Fenomeni “Çiljeta”

0
59

Mero Baze

Nga Mero Baze

Çiljeta më kujtoi fushatën e vitit 2005. Sokol Olldashi, atëherë kandidat i PD në Shijak, si të gjithë kandidatët ishte përfshirë nga moda e koncerteve me këngëtarët e rinj, që mbledhin njerëz në koncerte në kohë fushatash. Mes tyre ishte dhe Çiljeta. Siç ishte zakon, për shkak të pagesës, secili këngëtar, para se të fillonte këngën e regjistruar, thoshte dy fjalë për kandidatin, për shembull: “Votoni X, se për atë do të votoj dhe unë.” Edhe Çiljeta iu përmbajt kontratës dhe e tha këtë gjë për Sokol Olldashin. Dy ditë më pas, Agron Duka bëri po ashtu një koncert në Shijak. Po ashtu mori Çiljetën. Po ashtu ajo tha: “Votoni Agron Dukën”. Pati nga ata të shtabit elektoral që u mërzitën dhe kërkonin në telefon organizatorin e mitingut. Ai i ra shkurt zemërimit të shtabit: “Më falni, – tha, – po kontrata ishte për dy orë koncert, nuk ishte për gjithë jetën.”

Tani Çiljeta është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD. Problemi i vetëm që shtrohet pas kësaj, nuk është as ekstravaganca e Çiljetës dhe as profesioni i saj i ri dhe i vjetër, por qiraja me të cilën është marrë kjo vajzë e re dhe e lirë për t’u përdorur si imazh i Partisë Demokratike, dy orë pas përfundimit të Kuvendit. I gjithë ky investim jopolitik nuk bëhet as për të respektuar Çiljetën dhe as për të tërhequr ndonjë votë prej saj. E gjithë kjo është sinjal i fortë dhe dëshpërues nga Sali Berisha ndaj kujtdo femre apo mashkulli në atë parti, që mendon se është duke bërë karrierë për shkak të aftësive të tij/saj politike apo përvojës që ka në politikë. Të gjithë ata duhet të kuptojnë se sa pak vlejnë.

Berisha - Çiljeta

Ky është një sinjal së pari ndaj zonjës Topalli, predikuese të moralit, kundër lakuriqësisë dhe gjesteve ekstravagante, si parti e vlerave familjare. Çiljeta ka lirinë e saj dhe s’ka lidhje fare me ato çfarë zonja Topalli përpiqet të predikojë si katolike e devotshme, si grua besnike dhe politikane e përulur. Kjo është një shenjë e pafuqisë së madhe që ajo dhe lidershipi i PD kanë për të respektuar vlerat konkurruese dhe karrierën në PD. Jozefina Topalli ka një staf të gjerë këshilltaresh, disa prej të cilave me më shumë përvojë dhe se vetë zonja Topalli. Por ajo nuk ka fuqinë e duhur të forcojë dot asnjë prej tyre si femra dinjitoze dhe me përvojë në politikë për anëtare të Këshillit Kombëtar dhe është e detyruar të konkurrojë me “femrat e zhveshura” prej Edi Ramës, vetëm nga cilësia e të pasmeve në raport me Çiljetën.

Ky është po ashtu një sinjal i trishtë dhe dekurajues për të gjithë ata intelektualë seriozë në atë parti, që përpiqen të prodhojnë politikë, të formojnë individualitete apo që përpiqen të shpëtojnë PD, qoftë dhe duke imituar një debat brenda saj. Për të gjithë ata “Pashai” i partisë ka vetëm një përgjigje, vlerësimin për çingijet e Oborrit.

Por mbi të gjitha përzgjedhja e saj është një gjest i dëshpëruar që vjen nga sforcimi për të prodhuar një lajm rreth Kuvendit me çdo çmim. Në një Kuvend të partisë në pushtet, që u zhvillua në kulmin e krizës politike, nuk u dha asnjë lajm për zgjidhjen e saj. Në një Kuvend që u zhvillua në kulmin e krizës ekonomike, nuk u dha asnjë lajm për zgjidhjen e saj. Në një Kuvend që u zhvillua në kulmin e spastrimeve brenda PD dhe mungesën e rregullave të lojës, nuk u prodhua dot asnjë lajm për të provuar të kundërtën. I vetmi lajm i prodhuar është jopolitik dhe tërësisht i sforcuar dhe artificial, që nuk i shkon për shtat as jetës së varfër me botën femërore të Sali Berishës. Çiljeta, kjo këngëtare aq shumë e pëlqyer nga një pjesë thuajse jo-kulturore e shoqërisë, i duhet Sali Berishës, po ashtu për dy orë me qira, për dyorëshin e parë pas përfundimit të këtij Kuvendi dhe zgjedhjes së udhëheqjes së re të kësaj partie.

I duhet, që njerëzit të flasin për të, të merren me të, ta lavdërojnë apo ta fyejnë, t’i vlerësojnë gjoksin dhe vithet ose t’ia shajnë ato, siç ua shan Jozefina grave të Ramës, dhe pas kësaj të harrohet që Kuvendi ishte një flluskë sapuni. Gjatë katër viteve Çiljeta është e lirë të mos e konsiderojë veten anëtare të Këshillit Kombëtar dhe as politikane, madje mund të shkojë dhe në koncertet e Edi Ramës. Është sërish me qira, sërish për dy orë, dhe e reja e vetme është se për këtë i ka shkuar në mendje Sali Berishës, si një Pasha i ri që ka nevojë të imitojë haremet, edhe pse nuk është i lirë të ketë Vasiliqinë e tij.