Basha: Ishte fitore e ligjshme

0
132

TemA

Kandidati i Partisë Demokratike për kryeqytetin, Lulzim Basha, mbajti deklaratën e mëposhtme në selinë e PD, e cila ishte mbushur me simpatizantë. Por ai nuk ka mundur të mbarojë fjalën e tij për shkak se ia kanë ndërprerë fishekzjarret e një feste të parapërgatitur.

“Të dashur miq, bashkëqytetarët e mi, gëzimi i ligjshëm që na ka pushtuar është një gëzim i hapur dhe një gëzim i merituar. Është një gëzim i ligjshëm sepse kemi korrur një fitore të ligjshme, një fitore të ndershme, një fitore që është shprehje e drejtpërdrejtë e vullnetit të qytetarëve të Tiranës.

Qytetarët e Tiranës besuan në programin tonë e projektin tonë për Tiranën Europiane, dhe mbi të gjithë në seriozitetin tonë për të vënë në jetë këtë sipërmarrje të madhe, që Tirana ka kohë që e meriton.

Gëzimi ka qenë i pandashëm në fushatën tonë sepse i kishim hyrë një beteje të sinqertë për qytetin. Qyteti ynë na thirri ne për ta nxjerrë nga udhëkryqi hallemadh. Vizituam dhe prekëm së bashku rrugë e lagje, rrugica e këndë dhe këqyrëm çdo plagë të kësaj shtëpie të madhe që na strehon të gjithëve. Gjatë kësaj fushatë kam dëgjuar shqetësimet tuaja, dëshirat tuaja për qytetin dhe si kryebashkiak i ardhshëm i Tiranës do ta filloj me pasion punën dhe do të vazhdoj tu dëgjoj.

Qytetarët kanë pasur pushtet si asnjëherë gjatë kësaj fushate dhe do vazhdojnë ta kenë atë.

Zëri i çdo qytetari u dëgjua në procesin zgjedhor dhe zëri i çdo qytetari do dëgjohet tani e tutje në bashkinë Tiranës.

Po kësaj rruge nuk i hymë vetëm, por me shumë miq e shokë, me aleatë e qytetarë të angazhuar në mendjen e tyre për të nesërmen e Tiranës, sepse kryeqyteti është kryeqyteti shpirtëror e kulturor i Shqipërisë, prandaj ishim kaq shumë në këto zgjedhje dhe do jemi nesër edhe më shumë.

Tirana na frymëzoi të gjithëve dhe me këtë frymëzim ne ia arritëm të krijojmë një sinergji, një rezonancë të së mirës dhe tiranasit na besuan, na besuan ndryshimin e vërtetë evropian që ky qytet ka nevojë.

Por Tirana kërkon angazhimin e një sipërmarrje zemrash e vullnetesh të hekurta. Tirana ka nevojë për vizion të sprovuar. Ndaj sot dua të falënderoj qytetarët e Tiranës që gjetën kohë për të ndarë me mua problemet e shpresën.

Dua t’i falënderoj për durimin dhe qytetarinë me të cilën pritën përfundimin e këtij procesi.

Dua sot të falënderoj edhe njëherë partnerët e koalicionit. Një falënderim për komisionerët, numëruesit e vëzhguesit e Partisë Demokratike dhe për të gjithë ata që bënë të mundur që këto zgjedhje të ishin të lira, të ndershme, transparente.

Dua të falënderoj drejtësinë që dha një drejtësi për Tiranën.

Dua të falënderoj bashkëpunëtorët e mi.

Dua të falënderoj Aurelën dhe Dafinën dhe të gjithë familjen time për mbështetjen gjatë kësaj fushate.

Unë do të angazhohem me mish e me shpirt për të mbajtur premtimet dhe do bëj gjithçka mundem për qytetin tonë, duke pasur parasysh çdo bashkëqytetar tonin.

Ndryshimi nuk do të vijë brenda natës, por ndryshimi po vjen, pavarësisht nëse keni votuar për mua apo jo.

Unë ftoj sot të gjithë qytetarët e Tiranës të bashkohemi për të punuar për të ardhmen tonë.

Ejani e bashkohuni me mua për të kthyer shpresat tona në realitet.

Tani puna fillon, ju jeni të parët, Tirana është e para. Ky nuk është më slogan. E ardhmja e qytetit tonë nis.”