Çfarë i dhe demokracisë?

0
41

 Nga Enton Palushi

Dy muaj pas zgjedhjeve të tetë majit, Kolegji ka dhënë një vendim që ka mbyllur shtigjet për ankimime të mëtejshme për rezultatin e Tiranës.

Përgjatë këtyre dy muajve kryeministri Sali Berisha ka folur rrallë në lidhje me atë që po ndodhte me procesin zgjedhor. Edhe pse mediat, ndërkombëtarët e opinioni publik i kanë pasur sytë e mendjen tek zgjedhjet, ai ka preferuar të jetë i rezervuar. Në vend të kësaj ka folur gjerë e gjatë për dy çështje: për zhvillimin ekonomik dhe për festimet në 100 vjetorin e pavarësisë.

Por përse nuk foli kryeministri për një çështje kaq të rëndësishme të demokracisë siç janë zgjedhjet? Nuk e bëri këtë sepse kërkoi që të lejonte institucionet të bëjnë punën e tyre? Harrojeni! E kemi parë si iu turr prokurorisë e gjykatave kur iu prek Damir Fazlliç, kur po hetohej Gërdeci, Basha e 21 Janari. Ai e bën sepse është e qartë, ai nuk do të mbetet në histori si një njeri që ka bërë diçka për demokracinë. Në vend të kësaj kërkon të mbetet në mendjen e njerëzve i ‘ngurosur’ në objekte. Fjala bie, njësoj siç njerëzit edhe sot e kësaj dite thonë ‘Ura e Zogut’, apo ‘Bunkerët e Enverit’, shumë shpejt do thonë ‘Tuneli i Saliut’.

Dhe kështu po afron 100 vjetori i Shqipërisë shtet. Pas luftërave sfilitëse dhe një diktature të përbindshme, shqiptarët do gjejnë kohë për të analizuar të kaluarën e tyre dhe përpjekjet e bëra për të ngritur shtet. Ndaj, në këto kushte, më shumë se një rrugë që kushton miliarda, vlen për t’u analizuar qasja e këtyre drejtuesve ndaj demokracisë. Më shumë se gjithçka duhet parë se çfarë i ka dhënë shtetit të së drejtës ky kryeministër.

Së pari, nuk i ka dhënë themelin e saj, votën e lirë. Edhe në zgjedhjet e ardhshme sërish vëzhguesit e reporterët e huaj do thonë se ky vend nuk mban një palë zgjedhje të lira e të ndershme. Sado të zhytemi në tekste, të zihemi e të ulërasim se këto zgjedhje janë një hap para, sërish do kemi parasysh verdiktin e thjeshtë të perëndimorëve si kësaj here: ju nuk dini të bëni as një palë zgjedhje lokale. Pastaj edhe logjika e zgjedhjeve që vijnë duke u përmirësuar gradualisht nuk qëndron për shkak se nëse zgjedhjet vijnë duke u bërë më të mira, edhe rezultati vjen duke u bërë më i ngushtë e kështu sërish ajo e keqe ‘e vogël’, që i bëhet zgjedhjeve është e mjaftueshme për t’i shkatërruar. Nëse përpara të duhej polici e armë për të mbyllur atë hendek, tani thjesht të duhet një vendim KQZ-je apo Kolegji për dhjetë vota.

Së dyti, nuk i ka dhënë një institucion moral kësaj shoqërie të drobitur, të çorientuar e të depresionuar. Nuk duhet harruar se ai erdhi në pushtet me kartën e njeriut familjar. Sot është një gjysh që asnjë fëmijë nuk do donte t’i tregonte përrallat. Keni parë njeri në moshën e tij të sillet në atë mënyrë? A reflekton ai njeri urtësi, ndriçim të brendshëm apo dhembshuri? Edhe pse e sulmon ashpër kundërshtarin si një njeri jo familjar, ai i ka bërë një shërbim shumë të rëndë qasjes, që duhet të kenë njerëzit ndaj familjes, sepse tani gjithkush është i lirë ta shohë familjen si një bashkim personash që vjedhin e abuzojnë në emër të kryefamiljarit të fuqishëm.

Çfarë i ka dhënë kësaj shoqërie të rraskapitur e të tensionuar, ku njerëzit janë gati të flijohen edhe për një sherr banal? I ka dhënë përmbajtjen, urtësinë, fjalën e mençur, kompromisin? E kotë të themi që nuk i ka dhënë asnjërën sa kohë shan, fyen, kërcënon me jetë publikisht kundërshtarët e tij.

Apo ndoshta ky njeri i dobët, me mëkate e me vese i është drejtuar Zotit ndonjëherë në të vetmin vend që e ka pasur të detyruar ‘vrasjen’ e besimit? Gjithë çfarë kemi parë janë dy fëmijët e tij, që shfaqen ndonjëherë si myslimanë të devotshëm, njësoj si ata sheikët, që bëjnë sikur falen e gjithë ditën e ditës, mendojnë për çmendurira me para.

Dhe çfarë është edhe më e keqe, ai ka shkatërruar edhe kuptimin që ka fjala bamirësi në këtë vend. Tashmë kjo fjalë është sinonim i fondacionit me biznesmenë pagatorë nga pas, që vetëm bamirësi nuk bëjnë. Pyesni po të doni ata njerëz që mundohen të bëjnë diçka të dobishme për të dobëtit e të varfrit në këtë vend, se si është monopolizuar edhe ‘bamirësia’.

Së treti, ky kryeministër nuk i ka dhuruar këtij vendi asnjë akt të fortë të zbatimit të ligjit. Mosndëshkueshmëria është përcaktimi kryesor, që i jepet regjimit të tij. A ka ky kryeministër një rast të vetëm, që qytetarët të binden se ligji ka qenë i barabartë për të gjithë?

Dhe së katërti, ka bërë gjithçka ka mundur për të ngulitur kulturën e anti-opozitarizmit në këtë vend. Është e trishtueshme të shohësh çdo mëngjes një lukuni mediesh që vegjetojnë vetëm pse kanë në misionin e tyre të zhdukin opozitën.

Por a ka bërë ndonjë gjë të mirë ky kryeministër? Po, ruajti për dy tre vite atë thuajse inerci të ekonomisë me rritje të konsiderueshme ekonomike. Sot buxheti është në pikën më të zezë, që ka qenë ndonjëherë në historinë e vet. Shkurtimet e gjithanshme, anulimet e shpërblimeve dhe heqja e njerëzve nga puna, zhvendosja e taksave të makinave duke i rritur ato më shumë, apo edhe mëkatet me kategoritë në nevojë, janë zgjidhje tipike të Berishës për të rregulluar thjesht diçka shpejt e shpejt tani e për ta lënë zullumin të trashet, duke bërë të kundërtën që i sugjerohet.

Nëse do i besojmë FMN-së dhe Bankës Botërore, Shqipëria edhe për ca kohë nuk do i rikthehet rritjes ekonomike të dekadës së shkuar, por do vijojë të thellojë hendekun mes të pasurve e të varfërve, siç ka bërë në këto vitet e qeverisjes Berisha. Ky është modeli i ekonomisë që na ofrohet, një model që reflektohet tek mënyra sesi kontrollohet territori, se si po bëhen legalizimet, një proces për të cilin nuk po flet kush, tek mënyra se si janë administruar miliarda para të derdhura nga emigrantët, tek mënyra se si fitohet dija me diploma kioskash, etj. Mburret duke thënë se na ka anëtarësuar ne, popullin më pro-amerikan në botë në NATO. Qesh kur thotë se na hoqi vizat, ne, që fati e deshi të lindnim në Europë dhe që ky kryeministër na e vonoi lëvizjen e lirë për vite e vite.

Ndaj në 100 vjetorin e Shqipërisë shtet, është e sigurt që një vlerësim do ketë për ata që ndihmuan në ngritjen e një shteti të së drejtës, një vendi demokratik. Ky kryeministër nuk do ketë vend aty. Përdhunshëm mund të hyjë, por nuk do qëndrojë gjatë.