
Nga Mero Baze
Nesër në mëngjes një shqiptar nga Ulqini ose një shqiptar nga Struga mund t’i hipë avionit dhe të udhëtojë ku të dëshirojë në Bashkimin Evropian. Të njëjtën gjë mund të bëjë dhe një shqiptar i Preshevës, si qytetar nën juridiksionin e Serbisë. Këtë gjë s’mund ta bëjë nesër vetëm një qytetar i Shqipërisë, e cila qeveriset nga shqiptarë. Shqiptarët e tjerë, që qeverisen nga serbë, malazezë dhe maqedonas, janë 20 vite pas rënies së Jugosllavisë sërish përpara shqiptarëve të Shqipërisë. Kjo garë e humbur me kohën është sot gjyqi më i madh që duhet t’i bëhet politikës shqiptare.
Dëgjova dy ditë më parë Jozefina Topallin, të shfytyruar nga shterpësia e ideve dhe mungesa e argumenteve, t’u drejtohej shqiptarëve se, nëse nuk liberalizohen vizat as në korrik, fajin e ka Edi Rama. Ky kob i kumtuar me aq papërgjegjësi nga kryetarja e parlamentit të vendit tonë, të nxjerr nga Evropa, edhe sikur të kesh hyrë brenda saj.
Partia Demokratike ka ardhur në pushtet në vitin 2005 dhe gjatë 5 viteve i ka pasur të gjitha shanset që sot në mëngjes të mos i ndëshkonte qytetarët e Shqipërisë. Të gjitha premtimet ndërkombëtare dhe të gjitha objektivat tona kombëtare ishin që në vitin 2009 do të fitonim liberalizimin e vizave. Këtë nuk e quanim, as dhuratë nga Sali Berisha, as dhuratë nga Jozefina Topalli, por e quanim një stacion normal në rrugën tonë drejt Evropës. Ky stacion u prish duke u hedhur në erë nga kjo qeveri. Debati sot nuk është kush do na e prishë stacionin tjetër, atë të korrikut 2010, por kush na e prishi sot stacionin tonë, kur bashkë me shqiptarët e tjerë në Ballkan do të ishim të lirë të udhëtonim si qytetarë të lirë në Evropë.
Sali Berisha ua ka borxh qytetarëve shqiptarë këtë datë të zezë, kur e riktheu Shqipërinë në klasifikimin e para viteve ’90, kur të gjithë ëndërronim të kishim qoftë dhe aq pak liri, sa kishin shqiptarët nën Jugosllavi. Sot jemi sërish në atë gjendje, sot jemi sërish aq të poshtëruar sa atëherë.
Dhe në vend të dalë e të kërkojë ndjesë të thellë për këtë gjëmë që na ka bërë, na paralajmëron një gjëmë tjetër dhe përsëri duke e para-hequr përgjegjësinë nga vetja. Na paralajmëron se vizat mund të mos na i heqin as në korrik dhe për këtë e ka fajin Edi Rama.
Mungesa e sensit të përgjegjësisë për kohën që qeveris, dhe vendin ku qeveris, është një dimension i qartë antiperëndimor, që e kanë tipar vetëm regjimet e korruptuara parademokratike.
Ky tipar po kthehet në portret të qeverisë aktuale. Qeveria, e cila sot duhet të kishte shpallur ditë zie për shqiptarët dhe t’u kërkonte ndjesë të thellë që uli standardin e vendit të tyre nën standardin që gëzojnë shqiptarët e tjerë në Ballkan, që qeverisen prej serbëve, malazezëve dhe maqedonasve, guxon dhe turfullon paradhënie, që ne mos të guxojmë të akuzojmë, edhe nëse ndodh gjëma tjetër, ajo e shtyrjes së vizave dhe në muajin korrik.
Kjo fyerje kombëtare, që sot ne po e gëlltisim në heshtje, është në të vërtetë ilustrim i gjithë tezave antishqiptare që janë përdorur deri më sot kundër nesh dhe që provojnë shprehjen e famshme se, armiku më i madh i shqiptarëve është vetë shqiptari.
Aty ku shqiptarët qeverisen nga shqiptarët, s’ka liri për të lëvizur, pasi qeveritë janë të korruptuara, pasi fëmijët e Familjes në pushtet e konsiderojnë vendin bahçe të tyre, pasi korrupsioni dhe inkriminimi është mjet politik që të hap rrugët e karrierës, pasi të kufizon lirinë politike për t’i rrezikuar pushtetin pashallarëve të rinj të mafies në Ballkan.
Ky turp kombëtar sot ka një emër në Shqipëri dhe quhet Sali Berisha. Ky dhe shpura e tij po kërkon që ne ta gëlltisim këtë fyerje, jo vetëm tani, por larg qoftë dhe në korrik. Në fakt, që korriku të mos i shkojë në mendje, duhet që këtë turp të mos e gëlltisim tani. Tani ne kemi një fajtor konkret dhe një armik të lëvizjes së lirë të shqiptarëve dhe ajo është qeveria shqiptare. Çdo shqiptar krenar, që respekton lirinë e tij, nuk ka më punë me këtë qeveri, që ka uzurpuar liritë e tyre dhe që guxon t’i fshihet dhe përgjegjësisë për poshtërimin kombëtar që po na bën, duke qenë më të lirë si shqiptarë nën qeveritë serbe, malazeze dhe maqedonase sesa në qeverinë e një dhëndëri të Serbisë në Shqipëri.







