Rasti ‘Kokëdhima’ dhe plagosja e sipërmarrjes si vetëvrasje e qeverisë

0
47

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 22.12.2009

Tipat e rezervuar dhe krenarë e kanë zët t’i rrëfejnë plagët. Gdhihen e ngrysen me to, me mendimin se koha, heshtja, kundërveprimi pa vënë tellallin, janë balsami më i mirë për mbylljen e tyre.

Vetëm një hall i fortë, një parandjenjë shumë e keqe apo përgjegjësia për të dhënë një kushtrim me jehonë mbarëshoqërorë mund t’i shtyjë këta njerëz stoikë të thyejnë heshtjen, të dalin hapur.

Koço Kokëdhima është nga ky brumë. Tani që po shkruaj këto rreshta kam parasysh pikërisht atë; kam parasysh letrën e tij të hapur drejtuar shkëlqesisë së tij, ambasadorit të SHBA-së, zotit Widhers, në të cilën Kokëdhima ka treguar me cilësinë e presidentit të kompanisë “2K Group” njëzet plagë, më saktë “vetëm” njëzet prej goditjeve që bizneset e tij kanë marrë nga viti 2006 e në vazhdim.

Letrat e hapura zakonisht shkruhen për të bërë publike heshtjen e zyrtarëve, si dhe për të informuar një publik sa me të gjerë për një çështje të caktuar. E kam mik të vjetër Koço Kokëdhimën, edhe pse puna e ka sjellë të shihemi rrallë. Thotë një fjalë: “nderat që bën shkruaji në rërë, ato që të bëjnë gdhendi në gur”.

Kokëdhima është një prej shumë të paktëve miq e të njohur në jetën time, për të cilin nuk më është dhënë rasti të shkruaj asgjë në rërë. Vetëm në gur. Ai është rikthyer në jetën time me një thirrje telefonike, me një ftesë për kafe apo për punë, në ditët e mia të rënies në vështirësi.

E kam kuptuar me kohë se kjo sjellje nuk ishte e nuk mund të ishte filantropike apo, aq më pak, e llogaritur, siç ndodh të jetë rëndom sjellja e shumë njerëzve që afrojnë një shërbim sot në shkëmbim të dy shërbimeve nesër. Jo, kjo cilësi e të gjendurit në ditë të vështira është karakteristikë e miqësive që kanë një themel respekti.

E bëra këtë parantezë për të nënvizuar një habi të përzier me pendim. Megjithëse, diçka kisha dëgjuar, në fakt, goditjet që ka marrë biznesi i mikut tim gjatë katër viteve të qeverisë dhe qeverisjes që unë kam votuar e mbështetur si ish-Deputet i Partisë Demokratike i mësova qartë e të renditura vetëm nga Letra e tij e Hapur.

Koçoja nuk më ka takuar as edhe njëherë për të qarë hallet e tij apo për të më kërkuar ndihmë, edhe pse mund ta dinte se me pasionin tim për investimet prodhuese, arrija “të çaja” edhe në ministritë e Ekonomisë.

Rasti i fabrikës “Eurofish” në Lezhë, apo rasti tjetër i prodhuesve të mesëm e të mëdhenj të verës, kur në bazë të argumentimeve të mia Komisioni i Ekonomisë, Ministria e Financave dhe mandej edhe Kuvendi u hapen rrugë zgjidhjeve që evitonin situata frustruese apo falimentuese, janë një ilustrim. Por, Koçoja nuk ka ardhur.

As për pasaportën e shërbimit, që i takon në bazë të ligjit, dhe për të cilën si kryetar i Komisionit të Jashtëm mund ta ngrija zërin me shumë se për çështjet e tjera.
Nuk ka ardhur dhe, të them të drejtën nuk kam pritur të vijë.

Në vitet e para të mandatit, ndërsa isha fokusuar kryesisht në zonën elektorale, si mundësia kryesore për tu shprehur si deputet i një shumice homogjene, kam pas menduar se “qetësia” apo “tërheqja” e Koço Kokëdhimës lidhej me faktin se ai po korrte nga qeveria “Berisha” frytet e pritjes dhe kontributit të tij për ndryshimin që ndodhi në vitin 2005.

Sepse Kokëdhima, me mediat e tij dhe para së gjithash me vizionin e tij, që është edhe potenciali që e dallon si sipërmarrës, apo thënë ndryshe, potenciali që bashkon te ai intelektualin, matematikanin dhe sipërmarrësin, pra ky, Kokëdhima, që njihej e njihet si i majtë, për sa u takon bindjeve politike, kishte mbështetur fitoren e Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj, Sali Berisha. Si është e mundur? – do kenë pyetur e ndoshta pyesin sërish “të drejtët” që nuk tunden kurrë nga istikami.

Ka qenë e mundur dhe është e mundur, minimum për dy arsye të lidhura si qershitë në një rrëfanë. E para, ky biznesmen dhe botues ka prirjen të merret para së gjithash me mesazhin dhe jo me mesazherin, siç do të thoshte Indro Montaneli.

Pra, ai ka mbështetur apo luftuar me përparësi për çështje, zgjidhje, kauza. Njerëzit pas tyre kanë qenë sekondarë. E ka vërtetuar disa herë këtë qëndrim tipik prej biznesmeni dhe botuesi të lirë e të përgjegjshëm Koço Kokëdhima.

Vizioni i tij i lirë e ka nxjerrë përballë Metës në favor të Nanos, apo përballë Nanos në favor të Berishës në vitin 2005. E dyta, objektivisht dhe organikisht, interesat e tij dhe mandej edhe mendësia e tij shkojnë djathtas.

Atij i interesojnë personalisht zgjidhjet e djathta. Mendoj se vetëm njëlloj zëti, bezdie apo turpi për të mos u dukur i konvertuar në raport me rininë dhe origjinën e tij e mbajnë të majtë. Ja pse në kontekstin e kalbëzimit të Shqipërisë prej korrupsionit dhe informalitetit në vitin 2005, Kokëdhima ishte në krahun e ndryshimit.

Kam menduar, pra, se po ndihmohej nga qeveria për problemet që mund të kishte. Po ndihmohej edhe për mirënjohje, sepse biznesi është biznes, nuk është shtëpi engjëjsh. Ose tjetra: Nuk kishte nevojë të ndihmohej drejtpërsëdrejti, por po ndihmohej me politika, po ndihmohej duke u lenë i qetë, po ndihmohej duke mos u luftuar, që besoj se është ëndrra e çdo biznesmeni.

Por, nuk paska qenë kështu. Përkundrazi. Janë ndihmuar kundërshtarët, janë privilegjuar të akuzuarit si simbole të informalitetit, siç është rasti i Mihal Delijorgjit dhe janë luftuar mbështetës. Pse? Arsyet janë komplekse, banale, por edhe të thella. Nuk është rasti të flasim sot gjerë e gjatë për to.

Njëzet goditjet e denoncuara në letrën e hapur nga Kokëdhima, përveçse na njohim me një të vërtetë që nuk mund ta dinim të gjithë, ngërthejnë problematikën e mprehtë të marrëdhënieve të qeverisë me sipërmarrjen.

Në evoluimin e tyre si sjellje gjithnjë e më arbitrare dhe klienteliste nga ana e qeverisë, këto marrëdhënie kanë prodhuar jo thjesht zvogëlimin apo bllokimin e një sipërmarrjeje nga më të njohurat në vend, por edhe një pjesë të madhe të paralizës dhe vështirësive që po përjeton sot ekonomia.

Duke lexuar këtë letër, kam menduar gjënë më të arsyeshme, që pikërisht ngaqë është e tillë, rezulton të jetë gjëja me e pamundur në Shqipërinë e sotme të inateve dhe paragjykimeve: Kryeministri Berisha, ministri i Ekonomisë, Prifti, ministri i Financave, Bode, a ndonjë institucion tjetër kompetent i këtyre lartësive, të ngrejë menjëherë një komision që të verifikojë në vend, një për një, njëzet rastet, duke i klasifikuar sipas përgjegjësisë së organeve, subjekteve apo autorëve që i kanë sjellë në atë gjendje.

Domethënë: për cilat goditje përgjegjësinë e ka aksh ministri, për cilat e ka organi tatimor, për cilat e ka policia ndërtimore, për cilat mund ta ketë konkurrenca dhe mjedisi në përgjithësi dhe, së fundi, për cilat mund ta ketë vetë shoqëria, mangësitë në menaxhim. Kjo do të ndodhë. Në mos me bizneset e Kokëdhimës, do të ndodhë me bizneset e të tjerëve që po përfshihen në “fatin” e Kokëdhimës”.

Por unë nuk kam dashur e nuk dua, djalli e mori, të më japë të drejtë kriza. Pse të mos më japë të drejtë mendimi, arsyetimi dhe parashikimi, para se kriza të derdhet si orteku i dëborës?

Nëse qeveria do të merrej me Letrën e Kokëdhimës pa inat dhe pa tendencë, siç i ka hije një qeverie të urtë, që është gjithmonë me shumë se një sipërmarrje private, ajo dhe ne bashkë me të do të zbulonim në dritën e dëmit që i është shkaktuar një kompanie të madhe, disa zakone fyese, poshtëruese dhe vdekjeprurëse për biznesin. Të përmendim shpejt e shpejt disa.

Askush nuk u përgjigjet shkresave, ankesave. Në rastin me të mirë, ankesat përcillen andej-këndej, por nuk shqyrtohen. Administrata është bërë si mali që s’bëzan. Nuk dëgjon kur i shtrohen probleme që duhet t’i zgjidhë.

Organi tatimor, policia ndërtimore, organet e tjera të ekzekutivit e bëjnë atë që kanë vendosur, pavarësisht nëse do të rezultojë i ligjshëm apo i paligjshëm veprimi kundër sipërmarrjes: Bllokojnë, prishin, gjobisin. Nesër-pasnesër, Gjykata vendos ndryshe, vendos në favor të sipërmarrjes. Ndërkaq, dëmi është bërë, por askush nuk mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar.

Askush. Madje, shkaktarët e dëmit të paligjshëm promovohen, ministri që më veprimin e tij të paligjshëm ka sjellë kushedi sa pasoja për sipërmarrjen dhe për njerëzit e punësuar aty, guxon dhe e mban sa t’i teket në sirtar vendimin e gjykatës. Nuk denjon ta zbatojë. Ky është momenti i një arbitrariteti të skajshëm. Në fakt, kjo është një sjellje e mirëfilltë kaçakësh.

Zoti Kokëdhima përmend në letrën e tij shtatë a tetë raste kur e ka fituar me gjykatë të drejtën apo e ka zmbrapsur me gjykatë agresionin, por, ndërkaq, ka paguar edhe koston e pariparueshme të këtij agresioni.

Kushdo që do ta mendonte si për vete këtë fenomen, që u ndodh shumë biznesmenëve, do të revoltohej dhe nuk do të çuditej se pse ekonomia shqiptare po thellon krizën e likuiditeteve në përmasa të paparashikuara. Tirania është një furnizuese e keqe, thotë de Mestre. Ajo nuk di as të mbledhë, as të shpërndajë të ardhura.

Nxitimi dhe arbitrariteti janë me pasoja për çdo lloj biznesi, por pasojat më të mëdha i shkaktojnë kur i drejtohen sipërmarrjes prodhuese.

Mëkati, në këtë rast, është i shumëfishtë. Arsyet s’ka nevojë të thuhen. Ç’ka ndodhur me Kombinatin e Drurit në Burrel, po me Ndërmarrjen e Remontit Elektrik në Elbasan?

Sa njerëz kanë humbur vendet e punës nga mbyllja e këtyre ndërmarrjeve prodhuese? Sa gojë kanë rënë në vështirësinë e kërkimit të bukës së përditshme? Sa taksa ka humbur arka e shtetit nga këto mbyllje? Hesapet kështu duhet të bëhen.

Personalisht, me është dhënë rasti të përballem me pasojat e papërgjegjshmërisë së disa të zyrtarëve gjoja puritanë, që nuk e kanë problem t’i shohin të mbyllura e në faliment ndërmarrjet që kontrollojnë.

Tre vjet më parë, puritanë të tillë naivë apo hipokritë, nuk kishin asnjë shqetësim që fabrika Eurofish e Lezhës, ku ishin punësuar mbi pesëqind punëtorë, të mbyllej dhe investimi i ri Italian për modernizimin e fabrikës të shkonte në Mal të Zi.

Një arsye e pathënë ishte kjo: Ortaku shqiptar na paskësh qenë mik me Fatos Nanon, të cilit i kishte krijuar mundësinë të priste një shirit! “Demokratët e vërtetë” në qark nuk mund ta harronin këtë!

Prandaj atij i duhej bërë qimja tra për minuset e fabrikës! Atëherë, me menaxhimin që i bëmë situatës, me mbështetjen e Kryeministrit dhe ministrit të Bujqësisë, ia dolëm që pesëqind vende pune të prevalonin mbi një përshtypje politike për njërin prej pronarëve.

Është një luks i madh për Shqipërinë të çojë me marifete të ndryshme në mbylljen e ndërmarrjeve prodhuese për arsye politike, hakmarrjeje, monopolistike e tjerë. Në ç’lloj konteksti dhe sidomos në kontekstin e tharjes në përmasa të paparashikueshme të ekonomisë, ky është krim. Një popull i lirë i ka sytë nga sipërmarrja e lirë.

Vetë Qeveria rri në degën e sipërmarrjes së lirë, që mund të jetë mike, neutral apo kundërshtare – s’ka rëndësi. Dihet se sipërmarrja “mike” e ka zakon të fusë ujët nën rrogoz. Neutralja dhe kundërshtarja janë burimi kryesor i të ardhurave. Duke goditur ato, qeveria pret degën ku rri.

Të na rrojnë pastaj maksimarketet kur s’ka njerëz për të blerë, ose ata që shkojnë atje janë po ata që deri dje kanë blerë në dyqind minimarketet që do të mbyllen për t’ju bërë fli të madhit, maksit…