Ilir Barjaba, 16.07.2011
Ndërtimi i godinës së re parlamentare ka ngritur mjaft pikëpyetje, për shkak të implikimit të prishjes së Piramidës. Me të drejtë, antropologë, arkitektë e urbanistë kanë shprehur shqetësimet e tyre që lidhen me memorien kolektive e kulturore të qytetit. Megjithatë, ndërtimi i Parlamentit të ri duhet analizuar edhe përtej shqetësimeve urbanistike, arkitekturore ose kulturore. Pra, si një çështje ekonomike dhe financiare.
Kjo çështje duhet parë në këndvështrimin e financave publike. Në këtë kontekst, ekzekutivi dhe ligjvënësit duhet të kishin arsyetuar nëse është e logjikshme dhe e moralshme t’i faturojmë borxhit publik të tejngopur edhe 100 milionë euro të tjera. Për më tepër, fatura e saktë e ndërtimit të Parlamentit të ri nuk është parashikuar e llogaritur në projektligjin e miratuar në Kuvend. Miratimi i projektligjit për ndërtimin e një vepre infrastrukturore pa parallogaritur koston, përbën një papërgjegjshmëri në përdorimin e fondeve publike. Kjo ilustron nivelin e ulët të politikëbërjes parlamentare dhe njëkohësisht shpalos një mentalitet abuziv kundrejt përdorimit të buxhetit të shtetit. Votuesit e ligjeve duhet të kuptojnë se buxheti i shtetit nuk është një pasuri specifike e tyre, por shumatorja e taksave që paguajnë qytetarët. Prandaj parlamentarët duhet të shërbejnë si garantë të të drejtave dhe kontributeve të qytetarëve.
Fatura e lartë financiare e ndërtimit të Parlamentit të ri, nuk është e logjikshme edhe në kushtet e kontekstit global. Ndërkohë që Europa po digjet nga kriza e financave publike, ne shqiptarët krihemi para Parlamentit të ri. Kriza ekonomike botërore lindi si një krizë e keqmenaxhimit të financave publike. Për më tepër, Europa po e përjeton krizën e keqmenaxhimit të financave publike nëpërmjet efektit domino, duke filluar nga Greqia, Portugalia, Spanja, Irlanda e së fundi edhe Italia. Si pasojë, politikëbërja ekonomike botërore është duke reflektuar dhe adaptuar masa të reja në përdorimin e fondeve publike. Ekspertët e ekonomisë botërore nuk rreshtin së propaganduari se qeveritë nuk duhet t’i trajtojnë investimet publike për ndërtime të kushtueshme, por për të mbështetur zhvillimin e ekonomisë reale. Ndërkohë, FMN-ja dhe Banka Botërore janë angazhuar fuqimisht për të edukuar vendet në zhvillim të bëjnë kujdes me nivelin e borxhit dhe mënyrën e investimit të tij.
Të ndikuara nga kriza e borxheve, politikëbërja botërore dhe europiane janë angazhuar për të kuptuar se si duhet të investohet sa më pak, për të përfituar rritje ekonomike sa më të lartë. Paradoksalisht, ekzekutivi dhe legjislativi shqiptar, nëpërmjet këtij akti të fundit, nuk të bëjnë të kuptosh se janë të vetëdijshëm për krizën e financave publike. Në Shqipëri, tentohet ende të ndërtohen vepra të lavdishme infrastrukturore, por pa ndonjë dobi apo rentabilitet në ekonominë reale dhe cilësinë e jetë së qytetarëve. Pra, financat publike trajtohen me një mendësi komuniste e populiste. Si pasojë, qeveria është shndërruar në një mono-investues vetëm në vepra infrastrukturore, motivuar nga arsye të lavdishme kombëtare ose arsye populisto-elektorale. Është e papranueshme që një vend aspirant i integrimit europian të ketë një menaxhim e shpenzim të fondeve publike, motivuar nga arsyet e mësipërme.
Ndërtimi i Parlamentit të ri, përveç dëmit kulturor që implikon nëpërmjet prishjes së Piramidës, është një kambanë alarmi për groposjen e financave tona publike. Buxheti i shtetit duhet programuar e investuar në funksion të zhvillimit ekonomik dhe progresit social të vendit. Pra, çdo qindarkë e buxhetit duhet të shkojë për të rritur utilitetin e qytetarëve. Sigurisht, në disa raste, financat publike do të përdoren edhe për të ndërtuar vepra simbolike publike, si një muze apo një Parlament të ri. Megjithatë, shumat e investuara për këto vepra duhet të jenë në proporcion me potencialin real të buxhetit të shtetit. Aktualisht Shqipëria nuk i gëzon kushtet për të investuar 100 milionë euro në një ndërtesë të re parlamentare. Një projektligj i tillë në këtë kohë shtrëngimesh të shpenzimeve publike nuk do të kishte gjetur as konsensusin e Kongresit Amerikan. Parlamenti grek po u llogarit deputetëve edhe centët, ndërkohë që Parlamenti shqiptar me një të rënë të lapsit i akordon secilit deputet 1 milion euro investime. Shpenzimet parlamentare në Greqi përbëjnë më pak se tre të mijtat e buxhetit të shtetit, ndërsa në Shqipëri vetëm ndërtimi i godinës së re të Parlamentit gllabëron rreth një për qind të buxhetit të shtetit.
Vetëm para pak ditësh buxheti i shtetit u reduktua në një masë të konsiderueshme, për të mos rrezikuar një deficit të lartë buxhetor. Pra, u reduktuan investimet në arsim, shëndetësi e shumë fusha të tjera të ekonomisë reale, ndërkohë që nuk preken projektet delirante për ndërtimin e një godine parlamentare kaq të kushtueshme. Kjo është minimalisht e papërgjegjshme dhe duhet të na trembë mënyra se si po investohen taksat tona.
Shqipëria ka mjaft probleme reale për të zgjidhur, përpara se të ndërtojë godina luksoze për të strehuar parlamentarët. Buxheti i shtetit nuk duhet shpenzuar për të realizuar projekte lukrative në shërbim të klasës qeverisëse, por për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ndërtimi i Parlamentit të ri është një kambanë alarmi se financat tona publike janë në duar të papërgjegjshme dhe abuzive. Kjo do të ishte edhe groposja e konceptit dhe implementimit të së mirës publike në Shqipëri.







