Nga Ernest Bunguri
Me vendimin e sotëm të Kolegjit Zgjedhor Luli u bë më në fund kryetar. Nga ana ligjore mori fund gjithçka, ashtu pa befasi edhe për ata/ato që mbaheshin varur tek ajo që vdes e fundit: shpresa. Por në vendim tim kjo rezulton të jetë e pavdekshme, të paktën për sa kohë me frymorët bashkëkombas do të kemi sy për të parë e veshë për të dëgjuar, për tu mos u habitur më kurrë.
Këto ligjet, nenet, e gjithë çfarë mban ajo e vluar Kushtetutë, as nuk i njoh e as nuk i kuptoj. Sidomos kur shoh se dy palë mjaft luftarake, të cilat ja mbërritën më në fund ditës ta çojnë kundërshtinë në skajet më ekstreme, nga ana tjetër dhe për mëse 20 vjet të historisë të cilën po e jetojmë për së gjalli, arrijnë sërish të nxjerrin nga ky pus-kushtetutë do numra e do shifra pa pikë vlere, e ti mveshin ato me forcën e ligjit, nëpërmjet forcës së pushtetit dhe parave. Jo se përbën ndonjë çudi edhe kjo, por thjesht u vërtetua edhe në nivelin më të lartë dhe me transparencën më të pamohueshme se në Shqipëri, ligjin e ka bërë, vazhdon ta bëjë dhe do ta bëjë vetëm “Maliqi”.
Pas këtij vendimi, përdhunimi drejpërsëdrejti me muaj të tërë alla KQZ-Kolegj Zgjedhor rezulton më i rëndë se ai gjatë video-përgjimit Prifti-Meta. Fjalët që më janë ngulitur në mëndje gjatë këtij procesi janë “o kryetar” dhe “o qeros”. Mu si nëpër ato përrallat e hershme, me dallimin e vetëm se në realitetin e vitit 2011, katër kokë të kuçedrës nga shtatë e përpinë “qerosin” megjithë lecka.
Më duhet të shpjegoj se jam njëri prej atyre që e kanë hedhur votën tek njësia numër 5 në Tiranë. Ishte hera e parë që votoja dhe për më shumë, mund ta imagjinoni si majtas ashtu edhe djathtas se ç‘do të thotë të numërosh me sytë e tu (dhe të amerikanit mëngëpërveshur) e në fund të të dalë se ti mund të jesh 1/10. Që prej të dielës më 8 maj nuk kam shkruar më, nuk jam treguar i paduruar me numërimin pa fund, nuk jam nxehur me Ristanin e as nga Toma, nuk më ngacmonte asnjë sherr e tymnajë, as sharjet e fyerjet, as ligjërimet, këndvështrimet e varavingot ligjore.
Për mua këto ishin hungërima dhimbjeje pasi “qerosi” e kish plandosur shatë pash ndër dhé kuçedrën zgjedhore alla-shqiptare, e cila prej dy dekadash na nxin faqen faqe botës dhe s’ka lënë burim pa shterrur për maskarallëqe e pisllëqe nga më të ndyrat. As sot nuk jam i zemëruar me Sashenkën, e cila i fali pasardhësve të saj një të ardhme të pandryshuar, por jam i hidhëruar vetëm për “qerosin” dhe për të gjithë ata që ashtu si unë, besuan në përralla demokracie, në një vend që prodhon vetëm makth në realitet.
Makth pa punë e në punë nga frika se mos të heqin bukën e gojës që s’ngopet nga kjo ekonomi e mjeruar, makth nga mungesa e ujit, makth nga përmbytja, makth pa drita, pa shërbimeve thelbësore, pa drejtësi, me shëndetësi, arsim e kulturë të shkatërruar, pa dinjitet jashtë vendit, makth nga ndërtimet pa leje, nga shkatërrimi i vendbanimeve, detit e malit, makth nga pluhuri e nga plehrat, makth për ç‘do gjë ku duhet të verë dorë shteti i cili kapet qe 20 vjet duke i përdorur për tjetër gjë duart. Pasurimit të frikshëm e të paskrupullt të të zgjedhurve për të shërbyer, i shtohet makthi i gjakut të viktimave të 97-tës, atyre të Gërdecit e së fundmi të katër të pafajshmëve në bulevardin e Tiranës, të cilës më në fund do ja hypë dhe Luli… e keqja s’paska fund!







