Berisha shpërblen Topallin për spastrimet brenda partisë

0
102

Nga Tema

Të përjashtuarit nga Këshilli Kombëtar i PD ngrenë dyshime serioze se në procesin e numërimit të votave ka pasur kontroll të plotë dhe se rezultati i shpallur i përgjigjet interesave të lidershipit të PD, por jo së vërtetës. Aleksandër Biberaj, një kritik i hapur i funksionimit të jetës politike në parti, i cili u përjashtua nga Këshilli i ri Kombëtar, i tha gazetës “TemA” se “procesi i numërimit të votave nuk ka qenë aspak transparent, gjë që ka cenuar shumë rëndë themelin e demokracisë në PD. Nga informacionet që kam pasur, më rezulton se kam qenë ndër më të votuarit, por rezultati përfundimtar është manipuluar dhe nuk pasqyron vullnetin e delegatëve të Kuvendit”. Biberaj tha se Kuvendi i IX i PD do të arkivohet në historinë e PD si Kuvendi më jodemokratik që ka pasur PD gjatë gjithë historisë së saj 19-vjeçare, si Kuvendi ku nuk kishte asnjë hapësirë për debat, diskutim, pyetje nga delegatët apo përgjigje nga lidershipi.

Biberaj, një oponent i njohur i dy viteve të fundit në PD, ka pasur një histori të hapur konflikti me Jozefina Topallin, kryetaren e parlamentit shqiptar, e cila e shkarkoi atë në janar të këtij viti nga detyra që kishte si nënkryetar i Asamblesë së Këshillit të Evropës. Shkak real ishte qëndrimi kritik i Topallit dhe distanca e tij nga Berisha, por Topalli me këtë rast u hakmor dhe ndaj faktit se Biberaj ishte i ftuar zyrtarisht në ceremoninë e inaugurimit të presidentit Obama, ndërsa Topalli shkoi aty privatisht dhe paraqiti takimin me një menaxher hoteli si takim me një kongresmen. Biberaj e denoncoi këtë dhe këtu konflikti u bë i hapur. Biberaj tha dje se lufta ndaj tij është luftë e një grupi të korruptuarish në PD. “Ju premtoj se të korruptuarit nuk më nxjerrin dot nga politika, – tha. – Unë do të vazhdoj luftën time dhe do të analizoj me qetësi gjendjen e rëndë, në të cilën gjendet sot PD.

Por përtej Biberajt, një emër shumë i njohur i PD, Prof. Dr Omer Stringa është larguar nga lista për shkak të qëndrimeve kritike. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë është zëvendësuar me Elvana Hanën, mbesën e Liri Berishës, ndërsa Aleksandër Biberaj me Kleti Krujën, shokun e Shkëlzen Berishës. Stringa, një veteran i PD dhe në momente të vështira të kësaj partie, siç ishte viti 1997, tashmë është mënjanuar tërësisht duke ilustruar standardin e lirisë për të folur brenda asaj partie.

Një shuplakë mbi zëra kritikë duket se reflektohet te votat për Besnik Mustafajn, e Bujar Leskajn. Pjesa tjetër e listës është reflektim i balancimit të klaneve brenda PD dhe lëshimeve që Berisha u bën sipas nevojave të garniturës së tij në pushtet.

Topalli, më e kënaqura

Jozefina Topalli duket më e kënaqur nga lista. Ajo ka udhëhequr luftën kundër Biberajt dhe Mustafajt dhe është shpërblyer nga Berisha me suksese të vogla, si minimizimi i njerëzve të Lulzim Bashës në listë. Jashtë Këshillit Kombëtar të PD duket se kanë mbetur pas udhëzimeve të saj tre deputetë të kësaj partie për qarkun e Elbasanit. Burime pranë PD thanë dje se Jozefina Topalli loboi kundër Lulzim Bashës në Këshillin Kombëtar të PD, për pasojë mbetën jashtë këtij forumi tre nga 7 deputetët e Elbasanit, të cilët, siç duket, Topalli i ka konsideruar si krahu i Lulzim Bashës në PD. Ata nuk morën votat e nevojshme për të qenë anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD. Po ashtu, Topalli ia ka arritur që Bashën të mos e fusë në pesëshen e parë në parti. Ai është pas Flamur Nokës, personazhit të njohur anekdotik të PD. Lulzim Bashës i kanë dhënë 944 vota. Jashtë listës së Këshillit Kombëtar të PD kanë mbetur 14 deputetë të PD, të cilët po ashtu e kanë pasur në përgjithësi aksident kandidimin në emër të kësaj partie.

Çiljeta, në vend të Pangos

Ndërkohë surprizë e Kuvendit mbetet Çiljeta. Këngëtarja e njohur për ekstravagancën e saj, dhe videoklipet e nxehta, tashmë do të mbushë boshllëkun që lanë në këtë Këshill historitë rozë të Ylli Pangos vitin e shkuar. Në ditën e zgjedhjes së saj në Këshill Kombëtar, intervista e saj në medien e ditës ishte për humbjen e të dashurit të saj, për të cilin do të na informojë në janar.

Këngëtarja Çiljeta Xhilaga, që mori 502 vota gjithsej, është renditur në numrin e 55 në listën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Xhilaga la pas me vota gjysmën e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Pas Çiljetës renditen figura të rëndësishme të Partisë Demokratik, si ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, Shaban Memia, Gjergj Bojaxhi etj. Por më shumë vota se Çiljeta mori zëdhënësja e PD, Erla Mëhilli, e cila u rendit në gjysmën e parë të listës me 676 vota, e cila është bërë së fundmi popullore për lapsuset e saj erotike, sa herë që flet kundër Edi Ramës..

“Etj.” kanë mbushur listën

Përveç triumfit të qartë të Topallit dhe eliminimit të zërave kritikë pjesa tjetër e listës është e mbushur me “etj.”, emra pa asnjë rëndësi politike apo “qoka” të Berishës për njerëz të përdorur prej tij. Shihet qartë se tashmë për Berishën edhe Eduard Ypi, të cilin e ka akuzuar si bashkëpunëtor të Sigurimit, edhe Fahri Balliu, që është i implikuar në historinë e ndërtimit të fabrikës në Gërdec, por dhe një veteran i njohur i PD si Shaban Memia, i cili ka kontribut sa gjithë Këshilli Kombëtar së bashku për atë parti, janë rreshtuar diku nga fundi, sa për t’u mbyllur gojën. Po ashtu, sipas nevojës që ka për t’i përdorur ata, ka rreshtuar në ato pozicione një listë anonime femrash dhe Mark Markun, një personazh kontrovers, i cili ka drejtuar fushatën e Edi Ramës kundër Sokol Olldashit në vitin 2007. Pjesë e kësaj liste janë dhe ndërhyrjet e familjes Berisha. Liri Berisha ka futur në listë në pozicion “të respektuar” mbesën e saj, Elvana Hana, një simbol i korrupsionit dhe nepotizmit në qeverisjen Berisha, dhe Kleti Krujën, shokun më të ngushtë të djalit të Sali Berishës. Kjo listë të kapurish, të keqpërdorurish dhe anonimësh, në të vërtetë mbush shumicën e listës së Këshillit Kombëtar, si për të ilustruar kotësinë e saj dhe mungesën e zgjedhjeve të lira brenda partisë.

Aleksandër Biberajt

“Nxjerrja pa asnjë lloj transparence e rezultateve të manipuluara për Këshillin Kombëtar të PD shënon edhe fillim-fundin e pasojave që do të shoqërojnë, jo vetëm jetën politike dhe të ardhmen e PD, por edhe më gjerë, pasoja këto që vijnë nga Kuvendi farsë Kombëtar i PD. Ky Kuvend do të arkivohet në historinë e PD si Kuvendi më jodemokratik që ka pasur PD gjatë gjithë historisë së saj 19-vjeçare, si Kuvendi ku nuk kishte asnjë hapësirë për debat, diskutim, pyetje nga delegatët apo përgjigje nga lidershipi. Ky Kuvend nuk kishte asnjë analizë për qeverisjen 4-vjeçare të PD, asnjë analizë për zgjedhjet lokale të vitit 2007 si dhe për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, asnjë fjalë për shkrirjet/bashkimet e partive apo për koalicionet qeverisëse.

Nuk u tha asnjë fjalë se përse PD ka humbur në dy fushatat e fundit në Tiranë dhe qytetet kryesore, përse PD nuk fitoi më 28 qershor të paktën 71 mandate për të qeverisur me aleatët e saj natyralë, por po qeveris me të majtën, duke shënuar kështu edhe kalimin gradual të pushtetit tek e majta. Në Kuvend lidershipi erdhi totalisht i papërgatitur për një ngjarje tepër të rëndësishme, siç është Kuvendi Kombëtar i partisë, ku dhe u pa qartë që lidershipi nuk dha asnjë ide, nuk tregoi asnjë vizion dhe nuk paraqiti asnjë program. Procesit të numërimit të votave për anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD i mungoi totalisht transparenca, gjë që ka cenuar rëndë themelet e demokracisë në parti, për të mos thënë që ka shënuar edhe fundin e demokracisë në PD.

Fatkeqësisht, në PD fryma qytetare po tenton të zëvendësohet me një frymë rurale, fryma intelektuale po mbytet nga fryma e injorancës, fryma e debatit po zëvendësohet me frymën e një nënshtrimi të verbër dhe të një servilizmi ekstrem, fryma e grupit dhe e bashkëpunimit në grup po zëvendësohet nga kulti i individit dhe fryma klanore, vendimmarrja kolegjiale po zëvendësohet nga vendimmarrje autoritariste dhe klienteliste, vlerat po zëvendësohen me antivlera, dhe gradualisht po shuhet tradita, kontributi dhe vetë historia e PD.”

Lista me emrat e 100 fituesve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

1. Sali Berisha 1201(vota)
2. Jozefina Topalli 1144
3. Astrit Patozi 1133
4. Ridvan Bode 1121
5. Sokol Olldashi 1097
6. Edi Paloka 1005
7. Bujar Nishani 970
8. Flamur Noka 949
9. Lulzim Basha 944
10. Majlinda Bregu 917
11. Mesila Doda 916
12. Ilir Rusmali 830
13. Jemin Gjana 809
14. Gert Bogdani 801
15. Genc Ruli 800
16. Gent Strazimiri 800
17. Rajmonda Bulku 784
18. Albana Vokshi 757
19. Ferdinand Xhaferri 726
20. Myqerem Tafaj 725
21. Edmond Spaho 723
22. Fatos Beja 721
23. Keltis Kruja 704
24. Ferdinand Poni 702
25. Erla Mehilli 676
26. Florian Mima 666
27. Genc Pollo 665
28. Gazmend Oketa 659
29. Armand Teliti 652
30. Sahit Dollapi 641
31. Arenca Trashani 640
32. Halit Shamata 638
33. Arben Imami 596
34. Albert Avduli 595
35. Fatos Hoxha 585
36. Fatbardh Kadilli 578
37. Lajla Përnaska 573
38. Ahmet Omi 565
39. Bardh Spahia 559
40. Leonard Demi 554
41. Aurel Bylykbashi 547
42. Oerd Bylykbashi 545
43. Bislim Ahmetaj 541
44. Nesti Kiri 539
45. Elvana Hana 537
46. Enkelejd Alibeaj 536
47. Arqile Gorea 535
48. Ardian Turku 532
49. Tritan Shehu 526
50. Eduard Halimi 522
51. Alfred Rushaj 513
52. Eduard Ndreu 511
53. Ilir Bano 507
54. Gjergj Lezhja 506
55. Çiljeta Xhilaga 502
56. Bardh Rica 502
57. Ledina Aliolli 482
58. Shaban Memia 481
59. Ylli Asllani 477
60. Arben Qirjako 470
61. Sokol Lekaj 468
62. Alfred Olli 466
63. Gjergj Bojaxhiu 466
64. Nirvana Leka 457
65. Juela Meçani 455
66. Besnik Mustafaj 454
67. Gentiana Boksi 448
68. Osman Metalla 447
69. Suzana Guxholli 444
70. Bujar Leskaj 436
71. Njazi Kosovrasti 432
72. Arta Sakja 427
73. Azgan Haklaj 424
74. Ilir Kondi 424
75. Spiro Ksera 418
76. Valdete Vorpsi 418
77. Mirela Tabaku 417
78. Admirim Shehu 416
79. Shefqet Bruka 416
80. Barie isufi 411
81. Marjeta Zaçe 408
82. Besnik Jaku 407
83. Selami Xhepa 407
84. Dhori Kule 406
85. Mark Marku 406
86. Mirgen Lata 403
87. Eduard Ypi 400
88. Fahri Balliu 400
89. Gjoke Uldedaj 398
90. Luan Skuqi 397
91. Amantja Cullhaj 394
92. Ardita Becolli 384
93. Edit Harxhi 381
94. Dhurata Cupi 363
95. Paulina Hoti 362
96. Zana Turku 359
97. Gjorgjeta Hila 352
98. Sonila Baka 345
99. Adriana Gjoni 331
100. Jorida Tabaku 331