INTERVISTA/ Edi Rama: Grabitja e Tiranës do rrëzojë Berishën

0
40

Kryetari i PS, komenton në Top Story rezultatin e Tiranës, vendimet e Kolegjit Zgjedhor, problemet e brendshme në PS dhe hapat e mëtejshëm që do të hedhë partia e tij. “Fituam më 8 maj si alternativë opozitare, do fitojmë tani si alternativë qeverisëse”

Kryetari i Partisë Socialiste e nisi intervistën e tij në Top Story, duke shprehur ngushëllime për humbjen e Dom Simon Jubanit.

“Sot dëshiroj që nga kjo studio të përfitoj nga rasti për të kujtuar me nderim të thellë një nga personalitetet më të mëdha të këtij vendi, i cili u shua dhe u përcoll për në banesën e fundit në Shkodër, Dom Simon Jubani, një personalitet i madh i rezistencës së shpirtit të lirë kundër regjimit komunist, një personalitet i madh, të cilit personalisht, përveçse si qytetar i këtij vendi, i njoh borxh për gjithë jetën kujtimin e paharrueshëm të meshës së parë, një eveniment i jashtëzakonshëm, tronditës. Nga ato varreza filloi të lindte rrezja e një lirie që për shumëkënd mbeti një ëndërr, ndërsa për gjithë ne të tjerët që arritëm atë ditë u bë realitet falë njerëzve të mëdhenj, falë njerëzve që sakrifikuan e dhanë gjithçka për këtë vend,” tha Rama.

Kandidimi në Tiranë

Ndërsa moderatori i tha Ramës se është momenti që të kthehen në normalitet me pyetje, ai shtoi se ai është normalitet. Që në fillim Rama tha se gjasat që ajo ndodhi në Tiranë nuk ishin të vogla.

“Sigurisht që gjasat ajo që ndodhi të ndodhte nuk ishin të vogla, ishin brenda asaj që ne mund të parashihnim për shkak të një investimi të pazakontë, të një stërfuqie njerëzish e parash, të cilët e vunë të gjithë makinerinë shtetërore në funksion të deformimit të vullnetit të zgjedhësve,” tha Rama.

Ai shpjegoi edhe njëherë se fakti që zgjedhjet do kishin probleme e shtynë të kandidonte në Tiranë.

“Unë e kam thënë në këtë studio, e kam përsëritur edhe më pas se në rast se do të ishim në një moment normal, në rast se do të kishim një garë normale, zgjedhje realisht të lira dhe të ndershme në Tiranë, unë nuk kisha arsye të kandidoja për bashkinë e Tiranës. Por pikërisht sepse beteja do të ishte ashtu siç ndodhi, krejt e veçantë për shkak të një koalicioni të gjerë të pushtetshmish për të marrë me çdo çmim bashkinë e Tiranës dhe nga ana tjetër duke i vlerësuar të gjitha nxitjet, kërkesat dhe mbi të gjithë ato ndjenja të shumë e shumë njerëzve për të qenë në krye të betejës, zgjodha atë që bëra dhe për këtë jam krenar. Përfitoj nga rasti të shpreh falënderimin më të thellë të gjithë atyre qytetarëve të Tiranës që duke dalë masivisht në votime, e frenuan me votë fuqinë e ngritur në këmbë për të deformuar rezultatin. Ne i fituam zgjedhjet në Tiranë,” tha Rama.

“Rezultati nuk tregon atë që fshihet pas atij rezultati, që është një manipulim i vullnetit të zgjedhësve përmes një sërë instrumentesh, që nga listat, kartat e tek paratë e pista që u derdhën lumë në Tiranë si asnjëherë në një fushatë elektorale. Ne i fituam zgjedhjet në numërim. Saliu i grabiti në tavolinë dhe më pas i certifikoi nën tavolinë.”

Rezultati i Tiranës

I pyetur se përse PS humbi 7 minibashki, Rama tha: “Kjo është një aritmetikë që nuk na ndihmon të kuptojmë atë që ka ndodhur realisht në Tiranë. Mjafton të kujtojmë një fakt të thjeshtë, katër vite më parë ne ishim në koalicion me atë parti dhe ishim tërësisht të varur nga rezultati i përbashkët. Sot kemi fituar shumë më tepër se katër vjet më parë, kemi arritur një fitore si asnjëherë më parë në historinë e PS dhe kontrollojmë 2/3 e territorit të vendit, ndërkohë që e përsëris, rezultati i Tiranës nuk është veçse një vjedhje.”

Ndërsa i pyetur për të komentuar faktin se humbja e tij ishte parashikuar, Rama tha se qytetarët ishin ata që e morën seriozisht betejën. “Tiranën e kemi marrë seriozisht, por akoma më seriozisht betejën e Tiranës e kanë marrë qytetarët, që meritojnë falënderimet dhe mirënjohjen më të veçantë. Ata bënë që të gjithë parashikimet të rrëzohen me votë. Demokracia është vetëm zgjedhje të lira e të ndershme dhe rezultati i zgjedhjeve në demokraci është kush fiton një votë më shumë, është fitues, kush merr një votë më pak është humbës. Diferencat e vogla mes fituesit e humbësit janë për historinë e analizat e mëtejme,” tha Rama.

“Ishte fitorja më e bukur sepse ishte fitore ndaj një makinerie të ngritur në këmbë për të rrëmbyer me çdo mjete financiar e politik bashkinë e Tiranës. Sot ajo që ka më tepër rëndësi sesa thjesht rezultati përfundimtar në zgjedhjet e Tiranës, është fakti se Shqipëria jeton kohën e një fashizmi oriental, që tashmë është shpërfaqur plotësisht. Dy vjet me radhe ne ishim dëshmitarët e grabitjes së zgjedhjeve në errësirë, sot çdo shqiptar e partner ndërkombëtar është dëshmitar i një grabitje në ditën për diell. Kësisoj grabitje vote, prone, parash haptas, ndodhin vetëm në regjime që nuk kanë të bëjnë me demokracinë funksionale.”

I pyetur nëse duhet të reflektojë për Tiranën, Rama tha: “Nuk bëhet fjalë në rastin tonë, në rastin e Shqipërisë për peshën që kanë gabimet e secilës palë. Të gjitha palët, të përfshira në një betejë elektorale bëjnë gabimet e tyre. Të gjithë njerëzit bëjnë gabimet e tyre. Këtu nuk është fjala për peshën e gabimeve sepse ajo është diçka që çdo forcë e vlerëson dhe e mat. Këtu është fjala për peshën e rëndë që kjo që ka ndodhur me zgjedhjet e Tiranës ka mbi Shqipërinë dhe të ardhmen e vendit tonë dhe të familjeve shqiptare. Dhe nuk po flas për një të ardhme të largët, por për një të ardhme që është sot, është nesër. Për shkak të kësaj që ndodhi, Shqipëria është e refuzuar si një vend i pranueshëm për të vazhduar rrugën e integrimit evropian. Europa dhe BE janë e vetmja pikë referimi në funksion të daljes nga kjo krizë kaq e thellë dhe çlirimi nga ku fashizëm oriental.”

“Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi. Këtu nuk është fjala thjesht e vetëm për një betejë për qeverisjen e nesërme, por për një model të shtetit shqiptar, për një model të institucioneve shqiptare. Modeli që sot është shfaqur sot nuk ka të bëjë me Europën e aspiratën e qytetarëve shqiptare. Të gjithë e ndjejnë se ky nuk është vendi ku mund të marrin frymë lirisht, sepse në këtë vend kanë rënë institucionet, në këtë vend ka rënë sistemi i sanksionuar me Kushtetutë e me ligj dhe është vendosur një diktaturë e faktit të kryer, e cila në zgjedhjet e Tiranës u shfaq në mënyrë spektakolare, por në jetën e përditshme përshfaqet në çdo derë, në çdo hap ku qytetari ka nevojë për mbrojtje, për ndihmën e shtetit të tij, sepse shteti nuk është më i qytetarëve, por është një funksion i pushtetit të vjedhur.”

Rezultati në pjesën tjetër të Shqipërisë

Por pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë në pjesën tjetër të Shqipërisë. Rama thotë se aty ku nuk ka pasur probleme ka fituar bindshëm.

“Kur flasim për një fashizëm oriental, nuk duhet të vrapojmë pas historisë për të sjellë në kujtesë këmishat e zeza. Fashizmi oriental sot është realitet në shumë vende dhe bazohet në faktin e kryer, që parlamenti është vendi ku opozita kthehet e trajtohet thjesht si një fasadë, ku kushtetuta është një libër që lexohet sipas orekseve të pushtetit, ku gjykatat janë vegla të pushtetit, ku institucionet nuk funksionojnë, ku i gjithë sistemi i shërben vetëm pasurimit të një pushteti që nuk del nga vota, por nga grabitja e saj. Por ka ende shpresë se ka ende në këmbë një opozitë që ka ditur të rezistojë dhe të fitojë, të fitojë në kushtet kur strategjia e pushtetit ka qenë e fokusuar për të bërë një maskim të kësaj grabitje, duke u përqëndruar në kryeqytet dhe duke krijuar më shumë fleksibilitet dhe hapësirë në vendet e tjera. Aty ku nuk ka pasur probleme, kemi fituar bindshëm. Aty ku votat nuk numërohen e kutitë mbushen e vazhdon historia e Ruzhdies, aty kemi hasur vështirësi jo të vogla,” tha Rama.

Bashkimi i së majtës

Rama komentoi edhe faktin që koalicioni qeverisës ka dalë 140 mijë vota përpara dhe akuzat që i bëhen se ai po pengon bashkimin e së majtës.

“Këtu nuk kemi ndarje e majtë, e djathtë. Kemi një ndarje opozitë- regjim. Të thuash po nuk u bashkua e majta, nuk fiton dhe me këtë iu referohesh atyre që dikur kanë qenë majtas, e mund të thonë janë majtas, por ndërkohë janë bërë pjesë e kërthizës së regjimit, do të thotë thjesht të bësh diversion. Sigurisht që cilido që është i gatshëm të përballet me regjimit, të kontribuojë për shkallmimin e këtij regjimi, të bëjë që opozita të fitojë, është i mirëseardhur në kampin opozitar, qoftë i majtë, qoftë i djathtë. Unë mendoj që unë ashtu si dhe PS e opozita, jemi problem për regjimin, jemi një problem i madh,” tha Rama.

I pyetur se a do vazhdojë betejën për Tiranën, Rama tha: “Në gjykata funksionojnë të gjitha regjimet. Gjykatat vulosin gjithmonë diçka, por dallimi i madh është se ku ka demokraci që funksionon, vulosin vendime të bazuara në ligj. Do të bëjmë të gjithë hapat e nevojshëm.”

Votat për këshillat

Rama ka deklaruar në intervistë se vota politike ishte ajo e përballjes së kandidatëve, kurse vota për këshillat nuk është votë politike.

“Ajo që ka ndodhur ka dy aspekte: njëri aspekt është vota në tërësi. Ne jo vetëm kemi fituar 2/3 e territorit, por kemi fituar në Shqipëri, në betejën e drejtpërdrejtë më shumë vota se koalicioni i regjimit, kemi fituar praktikisht shumicën. Ndërkohë që në aspektin e votave të këshillave, duhet të keni parasysh që vota për këshillin nuk është një votë politike, sidomos në zonën rurale apo në qytetet e vogla, ku bëhet fjalë për vota për këshilltarë. Pra nuk pasqyron vullnetin politik të zgjedhësve, megjithatë përtej kësaj, ne kemi arritur në këto zgjedhje të fitojmë bindshëm kudo ku kemi mundur të garantojmë plotësisht votën, ndërkohë që në territore të tjera na mbetet shumë punë për të garantuar votën, por do ia dalim,” tha Rama.

Sipas tij, grabitja e mandatit të Tiranës ishte një tronditje për shumë njerëz.

“Ka një arsye shumë të fortë që njerëzit të jenë të tronditur dhe të jenë thellësisht të trishtuar sepse ju siguroj se në rast se pushteti do të kishte fituar bashkinë e Tiranës me votë, nuk do të ishte kjo tronditje dhe ky shqetësim kaq i thellë, por ajo që ka ndodhur thjesht me zgjedhjet e bashkisë së Tiranës, ka të bëjë me sinjalin e qartë që gjithë qytetarët kanë marrë nga ajo që kanë parë. ka ndodhur në TV, në sytë e tyre, në javë me radhe. Dhe në këtë telenovelë ata kanë parë se në cilin vend jetojnë dhe cili është shteti që duhet tu shërbejë atyre. Çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë pikëpyetjen se si mund të jetoj në këtë vend, në punën time, pronën time, kur kryetarit të opozitës i grabitet në dritën për diell mandati në tavolinë e i vuloset në gjykatë,” tha Rama.

Një episod

Kryetari i PS ka treguar një episod, për të ilustruar gjendjen ku ka rënë drejtësia në vend.

“Dëshiroj të ndaj me ju një episod. Një roje parkingu, njeri i ndershëm, kryefamiljar, që mban shtëpinë e tij duke ruajtur një parking pasi ka mbaruar universitetin dhe është në prag të pensionit dhe i ka shërbyer këtij shteti si nëpunës gjatë gjithë jetës, sheh për shkak se gjendet tek hyrja e parkingut, një përplasje banditësh me armë. Dhe bëhet padashje dëshmitar. Thirret si njeri i gjendur në rrethanat e ngjarjes nga policia dhe pyetet nëse ka parë, apo nuk ka parë gjë. Thotë atë që ka parë. I vihen përpara fotot e atyre që ishin kapur. Njeh personin që ka qëlluar me armë dhe njeh edhe personin që është kundërpërgjigjur po me armë. Thotë po, ky dhe ky. E dini çfarë ndodh? Ka tre vjet që zvarritet në gjykatat e Tomës dhe Sashenkës për arsyen e thjeshtë se horrat e gjetën rrugën për ta zgjidhur problemin, por e vetmja pengesë ishte ky dëshmitar.

Ky burrë dënohet me 18 muaj burg për dëshmi të rreme. Ky njeri shkon në apel për të kërkuar atë që i takon, thjesht të jetë i qetë në jetën e tij sepse bëri një detyrë qytetare. Gjykata e shkallës së dytë, Toma e Sashenka i radhës, për ta lehtësuar ia kthejnë në gjobë në disa miliona lekë, ndërsa ai si roje parkingu ai merr 200 mijë lekë të vjetra. Sot që flasim, ky njeri vazhdon ecejaket i dëshpëruar të ulë sa më shumë shumën që ka për të paguar. Të drejtën nuk e fiton në gjykatë, në këtë gjykatë që thotë se prokuroria bën ekspertiza të paligjshme. Në fund të jetës së tij aktive, këtij shqiptari të thjeshtë do i mbetet të paguajë diçka që është shumë për të dhe të vdesë me njollën që ka dhënë dëshmi të rreme. Kjo është drejtësia shqiptare. Këto janë gjykatat e këtij vendi. Ky është fashizmi oriental.”

Përplasjet e brendshme në PS

Rama i është përgjigjur pyetjes se përse nuk është dëgjuar zëri i Arben Malajt duke thënë se “Nuk mendoj se janë çështje me interes publik. Kjo e dëgjimit të zërit është një formulë e keqpërdorur nga pushteti i votës së vjedhur. Gjithsecili është i lirë dhe i detyruar që të japë atë që mundet.”

I pyetur se a do përjashtohet Kastriot Islami, Rama tha se “Kjo pyetje nuk ka logjikë. Pyetja që bën sens është a do ta ripranoni në parti Kastriot Islamin.”

“PS është një parti e hapur ku asnjëherë nuk kanë munguar debatet dhe ku asnjëherë nuk ka ndodhur që për shkak të shprehjes së një mendimi, apo diskutimi të një ideje alternative, të ketë pasur ndonjë pasojë tjetër përveç respektit për çdo individ.

Sigurisht që ka në PS të tjerë që kanë mendim ndryshe dhe që shqetësohen dhe ngrenë zërin për domosdoshmërinë e një disiplinimi të pjesëmarrjes në debatin publik apo atë parlamentar të të gjithë përfaqësuesve. Ne jemi një parti me një traditë të vyer, që shkon duke u pasuruar. Në sfidën që kemi jemi më shumë se të detyruar që të kuptojmë se këtu nuk bëhet fjalë për trajtim specifik të çdo mendimi apo kundërshtie individuale. Këtu bëhet fjalë për një shpenzim sa më të mirë të energjisë në funksion të një sinergjie që duhet të krijojmë në kushtet kur jemi të detyruar të udhëheqim popullin qeveritar dhe një alternativë qeverisëse,” tha Rama.

I pyetur se a druhet se do i marrin karrigen e PS, Rama tha: “Duhet të them diçka banale, por lidershipi nuk është karrige. Së dyti ju siguroj se nuk kam asnjë sekondë për tu shqetësuar për një hipotezë të tillë, sepse jam i fokusuar për të ndërtuar në mënyrë sa më efektive kursin tonë të ri politik, i cili do na çojë në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme dhe do bëjë të mundur rrëzimin me votë të këtij fashizmi oriental dhe vendosjen e Shqipërisë në binarët e Europës. Shqipëria ka dalë sot nga çdo binar i integrimit evropian. Ajo ka braktisur të gjitha vlerat e anëtarësimit në BE e NATO. Sot Shqipëria nuk është një demokraci funksionale. Sot pushteti nuk funksionon.”

Njohja e rezultatit për Tiranën

Duke komentuar akuzat e Gramoz Ruçit për 40 milion euro të hedhura nga Basha për të fituar Tiranën dhe faktin që anëtarët e Kolegjit kanë marrë nga 500 mijë euro për vendim, Rama tha se “Kjo akuzë është shqiptuar nga një burrë që nuk di të gënjejë.”

Në lidhje me akuzat për juristët e PS, Rama tha: “Çdo dramë ka edhe anën komike, dhe ka gjithmonë një personazh komik. Në rastin e kësaj drame është Saliu që bën edhe personazhin kryesor që grabit, dhunon, por bën edhe komikun duke i qarë hallin PS-së dhe duke u shqetësuar se rezultati që paska dalë paska qenë për shkak të gabimeve që kanë bërë avokatët e PS. Ai rezultat edhe për Saliun vetë është vetëm një dhuratë që Saliu i ka bërë Lulit, por jo mandati që kanë dhënë qytetarët.”

I pyetur nëse do të dorëzojë Bashkinë, Rama tha: “Nuk di të ekzistojë një njeri i arsyeshëm që mund të pohojë se gjëja e vjedhur mund të dorëzohet me procesverbal. Di të them se rezultati është i grabitur në tavolinë dhe i vulosur nën tavolinë. Nuk është rezultati i zgjedhjeve, por i vjedhjeve. Si i tillë është një rezultat që ka vlerën juridike në çdo fashizëm oriental, që çon kanakarin e Saliut në bashki, por që është një rezultat që ne as na shkon ndërmend që ta pranojmë.”

Rama tha se nuk i kupton si koncept akuzat për shkatërrim të dokumentacionit.

“Bashkia e Tiranës nuk është SHIK-u i vitit 1997, nuk është as Ministria e Brendshme e vitit kur Saliu u bë president dhe hoqi nga dosjet bashkëpunëtorët e Sigurimit që i ka sot në krah. Bashkia e Tiranës është një institucion evropian model dhe nuk përfytyrohet të ndodhin gjëra të tilla.”

Ai u shpreh se shpifjet do vijojnë.

Hapat që do ndërmerren

“Ne jemi e vetmja rrugë. Sot e shohim të gjithë qartë se aspirata evropiane është tërësisht e tradhtuar. Vlerat e parimet e BE janë braktisur në realitetin e përditshëm politik dhe social. Modeli i tij nuk ka asnjë gjasë të pranohet nga BE. Në këtë vetizolim nuk mund të ketë të ardhme, as me rritjen e sasisë së gënjeshtrave, as me thellimin e borxheve,” tha Rama.

“Parlament, protesta, të gjitha mjetet demokratike do i përdorim me radhë. Ajo që është më e rëndësishmja është ndërtimi dhe komunikimi i një kursi të ri. Ne fituam më 8 maj si rezistencë opozitare, do i fitojmë zgjedhjet e ardhshme si alternative qeverisëse. Jo duke u thënë se prapë po ua rrisim pensionin, por duke ua rritur as një biletë autobusi, as duke u thënë se Shqipëria do bëhet shtëpia e të gjitha arrave e ullinjve të planetit, ndërkohë që këtu po batërdiset çdo ditë fondi i drurëve pyjore në një masakër që asnjë pushtues nuk do ia kishte bërë Shqipërisë. Por mbi të gjitha do bëjmë një zgjedhje, të pranojmë se vjedhja është një gjë e mirë, apo do zgjedhim modelin tjetër, që çdo shqiptar është sot në vendin e vet,” vijoi kreu i PS.

Sipas tij, dialogu me Berishën nuk mund të bëhet pa angazhimin e ndërkombëtarëve.

“Nuk mund të ketë asnjë dialog me Saliun nëse nuk ka një angazhim të komunitetit ndërkombëtar për të gjithë ato ndryshime që sot kanë dalë si nevojë jetike për të shpëtuar aspiratën e demokracisë. Që do të thotë që ashtu sikundër ka një angazhim konkret, publik dhe konstant të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, që flet si zëdhënës i të gjithë këtij komuniteti të shqetësuar ndërkombëtar për t’iu adresuar Komisionit të Venecias, do të thotë se ka një hapje të mirë. Në parlament vidhet hapur vota, por me konsensusin e deputetëve, votohen ligje në shkelje të Kushtetutës,” tha Rama.

Ai nuk ka preferuar të flasë për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.

“Fatos Nanon mund ta marrë në konsideratë Saliu. Kampet janë të ndara: opozitë- regjim. Gjërat që po ndodhin këtu janë aq të rënda sa nuk ka vend për neutralitete. Sot nuk jemi në ditën kur duhet të diskutojmë se kush do jetë presidenti,” tha Rama.

Duke komentuar votën e zbardhur të presidentit, Rama tha: “Ishte një turp, që është vazhdë e shprehjes së paturpshme të urrejtjes që Saliu ka për presidentin e Republikës, urrejtje që u shpërfaq e gjitha me goditjen që i bëri presidentit të Republikës, pasi ai vrau katër qytetarë të pafajshëm me pushkë. Saliu është rritur duke parë nga vrima e çelësit. Dhe vazhdon sot e gjithë ditën kur të shohë nga vrima e çelësit jetën e çdo shqiptari.”