Kurban

0
54

Nga Mero Baze

Disa mbështetës entuziastë të Lulëzim Bashës therën dje një dash para shkallëve të Bashkisë për ta bërë “kurban” për karrierën e tij si kryetar bashkie. Me mjete thuajse rrethanore, mbështetësi i Bashës i nguli thikën kafshës së gjorë dhe u torturua bashkë me të tjerët derisa i mori shpirtin për 15 minuta, ndërsa gjaku spërkati gjithë rrugën ku pak më vonë do të shkelnin disa diplomatë perëndimorë të nivelit të dytë dhe vetë njeriu për të cilin po bëhej kurbani.

Makrabiteti i asaj skene në të vërtetë është thelbi i portretit të njeriut që hyri dje me dhunë në Bashkinë e Tiranës. Në karrierën e tij politike, ai është përdorur si kurban për gjithë skandalet e mëdha që ka prodhuar Sali Berisha. Për herë të parë në rolin e një kurbani të Berishës, Lulëzim Basha shkoi në vitin 2007 para drejtësisë. Prokuroria e gjeti fajtor për veprën penale shpërdorim fondesh për shkak të detyrës dhe e akuzoi për një vlerë të shtuar në masën 220 milionë euro në një segment rrugor 60 km. Lulëzim Basha ishte duke shkuar para drejtësisë për një krim financiar të rëndë, që në fakt e kishte bërë Berisha duke përdorur si kurban Bashën. Dhe ishte po Berisha ai që e mbylli duke futur drejtësinë nën presion dhe duke e detyruar ta mbyllte gjyqin me procedurë.

Dy vjet më vonë Berisha ishte para një krize të re para zgjedhjeve. Ai donte të gënjente shqiptarët se vendi po aplikonte si kandidat për anëtar në BE, por Perëndimi e këshilloi të mos aplikonte se nuk plotësonte kërkesat. Berishës i duhej doemos një mbështetje dhe bëri pazar me kryeministrin e Greqisë. Pazari ishte që Lulëzim Basha do të firmoste Paktin për kufijtë detarë mes dy vendeve ku Shqipëria falte qindra hektarë det për një pazar të Berishës. Kurbani u gjend sërish Lulëzim Basha. Me një buzëqeshje që fsheh pas saj vepra gjakftohta kriminale, ai e firmosi marrëveshjen bashkë me Bakojanin, dhe ju desh të bënte betejë shoqëria civile dhe konkretisht një kolonel në lirim, Myslym Pashaj, që Gjykata Kushtetuese të anulonte Paktin e Kufijve Detarë.

Dy vjet pas këtij skandali Lulëzim Basha u thirr sërish si kurban. Në një demonstrim të fort pakënaqësie të shoqërisë shqiptare, thirrur nga opozita më 21 Janar 2011, Lulëzim Basha u thirr nga kryeministri brenda godinës gjatë orëve të tensionit dhe së bashku morën vendimin të qëllojnë mbi njerëz. Qëlluan dhe plumbat kapën 25 demonstrues, katër prej të cilëve humbën jetën duke lënë dhjetë fëmijë jetim. Lulëzim Basha mori sërish përsipër krimin, duke mos i hyrë gjemb në këmbë. Sali Berisha futi sërish nën presion drejtësinë, akuzoi kryeprokuroren si lavire dhe presidentin si horr, akuzoi gazetarë si puçistë dhe Lulëzim Basha fshiu gjakun e viktimave nga duart duke lënë qeverinë dhe duke i hyrë garës për Bashki.

Me shpresë se kjo garë do pastronte historinë e gjakut të sapoderdhur si kurban për pushtetin e Sali Berishës, Basha bëri një fushatë tërësisht të montuar, larg qytetarëve dhe me premtime piramidale. Dukej qartë se nuk kishim një kandidat që u fliste qytetarëve, por një manekin që po bëhej kurban për interesa të mafies së ndërtimit në Tiranë, që ka rrënjët në familjen e Sali Berishës. Nën pushtetin e tyre, me dy sekserë në krah, që të gjithë ia ngatërrojnë për kunetër, me një koalicion të stërmadh, me miliona në dispozicion për të blerë vota dhe një mekanizëm të fortë manipulimi ai sërish nuk arriti të fitonte.

Natën e 14 majit Sali Berisha ka hyrë në zyrën e tij dhe ka kërkuar të diskutojnë çdo bëhet me fitoren e Edi Ramës. Në vend të Lulëzim Bashës ka folur djali i Sali Berishës dhe ata që qëndrojnë pas tij. ‘Do t’ia marrim’. Dhe ashtu vepruan. Si një kurban i kësaj mafie ai pranoi rolin e përdhunuesit të zgjedhjeve të lira në vend, pranoi të injoronte thirrjet e ndërkombëtare për rregulla të ndryshuara pas lojës dhe thirrjen e emblemës së kulturës shqiptare Ismail Kadare…

(E marr me mend sa është lebetitur dje nëse ka mundur të shohë fotot e kësaj skene talebane para një institucioni). Lulëzim Basha nuk kishte fuqi të dëgjonte ata. Si çdo kurban ai nuk është i lirë as të fitojë dhe as të humbasë, por vetëm të jetë në rolin që i caktojnë. Si ai qengj i gjorë dje para Bashkisë së Tiranës që u përpëlit gjysmë ore derisa dha shpirt, si kurban i karrierës politike të Luëlzim Bashës. Atë e therën njerëz që kishin të drejta të plota mbi të, njerëz që e kishin rritur për ta therur një ditë që u duhej. Siç po rrit mafia shqiptare Lulëzim Bashën.