Andi Kananaj, 01.08.2011
Lulzim Basha ka tri rrugë hipotetike të mundshme për karrierën e tij prej politikani të ri. I zgjedhur me peripeci në krye të Bashkisë Tiranë, i ndërgjegjshëm apo jo, ai ka mbi krye vëmendjen e çdo qytetari, pak rëndësi ka nëse ishte votues i tij apo jo. Pozicioni i Lulzimit delikat deri në detaje duket se nuk ka të ardhme të siguruar. Ky pozicion nuk duket se është kuptuar sa duhet në radhët e demokratëve. Burra e gra e votuan, duke menduar se i shkuan pas fijes Berishës, pa ditur që mesazhi i dashurisë shkoi dëm.
Skenari i parë
Berisha vendos të financojë çdo premtim të Bashës në fushatë elektorale. Basha në këtë skemë duket sikur fiton pikë. Me pikë në xhep Basha duhet të përballet me dy momente rreziku të paneglizhueshme. E para Berisha shikon te Basha déjà vu-në e Edi Ramës me Fatos Nanon dhe duke qenë se nuk është i gatshëm të ketë një shtëpi në Vjenë, me të gjitha gjasat do të hapë rrugë për sulmet e Jozit. Pa shkuar larg, mjaftoi keqkuptimi i demokratëve të kryesisë që Berisha nën dhëmbë të detyrojë Bashën që të ngujohet në bashki dhe në oraret e drekës. Megjithëse reagimi i tij duket si raport i ndjeshëm baba e bir, ku babai i jep leje të dalë me shokët pas kryerjes së detyrave të shtëpisë, Jozefina në rolin e njerkës duket se po merr rezultatin që priste. Jozefina nuk është aspak femra e çoroditur që sulmon pa arsye protezhetë e shefit të madh.
Jozefina duket se foli në gjuhën e asaj që e njeh mirë ekuilibrin e brishtë të partisë së pushtetit. Berisha aprovoi. Basha me heshtjen e tij justifikoi faktin që u gjend në vendin e gabuar nga votat e demokratëve që këtë radhë nuk kishin gabuar kuti, por hierarkinë e brendshme. Nëse kjo do të ndodhë sërish, Lulit nuk do t’i mjaftojë buzëqeshja e pafajshme që ndizet me pak dekika vonesë. Në këtë rast dhe Berisha pa pritur Jozefinën do t’i jepte Bashës letrat e referencës për t’i paraqitur te një punëdhënës tjetër më i durueshëm.
Nëse populli demokrat do ta kuptojë se postet në parti vendosen nga ekuilibra që ata nuk i kuptojnë dhe votojnë Bashën për çfarë ai realisht duhet të jetë në strukturën e hekurt të “demokratëve”, Lulzimi do të ketë mundësinë të rikandidojë sërish. Ky duket se është momenti më i mirë nëse Berisha paguan për premtimet e fushatës. Dhe në këtë moment Luli duhet të negociojë me dy të panjohura më të mëdha sesa Partia Demokratike: votën popullore (të cilën Basha nuk u duk se e pati edhe këtë herë kaq të sigurt) dhe dashamirësinë e Berishës dhe të partisë nga momenti që Luli nuk do të duhet më për të mundur Ramën. Kur them dashamirësi nuk nënkuptoj vetëm financim për rrugët, por dhe punën titanike për të çuar deri në fund kaosin zgjedhor. Në rastin kur Luli fiton, e sigurt që pas mandatit të dytë nuk do ketë kurajën të konkurrojë dhe një herë të tretë.
Kandidati Ramë me sharm tejet të ndryshëm nga biri i adoptuar, përfitoi herën e tretë nga Berisha për të qëndruar në të njëjtin rezultat. Nëse Luli beson se ka të njëjtat shanse, Luli duhet lidhur. Nga kjo matricë Berisha lan “borxhin” e një humbjeje të turpshme. Basha nga kjo fitore e dytë mbetet si Pirro, pa ushtrinë e militantëve kasapë në dyert e bashkisë. Nëse Basha do të kishte pasur mundësi do t’i kishte larguar edhe herën e parë. Sipas kësaj skeme, Basha do të duhet të marrë urdhra nga çdo ndërtues që financon Berishën, Jozefinën dhe ndoshta edhe Olldashin. Megjithëse kryetar bashkie, Basha do të ngelej në të njëjtin pozicion pushteti si ditën kur Berisha e pa si kandidat të mundshëm. Basha në këtë skemë ngelet i marrë peng deri në shtrydhjen finale.
Skenari i dytë
Skenari i dytë duket më i thjeshtë. Berisha nuk e detyron Boden të paguajë për Bashën. Basha ngelet në pozicionin e vështirë që ndodheshin kryetarët e Partisë Demokratike në vitet ‘90. Për hir të së vërtetës, Basha nuk është shumë i ndryshëm, qoftë fizikisht, qoftë psiko-fizikisht nga fituesit e PD-së në ato vite. Të gjithë kanë emërues të përbashkët buzëqeshjet e tejzgjatura drejtuar Doktorit të Frankenshtajn-demokracisë. Këta fitues do të kujtohen gjithmonë si burra simpatikë që nuk i bënë keq njeriu. Të gjithë, përveç Lulit. Por në këtë skenar imagjinar është hequr si mundësi matrice faktori investim. Ky faktor u mor në konsideratë në skenarin e parë. 25%-30% e popullsisë që vendosi të votojë mbi bazën e një analize pragmatiste dhe jo duke marrë në konsideratë vetëm besimin militant në një parti të caktuar, do të ndryshonin drejtimin e votës së tyre.
Në këtë skemë Basha nuk do të ketë avantazhin e fantazisë për të imagjinuar një qytet europian, por do të detyrohet të pranojë realitetin e fakteve. Pa financim nga qeveria, mundësia që banorë nga galaksi të tjera të ndërtojnë këtu qytete eksperimentale, duket e vogël afër mendsh. Basha, sa për ta rënduar situatën, ka premtuar edhe heqjen e 60 nga 75 taksa bashkie. Basha duhet të fitojë me çdo kusht në këtë skemë. Mundësia që të jetë në qeveri si ministër në rast se PD-ja fiton, pasi të ketë humbur zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, do të ishte shumë e vogël. Dhe në kushte hipotetike, në rast se Basha ka qeshur aq shumë sa Berisha të ndiejë mungesën e tij, përsëri shanset janë vetëm që të zëvendësojë Bumçin te Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pra nëse fiton PD dhe nëse nuk ngelet militant pa marrë portofol, atëherë del një ministrì e mirë edhe për Lulin.
Te kjo skemë Lulit i duhet kurajë që të kuptojë se do t’i duhet të largohet nga skena me turp për 4 vjet. Ndoshta me kalimin e kohës te kjo skemë Luli ndien fundin dhe kjo e bën të nxjerrë dhëmbët. Meqë te të dyja skemat e para betoni është i vetmi element i sigurt, ne populli votues, forcimin e Lulzimit do ta kuptonim vetëm nga reduktimi i të qeshurës së sikletshme.
Skema e tretë dhe më e pamundura
Lulzim Basha beson që realisht ka një mision ndaj Tiranës. Del në TV dhe i kthen përgjigje Jozefinës. Kërkon që Piramida të mos shembet. Nxjerr te dera e bashkisë vendimin për moratoriumin e ndërtimeve siç edhe premtoi, ose siç thotë Francesko Nuti, lë gjithçka dhe ikën në Maçu Piçu nga ku shkruan aq shumë sa populli i Tiranës kupton se Luli i tentoi të gjitha. Populli i Tiranës ishte gati të votonte Eduard Selamin vetëm se iku.
Lulzim Basha e pati shansin e tij që të dilte nga situata e vështirë ku ishte futur, por Lulzim Basha nuk pati kurajën e duhur. Letra e Kadaresë ishte passe partou-ja e tij. Kadareja e dinte. Edhe Luli e kuptoi, por Luli brenda vetes e di që është aty ku është jo për meritë të vetën, ndaj dhe kënaqet me tepricat e politikës.
* * *
Ditën që Basha do të jetë jashtë politikës askush nuk do të ketë keqardhje që postieri i bijës së Doktorit u ndërrua me një tjetër më të ri, më të qeshur dhe më të zellshëm. Ai që sot duket në kushtet e një të dërguari në një luftë që me kohë vetëm mund të humbet, paçka se shpëtoi mbretin, mbetet në kushtet e një palaçoje që s’mund të ndalojë të qeshurën për asnjë moment. E ecura e tij në politikë është si ajo e “dead man walking”. E vetmja gjë që i mbetet është dashuria e telekomanduar dhe aksidentale e popullit “demokrat”, dashuri tek e cila s’mund të besojë për shumë kohë. E trishtë, e trishtë të jesh Bashë, Kryetar Bashkie.