Nevoja për protesta popullore

0
14

Nga Roni Telegrafi

Mbas farsës së rradhës në Tiranë, opozitës shqiptare duket se alternativat për veprim sa vijnë e po i ngushtohen. Një alternativë është ajo e protestës dhe mosbindjes civile. Kjo alternativë, garanton drejtësi dhe emancipim. Alternativë e dytë është “Duroni!”. Thonë se durimi është virtyt, por për shqiptaret fjala “Duroni” dita-ditës po merr kuptimin e fjalës “Kurrë”. Alternativa “Duroni” garanton padrejtësi dhe zhdukje të opozitës. Me zhdukje duhet kuptuar një metamorfozë që finalizohet me shfuqizim politik. Një opozitë e pafuqishme politikisht është një opozitë vetëm në emër.

Një vend me opozitë vetëm sa për emër, mund të jetë po aq demokratik sa ishte Republika Demokratike e Afganistanit, Republika Demokratike e Etiopisë, Republika Demokratike e Gjermanisë, Republika Demokratike e Somalisë, Republika Demokratike e Vietnamit dhe Republika Demokratike e Jemenit. Nëse opozitarët shqiptarë zgjedhin opsionin e parë, para se të përballen me dhunën shtetërore do të përballen me dilemën morale se: nëse drejtësia shpëtohet vetëm duke shkelur ligjin, a duhet shkelur ligji?

Kushdo që ndjek debatet në mediat shqiptare rreth vendimeve të Kolegjit Zgjedhor, nuk mund të mos vërejë faktin se ato kryen brenda disa këndvështrimeve të përcaktuara analitike. Këndvështrimet që spikatin në debate dhe analiza janë ato me karakter ligjor, politik dhe procedurial. Për veprimet e marra nga Kolegji, gjithnjë e më tepër mënjanohet këndvështrimi analitik me karakter moral. Duket sikur shqiptarët gjithnjë e më shumë po bien pre e spekullimit se vendimet e gjykatave qëndrojnë përmbi gjykimin moral. Por a është e vërtetë kjo?

Për një njeri të cilit i mungon në botëkuptim koncepti i “ligjit të së drejtës”, historia europiane nuk është gjë tjetër vecse një libër horrori. Për të Europa është e mbushur me popuj barbarë që prodhojnë ligje për t’i shkatërruar më vonë. Europa për të është një vend i frikshëm ku nuk duhet shkelur kurrë. Një njeri i tillë, ligjit i jep atributet e pronarit kurse vetes i jep atributet e skllavit. Europa për skllavin është një vend i pasigurtë. Në retorikën e tij do të gjeni fjalët “ligji dhe vetëm ligji; respektimi dhe zbatimi i ligjit; gjykata; vendimi i gjykatës; hetim; kodi ligjor; prokuroria; kodi elektoral; afati kohor”. Do të gjeni dhe plot e plot të tjera si kombinim midis fjalëvë të lartpërmendura.

Të vetmen fjalë që do ta dëgjoni shumë rrallë nga goja e një njeriu të tillë është fjala “drejtësi”. Nuk do ta dëgjoni shpesh sepse truri i tij është i paaftë ta perceptojë drejt këtë ide. Arsyeja për këtë qëndron në faktin se drejtësia rrënjët i ka te morali. Por për të, morali është concept bosh. Platoni thotë se gënjeshtra është arti i skllavit. A mund ta kuptojë dhe si rrjedhojë ta vlersojë drejtësinë një njeri që gënjeshtrën e ka kthyer në art dhe moralin në hiç? Sipas Platonit, jo. Duke marrë parasysh se në Athinën e Platonit kish shumë skllevër ai detyrimisht duhet t’i ketë njohur mirë. Kështu që opinionin e Platonit për këtë çështje unë e marr si të mirëqenë. Por, nëse një njeri i tillë është i paaftë ta percpetojë drejtësinë, atëherë si shpjegohet që ajo është aktive në retorikën e tij? Duhet shpjeguar se drejtësinë ai e kupton të shtrembëruar. E kupton të shtrembëruar sepse e shikon si të pavarur nga morali. Për të drejtësia është produkt. Produkt të cilin e prodhon gjykata.

Në fakt gjykata nuk prodhon drejtësi, ajo jep drejtësi. Por, që një gjykatë të jetë e aftë të japë drejtësi, gjykatësit duhet domosdoshmërisht të disponojnë aftësinë e të menduarit në plan afatgjatë. E them këtë, sepse vendimet ligjore kanë aftësinë të ndikojnë të ardhmen e një populli më shumë se vendimet politike apo ato ekonomike.(Kanuni i Shqiptarëve është shembulli i përsosur. Si pasojë e disa normave dhe ligjeve të kodifikuara në shekullin e XIV, rreth dymijë familje e gjejnë veten të ngujuar në vitin 2011). Përderisa vendimet e gjykatave kanë ndikim kaq të madhe për të ardhmen e një populli, ai në mënyrë konstante duhet të krijojë mekanizma shoqërorë që të vlersojnë drejt punën e tyre.

Roli kryesor i gjykatës është të mbrojë të vjedhurin nga hajduti. Nëse nuk e bën një gjë të tillë atëherë ajo dëmton normat morale dhe personalitetin njerëzor. Çdo ligj apo vendim që dëmton moralin dhe personalitetin e njeriut është i padrejtë. Një vendim i padrejtë i jep hajdutit një ndjenjë superioriteti dhe të vjedhurit një ndjenjë inferioriteti. Një shoqëri që e gjen veten në një situate të tillë duhet me çdo kusht ta përmbysë këtë situate. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, pasojat për të do të jenë fatale dhe e ardhmja e errët. Kur gjykata nuk e mbron më të vjedhurin atëherë shoqëria duhet të gjejë kurajon civile të ngrihet mbi gjykatën dhe ta marrë vetë në mbrojte të dhunuarin. Për shumëkënd ngritja e shoqërisë mbi ligjin është mosbindje civile dhe mosbindja civile krijon tensione.

Tensioni në shoqëri nuk duhet të trembë askënd për sa kohë që lind si pasojë e protestave paqësore. Sokrati mendonte se për çlirimin e mendjes njerëzore nga skllavëria e miteve dhe e gënjeshtrave, tensioni mendor është një domosdoshmeri. Gjithashtu, tensionin mendor Sokrati e konsideronte si shtytësin fillestar të njerëzimit drejt universit të llogjikës dhe lumturisë. Çdo pushtet me karakter jo-demokratik ka tendcen që tensionin social në shoqëri ta karakterizojë si diçka negative që dëmton paqen, ekonominë dhe rendin publik. Për këtë të fundit, shumica e shqiptarëve janë të vëtëdijshëm se sa shumë e vlerëson një sistem jo-demokratik rendin dhe rregullin, ose thënë ndryshe: vendosjen e shoqërisë në rresht.

Shoqëria shqiptare nuk ka pse t’i trembet tensionit social. Të gjithë duhet ta kuptojmë nevojën për protesta paqësore, sepse ato krijojnë tension pozitiv, pa të cilin rruga drejt errësirës është e sigurtë. E gjithë shoqëria shqiptare duhet të mbështesë nismën e opozitës për protesta. Kushdo që thyen një ligj të padrejtë, duhet ta bëjë në mënyrë të hapur dhe me gadishmeri të plotë personale për të pranuar ndëshkimin. Çdo qytetar që shkel ligjin, pasi ndergjegja e tij i thotë se është i padrejtë, dhe me gadishmëri të plotë pranon ndëshkimin, duke parë se kjo është e vetmja mënyrë që mund t’i zgjojë ndërgjegjen shoqërisë, ai në të vërtetë tregon se është mbrojtesi më i madh i ligjit.

*Autori është diplomuar në shkencat politike