Degradimi i militantizmit në mercenarizëm

0
72

Nga: Kiço BLUSHI

Tjetërsimi i idealistit dhe më pas edhe i militantit partiak në mercenar, në pamje të parë i paqëllimtë e i kuturumtë, i ka kushtuar shtrenjtë fatit të Shqipërisë, sidomos historisë së saj moderne, aleancave, marrëveshjeve, demokratizimit, evropianizimit, pluralizmit, përparimit dhe mbrothësisë, madje edhe mirëqenies e bashkëjetesës mes shqiptarëve. Si një dukuri e trashëguar nga sundimi pesëshekullor anadollak, sot nuk është e vështirë të vëresh se procesi i transformimit të militantizmit në mercenarizëm kryhet shpesh pa u ndjerë, publikisht e politikisht, me një kollajllëk të habitshëm.

Tjetërsimi kryhet herë në emër të një “misioni”, herë si kapar shpërblyes, herë si favor i merituar, por gjithsesi benefitet përherë burojnë nga sipër (nga krerët partiakë e shtetërorë), por edhe nga forca të jashtme (ambasadat, shërbimet inteligjente të huaja, “fondacionet” civile, apo fetare”)…

Një nga arsyet qenësore përse sundimi osman zgjati aq gjatë, përse tek ne u krye më aq sukses myslimanizmi i popullsisë, përse kemi pasur vështirësi në aftësinë shtetformuese, është edhe fakti që Porta e Lartë programoi e injektoi frymën e mercenarizmit. Aftësia për të luajtur bukurfort me rregullat e mercenarizimit e bëri Ali Tepelenën Pasha, pa e ditur se mercenarzimi do t’i hante kokën…Edhe Haxhi Qamili e Dumbabët e më pasmë u rroposën nga mercenarizmi që i lartësoi. Mjerisht këtë model po kultivojnë edhe autokratët e sotëm, edhe pse shtiren si demokratë, pasi tradita i ka bindur se, duke mercenarizuar partinë e më pas edhe shoqërinë, bëhet më jetëgjatë sundimi pa telashe.

Ne akoma nuk jemi bindur se pushteti i ngritur me e mbi mercenarizëm i ka themelet mbi rërë, pasi mercenari nuk ka ideal, nuk ka bindje, nuk ka vizion kombëtar, lufton për të fituar për vete e kundër interesave të shoqërisë, ndaj nuk bën dot aleanca, aq më pak shtetformim të qëndrueshëm e përbashkues. Në historinë e përditshmërinë tonë ka shumë shembuj të tillë. E megjithatë emërimet në gjykata e komisariate, në institucione e forume të larta partie, edhe në vitin 2011-të po kryen jo sipas meritës e aftësive, por nëpërmjet procesit mercenarizues.

Berisha ngjan i pathyeshëm dhe i pazëvendësueshëm se di të miklojë, të mëkojë e të motivojë më mirë se kushdo “të fortët”, mercenarët. Ai e di se në Shqipëri nuk ka dhe aq rëndësi Kodi Zgjedhor, KQZ-ja, programet, Kushtetuta, premtimet, fushatat, po cila parti, e cili lider i ka më të shumtë, më të paskrupullt e më agresivë në parti “mamurrsit”, d.m.th, mercenarët. Kjo “frymë” gëloi edhe në PS.

* * *

Më e pakta që lyp sot mercenari partiak është një vend pune në qeveri, në polici, në administratë, ndërsa po qe “intelektual”, mjafton një pension special, mbyllja e dosjeve për spiunimet a vjedhjet, një titull pr e dr i pamerituar, dava më mirë një post ministri, një karrige deputeti, për t’u bërë më pas vegël qorre, kobure, altoparlant, në daç edhe një banjo publike e keqpërdorur pas kuintave të partive e para ekraneve të televizioneve…Që të përfitosh favore lipset të rekrutohesh, duke dhënë prova si mercenar dhe jo si militant. Militanti dhe idealisti nuk janë të parapëlqyer, pasi quhen të paaftë të shërbejnë për qëllime të mbrapshta, si korrupsioni, vjedhjet, manipulimet, tenderat, firmat, shpifjet, rrahjet e vrasjet e kundërshtarëve…

Kryetarët e sotëm e dinë fort mirë, që mercenari nuk e hap gojën e nuk rrëfen të pabërat e paudhësitë e shefit edhe kur kapet me presh në dorë e vihet para gjyqit, se e di që i ikën koka (shihni Gërdecin e jo vetëm); ndërsa militanti, i cili ka pas besuar në një ideal e që sidokudo ka parime e për këtë shkak ndjek verbërisht një udhëheqës a një parti, kur zhgënjehet e syçelësohet mund të vërë kokën në rrezik për të dëshmuar të vërtetën. Prandaj, partitë e sotme, pavarësisht nga statutet, demagogjia dhe emrat e kryetarëve, bëjnë të pamundurën t’i kthejnë militantët në mercenarë, se te këta, çuditërisht, kanë më shumë besim e siguri.

Një mercenar sot vlen më shumë se një renegat, pasi ky i fundit mund të këmbejë shefin apo partinë për hir të ndryshimit të idesë, ndërsa mercenari ka busull të vetme “plaçkën e luftës”, ryshfetin, mallin, shpërblimin, emërimin, ngaqë për fe e për atdhe mban vetëm paranë. Për këtë arsye mercenarët e jo militantët janë bërë sundues e zotërues nëpër partira, institucione, shoqëri e në Kuvend.

Sot nuk është turp të shpallesh mercenar, përkundrazi! Nuk ka seancë parlamentare ku deputetët mercenarë të mos japin prova si të tillë. Nuk ka debat që mercenarët të mos kërleshen trupërisht me njëri-tjetrin. Nuk është e vërtetë që administrata civile ka vetëm militantë; jo, ajo tani është përplot me mercenarë, të cilëve nuk u bën syri terr për shkeljen e ligjit, për moralin, për interesin kombëtar, për vijën e bardhë, për të drejtat e njeriut, për drejtësinë. Sepse shpërblimi për zanatin e lashtë të mercenarit sjell fitim të pallogaritshëm!

Mercenari i sotëm, një tip Mon Kukalesh kokërruar, ndodh të ketë më shumë fuqi e mundësi edhe se shefi i tij. Ky model morali e idhull karriere, kjo shëmbëlltyrë suksesi e pasurimi e tërheq shoqërinë, familjen dhe qytetar-katundar-qyqarin e sotëm për hunde… Pra: ose mercenar, ose je i humbur, i harruar, i përçmuar, i pashpresë, i papunë. Ja përse edhe ata që e nisin rrugëtimin si atdhetarë të thekur, demokratë, idhujtarë, elitarë, intelektualë, përfundojnë herët a vonë, me hir e pahir në mercenarë që nuk e kanë për gjë të hedhin në kosh të plehrave Kushtetutën, solidaritetin, humanizmin, lirinë e fjalës, interesat kombëtare.

Kjo bën të dështojnë projektet madhore, si procesi i integrimit dhe zgjedhjet e lira, si seancat gjyqësore, Gërdeci, rruga Durrës-Kukës, 21 janari, sepse gjykatësit, prokurorët dhe dëshmitarët, ashtu si anëtarët e KQZ-së e KLD-së, të Asambleve dhe Këshillave të partive, si zyrtarët e të gjitha niveleve nuk lejohen të gjykojnë e veprojnë si qytetarë të lirë, si profesionistë, madje as si militantë, por si mercenarë pa din e pa iman!

Të prirur nga mercenarizmi, sipas të cilët “secili për vete, Zoti për të gjithë” dhe “vetëm i forti dhe shefi kanë të drejtë”, partitë e sotme nuk kanë nevojë as për militantët e zjarrtë të fillim-pluralizmit, por vetëm për mercenarë, dobia e të cilëve e tejkalon nevojën e alternativave dhe forumeve, zgjedhjeve e alternativeve, ndaj ata lipsen e çmohen aq shumë në kohë fushatash…

Në këtë klimë nuk është mëkat po të thuhet se sot mercenarizmi është bërë një sëmundje morale, ngjitëse e gjithëpërfshirëse e shoqërisë, një “vlerë” sa e vjetër aq edhe e re, sa morale dhe intelektuale, sa partiake aq edhe shtetërore, një trysni e papërballueshme mbarëkombëtare e familjare, “e vetmja rrugë” e sigurt e mirëqenies vetjake, e suksesit të menjëhershëm, pa derdhur mund e djersë, aq më pak ndershmëri, aftësi profesionale e talent…Nuk ka energji më negative që shkatërron sistemin e vlerave, demokracinë e bashkë me të edhe moralin e shoqërisë se sa mercenarizmi i kthyer në mënyrë e mjet jetese.

Një mercenar partiak sot ka më shumë autoritet moral e social se një shkencëtar, shkrimtar apo edhe militant partiak, ku e ku më tepër se një idealist, sepse tanimë këta të fundit, nga jo pak njerëz normalë konsiderohen, për fat të keq, në mos si leshkot e lagjes, ca naivër të pandreqshëm, pse jo edhe të dëmshëm, sepse nuk kanë ç’bëjnë tjetër veç t’i bien kotmëkot “me kokë malit që nuk bëzan”, pa e përmirësuar situatën, ndaj nuk i lipsen as familjes së vet…Nga që mbizotëron kjo mendësi hidhet me shumicë baltë mbi ata që demonstrojnë integritet e nuk pranojnë të mercenarizohen. Në fakt, mercenarizimit i leverdis të ngjajnë të gjithë të njollosur, të pistë, të korruptuar, të blerë, pa integritet moral…Ky “mision” shkërbërës i merecenarizmës po realizohet me ngulm, ndaj evropianizimi dhe demokracia po ecin me kaq vështirësi.

Ashtu si partizanët, të cilët për atdhe e për liri shkuan në luftën për çlirim kombëtar, pa e ditur se më pas disa syresh do të transformoheshin në mercenarë, kush me dëshirë, kush me dhunë e kush me shpëlarje truri, një ashtu edhe sot, pluralizmi apo gjasme pluralizmi, “idealet e dhjetorit”, bashkë me thirrjet “liri -demokraci”, “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, përfunduan në një treg shumice, ku të humbur, të poshtëruar, të zhgënjyer, madje edhe të keqpërdorur, si përherë, dolën militantët, idealistët, demokratët e vërtetë, kombëtarët e nacionalistët, të sakrifikuarit e të përndjekurit, ndërsa të shquar, të pushtetshëm, të pazëvendësueshëm e të kamur u bënë vetëm mercenarët… Akoma më mirë nëse këta mercenarë patën qenë edhe “pak” hajdutë apo ish spiunë…

Gjithsesi besoj se nuk është e nevojshme të përmend emra për të ilustruar idenë përse militantët janë të detyruar të shndërrohen në mercenarë për të bërë karrierë, pasi këta janë aq të shumtë sot, sa nuk mund dhe, natyrisht, as nuk ia vlen të numërohen e të citohen me emër. Për këtë mjafton të vështrosh lart, në kupolë, por edhe poshtë, në lagje, në pallat… Shihni vetë, kush është transformuar nga militant në mercenar a nuk është sot më i mirëqenë se dje? Afërmendsh, nuk janë të tillë vetëm ata që vjedhin vota, që ngjisin pankarta në mure, që shajnë e pështyjnë nëpër blogje interneti e TV-ra, që rrihen e vriten nëpër fushata, që broçkullijnë nëpër debate televizive falë një shpërblimi, një posti, një vendi pune, etj, pasi tani mercenarizmi është një dukuri gjithëpërfshirëse, e vetmja rrugë që të bën lehtësisht me pasuri, me prona, me fuqi, me ofiqe, pse jo të të duket vetja edhe më i mençuri i botës!

A nuk u bënë mercenarë ish komunistët fanatikë të transformuar brenda natës në demokratë antikomunistë fanatikë? Sa janë ata ish nismëtarë të PD-së që pas 97-ës kaluan te socialistët e tash përsëri janë në avanpostet e PD-së? A janë të gjithë këta mercenarë të vetëdeklaruar po aq të varfër sa kanë qenë në fillimet e viteve 90-të? A nuk provojnë shembujt e tyre se mercenarizmi është profesioni më i shpërblyer? Mercenarizmi nuk është ideologji, por një mënyrë mbijetese, një metodë e vyer për të mos pasur frikë nga Drejtësia, për t’u bërë, pa meritë, një vetmja aq e fuqishme, sa të bindesh që, edhe pse anonim e pa pikë vlere, do të “të ndjekë pas historia”…

Suksesi i mercenarëve ka bërë që të ndryshojë me shpejtësi jo vetëm struktura e shoqërisë, raportet e të varfërve me pasurit, por edhe hierarkia në sistemin e vlerave…Krahasuar me të kaluarën, kur një mercenar nuk mund të arrinte në nivel më të lartë se të një rekruti, kur as posti i kapterit të hyxhymeve e rezilëve nuk i besohej, sot po të jesh mercenar i suksesshëm mund të gdhihesh edhe kryetar partie, kryetar gjykate, kryebashkiak, ministër i jashtëm, deputet, madje edhe kryeministër! Për shkak të trysnisë sunduese të mercenarizmit Presidenti Topi po trajtohet ashtu si po trajtohet nga partia e tij, nga Berisha e Topalli, ngaqë u vu në atë post jo si nënkryetar partie e kryetar i grupit parlamentar, me kontribute në atë parti, por si një mercenar i rëndomtë, i cili duhet të ndjehet i detyruar të shërbejë e të sillet jo si President i gjithë shqiptarëve, por si një mercenar! Ndaj po poshtërohet me metoda e mjete të mirëfillta të mercenariste.

E pra, falë transformimit të suksesshëm të militantizmit në mercenarizëm sot ne kemi edhe parti që mund të quhen, pa frikë, parti mercenare. E tillë sigurisht që nuk është vetëm LSI! Kjo është veçantsia e kësaj kohe: jo pak parti bëjnë të pamundurën të pranohen nëpër “koalicione” jo si aleatë, por si parti mercenare… Kjo dukuri ka gjallëruar edhe më tepër shtysën e trashëguar për t’u mercenarizuar me çdo çmim, pasi nuk është lënë tjetër rrugëdalje nga ngërçi ynë moral… Mënyra si veproi KQZ-ja e Kolegji, si u bënë së fundi zgjedhjet për organet drejtuese të PD-së, si po degradojnë proceset gjyqësore, si bëhen zgjedhjet brenda partive, provon se militantizmi është zëvendësuar gjithandej me mercenarizëm, parimet e demokracisë me parimet e mercenarizmit.

Kështu, dita ditës, me këtë rritëm të lartë mercenarizimi, rrezik të bëhemi jo vetëm me institucione, shoqëri civile, OJQ-ra e TV-ra, parti e krerë mercenarë, po edhe një popull i mercenarizuar, pasi kjo mbetet e vetmja rrugë për mbijetesë, për punësim e siguri, për garanci e mirëqenie, natyrisht jo vetëm për partiakët, por edhe për “të pavarurit” e pambrojtur. Sepse, kur mercenarë bëhen ministrat, kryeministrat, gjykatësit, prokurorët, deputetët, atëherë ç’siguri mund të ketë një fukara, një i pavarur, një i pashpresë, një katundar, një minator i Bulqizës, një bathorist i palegalizuar apo edhe një qytetar i pajisur me “kulturë demokratike”? Te kjo pyetje fshihet në të vërtetë theqafja jonë, sigurisht jo vetëm morale!