Një ngjarje e jashtëzakonshme

0
45

ARMAND SHKULLAKU, 28.07.2011

Vendimi i qeverisë së Kosovës për të dërguar forcat speciale ROSU në pikat 1 dhe 31 në veri të vendit, me gjithë kujdesin e kryeministrit Thaçi për ta paraqitur atë si diçka normale në kuadër të respektimit të ligjit dhe rendit, përbën një ngjarje të jashtëzakonshme.

Ndërmarrja e këtij aksioni me siguri do të sjellë ndryshime në disa drejtime tepër të rëndësishme. Ai shënon një pikë kthese në politikën e shumicës që drejton vendin, përcakton një fazë tjetër, një etapë të re në rolin e EULEX në Kosovë dhe pa dyshim që do të ndikojë në dialogun Prishtinë-Beograd. Rëndësia e ndërhyrjes së forcave policore për të marrë nën kontroll dy pikat doganore problematike nuk duhet matur vetëm me atë çka po ndodh e do të ndodhë konkretisht në atë pjesë të kufirit. Ky aksion në radhë të parë përbën një shenjë të qartë se qeveria aktuale po ndryshon filozofinë e saj të veprimit.

Më në fund, ajo po e pranon konceptin se edhe demonstrimi i muskujve është i nevojshëm për të përshpejtuar zgjidhjen e krizave apo problemeve që pengojnë ecjen e vendit. Ky është një moment i rëndësishëm kur kihet parasysh që rolin kryesor e mori vetë kryeministri Thaçi, i njohur për politikën e tij tepër të ndjeshme ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe shqetësimit të tyre për ruajtjen e stabilitetit. I akuzuar nga opozita dhe një pjesë e opinionit publik se për hir të mbajtjes së pushtetit ai po toleron në interesat nacionale, Hashim
Thaçi është vizatuar shpeshherë si servil i ndërkombëtarëve dhe i pafuqishëm për të vepruar.

Argument kryesor mbrojtës i qeverisë ndaj akuzave për mosveprim ka qenë se dhuna nuk është zgjidhje për situatën e rënduar në veri dhe se çdo ndërhyrje duhet bërë në bashkëpunim me EULEX dhe partnerët e tjerë të huaj. Por, aksioni i fortë dhe i befasishëm i forcave speciale u ka vënë kapak qasjeve të deridjeshme, duke lajmëruar kështu një politikë të re të qeverisë Thaçi. I kompleksuar ose jo nga akuzat e opozitës apo i ndikuar nga presioni qytetar, Kreu i qeverisë vendosi të lëvizë në një drejtim ta pazakonshëm për të, atë të veprimit me iniciativë krejtësisht të vetën.

Mosaprovimi nga përfaqësuesi i BE dhe keqardhja amerikane për mungesën e koordinimit me faktorët ndërkombëtarë dëshmojnë për pavarësinë e vendimit të kryeministrit Thaçi. Arsyet e këtij ndryshimi thelbësor në politikën e Thaçit janë të shumta. Ato mund të lidhen me fillimin e një përpjekjeje të tij për të vendosur një autoritet më të fortë dhe lidership më të vendosur, në një periudhë kur e ndien se po humbet terren përballë një opozite mjaft aktive. Zhvillimet e fundit në drejtim të heqjes së imunitetit të Fatmir Limajt dhe kërkesës së qeverisë drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e kanë vënë në pozitë të vështirë Kryeministrin.

Një arrestim i mundshëm i Limajt pas akuzave të ngritura nga EULEX, do t’i krijonte mundësi opozitës të luante me përgjegjësinë e Kryeministrit në këtë rast dhe, për rrjedhojë, popullariteti i tij do të rrezikohej. I gjendur nën një presion të vazhdueshëm se nuk po përfill interesat e vendit në dialogun me Beogradin, se po pranon lëshime të mëdha që cenojnë pavarësinë dhe sovranitetin, një akuzë tjetër se po bëhet urë që EULEX të veprojë ndaj ishdrejtuesve të luftës, do ta rëndonte shumë politikisht Hashim Thaçin.

Me vendimin për të demonstruar forcë në veri të vendit dhe për të vepruar pa marrë leje më parë tek qendrat e prezencës ndërkombëtare, Thaçi ka kapërcyer një hendek të rrezikshëm dhe i ka prekur aty ku duhet qytetarët e Kosovës. Miratimi i këtij akti nga të gjithë faktorët vendorë dhe qytetarët, solidarizimi i tyre me forcat speciale, nderimi për policin e vrarë dhe ndjenja e të pasurit një shtet të aftë për të ndërmarrë veprime të tilla, janë treguesit më të mirë në mbështetje të kryeministrit Thaçi.

Pas kësaj ngjarjeje, kuotat e tij politike kanë dalë nga pika kritike dhe me siguri po njohin ngritje. Në vendimin e tij, Thaçi mund të jetë ndikuar edhe nga shumë arsye të tjera, që shkojnë nga mbyllja e rubineteve të kontrabandës dhe shtimit për pasojë të të ardhurave në arkën e varfëruar të qeverisë e deri tek presioni për të përshpejtuar dialogun me Beogradin dhe gjetjen e zgjidhjeve sa më parë për çështje që mbajnë peng zhvillimin e vendit. Çfarëdo të kenë qenë këto arsye, një gjë mund të thuhet me siguri: ndryshimi i politikës së Thaçit nëpërmjet aksionit në pikat doganore ishte një ngjarje e jashtëzakonshme, që do të shënjojë zhvillimet e ardhshme duke vendosur disa standarde.

Jo vetëm qeveria Thaçi, por çdo qeveri tjetër do të ketë një precedent me të cilin do të gjykohet ekuilibri mes pavarësisë së veprimit dhe raportit me ndërkombëtarët. Gjithashtu, ngjarja në fjalë, e detyron edhe EULEX të kalojë në një fazë tjetër veprimi ose përndryshe të rishikojë kuptimin e misionit të tij në Kosovë. Ndërhyrja me forcë e qeverisë në pikat e pakontrolluara doganore ia heq të drejtën EULEX ta konsiderojë veriun një “çështje politike” dhe e vendos në një pozitë ku pasiviteti dhe mosveprimi nuk mund të justifikohen. Të paktën për këto ndikime ngjarja e 25 korrikut është një ngjarje e jashtëzakonshme.