Ngjela kundër Ramës: Duhet rruga e forcës

0
54

Denis Dedej

Spartak Ngjela, një prej aleatëve të kreut të PS-së, Edi Rama vlerëson se në këtë kohë fjalët janë të tepërta dhe populli duhet të ngrihet kundër Berishës që të mos instalohet një diktaturë e re. Një ditë më parë Rama, në një intervistë për “Shekullin”, deklaronte se “vjedhjen e zgjedhjeve duhet ta paguajë Saliu duke ikur, jo Shqipëria duke u djegur”, por Ngjela mendon ndryshe. Sipas tij, opozita duhet të vijojë vetëm rrugën e forcës, në të kundërt “gjithë rrugët e tjera janë sorollatje nëpër kallamishte”.

Zoti Ngjela, kryetari i PS-së ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Shekulli” se “vjedhjen e zgjedhjeve duhet ta paguajë Saliu duke ikur, jo Shqipëria duke u djegur”. Si e komentoni ju këtë qëndrim të Partisë Socialiste?

Për këtë nuk di se çfarë të të them, mund të pyesni kryetarin e Partisë Socialiste. Ajo që them unë është fakti i njohur në të gjithë historinë e demokracisë se, kur vidhen votat, populli duhet të ngrihet në këmbë i gjithë, pasi t’i ketë dhënë vjedhësit uzurpator një ultimatum dhe një datë. Rrugë tjetër nuk ka. Tiranitë kështu rrëzohen kudo. Kështu janë rrëzuar dhe kështu do të rrëzohen. Nëse ne shqiptarët do jemi të aftë ta rrëzojmë uzurpatorin, do meritojmë vendin tonë në këtë kohë. Nëse jo; do të jemi jashtë kohës. Fjalët e tjera janë të tepërta.

Opozita ka zhvilluar disa protesta, demonstrata dhe deri në grevë urie. Megjithëkëtë, kryeministri Berisha nuk ka dhënë dorëheqjen e tij, ku ka gabuar opozita?

Opozita duhet të vijojë vetëm këtë rrugë: rrugën e forcës për të rrëzuar tiraninë e një kryeministri të paligjshëm, të gjitha rrugët e tjera janë joproduktive për demokracinë. Një vjedhës i pasurisë kombëtare, një uzurpator agresiv dhe një njeri që me plan të veçantë po shkallmon Shqipërinë dhe popullin shqiptar; rrëzohet, nuk negociohet. Këtë na ka mësuar historia. Në të kundërt, do të vuajmë njëlloj si në diktaturën e parë. Tani që njerëzit e panë vetë sesi veproi me Tiranën; iu duhet vetëm një gjë: t’i kërkojnë llogari me forcë uzurpatorit. Gjithë rrugët e tjera janë “sorollatje nëpër kallamishte”. Ai duhet të detyrohet të japë dorëheqjen dhe këtë e kanë në dorë shqiptarët. Me këtë dua të them se vota e lirë duhet të sigurohet më çdo mjet. Saliu di një gjë: urrejtjen që kanë shqiptarët për të. Ju e patë sesi shqiptarët, si një trup i vetëm, dolën të gjithë në votime dhe i thanë atij vetëm një fjalë: “Shporru”! Sepse e nxorën jashtë nga të gjitha qytetet e vendit; kudo. Madje, me intuitën e një populli të madh, shqiptarët në 8 maj, dolën masivisht dhe i shkallmuan Saliut një makineri gjigante manipulimi, dhe e diskredituan në të gjithë botën më atë që e detyruan të bënte në Tiranë. Një gjë duhet të kuptojë çdo politikan: nuk mund ta përballojë dot urrejtjen e popullit; prandaj: mjerë ai pushtetar që urrehet nga populli i vet! Madje ky sot është një mallkim për këdo që është në politikë. Saliu është i mbaruar; shqiptarët duhet ta shtyjnë, për të fituar në Shqipëri votën e lirë. Ja kjo është deviza e demokracisë sonë: vendosja e votës së lirë me çdo mjet. Të tjerat pastaj vijnë vetë.

Mes negociatave të dështuara dhe protestave bosh, cila duhet të jetë rruga e opozitës shqiptare?

Pse na detyroni që të qeshim. Për çfarë negociatash po flisni? Nëse Edi Rama hyn në negociata me Saliun, do të veprojë njëlloj sikurse veproi Chamberlen-i në Munchen. Me një fashizëm oriental si ky që përfaqëson Saliu, nuk mund të ketë bisedime. Duhet të kujtoni historinë: Hitleri, sa herë që pushtonte një vend në Europë, i kërkonte anglezëve negociata. Por Churchill-i ia theu hundët. Për regjime të tilla, ka vetëm një rrugë: forca e popullit, që të vendose votën e lirë në Shqipëri. Pas kësaj, ashtu siç iu thashë, natyrshëm që vijnë të gjitha. Kjo është demokracia, sepse vetëm pas vendosjes së votës së lirë, shqiptarët do të jenë të lirë që ta vendosin vetë qeverisjen e tyre. Deri tani në ende nuk kemi votuar; por ne si opozitë jemi zotuar që do t’ua sjellim shqiptarëve dhe vetës këtë dhuratë të shenjtë që do të na barazojë me europianët.

Lideri i socialistëve ka shprehur “pendesën” e tij në lidhje me ndryshimet kushtetuese, pasi ka nevojë për një reflektim mbi këto ndryshime. Besonin se rishikimi i Kushtetutës do të sillte përmirësimin e jetës politike dhe zgjidhjen e konflikteve?

Shoqëria shqiptarë po vuan se nuk ka as kushtetutë normale dhe as institucione. Opozita do të paraqesë patjetër një paketë për reformimin e të gjithë sistemit legal në Shqipëri, sigurisht duke filluar nga kushtetuta. Paketa duhet të jetë, dhe do jetë, një aspiratë reale për një shtet demokratik. Kjo është detyra jonë: paraqitja e paketës kushtetuese e ligjore – popullit dhe Saliut, njëherësh. Nëse Saliu nuk e pranon këtë paketë, dhe ai nuk do ta pranojë, se kërkon të ruajë agresivitetin e një regjimi fashist oriental; shqiptarët sigurisht që do ta marrin në dorë e me demonstrata masive do ta bëjnë të vetën. Demokraci do të thotë forcë popullore – kurrë mos e harroni këtë.

Berisha pak ditë më parë ju ka etiketuar si një nga njerëzit e tij brenda opozitës. Çfarë përgjigje do t’i jepnit kreut të PD-së?

Sesa lidhje ka Saliu me mua; këtë e dinë të gjithë shqiptarët. Unë Saliut ia kam bërë të ditur botërisht qëndrimin tim kundrejt tij. E kam zhveshur tërësisht; sepse asnjë ditë nuk kam qenë vartës i tij. Dhe kjo është e kuptueshme për të gjithë. Dhe nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe: kurrë nuk mund të ulja unë dinjitetin tim e të lejoja që, nën hijen time, të rritej e të forcohej një tiran vjedhës e shkatërrues vlerash në Shqipëri. Dhe, nëse doni ta dini: ky lloj tirani për mua është një pendë; sepse kam përballuar ata të tjerët, të cilët e kishin kthyer këtë Saliun e kërrusur sot, në një rreckë që fshinte e lante korridoret e tyre të pisët. E kuptoni tani se cila është diferenca ime me Saliun? Apo doni akoma…

Nga ana e kushtetuetshmërisë, a duhet të ekzistojë një organ si Kolegji Zgjedhor, i cili nuk varet nga sistemi i drejtësisë dhe vendimet e tij nuk mund të apelohen në asnjë gjykatë tjetër, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese?

Për këtë çështje do të flasim kur të dalë në qarkullim paketa ligjore e kushtetuese për të cilën folëm më lart.

Aleat të Opozitës së Bashkuar kanë kërkuar një riorganizim të opozitës dhe hapjen e saj ndaj aleatëve të tjerëve. Në zgjedhjet e 8 majit partitë e koalicionit të majtë nuk morën rezultatin e dëshiruar. Çfarë nuk po shkon si duhet në strategjinë e opozitës?

Ka shumë të drejtë ata që e kanë kërkuar këtë. Këtë kam kërkuar edhe unë, dhe i këtij mendimi është edhe z. Rama; sepse e kam biseduar edhe me atë këtë çështje. Domethënë: të gjithë jemi dakord që opozita duhet të rrisë edhe më tej spektrin e vet politik. Dhe sigurisht që do ta bëjë këtë. Shqiptarët sot janë të ndërgjegjshëm se kanë të bëjnë me një force regresive që i dhunon dhe po i degdis në një varfëri të tejskajshme. Bashkimi është e vetmja rrugë; dhe, bashkë me të, edhe një kthjelltësi në veprime dhe në hapjen e spektrit të demokracisë. Kërkoni gjithmonë një reformë që do të hapë spektrin e lirisë suaj, dhe do ta shihni sesi do të zvogëlohen tiranët në sytë tuaj. Ja, kështu do ta shihni edhe Saliun, kur të bëhet qesharak duke thënë: nuk ka nevojë për reformë, ne i kemi ligjet, por ato po i shkel opozita. Ajo nuk pranon negociata, domethënë që të “vijë në Munchen. Kurrë nuk do ta këtë privilegjin që i dha Chamberlen-i Hitlerit ky regjim obskur dhe i degraduar në primitivizëm.