Nga: SHABAN MURATI
TIRANE – Karikaturizimin më të madhkomunizmit po ia bëjnë ata udhëheqës ish-komunistë të vendeve ish-komuniste, të cilët në epokën e demokracisë po zbatojnë sistemin monarkik pushtetor të trashëgimisë familjare. Ky fenomen është tipik në vendet ish-komuniste, që udhëhiqen nga autokratë ish-komunistë, ku shohim që udhëheqësit kanë caktuar dhe po caktojnë djemtë, vajzat apo dhëndurrët si trashëgimtarë të fronit “demokratik”. Kjo është bërë një normë aq e përhapur në ish-republikat komuniste sovjetike të Azisë Qendrore, sa që konsderohet ngjarje, nëse udhëheqësi ish-komunist i një shteti ish-komunist, aksidentalisht nuk cakton si trashëgimtar të fronit djalin, vajzën apo dhëndrin e tij.
Ndaj kur më 25 korrik 2011, Jermuhamet Jertisbajev, këshilltari kryesor i udhëheqësit autokrat të Kazakistanit, Nursulltan Nazarbajev, shpalli se dhëndrri i presidentit është alternativa e trashgimtarit të presidentit, në qarqet diplomatike kjo u trajtua si një dukuri e njohur dhe tipike autokratiko-komuniste, së cilës i duhet kushtuar vëmendje vetëm në prizmin e efektit në interesat gjeopolitike dhe gjeoekonomike në atë rajon të pasur me naftë dhe me gaz.
Nëse konsideratat e karakterit të interesit të mësipërm janë më prioritare për shtetet që nuk vijnë nga sistemi-komunist, konsiderata të tjera të karakterit institucional, legal, politik, moral, etj. janë më të rëndësishme për vendet, që vijnë nga ish-regjimet komuniste. Sepse po asistojmë në vendosjen e një norme të frikshme, e cila bëhet e turpshme, kur autokratizmi me origjinë komuniste, jo vetëm ngjason, por kërkon të ringjallë monarkitë absolutiste, të cilat i përkasin historisë.
“Në rast të situatave të jashtëzakonshme, që lidhen me largimin e papritur të kryetarit të shtetit, pikërisht Timur Kulibajev, (dhëndri) mundet të vazhdojë kursin strategjik të presidentit, të vazhdojë të ruajë drejtimet kryesore të ndërtimit shtetëroro-politik, të vendosur në kushtetutën e vitit 1995, të quajtur “Nazarbajeviane”, deklaroi këshilltari i presidentit në një intervistë me gazetën ruse “Komersant” më 25 korrik.
Natyrisht këshilltari kryesor i presidentit, i cili njihet si eminenca gri e tij, duke folur për trashëgimtarin e presidentit, shpreh mendimet dhe planet e shefit të vet. Përndryshe, ai do të ishte shkarkuar dhe rënë në fatkeqësi pesë minuta pas botimit të intervistës. Ajo që të bie në sy për mënyrën dhe stilin absolutist është fakti se planifikohet në postin e trashëgimtarit dhëndri i presidentit, pa përfillur dhe pa marrë në konsideratë asnjë lloj institucioni apo ligjshmërie, duke filluar nga vetë Kushtetuta.
Sepse edhe ajo, që e quajnë “Kushtetutë nazarbajeviane”, (në analogji me emërtimin “Kushtetutë staliniane”, siç quhej në kohën e Bashkimit Sovjetik komunist), ka të përcaktuar në mënyrë të qartë se në rast të vdekjes së presidentit, funksionet e tij i kryen kryetari i senatit, dhe në rast të pamundësisë së tij, i kryen kryetari i parlamentit, dhe në rast të pamundësisë edhe të këtij të fundit, funksionet i kryen kryeministri. Por udhëheqësit autokratë, me Kushtetutat fshijnë narcisizmin e tyre dhe Kushtetutën e ligjet i shndrrojnë në objekte muzeale për të krijuar në popull dhe te ndërkombëtarët iluzionin se shteti drejtohet me ligje.
Në shtetet autokratike drejtimi është vertikal dhe tipik monarkist, dhe nga regjimi i mëparshëm zyrtar komunist, është huazuar karakteri providencial dhe i pagabueshëm i udhëheqësit, që është mbi gjithçka, që i di të gjitha, dhe që mund të bëjë gjithçka.
Por duke qenë se udhëheqësit autokratë nuk kanë qenë në gjendje deri tani të zbulojnë eliksirin e përjetësisë dhe të sfidojnë Perëndinë, e cila i thërret të gjithë njësoj, ata përpiqen t’i shmangen humbjes së pushtetit dhe të pasurive nëpërmjet mekanizmit të trashëgimisë familjare. Ndaj në shumë shtete ish-komuniste shohim të dalin si trashëgimtarë froni djemtë, vajzat apo dhëndurët, me të cilat synohet të ruhet, të trashëgohet dhe të sigurohet brez pas brezi pasuria dhe pushteti, që gjyshi “udhëheqës i kombit” ka ndërtuar, duke përpirë djersën, pronat dhe pasuritë e qytetarëve dhe të shtetit.
Udhëheqësi i tanishëm i Kazakistanit i ndërmori të gjitha hapat, që mund të imagjinojë obsesioni i frikës nga e ardhmja, të cilën e kanë gjithë autokratët, që nga shpallja e vetes “Udhëheqës i kombit” e deri tek legjislacioni i posaçëm, që pas vdekjes së tij i përjashton vajzat, dhëndurët dhe tërë familjen e tij, nga çdo lloj hetimi apo ndjekje penale për origjinën dhe mjetet e përfitimit dhe grumbullimit të asaj pasurie kolosale, që ka familja e tij në duart e saj. Por si gjithë autokratët, atë e lë pa gjumë frika patologjike se pas vdekjes së tij, në rrethana demokratike ndonjë qeveri demokratike do të detyrohet të hapë defterët dhe t’i kthejë popullit pronat dhe dividentet, që ka grabitur udhëheqësi dhe familja e tij. Ndaj po krijon kushtet, që në pushtet të vijë dhëndri.
Është interesant se të gjithë autokratët e ish-vendeve komuniste e bëjnë promovimin e djemve, të vajzave dhe të dhëndurëve të tyre në dy faza. Faza e parë është ajo e pasurimit galopant dhe kolosal të tyre nëpërmjet përdorimit të pushtetit të babait. Ka një skemë klasike të pasurimit të tyre në vendet ish-komuniste, ku sundojnë autokratët. Djemtë, vajzat dhe dhëndurët, vihen në krye të fondacioneve, projekteve, bordeve dhe kompanive shtetërore, ku paratë bien si shi i rrëmbyer në llogaritë e tyre bankare. Në këtë rrugë, vajza e udhëheqësit të vendit, Dinara, përfshihet në listën e miliarderëve të botës sot.
I tillë është edhe dhëndri, Timur Kulibajev, i cili është miliarder dhe president i kompanisë gjigande shtetërore “Samruk Kazin”, cila prodhon 53 përqind të produktit të përgjithshëm kombëtar të vendit dhe ka në dorë energjinë, transportin, arin dhe uraniumin e vendit. Faza e dytë është ajo e promovimit politik drejt pushtetit zyrtar, drejt konsakrimit të skeptrit dhe të fronit, që nesër do të detyrohet ta lerë për arsye biologjike gjyshi autokrat.
Një element jo pa interes, është edhe mbështetja, që dhëndri i udhëheqësit dhe trashëgimtari i tij i sugjeruar, gëzon tek fqinji i madh dhe i gjithëfuqishëm, Rusia.
Më 1 korrik, me porosi të Kremlinit, dhëndri i Nazarbajevit, Timur Kulibajev, u zgjodh në bordin e kompanisë më të fuqishme ruse të gazit “Gazprom”, që është instrumenti më i fuqishëm i të ardhurave dhe i politikës energjetike ndërkombëtare të Rusisë. Ky vlerësim i rrallë ka të bëjë me interesin strategjik të Rusisë për ecjen e udhëheqësve të ish-republikave sovjetike në rrugën e politikës ruse, pavarësisht nga niveli i autokratizmit apo nga shkalla e lartë e mohimit të lirive dhe të të drejtave të popullit. Dhëndri i udhëheqësit kazakistanas zëvëndësoi në bordin e “Gazpromit” ministrin rus të energjisë, Sergej Shmatko.
Dhëndri ka mbështetjen e shtetit të fuqishëm fqinj, sepse, pa mbështetjen e shtetit fqinj të gjithëfuqishëm, vështirë të mendohet një sundim mbi 20-vjeçar i Nazarbajevit në vendin e vet. Në të njejtën intervistë, që përmendëm më lart, këshilltari kryesor i udhëheqësit thotë se “Kazakistani dhe Rusia kanë një hapësirë unike politike me njëri-tjetrin”. E përkthyer në një gjuhë më të qartë, kjo do të thotë se shteti fqinj ka interes të posaçëm në procesin e trashëgimisë së fronit. Ndaj, kur kërkon arsyet, përse një autokrat qendron shumë gjatë në pushtet, duhet patjetër të shohësh se kush është shteti fqinj i fuqishëm, i interesuar për atë autokrat dhe për trashëgimtarin e tij.
Procesi i emërimit të djemve, vajzave dhe dhëndurëve, në postet e trashëgimtarëve në vendet ish-komuniste është sanksionimi i një monarkizmi absolutist të ri dhe retushi demokratik i formës shtetërore nuk e ka ndryshuar përmbajtjen e së kaluarës. I vetmi sinjal pozitiv nga ky fenomen negativ është fakti se kur udhëheqësit autokratë nxitohen të caktojnë trashëgimtarin e fronit nga foto familjare e djemve, vajzave apo dhëndurëve, kjo do të thotë se e ndjejnë që po troket thirrja e pakthyeshme për në botën e përtejme. E parë në një sens optimist, kjo nuk mund të mos radhitet tek shenjat e mira.
(GSH/BalkanWeb)








Aman more Shaban! As mish as peshk nuk na ke dhane!
Te gjitha aktet e njeriut vijne nga nje qendrim i brendeshem,prandaj karakteri i njeriut eshte i pakorigjueshem.
Je sjellur si puna e atij qenit qe i leh pasqyres,duke mos ditur se sheh veten,por duke besuar se sheh nje qen tjeter.
” Kush kritikon te tjeret punon per permiresimin e vetevetes.” A.Shopenhauer.
Comments are closed.