MASHTRIMI I NJE NDJESE PUBLIKE

0
48

Monika Shoshori Stafa, 13.07.2011

“How not to take it personally” – “Si të mos e marrësh personalisht”, është titulli i një prej librave më të suksesshëm të viteve të fundit shkruar nga Vera Held, gazetare, ndërmjetësuese dhe veprimtare publike hebreo-kanadeze, ndër të tjera mike e Shqipërisë.

Libri ka për qëllim që të lehtësojë komunikimin midis të ndryshmëve në një botë gjithnjë e më intensive: të ndryshmëve në ngjyrë, kulturë, etni, pozitë sociale dhe shtetërore: t’i bëjë njerëzit të jenë të lirë prej keqkuptimit dhe paragjykimit të fjalës, për shkak të personalizimit të mendimit, situatës, bisedës; të çlirojë prej paragjykimit debatet me karakter parimor.

Titulli i këtij libri më erdhi në mendje paralelisht me atë të filmit gjerman të mirënjohur të shfaqur dhe në Shqipëri: “Das Leben der Anderen” – “Life of the others” – “Jeta e të tjerëve”, kushtuar fatit të një dramaturgu që mbikëqyrej nga STASS-i i frikshëm për shkak të bindjeve të tij dhe rrezikshmërisë për socializmin totalitar. “E çuditshme, si është e mundur që nuk më kanë përgjuar?” – pyet në një prej zyrave shtetërore Georgi Dreyman, shkrimtari kontestues, disa vite pas bashkimit të dy Gjermanive. Dhe, ndërsa mundohej të shpjegonte me arsye nga më të pabesueshmet pse Stassi nuk mund të ishte gabuar se nuk kishte arsye për të dyshuar tek veprimtaria e tij, një nga punonjësit e zyrës së “të drejtave të viktimës” në institucionin e hapjes së dosjeve i shërben me mirësjellje jo pak, por një karrocë me dokumente.

E pabesueshme! Gjithë ai masiv raportesh, relacionesh, stenogramesh, bisedash të transkriptuara, dhe përsëri i kishte shpëtuar dhunës së policisë së fshehtë! Së njëjtës polici që kishte arritur të rekrutonte kundër tij edhe aktoren Krista Maria Sieland, gruaja e shkrimtarit të dyshuar se kryente aktivitet politik subversiv ndaj socializmit!

Kishte ndodhur ajo që shkrimtarit nuk i kishte shkuar kurrë në mendje: oficeri i Stassi-t, në mëdyshjen e përjetshme midis devocionit të detyrës dhe disa parimeve më të përgjithshme njerëzore, kishte vendosur që të shmangte prej raporteve të veta pjesët implikuese të bisedave të tij me miq, me veprimtarë antikomunistë, me aktoren Sieland. Dhe pikërisht rrallësia e këtij akti zgjon tek Georgi Dreyman dëshirën që të shkruajë një roman kushtuar njeriut që i kishte shpëtuar jetën duke fshehur të vërtetat e tij të frikshme. Në këtë pikë, në mendjen time vetvetiu përbashkohen titujt e dy veprave që u përmenden në hyrje të këtij shkrimi: “How not to take it personally” dhe “Life of the others”.

Sipas ligjit gjerman për të drejtën e aksesit në arkivat e Stassi-t, qytetari ka të drejtën të njihet me lëndën që i ka shkaktuar të keqen, apo qoftë dhe shpëtimin, por jo dhe me emrat e nënshkruesve të kësaj lënde. Nga ky kufizim nuk bën përjashtim as shkrimtari, as njeriu publik në përgjithësi. Dhe, më së fundi, Georgi Dreyman detyrohet t’ia kushtojë romanin e vet një shifre, emrit të koduar të oficerit përgjues: t’i shprehte mirënjohjen një shifre! Sepse viktimës, të përgjuarit, i lejohet gjithçka, por jo ta personalizojë atë që ka ndodhur, as dhe për rastin kur njeriu i Stassi-t nuk i ka shkaktuar të keqe, por e ka mbrojtur prej saj.

Filmi mbyllet me pamjen e ish-oficerit të policisë së fshehtë, tani një postier i zakonshëm, që blen librin e shkrimtarit Dreyman dhe njeh vetveten në shifrën me dedikimin publik të mirënjohjes, të mbetur pa emër. As shkrimtari nuk e tejkalon të drejtën e vet për të ditur atë që kodi nuk e lejon, as njeriu që i dedikohet libri nuk bën ndonjë përpjekje për të rënë në sy si shpëtimtar i jetës së tjetrit.

Të gjitha këto m’u bashkuan në mendje shoqëruar me disa mbresa prej vizitës në Tiranë, dy vjet më parë, të znj. Marianne Birthler, drejtore e zyrës qendrore për hapjen e arkivave të Stassi-t pranë Kancelarit të Gjermanisë, e cila u këshilloi autoriteteve shqiptare të ndiqnin pak a shumë parimet e modelit gjerman në hartimin e ligjit për hapjen e arkivave të fshehta. Në fakt, ky ishte dhe modeli i këshilluar prej Bashkimit Europian. Dy Gjermani u bashkuan, dy polici të fshehta kishin implikuar jetët e të tjerëve, por çështja u zgjidh pa asnjë pasojë me parimin: secilit të vetën – viktimës njohjen me lëndën, shtetit – mbrojtjen prej personalizimit të konfliktit.

Zonja Birthler bëri gjithçka që kishte të mundur që zyrtarët shqiptarë të kuptonin se në ligjin për hapjen e arkivave të persekucionit, themelore ishte e drejta e viktimës dhe të gjitha të drejtat e tjera kushtëzoheshin prej saj. Dhe, se e drejta e viktimës gjithashtu kishte kufijtë e vet (nuk ka drejtësi pa terma të përcaktuar): ajo nënkuptonte njohjen e pakufizuar të lëndës, por jo edhe të shifrës, sepse, ndryshe, cila është garancia që të mos e marrësh personalisht (“How not to take it personally?”)? Propozimi gjerman nuk gjeti klimën e përshtatshme politike, por zhvillimet e muajit të fundmë provojnë se edhe po të kishte gjetur klimë politike, nuk do të kishte gjetur klimë kulturore.

Në fakt, shenjat e para se klimë kulturore nuk do të kishte janë dhënë qysh në vitin 2008, kur filmi gjerman “Life of the others” u shfaq në Tiranë në kuadër të “Tetorit festiv” dhe – të paktën ata shkrimtarë shqiptarë që u intervistuan – thanë për “Deutche Welle” se një histori e tillë nuk mund të ndodhë, se nuk mund të ketë karaktere pozitive nga radhët e policisë së fshehtë, se ky triller në Shqipëri bën dëm. Sepse në Shqipëri mendësia është në të përkundërtën, ashtu si thuhet në titullin e një filmi të realizuar nga Kinostudioja “Shqipëria e Re”: “Jeta në duart e të tjerëve” dhe jo “Jeta e të tjerëve”.

Në mendësinë shqiptare, jeta e tjetrit është jetë kolektive, siç ka qenë në totalitarizëm, dhe të gjithë kanë të drejtë të merren me ty, të ta sterrosin të shkuarën e të ardhmen, sepse, ndër të tjera, ky është jo vetëm ligji i pjesëmarrjes vullnetare kolektive në totalitarizëm, por edhe ligji i provincializmit: historikisht në shoqëri të tilla opinioni ndërtohet jo prej lajmit dhe ngjarjes publike, po prej thashethemit.

Duke qenë se në vendin tonë gjithçka ndodh sepse ka ndodhur më parë në një vend tjetër, edhe polemika e fundme e shkrimtarëve me njëri-tjetrin për “munafikët” prej radhëve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nuk vlen më shumë se efekti i shëmbëllimit në një pasqyrë, ku ka vetëm përsëritje. Dhe përsëritja në formën e kopjes diskrediton dhe iniciativën vetë. Dikush u kujtua se jo personazhi fiktiv i filmit “Jeta e të tjerëve”, por një shkrimtar i gjallë, madje nobelist, për më tepër gjerman, Günter Grass, u bë dhe më tërheqës e më i respektuar për publikun e vet, pasi pohoi me ndershmëri dhe ndjesë se kishte qenë i rekrutuar prej Stassi-t. Gjermanët ia vlerësuan kurajën vetjake për të pohuar implikimin me të keqen, askush s’e diskutoi meritën e tij si nobelist. Por në mjediset shqiptare ndodhi e kundërta: “Euro-kloni” shqiptar që përsëriti “mimesis-in” gjerman, duke mos qenë një Günter Grass as në talent dhe as në qytetari, duke treguar për vetveten si rekrut i Sigurimit të Shtetit, përmes mekanizmit “fushatë”, rimbushi shtypin shqiptar me pseudonime, të të gjallëve dhe të të vdekurve, të të afërmve dhe të të largëtve, të shkrimtarëve dhe të miqve të tyre. Shkurt, në Shqipëri, ajo që u nis për ndjesë, duke mos qenë aspak një ndjesë e sinqertë, por thjesht një imitim me dëshirën për t’u investuar diku në Perëndim, u kthye në një stuhi që sëmuri gjithë Tiranën dhe Shqipërinë. Nuk u kursye madje as emri i ish-kryetarit të ndjerë të Kuvendit të Shqipërisë, i cili më parë ishte shpallur “Mandela” i shtetit komunist shqiptar. Sepse në Shqipëri edhe Tirana nuk është gjë tjetër veçse një katund i madh, ku nuk ka asnjë gjasë që të mos e marrësh diçka personalisht, sidomos kur shkrimtarët janë të parët që themelojnë modelin e personalizimit.

Ashtu si në çdo shoqëri tribale, në Shqipërinë e sotme, as shkrimtarëve të kënduar në Perëndim nuk u intereson thelbi i çështjes, ndarja me të kaluarën, problemi vetë, por personat, personat, personat… Dhe pastaj si të mos e marrësh çështjen personalisht, kur ndjesa kthehet në padi publike si vëllai ka spiunuar vëllain, si gruaja është rekrutuar kundër burrit, si një heroinë ka pranuar të bëjë dhe testin e virgjinitetit që të mos bëhej pre e Sigurimit, si ktheheshin në bashkëpunëtorë vullnetarë poetë, piktorë, gazetarë, mjekë dhe gjithfarë emrash të tjerë vetjakë e profesionalë? Në fakt, Shqipëria e sotme ka më shumë pseudonime se ka pasur në vitet e para të hapjes. Por çfarë po ndodh sot? Po ndodh që gjithçka sundohet nga dyfishësia. Është krejt e qartë se kur dikush dëshiron të kërkojë ndjesë publike, duhet ta kërkojë këtë ndjesë publikisht. Por, nëse dikush do t’i kërkojë ndjesë një individi, po aq e qartë se rruga e çlirimit nga e keqja është të shkojë t’ia kërkojë ndjesën atij vetë. Së paku në fillim. Po dhe më vonë nuk mund të kërkojë ndjesë publike pa pëlqimin e individit të rënduar me akuzat e tij.

Në këtë rast pyetja është: shkrimtari ynë europian, që, ashtu si Günter Grass-i nobelist pati guximin t’i kërkojë ndjesë një miku të tij të vjetër pse i ka shkaktuar trauma jetësore, atij vetë, para se të shkruajë në shtyp, a i ka kërkuar personalisht të falur? Nëse jo, pse e përdor publikun për dëshmitar? Në këtë rast, më e pakta që mund të thuhet është se publiku përdoret për veten tënde! Dhe kjo është arsyeja pse dolën të tjerë shkrimtarë më pas dhe deklaruan: kjo ndjesë është false, unë e fal filanin po të falë filani filanin etj.

Kështu, njëri shkrimtar përdor ndjesën që të shtojë bonuset e veta në krizë, tjetri nxjerr fabula të mbushura me dhjetëra emra e pseudonime, një i tretë zbulon të tjerë bashkëpunëtorë, derisa më në fund një lider kryesor komunist shpall dhe ai të vërtetën e vet: si i ka shpëtuar shkrimtarët prej spiunimit reciprok. Ja, kjo është Tirana shqiptare, ku gjithçka synon jo lëndën dhe njohjen, por individin dhe likuidimin e tij si qytetar!