Nga Bledi Mane
Më akuzoni për çfarë të doni, por jo për kopjac. Megjithëse deri tani kam bërë 19 vjet shkollë (pa llogaritur çerdhen, kopshtin dhe burgun), asnjëherë nuk kam menduar a tentuar të kopjoj nëpër provime. Jo sepse nuk doja, jam i sigurt që të gjithë kemi nevojë për atë lloj adrenaline që na lëngëzon nëpër trup, por nuk kisha mundësi se bija shpejt në sy.
Nga klasa e parë e deri në universitet kam qenë ndër më të gjatët, më problematiku, nxënësi a studenti që grricesha më shpesh me mësues dhe pedagogë, më debatuesi dhe më ironiku gjithashtu. Ndaj sa herë bënim provime, ulesha në bankë të parë dhe nëse do të tentoja të kopjoja, tërhiqja vëmendje. Kopjac nuk kam qenë asnjëherë me një përjashtim të vogël fare… Gjithë jetën time kam kopjuar që të bëhem si dikush, po ua tregoj, por bëni mirë të mos flisni me njeri.
Sali Berisha i 1991 hyri në zemrën time shumë shpejt. Ishte njeriu që më frymëzonte dhe shpesh tek Ai gjeja diçka nga vetja ime. Një nga ëndrrat e mia të adoleshencës ishte që kur të burrërohesha, të bëja karrierë porsi Ai, ta drejtoja këtë vend dhe unë njëherë dhe t’i lumturoja shqiptarët më shumë se çdo lider tjetër në historinë tonë kuq e zi me nuanca blu.
Zoti Berisha është me origjinë fshatare si unë, ka lindur në Viçidol të Tropojës, ndërsa unë në Frashër të Dangëllisë. Ai erdhi të arsimohet për mjekësi në Tiranë dhe mbeti këtu, unë erdha të arsimohem për gazetari evropiane dhe mbeta në kryeqytet gjithashtu. Sala ishte ndër themeluesit e parë të PD-së në Tiranë bashkë me të ndjerin Gramoz Pashko, ndërsa unë ndër themeluesit e parë të PD-së në Përmet me të gjallin Vasil Gjika.
Doktori njeh disa gjuhë të huaja dhe shkonte shpesh në Paris, ndërsa unë njoh 3 gjuhë të huaja dhe shkoja shpesh në Londër. Më 1997 ai nuk lëvizi nga presidenca, ndërsa unë u ktheva në Shqipëri dhe kandidova si deputet i pavarur në Përmetin e vrarë & të djegur nga praglufta civile ku demokratët e vërtetë kishin ikur më këmbë në Greqi nga frika. Nga 1997 deri në 2005 Berisha u torturua në opozitë, madje edhe e arrestoi Ilir Meta, ndërsa unë u torturova duke trafikuar njerëz nëpër Europë e Amerikë.
Më 2005 Sala nisi një erë të re, qeverisja e tij e dytë, ndërsa unë i sapodalë nga burgu 313 nisa studimet universitare. Në shkurtin e 2007-ës Berisha bënte fushatë për Olldashin, unë nga ana tjetër bëja të njëjtën gjë për gjysmë patriotin tim, me të cilin kishim bashkëthemeluar Forumin Rinor të PD-së në gusht të 1991-it. Berisha shquhet për memorie të paparë, lexon shumë dhe mban mend këdo që ka takuar në jetë, këto veti kam dhe unë e ndjehem mirë.
Më 21 janar 2011 Sali Berisha ishte atje në bulevard pas xhamave të blinduar në zyrën e tij me Lul Bashën dhe disa “gardistë republikanë” që e mbronin, edhe unë isha atje në bulevard përballë zyrës së tij me Erjon Veliajn, Gilberto Jaçen, Ened Janinën dhe disa gazetarë që bënin detyrën poshtë snajperave me maska që shikonin frikshëm nga tarracat e ndërtesave publike. Vetëm pak orë më pas të asaj dite të kobshme, Doktori Blu doli dhe etiketoi një zyrtare femër me emrin Ina Rama si “lavire bulevardi”, ndërsa unë sot pas kaq muajsh po etiketoj gjykatëset e Kolegjit Zgjedhor (nuk kishte gjykatës burra në atë trupë gjykuese se askush nga ata të tre nuk pati bythë të relatonte) Neriban Mullai, Sashenka Jonuzi, Astrit Kalaja, Petraq Dhimitri, Tom Ndreca, Entela Prift, Dhurata Haveri, Marie Qiriazi si lavire të Urës së Tabakëve.
Berisha nuk kërkoi kurrë falje, nuk u bë pishman asnjëherë për atë fjalor që përdori, megjithëse ka në shtëpi grua, vajzë, nuse, mbesa, kushërira, kolege, shoqe, mikesha. Edhe unë po i etiketoj lavire zonjat dhe zotërinjtë frikacakë të Kolegjit sepse legalizuan vjedhjen e votës time, më shkarravitën të ardhmen, më përdhunuan Shqipërinë, m’i zgjatën jetën diktaturës dhe si të pacipë që janë ankohen me letra te Presidenti i Republikës që nuk e pordhën fare për 2 muaj me radhë. Ndaj ende ngulmoj se e meritojnë këtë epitet.
Nëse kërkon Berisha falje, do kërkoj dhe unë, nëse gjobitet Berisha për fyerje, më dënoni dhe mua. Do Zoti e lexon ndonjë ambasador këtë protestën time dhe ashtu si Sali Berishën më 22 Janar 2011 më quan edhe mua “Burrë shteti” pse po shaj jo një, por tetë gra plangprishëse të prishura nga mendja. Unë nuk di të kopjoj askënd, jam unik, por idhullit tim Sali Berisha nuk i tundohem dot. Kur të rritem dua të bëhem si ai. Marshallah, ta kap me dorë se mos e marr më sy…
Important notice: To the foreign ambassadors in Tirana.
Do you remember the judges of the Albanian Electoral College?
I just named them “whores” in this article. May you take that into consideration and label me “a real statesman”?
Thank you and have nice summer holiday. See you this September coming!!! (puç, puç/kissy, kissy)
*facebook.com/bledi.mane







