Gjithë PRESIONI mbi Kolegjin

0
58

 Ka një numër provash që dëshmojnë se mbi gjykatësit e Kolegjit Zgjedhor është ushtruar presion që të rrëzonin Edi Ramën. “Shkop dhe karrotë për ta”, thotë socialisti Fatmir Xhafaj. Pikëpyetjet mbi një proces që nuk ndryshon vetëm Tiranën dhe disa enigma për Meriban Mullain dhe Sashenka Jonuzin në disa histori që nuk kanë mbaruar ende…

Nga Lorenc Vangjeli, MAPO

Ngjan si një film i frikshëm. Me një skenar, i cili do të turpëronte edhe vetë skenaristët profesionistë. Në Shqipëri, fatkeqësisht, është një film i parë shumë herë dhe nuk habit askënd. Me gjyqtarët e Kolegjit zgjedhor, me të paktën një pjesë të tyre, ka ndodhur të ushtrohet një presion jashtëzakonisht i fortë nga politika dhe ka të dhëna të besueshme se të paktën një prej tyre, ka votuar kundër bindjes së brendshme. “Rastësia” dhe një “zinxhir koinçidencash” ka bërë të bjerë në grep një nga anëtarët e trupit gjykues që e bëri Tiranën, fiks dy muaj mbas procesit të votimit, me një kryetar të ri.

Historia përshkruhet me fjalë, por askush nga ata pak njerëz që janë në dijeni, nuk mohon as në konfidencë se mungojnë provat filmike, zanore dhe të llojeve të tjera, që vërtetojnë presionin që politika ka ushtruar mbi ta.

Të premten në mbrëmje, sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, në një debat me gazetarë në Ora News, tek Tonight i Ilva Tares, dha sinjalin e parë publik se Partia Socialiste është në dijeni të shkallës, formës, mjeteve dhe personazheve konkretë që kanë ushtruar presion mbi gjyqtarët. “Shkop dhe karrotë”, përmendi zoti Xhafaj duke shtuar se “mbi një gjykatës është afruar karrotë nga njerëz të afërt të kryeministrit dhe shkop nga persona të inkriminuar, mbi bashkëshortin e tij”.

Një tjetër gjykatës, sipas tij, është verifikuar se ka drekuar dhe është takuar me tre deputetë të Partisë Demokratike në një vend fqinjë. Historia ndërlikohet edhe për shkak se, ndryshe nga të gjitha proceset e tjera të Kolegjit Zgjedhor, ndryshe madje edhe nga sa kërkon Kodi i Procedurës Civile, vendimi i të premtes paradite u dha mbasi gjyqtarët kishin hyrë në dhomën e këshillimit dhe dolën prej andej duke u takuar “me persona të tjerë”.

Asgjë nuk mbetet e fshehtë

Në Tiranë ka pak shanse që të mbetet e fshehtë çfarë dikush apo ndokush do të donte ta mbante të fshehtë. Aq më tepër kur personazhe që kërkojnë fshehtësinë, vijnë nga qytete të tjera dhe e njohin pak Tiranën. Në Partinë Socialiste nuk kanë dyshime. Për një numër “rastësish”, të enjten mbasdite, gjyqtarja Meriban Mullai, thonë burime brenda PS, është parë të hyjë në një kompleks tregtar. E shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ajo është ulur në një bar dhe ka ndenjur aty për rreth gjysëm ore.

Dy truprojet e saj, ata që e mbanin në ruajtje që kur nisi seria e ankimimeve në Kolegjin Zgjedhor, si për të gjithë gjyqtarët e tjerë, ndodheshin pranë tyre. Në këtë kohë, bashkëshortit të saj i afrohet një personazh i njohur në Tiranë, të cilit ju referua edhe zoti Xhafaj dhe kanë biseduar për disa minuta. Vetë zonja Mullai, e rikthyer në sistemin e drejtësisë si gjyqtare në vitin 1999, është ngritur nga bari, duke u ndarë nga i shoqi. Në një nga telefonat e saj kanë mbërritur disa sms dhe pas tyre, telefoni i saj ka dalë vazhdimisht i mbyllur.

Të paktën deri në orën 23.15. Bashkëshorti i saj ka zbritur në parking për të marrë makinën e tij, por për të nuk u interesua askush që të mësonte ku përfundoi. Ky është momenti i dytë që duket se i referohet zoti Xhafaj, kur përmend karrotën. Por as deputeti socialist dhe as partia e tij, nuk shtyhen më thellë dhe më hapur në deklaratat e tyre. Thjesht ata pretendojnë se vendimi i Kolegjit Zgjedhor nuk ka asnjë lidhje me jurisprudencën, por është frut i thyerjes së gjykatësve përballë presionit politik të pushtetit.

Ka dhe një detaj tjetër jashtëzakonisht të rëndësishëm. Ai ka të bëjë me zonjën Sashenka Jonuzi, relatoren e trupit gjykues. Zonja në fjalë, po të enjten mbasdite, thuhet se ka bërë një telefonatë “të çuditshme” me një kolegun e saj gjykatës, duke thënë se situata në Kolegj ishte e vështirë.

Anësia e zonjës Jonuzi në gjykim ishte e dukshme. Në të paktën tre ndërhyrje të saj gjatë parashtrimit të provave nga avokatët e Partisë Socialiste, me portret e mimikë dhe tonin e fjalëve, ajo ironizonte avokatët socialistë. Madje njëri nga ata, Arian Salati, ndërhyri duke i vënë në dukje pikërisht një gjë të tillë, që ishte e pamundur të mos vihej re në sallën e gjykimit.

Tani që filmi për Tiranën përfundoi, do të ishte shumë interesante të zbardheshin të gjitha lëvizjet e gjykatësve, takimet apo dhe telefonatat e tyre. Natyrisht jo me numrat që mbajnë në përditshmëri, por me ato që janë marrë me parapagesë dhe të regjistruar me emra të tjerë. Do të ishte gjithashtu interesante të shiheshin kontaktet e tyre telefonike apo dhe ndonjë udhëtim jashtë shtetit, kryer në ditët e fundit.

Përçartja juridike

Mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë nuk kanë besim tek sistemi i drejtësisë në vend dhe një shifër të tillë e gjen në çdo raport të besueshëm ndërkombëtar për Shqipërinë. Java e parë e korrikut me tre procese të njëpasnjëshëm të Kolegjit Zgjedhor, dëshmoi në mënyrë ulëritëse pikërisht këtë realitet: një sistem drejtësie i kalbur dhe lebroz, që mund t´i shembet mbi kokë çdo qytetari, sa kohë shemb të drejtën dhe mbi një parti që herët a vonë do të vijë në pushtet.

Tërheqja e parë e Partisë Socialiste nga ankesa e saj për shpallje pavlefshmërie të zgjedhjeve në Tiranë, në procesin e të mërkurës, u konsiderua nga të gjithë si një tërheqje taktike. Të dyja palët, PD dhe PS, në mënyra të ndryshme, komentuan të njëjtën të vërtetë: mosbesimin tek trupa gjykuese e të mërkurës dhe varën shpresa të ndryshme në trupën që do të gjykonte të enjten. Edhe për një arsye krejtësisht banale: procesi i të enjtes, për ankimim të KQZ ishte jashtëzakonisht i thjeshtë.

Kolegji duhej të vendoste nëse nga dita e shpalljes së vendimit të KQZ-së për fituesin e Tiranës dhe deri në ditën e ankimimit të PS-së në KQZ për të, kishin kaluar apo jo tre ditë, sa përcakton Kodi Zgjedhor. Avokati i PS-së Arian Salati, në seancën e të enjtes, pati një seri pyetjesh dhe përgjigjesh me përfaqësuesin e KQZ-së. Ato kishin të bënin me faktin nëse vendimi i parë i KQZ-së i 23 majit, mbas numërimit të parë të fletëve të hedhura gabim, ishte apo jo në fuqi. Përgjigja ishte “Jo”! Sepse ai vendim ishte rrëzuar nga vendimi i dytë i kolegjit për Tiranën me relatore zonjën Dhurata Haveri.

Pyetja tjetër kishte të bënte nëse në datën 25 qershor ishte marrë një vendim i ri i KQZ-së që shpallte sërish zotin Basha fitues në Tiranë dhe nëse nga data 25 qershor kur ishte marrë ky vendim e deri në datën 27 qershor që ishte ankimuar PS-ja, kishin kaluar më shumë a më pak se tre ditë. Përgjigjen e kësaj pyetjeje, e dhanë sovjetikët e kolegjit: Rrëzojmë kërkesën e PS-së për mosrespektim të afateve të ankimimit. Sipas tyre, nga data 25 qershor deri në datën 27, kanë kaluar më shumë se tre ditë.

Ndërprerja e gjykimit

Ka dy nene në Kodin e Procedurës Civile që i bëjnë tërësisht “sovjetikë” gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor. Sashenka nga Vlora, që në tetor largohet nga sistemi, sepse del në pension, me siguri i njeh ato nene, 305 dhe 306. Sipas të parit, nenit 305, “Tërheqja e gjykatës në dhomën e këshillimit”, thuhet se: “Pasi palët kanë parashtruar përfundimet e kërkesat e tyre, gjykata deklaron tërheqjen e saj në dhomën e këshillimit, për të dhënë vendimin përfundimtar”.

Relatorja Jonuzi, mbasi kishte pranuar të merrte në shqyrtim edhe provat e paraqitura nga PS-ja për pavlefshmëri të votimit në 8 maj, deklaroi se do të jepte vendim. Hyri bashkë me trupën në dhomën e këshillimit dhe aty ndodhi çudia. Që e dëshmon neni pasardhës i cili urdhëron për dhënien e vendimit se: “Në dhomën e këshillimit, kur bisedohet çështja dhe përpilohet vendimi, qëndrojnë vetëm gjyqtarët që përbëjnë trupin gjykues.

Nuk lejohet që gjatë bisedimit të çështjes të hyjnë e të qëndrojnë aty sekretari i seancës, ekspertë ose persona të tjerë”. Si mund të interpretohet ky nen? Që duhet të ketë menjëhershmëri të dhënies së vendimit dhe se gjatë kësaj kohe, gjyqtarët nuk duhet të ndikohen nga asgjë jashtë bindjes së tyre vetjake e juridike. Ligjvënësit, as nuk i kishte shkuar në mëndje që duke shkruar këtë nen të shtonte: Gjatë kësaj kohe ndalohet të bëhet “gallatë” me shkop e karrotë rrugëve.

Por si e përktheu në shqip relatorja Jonuzi bindjen se i forti, domethënë pushteti ka gjithmonë të drejtë? Menjëherë mbas zbrazjes së sallës së kolegjit, trupa hyri dhe doli nga dhoma e këshillimit. Me një mal me prova për të shqyrtuar dhe me barrën e vendimit mbi supe, gjykatësit u shpërndanë në “drejtime të paditura”, për të zgjidhur si detyrë shtëpie në “shtëpitë” e tyre çfarë do të firmosnin për Tiranën.

“Vendimi shpallet të premten në orën 10.00”, lajmëroi Sashenka.

Dhe gjykatësit u panë të hyjnë në kolegj jo më parë se të premten në orën 08.20. Duke pasur kështu vetëm një orë e dyzet minuta në dispozicion për të arritur në vendimin që po Sashenka e lexoi me sytë përdhe.

Shqipëria si Azerbajxhani

Madhështia e rreme që krijohet shpesh në Shqipëri, kërkon që shembujt të merren nga Shtetet e Bashkuara. Në të gjithë këtë periudhë është përmendur shpesh ndeshja mes ish-presidentit Bush dhe kandidatit demokrat Al Gor në zgjedhjet e vitit 2001 dhe procesi gjyqësor që çoi presidentin Bush në Shtëpinë e Bardhë. Por distanca mes cilësisë së gjyqësorit shqiptar dhe atij amerikan, është pak më e gjerë se ajo që ndan brigjet shqiptare të Adriatikut me ato amerikane të Atlantikut.

Në të vërtetë, Shqipëria është shumë më pranë me Azerbajxhanin në këtë pikë. Një hall të tillë si Tirana e sotme, ish-sovjetikët në Azerbajxhan e kanë zgjidhur njëlloj si Sashenka e Vlorës. Por një vendim i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut që e shqyrtoi këtë çështje, Namat Alyev v.s. Azerbajxhanit, flet kundër të dy palëve të sovjetikëve: “…parregullsitë në regjistra dhe mospërputhjet në tabela/protokolle, siç është mos inventarizimi i një numri të lartë fletësh votimi, nesë vërtetohen se ekzistojnë, janë potencialisht të mundshme për të rrënuar natyrën demokratike të zgjedhjeve”.

Në Tiranë ka ndodhur e njëjta gjë: janë rrënuar zgjedhjet.

Për të shkuar më tej, tek vendimi i kolegjit, e njëjta gjykatë evropiane, “… ka detyrimin të veprojë duke ndërmarrë hapa të arsyeshëm pa vendosur barriera proceduriale strikte në mënyrë eksesive për ankesat individuale”. Kolegji vendosi pikërisht një barrierë të tillë proceduriale për hetimin e asaj çfarë ndodhi në Tiranë. Dhe me të drejtë, sepse kolegji i Sashenkës, di vetëm sovjetikisht dhe refuzon të lexojë anglisht. Sepse Shqipëria është fqinjë me Azerbajxhanin dhe është tmerrësisht larg Evropës apo brigjeve të përtejme të Atlantikut.

Post Scriptum

Dy detaje: i pari, ambasadori amerikan Arvizu të enjten në mbrëmje vendosi disa nota dashamirëse në shkallën nga njëshi në dhjetë, për të qenë më thjeshtësisht i kuptueshëm në gjykimin e tij për çfarë po ndodh në Shqipëri. Dy prej tyre ishin domethënëse, ai tha se qytetari shqiptar meritonte notën 11-të për atë çfarë demonstroi në 8 maj, kurse për KQZ-në e Ristanovit, rezervoi një notë nga pesa deri në gjashtë.

I dyti, Fatmir Xhafaj i tha Ilva Tares në Tonight tek Ora News, se do të shkonin edhe në prokurori për të denoncuar manipulimin e votave për Tiranën. Ajo çfarë nuk thotë askush, është dhe diçka tjetër, që të gjitha proceset e nesërme në të cilat do të marrin pjesë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, në gjykatat e Apelit ku ata shërbejnë, do të jenë objekt vëmendjeje dhe do të ndiqen me kërshëri. Kush shkel në m…, do të vazhdojë të mbajë erë. Dhe kush e bën qoftë dhe njëherë, aty do të vazhdojë ta ketë mendjen.