Nga: DRITAN HILA
Vite më parë, kur rusët sulmonin Çekosllovakinë, për të rrëzuar regjimin liberal të Dubçekut, saktësisht në vitin 1968, në Pragë, nuk ju doli përpara asnjë ushtar që t’i kundërshtonte. Hasheku kishte vdekur dhe nuk mund ta vazhdonte të shkruante sagën e tij të ushtarit të mirë Shvejk, i cili të paktën në letra dhe mënyrën e tij, të tallej me pushtuesin që vinte nga stepat.
Por me sa duket, vetë personazhi ishte materializuar dhe në udhëtimin e tij drejt Bugjojevicës, të nisur që në motet e Luftës së Parë të Përbotshme, kishte ngatërruar rrugë dhe një ditë të bukur kishte mbirë në malet e Shqipërisë. Për t’iu përshtatur vendit dhe zakoneve, kishte ndërruar emër e fe, dhe nën lëkurën e një vendaliu të quajtur Sali Berisha, u fut në radhët e Partisë së Punës.
Atë që shumë çekë që kishte lënë pas, nuk mundën ta bënin para tankeve ruse në sheshet e Pragës, Shvejku, këtë radhë i ri-mishëruar në vendali të besës e trim, siç vite më vonë e shpjegon në kujtimet e tij televizive, donte ta bënte nga sheshi i Tiranës, dhe t’iu kundërvihej pushtuesve sovjetikë. Për gojët e liga që thonë se ushtari, edhe aq sa i kishte dhënë krijuesi i tij shkrimtar, ishte mjaft komik, ndaj nuk kishte nevojë të bënte edhe këtë histori të dytë në Shqipëri, që më shumë se komike po kthehej në groteske, Shvejkut tashmë shqiptar, nuk i bënin përshtypje, pasi koha i kishte hequr ndjenjën e humorit.
Fati nuk e ndihu që të luftonte rusët në rrugët e Tiranës, por siç dhe thuhet, fati atë që ta heq me një dorë, ta jep me tjetrën. Aq më tepër në këtë vend, ku do zbulonte se shokë, do gjente me shumicë, ashtu si rastet për të shfaqur talentin. Nëse krijuesi i tij, do kishte jetuar, do kishim volume të tëra të bëmave të tij. Por, megjithatë ushtari ynë i mirë, nuk mënon që historinë mos ta lërë pa gjë, dhe të pasuroj atë, të vendit të varfër në begati.
E kush nuk e mban mënd luftën e ushtarit të mirë Berisha për rrëzimin e komunizmit, kur në fillim shkoi tek nismëtarët e PD-së, dhe ju tha që “do jem miku i juaj”, pastaj, ju vuri gishtin njëri pas tjetrit të gjithëve që gjeti aty. Gojët e liga thonë se në njërin nga rastet ishte i dehur, pavarësisht se namin e ka që pijen tashmë nuk e mban, por se cili është rasti, le ta gjejë historia. Ama një gjë është e sigurt, se luftën që kishte vite që ëndërronte, më së fundi po e gjente.
Nuk zgjati shumë dhe luftën tjetër e sajoi më ’97. Fshatarët e vendit të adoptuar, menduan se ju vodhi paratë. Ndërkohë, ashtu si dikur i ndodhte me togerin Lukash, kur e niste për pije, apo t’i rregullonte dashnoret, dhe ai i sillte vetëm telashe, e njëjta gjë po i ndodhte rishtas. Por fati e desh që tashmë nuk ishte ai ushtari që mund të hante dënimet, por rolet kishin ndryshuar dhe ishte ai që mund t’ju nxinte jetën të tjerëve.
Kishte pasur fat në rrugën e tij drejt Bugojevicës, që kishte hasur në këtë vend, ku fjalimeve të tija, si gjithmonë kaotike, dhe për të cilat në vende të tjera e kishin nxjerrë jashtë nga pijetoret, kishte ngrënë dru e burg apo mbyllur në çmendinë, këtu një pjesë e besonin, madje ca më shumë e votonin.
I kujtohej hera e parë në Pragën e fillim shekullit të 20-të, kur sapo e rekrutuan, dhe e mbyllën në çmendinë, vend që aq shumë i pëlqeu e u shpreh se “aty kishte më liri se në shoqërinë që ëndërronin socialistët”. E pra në atdheun e ri, gjeti edhe socializmin, si dhe mos ndëshkimin e të çmendurve. Ku kishte më mirë, krahasuar me rregullin e austriakëve. Ishe fat i madh që të marrët kishin mundësi të rrinin me të saktët dhe kjo të jepte rastin të bëheshin të gjithë njësoj. Pavarësisht se nga cili krah do anonte kandari, nga balanca apo nga koqja e kandarit.
Po sa shokë që gjeti rrugës? Me qindra. Hajdutë që ankoheshin se nuk ju njihej ndershmëria, spiunë që betoheshin në besnikëri, kurvarë që besonin se ky ishte morali i priftit, apo zhgaravitës që nga kapsllëku, budallallëku, apo njëmijë arsye besonin se ishin shkrimtarë të mëdhenj, por fati nuk i kishte ndihur, ju bashkuan në rrugën e tij. Ca i mbajti e ca i flaku. Ca i pranoi prapë, pasi që i kishte flakur, në lukuninë që donte të gjente Bugojevicën e tij, dhe këta herën e dytë i shkonin pas si ogiçër, pasi tashmë personazhi ynë ishte pjekur dhe kishte fituar eksperiencë. Pasi edhe shejtanllëku do eksperiencën e tij.
Kishte shpëtuar që kishte ikur nga Çekia, pasi aty nuk i kuptonin njerëz si puna e tij. Kuptohet që nuk i ishte shuar dashuria për vëllezërit sllavë, sidomos ata të Serbisë, të cilët i ndihmoi me sa mundi, veçanërisht, kur rishtas u sulmuan prapë në fund të shekullit të 20-të nga gjermanët e austriakët, të cilët për t’u maskuar, vunë përpara amerikanët e anglezët që të fshihnin putrën e tyre. Por atij nuk ja hidhnin dot.
Ju çoi naftë vëllezërve sllavë. Ju kërkoi shqiptarëve, adoptuesve të tij naivë, që të mos i besonin aleatët e tyre që po i ndihmonin, pasi, serbët, ashtu si kapelani Oto Kac, që e rrihte dhe e shiste, por thellë në zemër e donte, ashtu edhe serbët kishin të njëjtën dashuri për shqiptarët. Dhe çuditërisht, fshatarët që e mikpritën, e besonin e vazhdojnë ta besojnë.
Por fati i madh, dhuratën më të bukur ia kishte ruajtur përpara. Tashmë ai nuk ishte më as ushtari i vogël dhe i lezetshëm i perandorisë së madhe. Kur të gjithë mendonin se ardhja e viteve 2000, kishte ndryshuar atë dhe botën, në fakt kishte ndryshuar botën, por jo atë dhe vendin që i thoshin i shqiponjave e shqiponjë s’kishte lënë asnjë nëpër male. I kujtoheshin dialogët e delirantit vazhdimisht të dehur, nëntogerit Dub:
– Më njeh ti mua?
– Të njoh.
– E unë të them se nuk më njeh, ose edhe në më keni njohur, ajo ka qenë ana ime mirë. Ndërsa tani do më njihni anën time të keqe.
E pra tani, kishte ardhur koha t’i shqiptonte ai fjalët e Dubit, ndërsa ata që kishte nën të, ta mësonin e pësonin se çfarë do të thoshte. Kush kishte parë ’97-ën, mendoi se nuk kishte më keq. Por në të vërtetë, mëndja e tij e plakur, kishte mbajtur mënd një gjë, që më mirë një tmerr pa fund, se një fund i tmerrshëm. Ndaj nuk kishte më mirë, se t’ju plaste buzën ushtarëve të tij.
Kuptohet që tashmë mjetet dhe synimet kanë ndryshuar, por qëllimi mbetet gjithmonë i njëjtë: që ai të jetë rehat, dhe për këtë nuk ka pse qahet se fati dhe zotësia e kanë ndihmuar që në pijetore mos pijë më veresije, dhe të mos shesë më qen të droguar apo bëjë vizita lart e poshtë, për të nxjerrë bukën e gojës. Po ashtu, falë zotit, oficerë që komandojnë, nuk ka më mbi kokë, pasi oficerët, po merren me rregullimin e botës, dhe e kanë harruar qoshen që ngroh ai. Ndërsa atij, nuk i mbetet veçse t’ju plasë buzën njerëzve që ka rreth e rrotull. Ca kujtojnë se e bën nga lehtësia e tij proverbiale, por shumë e kanë kuptuar se nën aparencën e tij tashmë është përllogaritësi i ftohtë që do vetëm të fitojë.
Kohët e fundit ju futi edhe një stërkëmbës adoptuesve të tij, kur me zgjedhjet e fundit mund të votonin dhe të afroheshin me botën e qytetëruar. Por nëse ata kërkonin Europën, ai do të shkojë në Bugojevicën, për të bërë luftën dhe arritur fitoren që i ka mbetur në mendje. Pasi e kishte thënë që në krye të herës, më ’68-ën e largët:
Në Bugojevicë ne do vemi/Kush s’beson, borxh nuk ia kemi.







