, të dhënat për koston shumë modeste që kërkon zbatimi i ligjit për mbrojtjen prej dhunës në familje (nga buron dhe krimi gjithnjë me përhapje në familje), me koston e ndërtimit të rezidencës së re të Kuvendit të Shqipërisë, që do të gëlltisë jo më pak se një të tretën e gjithë buxhetit vjetor të vendit, duke shkaktuar një gropë tjetër të thellë në një vend që rrokulliset symbyllur drejt krizës, madje rrokulliset duke duartrokitur se është i vetmi që nuk ka krizë. Dy rastet duken të ngjashme, por janë krejt të kundërt me njëri-tjetrin. Në rastin e parë, për demagogji, ligji është miratuar, por zbatueshmëria i është lënë vullnetit të lirë dhe kohës së tepërt të institucioneve të ngarkuara me përgjegjësi.

Që do të thotë të mos shpenzohet asgjë plus. Në rastin e dytë, përkundrazi, mosparaqitja e kostos dhe miratimi pa fletën e buxhetit ka kuptimin se buxheti do ta përballojë koston aq sa të rezultojë. Një teknologji krejt tjetër kanë zbatuar hartuesit e projekt-kostos së ligit për dhunën në familje: në mendësinë e tyre nuk ka qenë i tepërt edhe zëri “shpenzime të viktimës” për kohë të humbur nga puna, shpenzime udhëtimi, shpenzime avokatie, shpenzime kujdestarie për fëmijët, që janë të pashmangshme në raste të tilla. Kostoja e viktimës paraqitet si në tabelën e mëposhtme dhe vetëm prej saj mund të përfytyrohet sa harxhon shoqëria shqiptare për vetëmbrojtje prej dhunës në familje. Po themi vetëmbrojtje, sepse mbrojtja me buxhet deri më tani as është parashikuar, as është ofruar prej autoriteteve qeverisëse:

Evidencë e tretë: kostoja e viktimës për vetëmbrojtje nga dhuna:
(pa parashikim në buxhet për periudhën 2006-2011)

Shpenzime udhëtimi
306
Paratë që humbasin nga rroga
125
Kosto për kujdesin për fëmijët
23
Shpenzime për fotokopje
100
Shpenzime për avokat

Kosto administrative

Totali në lekë
553

Ky është vetëm njëri prej rasteve që mund të shërbejnë si shkas për të vërejtur se sa shoqëria shqiptare është e sinqertë në vullnetin e shprehur prej ligjvënësve. Dhe, mbi të gjitha, cila është pjesa propagandë e ligjeve të miratuar prej tyre.