Maksim Sinemati, 24.07.2011
Gazeta serbe: Ministria shqiptare ka lejuar të thuhet se shteti i madh i Shqipërisë shtrihet në gjithë Kosovën
Në libër shkollor që përdoret për të mësuar nxënësit në shkollat shqiptare rezulton të jetë me gabime, por edhe mollë sherri, deri atje sa të shkaktojë edhe probleme e diskutime të përmasave ndërkombëtare. Për një fakt të tillë në Shqipëri ende nuk është diskutuar, ndërkohë që për miratimin e teksteve shkollore, procedurat e Ministrisë shqiptare të Arsimit janë tepër të rrepta dhe kontrolli rigoroz. Por një gazetë serbe ka botuar në faqet e saj një artikull ku përfshin citime dhe deklarata lidhur me çështjen e problematikës që ka lindur për shkak të fakteve që jep teksti i gjeografisë, ku thuhet se “Shqipëria e Madhe” i ka kaluar kufijtë e njohur…
“Në një tekst shkollor për shkollat fillore në Shqipëri mësohet se pjesë të këtij vendi janë edhe Kosova, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja”, vë në dukje në një shkrim të saj gazeta e përditshme serbe, “Kurir”. Gazeta saktësonte se Ministria shqiptare e Arsimit ka lejuar publikimin e tekstit shkollor të gjeografisë për klasën e katërt të shkollave fillore të vendit, në të cilin thuhet se shteti i madh i Shqipërisë shtrihet deri në të gjithë territorin e Kosovës dhe gjithashtu përfshin edhe Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjen! Sipas gazetës, është për të ardhur shumë keq se nga ky tekst shkollor do të jenë të detyruar të mësojnë nxënësit e shkollave fillore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Ministri për Kosovën dhe Metohinë në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç, i tha gazetës “Kurir” se afati i përdorimit të këtij teksti shkollor do të jetë i shkurtër.
“Kjo është strategjia e tyre, por ajo nuk e ka të gjatë. Historia e ‘Shqipërisë së Madhe’ është e vjetër, dhe libri shkollor në fjalë nuk bën gjë tjetër veçse tregon për atë për të cilën ne vazhdimisht kemi paralajmëruar. Pres që ky libër shkollor shumë shpejt të tërhiqet nga përdorimi, pasi përndryshe ai do t’u kushtojë shtrenjtë në planin ndërkombëtar atyre që e kanë lejuar publikimin e tij.
Ne shprehemi në favor të bashkëjetesës me shqiptarët, kurse bashkësisë evropiane, publikimi i këtij teksti shkollor i tregon se për ata që e kanë lejuar botimin e tij nuk ka asgjë të shenjtë dhe se ata mund të bëjnë ‘korrigjime’ kufijsh në mënyrë të paligjshme”, – vuri në dukje Bogdanoviçi, duke theksuar se fëmijët serbë kurrë nuk do të mësojnë me libra të tillë shkollorë. Në përbërje të “Shqipërisë së Madhe” janë përfshirë edhe gjysma e Malit të Zi, Maqedonisë dhe pjesë të Greqisë, shkruan gazeta e lartpërmendur serbe, duke theksuar se libri shkollor shqiptar përmban një numër të madh shpjegimesh të pabaza dhe mesazhe ndezëse për “Shqipërinë e Madhe”.
Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Serbisë, të pyetur nga media serbe lidhur me publikimin në Shqipëri të librit shkollor të gjeografisë në fjalë, u përgjigjën duke thënë se nuk dinin asgjë lidhur me këtë çështje dhe se nga Beogradi do t’i dërgojnë kërkesën përkatëse ambasadës së Serbisë në Tiranë që të verifikojë pretendimet e diskutuara së fundmi.
“Nëse do të jetë e nevojshme, ne do të reagojmë në formën e një përgjigjeje zyrtare”, kjo ishte deklarata e ambasadës së Serbisë në Tiranë, cituar nga gazeta që publikoi çështjen.