TemA
(E PERDITESUAR) – Një ditë më përpara, gazeta TemA raportonte për një deklaratë të Ministrit të Jashtëm përpara Trojkës Europiane. I irrituar nga qëndrimet e mbajtura prej tyre në lidhje me zgjedhjet e Tiranës, ai kishte theksuar se “me këtë deklaratë ju po mbështesin hapur Edi Ramën”. Një burim i besueshëm i gazetës Tema bëri të ditur këtë lajm. Në të vërtetë ajo reflekton tensionin me të cilin e priste pala shqiptare takimin me përfaqësuesit e Bashkimit Europian.
Duhet theksuar që në fillim se takimet e fundit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian kanë qenë një dështim i paprecedentë. Kurrë më përpara nuk ka ndodhur që takimet mes BE dhe një vendi aspirant të mos dalin me deklarata e rezoluta të përbashkëta. Për më tepër këtij tensioni i shtohej edhe fakti se Bashkimi Europian kishte deklaruar se Shqipëria nuk ka plotësuar asnjë nga 12 kriteret që i ishin lënë si detyrë shtëpie për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Po si do dilte përpara përfaqësuesve të Bashkimit Europian ministri ynë i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, kur vetëm dy ditë përpara zëdhënësja e Ashton kishte deklaruar se Kolegji Zgjedhor nuk kishte fshirë dyshimet për zgjedhjet në Tiranë? Sigurisht me një ndjenjë shpërfillje ndaj këtyre zyrtarëve të BE.
Por më e rënda ka ndodhur pak përpara nisjes së takimit. Kamerat e vetë Komisionit Europian kanë fokusuar ministrin tonë të Jashtëm, Edmond Haxhinasto, në pritje të përfaqësuesve të BE, duke thënë “kush duron pordhët e tyre”. Haxhinasto i drejtohet Majlinda Bregut, e cila nga ana e saj po ashtu shfaq bezdi për takimin që do bëjë me zyrtarët e BE-së. Video është publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Europian, por sigurisht atë të Brukselit nuk e kanë kuptuar se ç’thotë kryediplomati ynë.
Gazeta Tema vendosi ta publikojë online këtë skandal. Në të vërtetë, për çudi, kjo video u hodh online edhe nga portali i lajmeve BalkanWeb, i blerë tashmë nga njerëz pranë qeverisë. Edhe pse së fundmi raporton vetëm për aktivitetet qeveritare, ajo e publikoi këtë video duke e quajtur skandal. Madje zbardhi edhe fjalën e përdorur nga Haxhinasto. Pak më vonë gjuha e tyre u zbut, e tashmë thuhej thjesht që Haxhinasto nuk ka përdorur fjalët e duhura. Komentet që ishin në faqe u fshinë. Ndërkohë në televizionin simotër të tyre, nuk transmetohej asgjë. Brenda pak minutash video dhe lajmi u zhdukën nga faqja.
Kur lajmi u fut në faqen e gazetës Tema, një pjesë e mirë komentuesish, që më përpara nuk janë shfaqur në faqe, e sulmuan atë duke thënë se Haxhinasto paska thënë diçka të tillë që “këto të nxjerrin poret e fytyrës”, duke iu referuar kamerave. Por është e qartë që bezdia lexohet në fytyrat e zyrtarëve shqiptarë, aq sa edhe Majlinda Bregu i referohet si idiot një personi që kanë në tavolinë.
Video do vijojë të komentohet sërish, por një gjë dihet me siguri, që Bashkimi Europian lëshoi vërtetë “pordhë” për qeverinë shqiptare atë ditë. Një deklaratë e Ashton e Fyle u konsiderua nga mediat e Brukselit si e paprecedentë në historinë e BE. Ata u shprehën hapur se vendi ynë nuk di të mbajë zgjedhje, rrëzuan zgjedhjet e Tiranës dhe kërkuan reforma të gjithanshme. Një “pordhë” e tillë është pak e vështirë të dëgjohet.
Adresa zyrtare ku eshte publikuar video: http://ec.europa.eu/avservices/video/videoplayer.cfm?ref=79042