Zgjatën duart atje ku s’u përket

0
81

Arbër Zaimi


Janë duke votuar?  

Sa qesharak është fakti që duzina njerëzish publikë në Shqipëri sherrosen e kacagjelohen në emër të moralit. Dalin në podiume, hypin në katedra, shkruajnë letra të hapura e të mbyllura, dacibao gjithfarësoj, autokritika, elozhe, kritika. Të gjitha në emër të moralit, të këtij substrati mbi të cilin na qenka ngritur kjo kulturë që ne e quajmë “shqipe”.

Pikërisht mbi këtë “përplasje” të moralshmish e të ofenduarish (gjithnjë të parët janë në opozitë e gjithnjë të dytët janë në pushtet), ngrihet retorika jonë politike, duke filluar që nga antikorrupsioni, e duke mbaruar tek… antikorrupsioni. Nëpër të nuk harrojnë të flasin me dashamirësi për popullin, duke mos harruar ta ndajnë atë në grupe sa më të vogla interesi, në mënyrë që lëmosha e lëshuar prej pozicioneve qiellore, të prodhojë sa më shumë vota, pra sa më shumë pushtet.

Mirëpo, sa më shumë flitet për moralin, aq më pak moral ka. Gjendja është skizofrenike vërtet. Por, për të parafrazuar filozofin prishtinas Agon Hamza, morali ynë, ai që thotë që medemek duhen respektuar pleqtë, vlen sa pensioni i tyre. Morali ynë që flet për kujdesin ndaj fëmijëve, vlen sa shkollat tona dhe diplomat e hajvanërisë.

Morali që flet për rëndësinë e punës vlen sa kujdesi që tregojmë për ata që punojnë në të zezë e të keqpaguar, apo për ata që punën e duan, por punë nuk ka. Morali që flet për drejtësinë shfaqet cullak në sallat e gjyqeve ku në 100% të rasteve dënohen fakirët, dhe në 100% të rasteve të pushtetshmit shpëtojnë pa ndonjë siklet.

Ka një dimension të këtij folklorit moralizues që sillet rreth “fjalës së burrit”. Jo vetëm në terma shovenë e patriarkalë, po edhe në sensin e respektit ndaj të vërtetës, kinse ne nuk i honepsim gënjeshtarët, mashtruesit e hileqarët. Farsë, po çfarë farse…

Ne nuk i honepsim rrenacakët? Ne atyre u kemi dhënë dhe imunitet, i kemi pajisur me licencë për të gënjyer sot, e mot… Tash e shumë vjet.

U gajasa dje, kur mësova që në parlament ligji për regjistrimin e popullsisë u votua edhe nga Lefter Maliqi dhe Gëzim Dibra, dy deputetë që as në sallë nuk ishin. Gazetari më tregonte fotot, se si me radhë të nderuarit Bedri Hoxha, Arenca Trashani, Rajmonda Bulku dhe Astrit Bushati e zgjatën nga një herë dorën për të votuar për kolegët e tyre po aq të nderuar, që mungonin në seancën e djeshme.

Ligjvënësit thyejnë ligjin. E thyejnë ligjin për të prodhuar një ligj tjetër, një ligj që shoqëria nuk po e kapërcen dot, një ligj që opinioni nuk do ta pranojë. Një ligj që vë në lojë edhe vetë të qenit shqiptar.

Po, po, u votua me hile, u prodhua një hile, nga baballarët e kombit. Një hile, që njësoj si gjithë hiletë e tjera të tyre, e heq një tullë nga themelet e shtetit e nga ato të shoqërisë, një hile aspak e pafajshme.

Sa herë flasim për moral, duhet të na kujtohen ata pushtetarë, këto gjeste “të vockla e të parëndësishme”. Sa herë që flasim për ligj, duhet të na kujtohen sërish ata, që zgjatjen e dorës aty ku nuk i përket, e kanë kthyer në zanat e në mjeshtëri. Sa herë që flasim për drejtësi… mjerisht duhet të na kujtohet vetja.

Jemi ne populli që qeveriset me patos e me moralizma nga një turmë lëtyrash që çdo institucion e kanë kthyer në rruspihane. Ata nuk lodhen, nuk përkujdesen më që të duken “të mirë” dhe tashmë janë shfaqur bash ashtu siç janë.

S’ka nevojë për hetime të sofistikuara për të marrë vesh se cilët janë, ç’pisllëqe bëjnë e ku e më kë mbarështojnë sjelljet e tyre që po u sjellin fitim. Gjithçka është sheshit, është aty për t’u parë, e nëse nuk arrijmë t’i shohim, atëherë perdeve të syve tonë s’u bën më punë okulisti, zemrave tona nuk i bën punë kardiologu. Si shoqëri, duhet t’i drejtohemi psikiatrit.