Edi Rama, 21.12.2009
Tirana pret Krishtlindjet e Vitin e Ri nën renë e një krize ekonomike që fryhet përditë mbi kokat e banorëve të kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë. Ne sot protestojmë sepse Tirana dhe e gjithë Shqipëria nuk mund të festojnë.
Në këtë shesh sonte nuk jemi vetëm ne. Këtu pranë, jetojnë nën qiellin e mbyllur të këtij fundviti e në të ftohtë të përndjekur të regjimit komunist që kanë 27 vjet burg mbi shpinë.
Janë prej kohësh në një grevë urie. Në pritje të dikujt në pushtet që t’i dëgjojë kërkesat e tyre të përsëritura prej 19 vjetësh. 3 të tjerë e kanë lënë grevën në kushte shumë të rënda mjekësore. Por ky pushtet nuk ka veshë për të përndjekurit e regjimit komunist. As zemër për të qarë me ta sinqerisht halle të vjetra që s’ua zgjidh dot. Ka vetëm gojë për të vjellë përditë vrerin e urrejtjes ndaj opozitës, duke folur sot për kundërshtarët njësoj siç fliste dje diktatura për të deklasuarit. Me libër shtëpie. Me mallkime e të shara që ngjajnë si të nxjerra nga veprat e Enver Hoxhës. Me kërcitje dhëmbësh e shpallje lufte të turpshme ndaj opozitës së barazuar me mafien.
I them nga ky shesh komunistit të fundit që drejton qeveri në kontinentin europian dhe që e ka rifutur këtë vend në rrugën e greminës politike dhe ekonomike:
Eja takoji këta njerëz të shkretuar nga diktatura e partisë tënde të parë dhe tallja e partisë tënde të dytë! Eja nxirri nga kjo grevë e dëshpëruar urie në mes të katër rrugëve
dhe dhuroju të paktën një fjalë të mirë këtyre njerëzve të sakatuar nëse të ka mbetur ende ndonjë fije njerzillëku brenda trupit të kthyer në fabrikë urrejtjeje, mllefi e balte!
Eja jepi fund stërmundimit të njerëzve që dje i përndoqi armiqësia gjysmëshekullore e regjimit tënd komunist, ndërsa sot i përndjek tallja jote që prej njëzet vjetësh tjetër thua për ta dhe tjetër bën me ta! Ne sot protestojmë edhe në emër të tyre.
Jepu Sali Berisha edhe këtyre shpirtrave të pangushëllueshëm mundësinë që së paku Krishtlindjet e Vitin e Ri të mos i kalojnë përjashta disa qindra metra nga shtëpia ku zotrote do të festosh duke vallëzuar mbi të ardhurat e këtij viti që e zhyti Shqipërinë edhe më thellë në batakun e korrupsionit të pushtetit tënd familjar. Ne e dimë që i ke gënjyer të përndjekurit e regjimit tënd të dikurshëm dhe do të vazhdosh t’i gënjesh deri ditën kur përpara gojës do të kesh një mikrofon, njësoj siç ke gënjyer e do gënjesh të gjithë shqiptarët që sot, jo për fajin e tyre, po për fajin tënd e të pushtetit tënd të korruptuar, kanë mbetur të vetëm, të fundit në Europë që s’dalin dot nga vendi i tyre pa vizë.
Serbët, maqedonasit, malazezët, u gdhinë dje pa kufij me Europën pasi festuan gjithë natën. Të fundit kemi qenë gjithmonë, tha dje në mëngjes kur u zgjua nga gjumi Iliri i Saliut.
Kjo është përgjigja e këtij pushteti të grabitur dhe e kësaj qeverie të ngritur mbi tradhtinë ndaj popullit opozitar, për çdo shqiptar që pyet veten si ka mundësi që mbetëm të fundit, pa liridalje nga vendi ynë për në Europë edhe njëzet vjet pas shembjes së diktaturës së telave me gjemba. Të fundit kemi qenë gjithmonë, është përgjigja e këtij pushteti të korrupsionit edhe për rënien teposhtë këtë vit, nën Ruandën e Ugandën, si një vend i mbërthyer keq e më keq nga korrupsioni. Të fundit kemi qenë gjithmonë, është përgjigja e këtij pushteti të krizës ekonomike edhe për fuqinë blerëse të njerëzve në Europë,
ku jemi për faqe të zezë, 4 % nën Bosnjën. Të fundit kemi qenë gjithmonë, është përgjigja e këtij pushteti të injorancës edhe për analfabetizmin e braktisjen e shkollës, ku po arrijmë shifra të tmerrshme. Ja pse ne jemi në protestë jo në festë, kur viti i vjetër po ikën duke i lënë vitit të ri në krah thesin e një krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët po mbajnë në krah nga ky vit në tjetrin një pushtet që ka grabitur votat dhe u thotë mos u mërzisni me asgjë që s’e kemi si të tjerët se të fundit në Europë kemi qenë gjithmonë.
Jo, ne protestojmë pasi jemi të fundit për nivel demokratik e për standarde zgjedhjesh,
sepse kemi mbi kokë një kampion në shkeljen e kushtetutës e në rrënimin e zgjedhjeve.
Jemi të fundit për liri e të drejta njerëzish, sepse kemi mbi kokë një pushtet familjarësh, klientësh e shërbëtorësh të Familjes në Pushtet. Jemi të fundit për shtet të së drejtës e për institucione të pavarura në shërbim të të gjithëve, sepse shteti është bërë vegël e pushtetit dhe pavarësia e institucioneve pengohet nga pushteti i bërë njësh me shtetin. Jemi të fundit për liri të konkurrencës dhe vlerësim sipas meritës, sepse tregu është vënë nën kontrollin e Pushtetit të Familjes, ndërsa merita e vetme që njeh ky pushtet është kapaciteti për t’i shërbyer Familjes në Pushtet.
Dyqanet e mbytura në listat e borxheve kanë më pak blerës se asnjëherë në fund viti qëkur s’mbahet mend. Konsumi ka rënë dramatikisht, sepse kriza ka ulur shumë fuqinë blerëse të familjeve shqiptare. Në vend se t’i gëzoheshin festave duke shitur më shumë me çmime më të ulëta, biznesmenët e vegjël të Tiranë e të të gjithë Shqipërisë presin në dyqanet bosh janarin e tmerrshëm që i kërcënon me hijen e TVSH-së dhe tatim fitimit. Sot kryeministri pinok i Shqipërisë bëri një tërheqje të imponuar nga presioni i kryetarëve të bashkive e komunave të opozitës lidhur me taksën e biznesit të vogël. E cila do të vazhdojë të mbetet një taksë vendore edhe për bizneset me mbi 5 milionë lekë.
Kjo do të thotë që kjo e ardhur e bashkive nuk do të rrufitet nga qeveria siç qe plani deri sot, por njëkohësisht ky fakt nuk e shpëton aspak biznesin e vogël me mbi 5 milionë lekë nga falimentimi apo rritja e çmimeve. Sepse Pinoku që kemi kryeministër tha sot një tjetër gënjeshtër të madhe të radhës kur deklaroi se me këtë tërheqje po mbështet biznesin e vogël përderisa, në të vërtetë, nuk u tërhoq as nga vendosja e TVSH-së e as nga tatimi i fitimit mbi këtë biznes në mes të acarit që ka pllakosur ekonominë.
Ja pse protesta jonë, ashtu sikundër protesta e bashkive dhe komunave të opozitës, në mbrojtje të ekonomisë vendore, nuk ndalet pa u hequr TVSH-ja e tatim fitimi mbi biznesin e vogël deri kur të kalojë kriza ekonomike, e cila vetëm do të rëndohet vitin e ardhshëm. Protestojmë e do të protestojmë sepse jemi plotësisht të vetëdijshëm se kjo masë, gjoja në emër të luftës ndaj evazionit fiskal, në këtë kohë krize që prek më shumë më të dobëtit, është e barabartë me falimentimin e një pjese të konsiderueshme shërbimesh të biznesit të vogël dhe me rritjen e barrës së çmimeve mbi qytetarët në të gjitha njësitë e shërbimeve që do të mbijetojnë. Sa për evazionin fiskal, Sali Berisha le të fillojë ta luftojë duke e nisur nga ata që kur nuk paguajnë taksa i mbron me policët e shtetit tonë sepse i ka klientë të pushtetit të tij.
Por me siguri, sipërmarrësit e vegjël nuk e kanë marrë vesh akoma se për ta, për baret, restorantet, ushqimoret, floktoret, libraritë, rrobaqepësitë, kinkaleritë, çmimi i energjisë është rritur jo 13, po 22%.
Një zot e di pse këto njësi shërbimi që mezi mbajnë familjet e sipërmarrësve të vegjël, duhet ta paguajnë energjinë edhe më shtrenjtë sesa njësitë e biznesit të madh.
Por është e sigurt se këtë faturë marramendëse duhet t’ia dinë për nder Pinokut kryeministër, që u premtoi barrën më të ulët fiskale në botë për t’u marrë votën dhe po u pret çmimin më të lartë të mbijetesës së tyre në historinë e këtyre 19 vjetëve pasi u ka marrë votën.
Ne protestojmë duke i thënë kryeministrit pinok hap kutitë ose largohu gënjeshtar.
Sepse në ato kuti mbahet peng jo vetëm vota e grabitur, po edhe vendimi i popullit sovran për një politikë të re për biznesin e vogël.
Shqipëria që jeton jashtë oborrit të Familjes në Pushtet e ka të pamundur të festojë Krishtlindje e Vit të Ri.
Në vend se të mendojnë për dhuratat e fëmijëve për Krishtlindjet të gjithë prindërit
që deri vjet merrnin edhe një rrogë tjetër shpërblim, për punën në shërbim të shtetit, nuk do të marrin as rrogën e përmuajshme, as rrogën e shpërblimit, por vetëm një copëz shpërblimi sa për të larë gojën.
Në plot 110 mijë familje shërbëtorësh të shtetit do të mungojnë këtë herë dhuratat e përvitshme për fëmijët. Sali Berisha u shtoi atyre rrogat para zgjedhjeve dhe u mori mbrapsht shtesat megjithë rrogë tani që përpara s’ka zgjedhje për të po Krishtlindje e Vit të Ri për ta.
Ne protestojmë në emër të tyre e të fëmijëve të tyre duke i thënë Pinokut kryeministër hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti mbahet peng jo vetëm vota e grabitur, po edhe vendimi i popullit sovran për 17 një politikë të re për administratën e shtetit të të gjithëve. Për një administratë të çliruar nga kthetrat e pushtetit. Për nëpunës e nëpunëse që i shërbejnë ligjit, qytetarit, të drejtës së shërbimit dhe lirisë së sipërmarrjes.
Në vend se të presin festat për të kaluar ca ditë e netë të ngrohta me fëmijët, nipërit e mbesat e tyre, 540 mijë pensionistët e këtij vendi presin me drithërim janarin kur nën derë do t’u hyjë fatura e re e energjisë. Ne protestojmë në emër të tyre.
Sali Berisha u bëri rritje pensionesh para zgjedhjeve dhe sot përpara Krishtlindjeve e Vitit të Ri ua ka bërë zero rritjen e pensionit me çmimin e rritur të jetesës e me faturën e re të energjisë.
Ne protestojmë duke i thënë kryeministrit Pinok hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti mbahet peng jo vetëm vota e grabitur, por edhe vendimi i popullit sovran për një politikë të re për më të moshuarit. Për një politikë që nuk gënjen, po hap zemrën.
Për një politikë që hallin që nuk e zgjidh, e qan me sinqeritet. Për një politikë që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë.
A ju kujtohet motra e vëllezër sa herë ka dalë përpara popullit Sali Berisha për të thënë me buzën vesh më vesh, “Mos dëgjoni ministrat e mi dhe askënd tjetër që ju thotë duhet rritur çmimi i energjisë, sa të keni Sali Berishën, nuk rritet çmimi edhe sikur i vetëm të mbetem në këtë vendim solemn”?
Dhe mos harroni, Pinoku ynë jua ka thënë edhe përpara zgjedhjeve kur e mbante kyçur në sirtar firmën që kishte hedhur për rritjen e çmimit. Ne protestojmë duke i thënë kryeministrit Pinok hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti mbahet peng jo vetëm vota e grabitur, po edhe vendimi i popullit sovran për një politikë të re për energjinë. Për burime të reja energjie që nuk varen nga korrupsioni e klientelat.
Për ndarje të arsyeshme të barrës së çmimit të energjisë. Për ndaljen e vjedhjeve dhe lehtësimin e atyre që e paguajnë dyfish energjinë pikërisht sepse nuk e vjedhin. E dëgjuat c’tha kompania që ka privatizuar shpërndarjen e energjisë?
“Çmimi që na ka dhënë shteti është i papranueshëm, duhet të jetë më i lartë ndryshe kompania rrezikon të falimentojë”.
Sali Berisha ka gënjyer edhe kompaninë me të cilën ka firmosur tjetër gjë dhe tani
që flama e krizës po i afrohet nën karrigen ku rri ulur, gënjen këtej e gënjen andej se s’di nga t’ia mbajë Pinoku i mjerë. Ne protestojmë duke i thënë hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re me investitorët e investimet e huaja. Për import kapitalesh investuese duke hapur vende të reja pune dhe jo shitje të së ardhmes së vendit për përfitime të shpejta të pushtetit të interesave familjare. Për një Shqipëri të tregut të lirë për të gjithë, jo për tregje të kapura nga disa.
Në vend se të festojnë edhe ata si gjithë të tjerët, 46 mijë invalidë të harruar në këtë vend kanë muaj që s’marrin atë që u takon me ligj dhe jo më përrallat që Sali Berisha u’a tregoi si angazhime elektorale. Ne protestojmë edhe në emër të tyre.
I themi Pinokut kryeministër hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti mbahet peng jo vetëm vota e grabitur, po edhe vendimi i popullit sovran për një politikë të re për më të pambrojturit. Për një qeveri që nuk tallet me ata që s’kanë zë, s’kanë dëgjim, s’kanë gjymtyrë apo fuqi të reagojnë. Për një qeverisje që ka gojë, veshë, sy, duar edhe për më të pambrojturit.
Në vend se Krishtlindjet e Viti i Ri të sillnin pak më shumë gëzim për 800 mijë shqiptarët e pasiguruar për shkak se nuk janë në marrëdhënie pune, jo se nuk duan të punojnë po se nuk e gjejnë dot një punë apo rropaten në të zezë, ato vijnë me trishtimin se për çdo trokitje tek mjeku këta njerëz do të paguajnë deri pesë herë më shumë.
Sali Berisha u premtoi shërbim më të mirë shëndetësor para se t’u merrte votën, kurse para festave të fundvitit u preu faturën e re të pagesës për çdo vizitë.
Ne protestojmë në emër të tyre. I themi kryeministrit pinok hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për shëndetësinë. Për t’i dhënë fund sistemit të falimentuar të sigurimeve dhe për të hapur epokën e re të sistemit shëndetësor universal. Për një shtet që ata që s’kanë të paguajnë nuk i le pas derës së spitalit, po u hap derën e Shërbimit Kombëtar Shëndetësor.
Motra e vëllezër,
Ju kujtohet me siguri se sa shumë herë ne e paralajmëruam Sali Berishën kohë më parë, duke i thirrur publikisht të merrte masa antikrizë për të mbrojtur popullin, jo të bënte rrush e kumbulla paratë e popullit për të mbledhur votat për karrigen e tij.
Fatkeqësisht, Sali Berisha nuk e dëgjoi as kambanën tonë dhe as kambanën e Fondit Monetar Ndërkombëtar. E fshehu krizën dhe i zhyti të gjithë në borxhin ekonomik që sot po troket në të gjitha dyert, duke bërë shpenzime të shfrenuara para e gjatë fushatës elektorale dhe duke e lënë vendin në rënie të lirë vetëm që të rrinte vetë në majën ku ka mbetur si gjel deti mbi kutinë e mbyllur të zgjedhjeve. Madje Pinoku ynë e mohon krizën edhe sot që kriza ka hyrë në xhepat e shqiptarëve dhe ka nisur t’i shpojë. Ai na fton për kafe në një 27 qendër tregtare që të shohim realitetin e zhvillimit aty ku për çudi llogaritë i mban një mbesë e Familjes në Pushtet, ndërsa ne e ftojmë për vizitë në dyqanet ku hyjnë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që të lexojmë së bashku listat e borxheve për bukë, oriz, makarona, sheqer, vaj apo edhe fletoret e xhiros së atyre bizneseve të vogla që biznesmeni i madh Sali Berisha do i fusë në 1 janar nën regjimin e TVSH-së për të luftuar informalitetin. Marrëzia për të siguruar pushtet të përjetshëm përmes parasë e për të nxjerrë para të madhe 28 përmes pushtetit, ia ka shterur fuqitë ekonomisë shqiptare dhe ka provokuar një rënie agresive ekonomike që po i prek të gjithë për hesapet e një njeriu të vetëm.
Viti 2009 po mbyllet si mos më keq, por si kurrë më keq në më shumë se dhjetë vjetët e fundit, po fillon Viti i Ri, ndërkohë që leku ka njohur zhvlerësimin më të madh pas më shumë se dhjetë vitesh, duke u kthyer në një taksë të fshehtë për çdo futje të dorës në xhep. Ky zhvlerësim i lekut do të vazhdojë edhe në vitin 2010, kur shqiptarët do të ballafaqohen drejtpërdrejt me një rritje të mëtejshme të çmimit të jetesës, në çdo hap, në faturën e energjisë, në faturën e ushqimeve, në faturën e vizitave shëndetësore e të ilaçeve, në faturën e arsimimit të fëmijëve. 800 mijë shqiptarëve të pasiguruar për shkak se nuk janë në marrëdhënie pune, do t’u duhet të paguajnë sa herë të trokasin tek mjeku i familjes 10 mijë lek. Tek mjeku specialist i Poliklinikës 15 mijë lek. Sa herë të kapërcejnë pragun e spitalit rajonal për një vizitë 20 mijë lek. Sa herë të shkojnë në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës 30 mijë lek.
A ju kujtohet Sali Berisha kur doli pas zgjedhjeve dhe u tha nënave me barrëlindje,
“Mos u mërzisni që nuk fituan socialistët, do t’ua heq unë barrën e rëndë të mospërfitimit nga barrëlindja. Asnjë nënë shtatzënë nuk do të jetë e detyruar të punojë për të jetuar apo të paguajë për vizitat mjekësore. Vendim qeverie!”. Por në fakt e ka shtuar koston për barrëlindjen, duke shtuar numrin e nënave shtatzënë që nuk do të shohin dot më gjendjen e bebes në bark për shkak të varfërisë.
10 mijë lek (minimumi se ka edhe 15 mijë lek) janë një shifër e papërballueshme, jo vetëm për një grua të re të papunë në një familje që jeton me ndihmë ekonomike.
Por edhe për shumë gra të tjera pa sigurime shëndetësore në këtë vend.
Ne protestojmë sot në emër të të gjitha nënave me fëmijë në bark duke i thënë Pinokut kryeministër hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti mbahet peng jo vetëm vota e popullit sovran, po edhe vendimi i shqiptarëve për një politikë të re për nënat që nuk përfitojnë asgjë nga barrëlindja. Për të bërë të mundur që asnjë nënë që nuk përfiton dot nga barrëlindja për shkak të varfërisë, të mos jetë e detyruar të punojë. As të paguajë.
E njëjta gjë për librat e shkollës së fëmijëve për shumë familje. Nuk bëhet fjalë, tha përpara zgjedhjeve gjeli i detit majë plehut të qeverisë, që të blejnë të varfrit abetaren e librat e shkollës, gënjen opozita. Pastaj kur doli që opozita nuk gënjente, premtoi se do t’i bënte falas librat e arsimit të detyruar, por sot e gjithë ditën shtohet numri i fëmijëve që për shkak të varfërisë nuk shkojnë në shkollë se nuk blejnë dot librat. Ne protestojmë në emër të të gjithë fëmijëve që s’kanë abetare sepse prindërit e tyre s’ua blejnë dot dhe të të gjithë prindërve që nuk çojnë dot fëmijët në shkollë, sepse mezi nxjerrin bukën e asgjë tjetër për familjen e tyre. I themi kryeministrit pinok, hap kutitë ose largohu gënjeshtar.
Sepse në ato kuti mbahet peng jo vetëm vota e popullit sovran, po edhe vendimi i popullit për një politikë të re për arsimin. Për abetare falas dhe luftë frontale kundër analfabetizmit. Për arsimim europian të gjeneratës së re jo për çedukim berishian
të çdo të riu.
Rënia e hyrjeve të valutës do të vazhdojë pas Vitit të Ri, duke rënduar fort sidomos mbi gjysmën e familjeve te varfra, në fshat a në qytet, që kanë si mbështetje të vetme dërgesat e emigranteve, të cilat do të bien edhe më shumë vitin që vjen.
Ç’do të ndodhë me këto familje?
Ç’do të ndodhë në fshatin e braktisur në mëshirën e fatit të vet ku s’ka asnjë projekt serioz zhvillimi, ku toka s’është ende e regjistruar dhe më të shumtit s’kanë ende certifikatë pronësie, ku s’bëhet fjalë për treg të tokës dhe ku s’ka shans të kthejë sytë ky pushtet i grabitur që po grabit gjithshka?
Ç’do të ndodhë me bujqit e fermerët dy të tretat e të cilëve, sipas vetë ministrit të bujqësisë, nuk nxjerrin dot prodhimin e tyre në treg?
Viti i Ri nuk ka asgjë të re për fshatin e dëshpëruar shqiptar. Por kjo do të thotë edhe asgjë të re veç rritjes së çmimeve prodhimeve bujqësore për qytetin. Bujqit e fermerët e këtij vendi do të vazhdojnë të jenë skllevërit e një politike që u vjedh votën,u blen votën, u fsheh votën dhe në fund u jep vetëm shqelmin.
Sali Berisha u premtoi parajsën shqiptarëve në fshat dhe pasi u mori peng kutitë e votimit, vetëm sa u ndërroi Gjanën me Rulin. Ku ishit asgjëkundi, ku do shkoni mos e pyet.
I themi Pinokut kryeministër hap kutitë ose largohu gënjeshtar. Sepse në ato kuti fshihet vendimi i popullit sovran për një politikë të re për fshatin. Për bujq e fermerë që të mos jenë më jetimë nën qiell të hapur, pa shtet, pa pronë, pa fitim. Hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse Shqipëria nuk ka më para të paguajë për pushtetin tënd. Shqiptarëve nuk u duhen tregjet e kapura nga Familja në Pushtet, po një treg i lirë dhe një ekonomi tregu ku vendos konkurrenca, jo pushteti i babait.
Shqiptarëve nuk u duhet një ekonomi e orientuar nga babëzia e Familjes në Pushtet,
po një ekonomi e orientuar nga investimet që hapin vende pune për të gjithë.
Shqiptarëve nuk u duhet një kryeministër biznesmen, po një ekonomi e konkurrencës së lirë që favorizon biznesin dhe prodhimin. Prandaj hap kutitë ose largohu Sali Berisha, sepse nuk mund ta mbash me forcë peng në ato kuti vullnetin e shqiptarëve për t’i dhënë fund kapjes së tregjeve, investimeve në dëm të së ardhmes, armiqësisë së shtetit me biznesin. Për t’i dhënë fund rrjepjes së biznesmenëve me referenca, gjoba, bakshishe.
Për t’i dhënë fund trajtimit të biznesmenëve si kulakë e mafiozë. Ky është pushteti pa të ardhme i biznesmenit Sali Berisha, ne jemi partia e të ardhmes së çdo shqiptari që merret me biznes, të vogël, të mesëm, të madh, që punëson veten, familjen apo të tjerë shqiptarë që duan të jetojnë me punë të ndershme.
Prandaj hap kutitë ose largohu bashkë me kutitë.
Ky pushtet e ndan përditë Shqipërinë me gjuhën e urrejtjes për opozitën.
Opozita do ta bëjë 2010-ën vitin e ndarjes së Shqipërisë me këtë pushtet. Ky pushtet që e ka kthyer parlamentin në skenën e shthurjes së turpshme të gjuhës, ku bëjnë paradë gojët e përdala të shërbëtorëve të Sali Berishës dhe ku Sali Berisha duartrokitet për sharjet me libër shtëpie të opozitës, na thotë se dialogu bëhet në parlament. Na quajnë çdo ditë mafiozë e perversë, na bëjnë terroristë e na lidhin me botën e krimit, na shkelin mbi varrin e familjarëve tanë e na hedhin baltë si torturues të fëmijëve tanë, por javët e fundit na ftojnë njëkohësisht edhe për dialog. Për të mirën e vendit thonë. U kujtuan për të mirën e vendit tani që vendi po ia sheh sherrin në xhepin e njerëzve politikës së tyre të mbrapshtë të shpenzimeve pafre e të korrupsionit pa kufi.
Tani që karrigia po u zhytet në qelbin shpërthyes të ekonomisë së gangrenizuar nga korrupsioni, nga borxhet e shtetit të bëra litar në fytin e popullit e nga shpenzimet e shfrenuara për t’i marrë popullit vota me shirita si të Kalimashit, e mira e vendit po u kujtohet mes rreshtave të fjalimeve e deklaratave plot të shara dhe kërkojnë nga ne të ndajmë përgjegjësitë për të përballuar krizën e shkaktuar prej tyre.
Të gjitha përveç kutive, nuk harrojnë të thonë.
Në kuti janë të gjitha, është përgjigja jonë.
Nuk doni t’i hapni kutitë? Atëherë hapini rrugën Shqipërisë për të dalë nga kriza, pa pritur që kriza të fundosë Shqipërinë.
Ju nuk e shpëtoni dot vendin nga kriza ku e keni futur me verbërinë, shurdhërinë e babëzinë tuaj. Vendi mund të shpëtojë nga pasojat e paparashikueshme të krizës vetëm nëqoftëse ju hapni sytë e veshët e mbyllur, pranoni krizën dhe tregoni vullnet të plotë, real, konkret, për dialog.
Ne jemi gati për një dialog demokratik, të barabartë, të vërtetë dhe të hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë që thellohet, jo për dialog të kushtëzuar me moshapjen e kutive.
Ky nuk quhet dialog po mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin, ashtu siç bëri me zgjedhjet, duke grisur paturpësisht dhe forcërisht ligjin që detyron hapjen e kutive me kërkesë të dy anëtarëve të KQZ-së.
Ta harrojnë se kjo opozitë u bëhet kalë për të kaluar lumin. Ta harrojnë se kjo opozitë rikthehet në parlament për të mbajtur fjalime mbi kutitë e mbyllura. Ta harrojnë se e mbajnë dot me pahir e me sikur një pushtet që nuk buron nga vullneti i popullit sovran po nga deformimi e korrupsioni elektoral.
Kjo Shqipëri, që nuk garanton as edhe vetë lirinë elementare të votës dhe barazinë përpara votës, e cila pasi numërohet keq dhe shumë keq për llogari të pushtetit të familjes, i fshihet syrit të popullit njësoj si në llumokracitë e shpifura matanë kufijve të Europës ku duam të integrohemi, nuk mund të jetë në vitin 2010 Shqipëria që ëndërruan ata që u vranë e persekutuan për votën e lirë, nuk mund të jetë Shqipëria e parafytyruar prej atyre që dolën njëzet vjet më parë në rrugë për votën e lirë, nuk mund të jetë Shqipëria e çdo shqiptari që lirinë e votës nuk e fal dhe as e shet tek pushteti i radhës.
Ne do ta bëjmë vitin 2010 vitin e lirisë së votës dhe do të protestojmë papushim për largimin e këtij pushteti që votën e lirë e grabit dhe e burgos në kuti të mbyllura forcërisht ku mban peng edhe të ardhmen e vendit.
I alarmuar nga frika e popullit opozitar dhe i kthyer në pengun e kutive që ka marrë peng, Sali Berisha po prodhon çdo ditë sasira të jashtëzakonshme balte e kërcënimesh për opozitën. E gënjen mendja se duke shpifur çdo ditë për Bashkinë e Tiranës, do të marrë nga ky popull tjetër përgjigje nga shuplakat që ka marrë kur kryeqyteti ka votuar në vitin 2000, 2003, 2007 dhe edhe në 2009, pak muaj më parë.
U mund në Tiranë ashtu siç do të mundej në gjithë Shqipërinë po të mos kishte bërë kërdinë duke blerë varfëri njerëzish në zona të vështira e po të mos mbante kyçur në kuti të vërtetën e 28 qershorit.
Megjithatë e presin në gjykatë e në prokurori dhjetëra padi. Le të bëhet njëherë burrë ky gojëpërdalë, që ka njëzet vjet që e turpëron të vërtetën e këtë vend e këtë shoqëri me fjalorin e tij, me të sharat e të palarat e tij, me shpifjet e gënjeshtrat e tij, dhe le të shkojë në gjykatë e prokurori të përballet me të gjitha ato që paturpësisht ka thënë si një Pinok që plaket po nga gënjeshtra dorë nuk heq.
I përsërisim edhe nga ky shesh i Tiranës se e ka kot që përpiqet të mbulojë zullumet e veta, duke iu hakërryer opozitës si i marrë. Nuk e ka fajin opozita për 26 viktimat e Gërdecit që kërkojnë drejtësi. Nuk e ka fajin opozita për qindra miliona eurot e popullit shqiptar që janë varrosur nën gërmadhat e tunelit të shembur nga korrupsioni në Kalimash dhe kërkojnë përpara drejtësisë Sali Berishën, Sokol Olldashin, Lulëzim Bashën e tërë çetën që i mbështolli paratë e vjedhura të rrugës së kombit me flamurin kuqezi dhe e ktheu atë ide madhështore në rrugë të korrupsionit shtetëror. Nuk e ka fajin opozita për kapjen e shtetit e të tregjeve dhe kthimin e prioriteteve të ekonomisë familjare të Sali Berishës në prioritete të qeverisjes së këtij vendi. Këto janë zullumet e një njeriu që grabiti zgjedhjet për të grabitur Shqipërinë dhe që kurrë, asnjëherë, nuk do ta thyejë dot opozitën duke e goditur ultësisht me baltën e shpifjeve më të shëmtuara apo me forcën abuzive të shtetit të bërë vegël të pushtetit. Opozitën e ka dhe do ta ketë përballë, çdo ditë më të vendosur e më të bashkuar se kurrë, për t’i dhënë fund kësaj shfaqjeje të pistë 20 vjeçare, që u ka nxjerrë shqiptarëve nga qejfi vendin e tyre, që u ka poshtëruar traditën e tyre, që u ka dhënë shembullin më të shëmtuar kalamajve të tyre, që u ka neveritur politikën megjithë televizor. Jemi në këtë betejë për t’i dhënë fund kësaj komedie që Sali Berisha luan i hipur mbi kurrizin e popullit bashkë me gjojadosjet e tij prej njëzet vjetësh.
A ju kujtohet çfarë tha, duke u zgërdhirë, për tërë të këqijat që i kishte nxjerrë goja vite të tëra kundër Fatos Nanos, Ilir Metës apo rulëve, imamëve e xhuvelëve, kur i ktheu të tërë në cingije për ahengun e pushtetit të tij?
Kjo ishte loja tha, s’kam faj unë po ju që e morët lojën seriozisht!
Domethënë loja vazhdon edhe sot, mafioz e i zi blozë kush i del përballë këtij farë burri, shtetar e deli djalë kush i ulet në prehër si kukull kineze që flet apo këndon sapo Saliu e kap nga faqet.
Mjaft më me këtë lojë që e ka bërë politikën neveri dhe mjaft më me këtë politikë që bën lojë me shqiptarët.
Hap kutitë ose largohu Sali Berisha. Përderisa kutitë nuk hapen ne s’do presim që Shqipëria të ribjerë në greminë, po do protestojmë për të larguar qeverinë. 100 mijë ishim në 20 nëntor në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Edhe më shumë do të jemi pas Vitit të Ri kur protesta do të përshkallëzohet në të gjithë Shqipërinë.
Deri në fund. Deri në largimin e Sali Berishës nga detyra që shpërdoron prej kohësh, duke u faturuar padrejtësisht shqiptarëve çmimin e papërballueshëm të Vitit të Ri 2010.
Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran.
Faleminderit!
*****************************
*Fjala ne protesten e sotme