Mos luani “qoke”

0
65

Muharrem Nitaj

Dy korriku i vitit 1990, sigurisht se mbetet njëra prej datave më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve kudo që ata kanë qenë. Në këtë datë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kishin guxuar ta bënin një deklaratë në mes të rrugës, me të cilën thoshin se Kosova do të ishte njësi e barabartë në federatën ose konfederatën jugosllave, por do të vazhdonte të mos kishte as edhe një lidhje të vetme me Serbinë.

Po në këtë datë, në Shqipërinë të pashkelur akoma nga pjesa tjetër e kombit, ata që ishin shkelur me këmbë për pothuaj 50 vjet, po hapëronin në lirinë e tyre, në eksodusin e madh të lirisë. Botës shqiptare, në këtë 2 korrik të 90-tës, po i dridheshin themelet nga liria e paprekur kurrë.

Si për dreq, fatet e popujve të vegjël që gjatë historisë janë përcaktuar nga interesat e fuqive të mëdha, edhe sot pas 20 e sa vjetësh, po thyhen në kurriz të shqiptarëve.

Më 2 korrik të këtij viti, u tha të ishin arritur disa marrëveshje me Serbinë, e cilat më vonë u cilësuan të mos ishin krejt marrëveshje, të ishin diçka ndryshe, apo të ishin konkluzione, apo muhabete, apo llafe, por që në realitet sipas tyre, ne populli i Kosovës, nuk do të mund të trajtoheshim sipas identitetit që kemi, as me dokumentet që kemi, as me targat që kemi, as me emrin që kemi dhe, më në fund, as me fytyrën që kemi…

Në reagimet e para të kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit, dikush i ra thumbit e dikush patkoit. I pari tha se nuk kishte pasur marrëveshje me Serbinë, por ato që ishin dakorduar paskëshin qenë konkluzione, dhe meqenëse situata qenka kështu, kot se rrafshonin dhëmbë deputetët e opozitës, sepse Kuvendi nuk mund të ratifikojë diçka që nuk është marrëveshje. Kjo gjithmonë sipas kryeministrit të vendit. Kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi, është cituar të ketë thënë se Qeveria e Kosovës paska hequr dorë nga disa elemente të shtetësisë, sepse paska pranuar që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë për në Serbi me karta identiteti dhe jo me pasaporta, që e kanë mbishkrimin e Republikës së Kosovës.

Për më keq, sipas kryetarit të Kuvendit, qeveria paska pranuar që sipas këtyre marrëveshjeve, kufiri me Serbinë të mos cilësohet si kufi shtetëror, por si kufi administrativ. Sigurisht se nuk mund të jenë të sakta që të dy interpretimet e “marrëveshjeve me Serbinë”. Ose e ka huqur kryeministri, ose kryetari i Kuvendit. Nëse ky i dyti është i saktë në formulimet e tij, atëherë atij nuk do të duhej t’i mjaftonte vetëm prononcimi ose konstatimi se qeveria paska hequr dorë nga disa elemente të shtetësisë.

Kryetari i Kuvendit dhe kolegët e tij opozitarë do të duhej të kishin fuqinë që ta kthenin mbrapsht atë që ka ndodhur në tavolinën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ta përmbysnin edhe delegacionin negociator të Kosovës, apo edhe kryeministrin vetë, kjo për shkeljen e pretenduar të Kushtetutës. Ose, në të kundërtën, do të duhej të dilnin para votuesve të tyre dhe të pranonin botërisht se nuk po mund ta kryejnë detyrën që kanë dhe të largoheshin me faqe të bardhë. As kryetari i Kuvendit e as deputetët tjerë nuk kanë marrë mandat për të konstatuar, por për të vepruar në interesin e zgjedhësve.

Në një rast tjetër do të duhej të thoshin se Qeveria është në të drejtën e saj dhe se ata kot po i bien në qafë. Lajmi i fundit për këtë 2 korrikun e mbramë është se presidentja e vendit, as disa ditë më vonë nuk paska një qëndrim të saj për rezultatin negociator të Kosovës me Serbinë. Me gjasë, asaj do t’i duhet më shumë kohë, sepse po e tha me shpejtësi, siç bëri zoti Krasniqi, ajo ose duhet të vihet në mbrojtje të Kushtetutës ose duhet të japë dorëheqje.

Në tekstin e betimit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka pasur edhe një fjali, se ata betohen se do të punojnë në interes të Kosovës dhe për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës. Nëse me këtë marrëveshje janë shkelur këto parime, kryetari i Kuvendit dhe të tjerët që i kanë konstatuar këto shkelje, ose duhet t’i mbrojnë ato, ose duhet të largohen nga Kuvendi. Ndryshe, duhet ta pranojnë se po bëjnë luftë të pistë politike. Ose, mos luani “qoke” me ne.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Zëri”)