Shqiptarët janë si i do armiku

0
29

Shkruan: Ndue UKAJ

At Gjergj Fishta e shkroi satirën “Nën hajat të parrizit” më 1914. Pikërisht në kohën e tensioneve të mëdha nacionale shqiptare dhe vlimeve të shumta ballkanike, kur jeta e përgjithshme nacionale karakterizohej nga një kaos i vërtetë. Ishte kjo kohë kur tensionet shqiptare ishin në shkallë të padurueshme dhe me pasoja fatale. Kjo satirë e fuqishme, e përshkuar nga një diskurs sarkastik e i ashpër, sado e shkruar afërsisht një shekull më parë, me idetë themelore që trajton, korrespondon thellë me të sotmen nacionale, sikundër në Kosovë, po ashtu në Shqipëri e hapësira të tjera shqiptare.

Edhe pse si rezultat i ndryshimeve të natyrshme, problemet nacionale shqiptare, në planin e jashtëm politik, nuk janë identike me ato të që ishin para një shekulli, problemet e brendshme të jetës sonë praktike, s’kanë ndryshuar fare. Madje, nëse e kontekstualizojmë satirën e Fishtës brenda hapësirave të sotme shqiptare, shohim se idetë që i artikulonte autori, janë krejtësisht identike dhe konotojnë fuqishëm me botën e sotme shqiptare, edhe përkundër kësaj diference të madhe kohore. Artikulimet e Fishtës mund të lexohen si artikulime të shkruara për lexuesin e sotëm shqiptar, për krizën e sotme shqiptare.

Leximi i kësaj satire, sidomos në ditët e sotme, kur shqiptarët, shkojnë dhe i bëjnë lavdi marrëzisë, do të mund të ndihmonte shumë për të njohur e rinjohur probleme të ashpra të jetës sonë nacionale, që janë bërë diga të fuqishme, të cilat po na pengojnë në rrugën e konsolidimit dhe përparimit si komb. Mbi të gjitha, leximi i kësaj satire të shkëlqyer të shkrimtarit tonë brilant, na ndihmon të kuptojmë tensionet e jetës sonë politike dhe shoqërore, në Kosovë, Shqipëri e gjetiu hapësirave shqiptare.

Subjekti i kësaj tragjedi është kësisoj. Personazhi Shën Pjetri, në derë të Parrizit, mediton për fatin e shqiptarëve dhe ky fat është i mbuluar nga një tis i zi dhe, me drama të fuqishme e tragjike nacionale. Duke biseduar me Djallin dhe Skënderbeun ai thotë se “shqiptarët janë çorodit krejt”, apo në trajtat e tjera tragjike “kanë dal faret”, prandaj as që iu shkon mendja të trokasin në derë të parrizit për të kërkuar shpëtimin. Pikërisht për këtë, Shqipëria s’e gjen shpëtimin.

Në këtë mënyrë, shqiptarët luajnë pavetëdijshëm lojën e djallit. Të paftë për të udhëhequr e për të pas lider të fuqishëm, të ndarë e përçarë, shqiptarët heroin e tyre, Skënderbeun, e kanë në fjalë e në libra dhe jo në zemër. Prandaj, ata kanë devijuar dhe as që kanë mendjen të trokasin në derën e parajsës, për të kaluar nëpër katharsisin e domosdoshëm në rrugën e lartësimit si komb, të cilin Fishta e shpreh si intencë qëllimmirë të kësaj satire.

Teksti i Fishtës nënkupton tragjiken e shqiptarëve që kanë humbur parajsën, prandaj me artin e satirës troket në ndërgjegjen e çiltër: ata duhet të rikthehen në këtë derë simbolike për të gjetur shpëtimin për shqiptarët. Teksti i kësaj satire të ngjeshur me mendime socio-politike, ndërtohet nëpërmjet një bisedë dramatike për fatin e zi të shqiptarëve, mes tre personazheve, të cilët bartin kuptime të fuqishme simbolike e semantike: Shën Pjetri, Skënderbeu dhe Djalli.

Shën Pjetri, figurë që shpreh një kod religjioz e kulturor, është rojtarit i derës së Parajsës, prandaj ai shpreh habinë, pyetjen e dilemën, pse shqiptarët nuk trokasin një kohë të gjatë në derë të parajsës. Dhe kështu, Fishta sikundër riciklon reminishencën e mbuluar nga shtresat e mjegullta, nëpërmjet simbolikës së moralitetit. Kjo reminishencë përçon kuptime ambivalente.

Autori, këtu godet fuqishëm përmes sarkazmës së thellë, ata shqiptarë që s’ e duan pendimin. Dhe kështu, ata as që duan ta zgjedhin rrugën e mirë të përparimit nacional, por përkundin verbërisht të këqijat dhe hijet e zeza që vërtiten mbi tokat shqiptare. Kjo ndodh, ngaqë, siç del nga dialogu i Shën Pjetrit, shqiptarët janë pre e veseve të këqija, tradhtisë, krenarisë së madhe, koprracisë, rrenës, patriotizmit të rremë, adhurimit të gabuar.

Kur lexojmë këto implikime që ngërthen teksti i Fishtës, nuk mund të mos shtrojmë sot pyetjen e dilemën e madhe: A nuk korrespondon kjo sekuencë trishtueshëm me veprimet e çoroditura dhe të marra politike, që ndodhen para pak kohësh në Tiranë, e pastaj Prishtinë? Shqiptarët në vend që të trokasin në derë të parrizit dhe të hyjnë në procesin e spastrimit, katharsisit të domosdoshëm, për të filtruar idealet, ata bëjnë të kundërtën, shkojnë dhe ndërtojnë tempuj imagjinarë, vënë në ballë të shtetit njerëz konstroverës, vriten me njëri tjetrin.

Në këtë mënyrë ata enden kotësisht në një labirint të tmerrshëm, të këqijave pa fund.
Dialogu i Skënderbeut më Djallin përshkohet nga tone dramatike, ku shpërfaqet një realitet i vrazhdë shqiptar. Ndërsa kulmi i tij arrihet, kur djalli i thotë Skënderbeut se emri i tij është në libra, por nuk dihet, nëse është në zemër të shqiptarëve. Klithma se Skënderbeu nuk është në zemrat e shqiptarëve, mbetet një klithmë tragjike.

Diskursi i ashpër satirik i Fishtës në fund të këtij teksti shpërthen në një paradoks të papritur dhe tekstit i jep një përfundim shpresëdhënës. Bisedën dramatike mes Djallit dhe Skënderbeut e ndërpret Shën Pjetri, i cili thotë se “për inad të Djallit dhe Shqiptarëvet, Zoti ka me mbajtë Shqypninë më kombë me nder e me lumni”.

Leximi i kësaj satire një shekull pas dhe nxjerrja e kaq shumë problemeve identike në jetën tonë, nuk ka se si të mos të të tronditë. Prandaj, sot, kemi nevojë më tepër së kurrë ta rilexojmë Fishtën e madh. Ngase vepra e tij, është një referencë e fuqishme dhe e përhershme, e cila, vërtet mund të ndihmojë në çdo kohë. Sidomos, në kohë të vështira.

* Titulli është një varg nga satira “Nën hajat të parrizit” e Gjergj Fishtës
(Ky opinion është i shkruar ekskluzivisht për Agjencinë e lajmeve “Kosova Info”)