Ish redaktori i RD: Preteksti që u gjet për të më vënë prangat

0
68

Shekulli, 18.12.2009

Rrëfimi i gazetarit veteran, ish-redaktor në RD dhe më vonë drejtor i shtypshkronjës “Demokracia”. Kurthi që iu ngrit dhe akuzat për korruspion. Si i ndëshkon kryetari i PD-së ata që i dalin kundër. Akuza qesharake dhe arrestimi që mu bë nga ish-presidenti

Ishte paradite. Në shtypshkronjë më njoftuan të shkoja në prokurori. U çudita edhe pse kisha bërë fjalë me Mehmet Elezin, edhe pse një gazetar i “Bashkimit” që e kisha mik më pati thënë; “Petro ki kujdes, se ata jo vetëm duan të të heqin,por do të të fusin në burg. Kanë takuar Berishën dhe i janë ankuar për ty. Ai u qe përgjigjur se nuk kam si ta heq se e kanë emëruar amerikanët,po mbetet vetëm ta fus në burg…”Prandaj u dha urdhri, o burra t’i kapim Petros ndonjë gabim. Që kryeredaktorët (që do të ishin pas tre vjetësh bashkëpronarë) nuk më donin këtë e dija,por që të arrestohesha pa futur në xhep qoftë edhe një lek, kjo as që më shkonte në mendje. Madje dyshova se mos ai miku im po më provokonte.Megjithatë biseda e tij m’u kujtua rrugës për në prokurori…
Kur hyra te prokurori, zoti Zaloshnja, e kishte fytyrën të vrërët. Po më shikonte me urrejtje.
Më tregoi një letër.
– Kjo është akuza që të bëjnë kryeredaktorët e bordit,-më tha. Për çfarë nuk të akuzojnë.
Më vuri të bëja firmën time.
– Shiko, ke firmosur për Bashkim Trenovën,…po ke përvetësuar edhe 25 mijë dollarë që IMF t’i kishte dhënë për gazetën e ATSH-së,
Ke këmbyer dollarë amerikanë…
Nuk m’i tha akuzat e tjera.Iu drejtua dikujt që, si duket, ishte pas meje:
-Merreni!
Ishin dy policë. Qenë të sjellshëm, se më morën pa më venë prangat. Më çuan drejt e te Burgu 313,që ishte fare ngjitur thuajse me shtypshkronjën. Aty më priste financieri, Maksi. Ishte bërë dyllë i verdhë dhe dridhej. I dorëzova çelësat dhe i thashë të njoftonte në shtëpi. Në oborr të burgut provova ftohtësirën e prangave.
I qetë, i bindur se vetëm te puna e firmës mund të kapeshin, por i trembur pse më akuzonin për 25 mijë dollarët e ATSH-së që nuk i kisha luajtur nga banka se ishin në ruajtje. Thashë mos ndokush ka falsifikuar firmën time dhe i ka tërhequr ato para?!…Kjo do të ishte e tmerrshme.Me këtë frikë hyra në qeli. Shuma nuk ishte e vogël. Aty gjeta dhe dy të arrestuar të tjerë. Një djalë i ri ishte për kontrabandë. Tjetri nuk më kujtohet, po dhe ai si kriminel ordiner, ashtu si përfundova edhe unë, një nga gazetarët në zë të demokracisë.
I thashë vetes: Mos u mërzit Petro, se për atë firmë kur nuk ke përvetësuar as dhe një lek dhe nuk ke dëmtuar askend, nuk kanë se si të të dënojnë me vite, por vetëm disa muaj sa për të të hequr nga posti i drejtorit. Prandaj,vuaje dënimin pse i besove shokut që të tha:”Bëje vetë dokumetin, se ti je drejtori.” Ai të nesërmen do të nisej për në Turqi dhe nuk kishte kohë të merrej me shkresën për hapjen e llogarisë bankare të shtypshkronjës. Në krye të kërkesës kisha shkruar Shtypshkronja Demokracia,USA Democratic Press, në fund kisha shkruar për respekt emrin e presidentit Bashkim Trenova. Ai kishte vetëm 6 ditë që qe zgjedhur në atë post honorifik, sepse për çdo gjë përgjigjesha unë si drejtor. Në vend të vija një P përpara,vura firmën time nën emrin e tij. Ky ishte krimi. Këtë duhet të paguaja.
Minutat mezi kalonin. Në ato çaste më parakalonin ngjarjet që sollën pluralizmin në Shqipëri. Ishin ditët e para kur kishte dalë gazeta RD. Më pëlqeu të them, është pak, por kisha frikë. Babai im qe persekutuar nga PPSH pa bërë asgjë kundra shtetit. Vëllai dhe motra e madhe qenë përjashtuar nga të gjitha shkollat e Shqipërisë si armiq, fëmijë të një familjeje borgjeze. Persekutimi na ndoqi disa vite. Po të ishte pluralizmi kurth i Ramiz Alisë për të parë se cilët janë armiqtë e brendshëm, atëhere fëmijët e mij do ta pësonin.Do të dergjeshin nëpër kampet e internimit…Takoi ato ditë që vajza, ashtu duke ndejtur pasi drekuam, më tha:
“Po ti,o ba, pse nuk shkruan, ti je dhe gazetar. Po shkruajnë ata që nuk e kanë profesion.
-Kush, më thua?
Ja,babai i Stelës (Petraq Kolevica).
M’u bë se vajza më nguli në zemër një thikë.
Të nesërmen takova para gazetës një gazetar të ndershëm që punonte në Komitetin Qendror .E pyeta:” Me të vërtetë e ka Ramizi për pluralizmin, apo është kurth?!”
M’u përgjigj se pluralizmi nuk ndalet më. I besova. Si është fati, nja 100 metra sa u ndava nga ai, takova Vangjush Gambetën në rrugë. Kishte dalë numri i parë ose dhe i dyti i gazetës “Republika”. Më ftoi të punoja te “Republika”. Më në fund, brenda vetvetes,vrava frikën.E quajta dhe e quaj fitore.

***

Lajmin e arrestimit tim radiot dhe televizioni (siç më thanë më vonë) e kishin dhënë menjëherë. Pas nja tre ose katër orësh gardiani i burgut hapi derën e qelisë dhe kërkoi atë që quhej Petro Dhimitri. Më morën me makinë dhe më çuan në rajonin e policisë Nr.1. Pas nja dy orësh me një eskortë policësh më çuan në shtëpi. Fëmijët ishin tmerruar, se gruaja ime ndodhej në Rusi me një grup pedagogësh të gjuhës ruse. Kur më panë ata u gëzuan, por ama isha në arrest shtëpie. Një polic rrinte te dera. Më duket ndërroheshin çdo tetë orë.
Ç’kishte ndodhur që nga qelia drejt e në arrest shtëpie? Kishte ndërhyrë Ambasada Amerikane. Ata e dinin që në shtypshkronjë nuk kishte vjedhje. Kur Berisha kishte ngritur tërë ato akuza te pala amerikane, ata sollën një specialist me emrin Frank për të na ndihmuar. Sapo shkeli në shtypshkronjë, pas takimit me mua, hyri te financieri. Te kompjuteri i tij punoi nja dy ditë. Nuk kishte gjetur as dhe një shkelje. Qe çuditur kur për të blerë letër në Bullgari unë kisha shtuar nga xhepi im 2000 dollarë.- Pse më pyeti? Iu gjegja se 20 ton letër koston kaq. Shtypshkronja nuk kishte aq para, se FMN-ja nuk na la as dhe një dollar gjendje. Nga paratë e mia plotësova shumën që duhej dhe paratë doemos më vonë i mora. E quajti gjest të lartë.
Për avokat i kërkova palës amerikane të merrte zotin Maks Haxhia. Edhe pse e kisha kritikuar në gazetë (sipas tij padrejtësisht, po tani nuk më kujtohet pse ishte kritika), ai pranoi. Erdhi dhe më takoi. Donte të dinte se ku e kisha prekur në kallo Berishën.
– Kryeredaktorët e shtatë gazetave që do t’u falej shtypshkronja pas 3 vjetëve po qe se do të mbijtonte, u kënaqën kur 15 ditë apo muajin e parë pala amerikane i botoi falas. Me që letra po mbaronte dhe amerikanët nuk sollën para, u kërkova dhe për 15 ditë apo 1 muaj të shtypnin gazetat me gjysmën e çmimit të kostos. Ata pranuan, por e vërteta është se tirazhi i gazetave të demokracisë qe tejet i vogël. RD arriti të shtypej vetëm në 2000 kopje. Pra, edhe ata nuk kishin para. Kujtonin që unë bëhesha pengesë që FMN të dërgonte dollarë. Për të zgjatur jetën e shtypshkronjës botova “Cfurkun” që kishte 40 mijë kopje. Në atë kohë botova “Rilindjen” e Prishtinës që na dha dorë, sepse me dhimbje, por për të ekzistuar, i caktova kosto më të lartë nga atyre të gazetave shqiptare. Prandaj kishte dy rrugë: ose dhe të shtatë gazetat duhet të paguanin ose shtypshkronja do të mbyllej. Dhe që mos mbyllej FMN më lejoi të botoja gazetën “Koha Jonë”. Tirazhi i saj ishte 40000 e në disa raste më shumë. Shtypshkronja nisi të merrte veten.Kjo është e gjitha.
Zoti Haxhia i besoi këto,megjithatë më pyeti se ku e kisha prekur Berishën direkt.Atëhere u kujtova…
Po, po kisha kritikuar në RD vendimin e tij mediokër për të diplomuar si juristë në kurse 6 mujore ish- të deklasuar për t’u emëruar gjyqtarë?! Si intelektal, si bir juristi dhe si gazetar këtë nuk mund ta pranoja.
Ai heshti.Po ama punoi me zgjuarsi. Pikësynimi i tij kryesor ishte të bindte prokurorin që nuk kishte të bënte me një armik të demokracisë dhe aq më pak me një kriminel. Prandaj në dy apo tre takimet e tjera që pata me zotin Zaloshnja, ai ishte tjetër njeri.Më trajtoi njerëzisht dhe hodhi poshtë të gjitha akuzat,veç firmës që kisha vënë dhe për të cilën isha i ndërgjegjshëm. Shumë shpejt ai më hoqi dhe policët nga dera. Isha në arrest shtëpie, po ama kisha të drejtë të dilja vetëm me leje. Jo vetëm kaq, por prokuroria nuk erdhi ditën kur qe caktuar gjyqi. Pse? E dinin që do të dënohesha me tre muaj burg, por duheshin edhe 3 ditë që të bëheshin 3 muaj. Po të vinin atë ditë unë duhet të çohesha në burg për 3 ditë. Krijuan bindjen se unë nuk meritoja të shkoja në burg dhe për këtë i falënderoj. Kundër Berishës më tepër nuk kishin ç’të bënin. Ditën që u bënë tre muaj u bë gjyqi dhe u lirova nga salla,por jo duke marrë pafajësi, sepse gjyqtarja Kambo veprimin tim e konsideroi ” krim me rrezikshmëri shoqërore”.
Fyerja që më bëri neodiktatori Berisha dhe lakejtë e tij ndikuan që me dhimbje, shumë dhimbje t’i them lamtumirën Atdheut në moshën 62- vjeçare dhe të vij në Kanada në kurbet. Këtu nuk më mundon pesha e fyerjes që më bëri Berisha. Punoj i respektuar dhe i nderuar, jam dhe anëtar i dy klubeve të artit të Torontos. Jam i lumtur që ndodhem aq larg atyre hijenave të cilët nën petkun e demokracisë damkosin të ndershmin me vulën e turpit. Po Gërdeci është dhjetëramijëra herë një turp më i madh se sigla e firmës sime pa asnjë dollar përfitim. Sepse nuk mund të ketë mashtrim, po nuk pate si synim përfitimin. Ndërsa përfitimi i familjes Berisha nga Gërdeci mbart gjakun e njerëzve të pafajshëm, aq shumë gjak.

Dy letrat e International Media Fund drejtuar Berishës dhe 7 gazetave bashkëpronare.
I dashur zoti president:
Siç e dini, shtypshkronja iu dhurua fondacionit të përbërë prej shtatë gazetave…U urojmë atyre sukses dhe shpresojmë që shtypshkronja do të jetë për Shqipërinë një element i rendësishëm që do të kontribuojë për demokracinë tuaj të re.
Por për ne mbetet një shqetësim.Eshtë fjala për akuzat kundër Petro Dhimitrit.
Përpara se të bënim dhurimin e shtypshkronjës qemë të detyruar të bënim një revizion të llogarive. Ai u krye nga Luan Pustina. Ai e gjeti gjëndjen financiare në një rregull të shkëlqyeshëm, që është meritë e ndershmërisë dhe besnikërisë së Petros. Eshtë rrethanë lehtësuese se ndonjë gabim i Petros nuk është bërë me qëllim përfitimi vetjak, prandaj ne shpresojmë se gjykimi i çështjes së tij do të bëhet duke e patur në mendje këtë faktor. Shpresojmë se çështja e Petros do të përfundojë së shpejti që dhe International Media Fund të kthehet për projekte të tjera në të mirë të Shqipërisë.
Sinqerisht
Marvin L. Stone Bill Sheehan
Kryetar dhe President Këshilltar i parë

5 Janar 1994 (letër e shpërndarë për shtypin shqiptar)

Shtypshkronja Demokracia,themeluar prej Fondit Ndërkombëtar të Shtypit,do t’i dhurohet një fondacioni shqiptar jo fotimprurës më 1 janar 1994. Kjo dhuratë e Fondit Ndërkombëtar bëhet pas një kontrolli financiar të ushtruar mbi shtypshkronjën qysh kur ajo filloi të funksiononte në shkurt 1993. Kontrolli i ushtruar nga një ekspert financiar i pavarur, konfirmoi se të gjitha llogaritë janë në rregull, se ishin paguar të gjithë taksat e detyrimet ndaj shtetit dhe përmbushur të gjitha detyrimet.Për më tepër shtypshkronja i kalon fondacionit shqiptar me një gjendje të mirë financiare. Fondi Ndërkombëtar i Shtypit ia di për nder Petro Dhimitrit i cili ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i shtypshkronjës “Demokracia” qysh prej fillimit të saj. Zoti Petro Dhimitri dha dorëheqjen nga detyra e tij kështu që pronarët e rinj mund të caktojnë drejtuesin e tyre. Fondi Ndërkombëtar i Shtypit me konsideratë të lartë e pranoi dorëheqjen e tij duke e falenderuar zotin Petro Dhimitri për ndershmërinë dhe përkushtimin si dhe për aftësinë drejtuese që ai shfaqi në drejtimin e shtypshkronjës. Maksim Lika, financieri, gjithashtu dha dorëheqjen. Kontrolli financiar është provë e veprimtarisë së tij lidhur me çështjet e biznesit dhe të shtypshkronjës. Fondacioni,i themeluar sipas të drejtës shqiptare,u organizua nga të 7 gazetat që edhe më parë ishin partnere të Shtypshkronjës Demokracia.
William Sheehan
Këshilltar i Parë i Fondit Ndërkombëtar për Shtypin,
Washington D.C
(Këto letra janë marrë nga libri “Kundër Komunizmit,”JO” edhe Berishës!, në faqen 246-248)

Petro Dhimitri, gazetar veteran dhe artdashës, erdhi në faqet e gazetës “Shekulli” me kujtimet e tij personale pas rënies të komunizmit. I emëruar drejtor i shtypshkronjës “Demokracia”, dhuratë amerikane për shtypin e pavarur në Shqipëri, dhe duke punuar edhe si redaktor në gazetën RD, organ i PD-së, Petro Dhimitri ishte në qendër të sulmeve që ende bëheshin nga partia, me të njëjtin mentalitet si në komunizëm. Ndërsa RD-ja kishte humbur shumë nga qëndrimi i saj pro partisë, edhe kur ajo e kishte gabim, shtypshkronja për të mbijetuar kishte vendosur të pranonte për shtypje edhe gazeta që ishin kundër PD-së dhe qeverisë, siç ishte “Koha Jonë” dhe disa të tjera, të cilat falë tirazhit, arrinin ta nxirrnin nga kolapsi financiar shtypshkronjën. Por kjo nuk i shkonte për shtat ish-presidentit Berisha, i cili gjeti një pretekst për të larguar nga skena Dhimitrin, pa hezituar që sulmi ndaj tij të shkatërronte një jetë njeriu. Në pjesën e dytë të intervistës Petro Dhimitri, prej 7 vitesh emigrant në Kanada, tregon se iu ngrit kurthi nga Berisha dhe njerëzit e tij.

Sa gisht kishte Berisha në akuzat kundër jush dhe me çfarë qëllimi?

-Nuk e di sa gisht ka ai. Po aktori kryesor kundër meje ishte ish-kandidati dhe anëtari i Komitetit Qendror të PPSH-së Mehmet Elezi, shok, mik dhe disa kohë këshilltar i paemëruar i Berishës. Ai ishte kryeredaktor i “Bashkimit” që në atë kohë kishte fare pak lexues dhe nuk kishte para për të paguar botimin e gazetës.Ai u mësua se nja një muaj gazetat e bashkëpronarëve u botuan pa para dhe pastaj për një kohë të shkurtër paguan vetëım gjysmën e kostos. Donin që kjo kohë e artë të vazhdonte,po unë nuk mund të lejoja falimentimin e shtypshkronjës,sepse do të ishte e rëndë për demokracinë. Ky qendrim, si duket, nuk u pëlqeu,dhe vendosën të më hiqnin qafe.Njoftuan dhe palën amerikane për abuzimet në shtypshkronjë. Megjithatë, edhe pse specialisti shqiptar ende nuk kishte filluar revizionimin financiar, vepruan para se ai të fillonte kontrollin. Si pretekst gjetën një dokument që kisha firmosur për Bashkim Trenovën, për të hapur llogarinë bankare për shtypshkronjën. Me që Bashkimi do të shkonte në Turqi, më tha bëje vetë kërkesën Petro. Për respekt unë shënova emrin e tij si kryetar i bordit dhe vura firmën time nën emrin e tij. Më patën thënë se ata kishin shkuar te Berisha dhe ai u kishte thënë se nuk kam ç’ti bëj Petros. Atë e kanë emëruar amerikanët. Mbetet vetëm që ta fus në burg për abuzime financiare. Kur në kontrollin e parë nuk gjetën asnjë abuzim, sepse inspektori demokrat ishte njeri i ndershëm, u kapën te firma për hapjen e llogarisë bankare. Më arrestuan akoma pa filluar kontrolli i amerikanëve. Përsëri ky revizion nuk nxorri asnjë cent abuzim financiar. Megjithatë unë duhej të fajësohesha. Ja,ky është gishti “demokratik” i Berishës për arrestimin tim të bujshëm. Ambasadori Ryerson do të ketë ndërhyrë menjëherë, prandaj pas disa orëve që ndejta në qeli me dy hajdutë e kontrabandistë më nxorën dhe më lanë 3 muaj në arrest shtëpie, sepse Berisha kishte vendosur të më hiqte,duke venë në përdorim thënien klasike të Makiavelit se qëllimi justifikon mjetin.

Ju si veteran i gazetarisë, keni patur kontakte të afërta me politikëbërësit e monizmit dhe më pas të pluralizmit. Si mund t’i portretizonit ata?

-Nuk mund të bësh krahasime midis udhëheqësve të kohës së diktaturës me ata të ditëve tona,se Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia me shokë kishin një ideal. Luftën kundër pushtuesit ata e gërshetuan me luftën për sistemin komunist që do t’i binte në pushtet. Ata bënë çmos ta transformonin Shqipërinë, por sistemi dhe rruga që zgjodhën ishte tejet e gabuar: ishte një diktaturë vrastare. Të vetmin përfitim vetjak ata patën jetesën në një nivel shumë të mirë, kur populli,sidomos vitet e fundit, jetonte në mjerim. Ndërsa Sali Berisha me shokë (disa ish- komunistë dhe bij personalitetesh të PPSH-së) u vunë në krye të revoltës popullore antikomuniste kur ky sistem në tërë Europën u rrëzua, më shumë për interesa vetjake, pra për t’u pasuruar duke zhvatur se sa për t’i shërbyer Atdheut. Brenda 24 orëve, si me urdhrin e peshkut, ata u shnndërruan nga komunistë të vendosur në demokratë të zjarrtë. Lufta për pushtet si për ata dhe zotin Fatos Nano e një pjesë të stafit të PS-së u bë dhe bëhet vetëm për t’u pasuruar sa më shumë. Megjithatë disa nga politikanët e postdiktaturës duhen vlerësuar për kontributin e tyre.Një prej tyre është zoti Sabri Godo.Kam bindjen se largimi i Eduard Selamit ishte një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri. Edhe heqja e zotit Pandeli Majko aq shpejt nga posti si kryeministër ishte një kthim prapa. Për thellësinë e mendimeve dhe maturinë politike kam respekt për Prof. Servet Pëllumbin si edhe për zotin Alfred Moisiu. Por këta politikanë nuk ishin violinat e para urdhërdhënëse që ishin vetëm “çifti” Berisha-Nano. Ç’mund të them për politikanët shqiptarë përdorin një gjuhë prej rrugaçësh, kur Mediu ende nuk po i jepet drejtësisë që Gjykata të vendosi për fajësinë ose pafajësinë e tij, kur akoma për votimet ka aq ankesa dhe kur opozita nuk i njeh zgjedhjet në një kohë që Europa i vlerësoi ato si të rregullta.?!Ato katër kuti votimi “magjike” ku edhe mund të ketë parregullsi, prandaj dhe nuk hapen, nuk duhet kurrsesi të bëhen pengesë për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në Europën e Bashkuar. Eshtë një situatë që sado optimist të jesh, të shkakton deziluzion. Deziluzion, sepse nuk mund të presësh nga një njeri si Berisha të bëjë zgjedhje të ndershme. Po të lerë pushtetin, Gërdeci sot për sot i “heshtur” nesër do të jetë akuzuesi kryesor kundër tij. Besoj se një ditë,kur drejtësia të jetë drejtësi, Mediu ka për të folur për Gërdecin…

‘Hakmarrja e Berishës ndaj mediave kritike’

Prej 7 vitesh bën jetën e emigrantit, larg Shqipërisë, në Kanada. Në moshën 70- vjeçare, me pasaportë shqiptare dhe kanadeze, Petro Dhimitri nuk e fsheh se kjo ishte ajo që kishte menduar për këto ditë të jetës së vet. Çdo të thotë të jesh emigrant në këtë moshë?. “Do të thotë që të lësh pas shpine ç’ke qenë dhe t’i përvishesh punës së ndershme për të mbijetuar”. Gazetar në të dy sistemet për 32 vjet, I apasionuar pas pikturës dhe artit, autor i tre librave të botuar në vitet ’90, Petro Dhimitri e përkufizon jetën e vet me një fjali: “Përpjekje për të qenë dikushi. Në fillim si artist e pastaj si gazetar”.
I diplomuar për pikturë, pastaj për gjuhë-letërsi dhe për mëse 3 dekada si gazetar, Dhimitri e ka të vështirë të thotë sot se çfarë do të zgjidhte të parën. “Deri më 2002 fusha ime më e preferuar ka qenë gazetaria, në të njejtën kohë edhe pikturoja, madje kisha një dhomëz si studio te një atelie piktorësh”.
Sot, pas disa vitesh qëndrimi në Amerikën e Veriut, në Kanadanë që ai e vlerëson si një vend shumë të bukur, Dhimitri i rikthehet në një rrëfim për gazetën « Shekulli » historisë vetjake, asaj që nuk do të donte t’i ndodhte askujt dhe që e bëri të ikte zemërthyer nga atdheu.

Z.Dhimitri, ju punuat rreth 32 vjet në gazetari shumicën në shtypin e kontrolluar nga Partia e Punës. Çfarë ishte një gazetar në atë kohë, çfarë kufijsh dhe urdhrash duhej të ndiqte për të mos dalë jashtë vijës?

– Gazetari i ndershëm në çdo sistem mbetet figurë e nderuar. Në socializmin tipik shqiptar gazetaria ishte krejtësisht e kontrolluar nga Partia. Udhëzimet dhe urdhrat jepeshin direkt nga Drejtoria e Shtypit e Komitetit Qendror, ku, po qe se nuk gaboj, kryeredaktorët thirreshin në mbledhje çdo javë. Gjithashtu çdo ditë nga Drejtoria e Shtypit bëheshin telefonata për gabimet që mund të kishin dalë. Ata telefononin deri për diciturat. Kur hyra një natë te kryeredaktori i gazetës “Bashkimi”, Niko Nishku, ai ishte i mërzitur dhe, duke patur dorezën e telefonit në dorë, më tha: “Nuk na lëjnë të punojnë, duke na kritikuar pse keni shkruar kështu në këtë diciturë. Iu thashë:”Ju lutem, na lini të punojmë të qetë dhe na bëni vërejtje kur të analizoni gazetën për tre muaj, gjashtë ose një vit.” Pastaj uli dorezën e telefonit.

Si e kontrollonte partia gazetarinë? Dhe në një paralelizëm me gazetën e parë të një partie opozitare, RD-në, si e kontrollonte Berisha?

-Partia u jepte kryeredaktorëve orientimin me udhëzime të qarta e të padiskutueshme. E njëjta melodi u përsërit edhe kur u përmbys diktatura.Vërtet ra sistemi, po njerëzit ishin të brumosur me mentalitetin monist. Në PR udhëzimet i jepte zoti Godo që ishte tolerant dhe i përgatitur. Me të mund të punoje me qejf, por ama disa nga vartësit e tij donin vetëm të diktonin. Me dorë më të fortë drejtonte Berisha RD-në. Ai e hoqi Frrok Çupin pikërisht se donte të bënte ligjin mbi gazetën. Këtë mendim e vërteton katërcipërisht edhe ky episod: Zoti Eduard Selami erdhi në mbledhje në RD. Me që gazeta po humbte lexues, sepse nuk kishim fare kritika për gabimet që bënin kuadrot e PD-së në rrethe, i thashë që duke kritikuar gabimet e njerëzve tanë ne rrisim kredibilitetin e PD-së dhe të gazetës. Duke heshtur ne bëjmë gabim të madh, se kështu nuk e ndihmojmë partinë. Përgjigja me një ton të qetë e të kulturuar ishte se kjo është gazeta e Partisë dhe nuk do të ketë asnjë lloj kritike për kuadrot tona në bazë edhe kur ato bëjnë gabime. Në atë çast ndjeva dhimbje në shpirt dhe heshta. Një kujtim të hidhur kam kur Berisha,në vend që të ndryshonte urgjentisht ligjet e PPSH-së, kërkoi t’i zëvendësonte gjyqtarët me ish- të deklasuar ose me idhtarë të PD-së që do të bënin vetëm kurs 6 mujor. Atëhere botova në RD një shkrim të gjatë ku argumentoja se në çdo sistem gjyqtari është profesionist që duhet të zbatojë vetëm ligjin. Ai nuk mund të mos zbatojë ligjin, edhe pse mund të jetë jo ish -i zgjedhur i PPSH-së, po idhtar i PD-së. Kur qe mbledhur forumi i lartë i PD-së, Berisha e kishte kritikuar atë shkrim, prandaj kryeredaktori e shtroi në mbledhjen tonë se nuk duhet t’i kundërvihemi vendimeve që merr partia si p.sh. veproi Petro kur botoi artikullin për gjyqtarët me kurse disamujore. Të gjithë heshtën edhe pse e dinin mirë që gjyqtarët nuk ka pse t’i kemi partiakë e aq më pak të pakualifikuar. Përshtypje të hidhur më la reagimi ndaj grupit të Gramoz Pashkos dhe Arben Imamit të cilët kundërshtuan një vendim të Berishës të cilin ata e quanin të padrejtë. U trajtuan gati si armiq. Kulmi i veprimit neodiktatorial të Berishës ishte kur Eduard Selami hodhi idenë që në të ardhmen kryetari i partisë duhet të jetë kryeministër për të zbatuar programin e partisë. Kjo sepse,për shumë gjëra, Meksi nuk zbatonte programin e partisë. Në konferencën e shtypit, kur një gazetar e pyeti zotin Eduard Selami: “Po qe se forumi ku do të shtrohet teza juaj, nuk e miraton atë, ju çdo të bëni?”. Përgjigja ishte: “Secili, aq më shumë kryetari i një partie, në demokraci ka të drejtë të parashtrojë ide dhe të bëjë propozime. Po nuk u miratuan ato, nuk do të thotë se ai duhet të ikë nga partia. Prandaj dhe unë do të vazhdoj të jem në PD se jam anëtar dhe kryetari i saj”. Po Berisha e hoqi menjëherë, edhe pse jeta tregoi që ai kishte të drejtë. Aktualisht Berisha është edhe kryetar i partisë, edhe kryeministër.

Çfarë klime sundonte në RD dhe si shfaqej rivaliteti dhe lufta për pushtet në PD, në paskuintat e lajmit?

– Në RD punova pak dhe nuk hyra shumë në marrëdhënie me partiakët, se nuk isha as dhe anëtar i PD-së.

Pse u larguat nga RD ku ju punuat si redaktor?

-U largova,se fillova punë si Drejtor i Shtypshkronjës “Demokracia”,USA Democratic Press, me që isha emëruar nga International Media Fond (IMF).

Gjatë drejtimit të shtypshkronjës “Demokracia”, si ishin marrëdhëniet me partinë në pushtet e cila dihet se nuk i kishte aq për zemër mediat kritike?

-Sa kam qenë drejtor nuk ka patur ndonjë bllokim gazetash. Kontradiktat e mia me PD-në filluan kur me miratimin e IMF-së që na financonte, lejova botimin e gazetës “Koha Jonë”. Ajo, edhe pse ishte gazetë opozitare, e botuam për arsye financiare se kishte tirazh të madh dhe na jepte mundësi të mbijetonim. Për këtë veprim bisedova me IMF-në, të cilët më thanë se biznesi nuk duhet ngatërruar me politikën. Shtypshkronjën e ndërtuam për të ndihmuar gazetat antikomuniste nga ana financiare, po kjo nuk do të thotë se atje nuk do të botohen edhe gazeta të tjera. Po nuk u botuan te ne, ato diku gjetkë kanë për t’u botuar. Ne jemi për shtypin e lirë dhe nuk kemi pse bëhemi pengesë për asnjë gazetë, botimi i së cilës jep fitime. Fitimi ishte i dukshëm. RD në atë kohë kishte (me sa mbaj mend) 2000 deri 3000 kopje, ndërsa “Koha Jonë” botohej me 40000 e deri 50000 kopje. Gazetat e tjera bashkëpronare e kishin tirazhin nga 1000 deri 2000 kopje. Me tirazhin e tyre shtypshkronja falimentonte brenda dy muajve.

Ju keni botuar tre libra për këtë periudhë. Si e përshkruani aty monizmin, pluralizmin, gazetarinë, PD-në e të tjera parti, Berishën me miqtë dhe kundërshtarët e tij.

-Në tre librat”Kundër komunizmit,”JO! edhe Berishës”,”Me Berishën drejt Europës?!” dhe “Rënia e Presidentit” analizoj fillimet e lëvizjes demokratike,marrjen e pushtetit dhe shkoj deri kur Berisha u rrëzua si President nga skemat piramidale që ai i mbështeti fuqimisht.Kam ndjekur hap pas hapi veprimtarinë e tij me të mirat, gafat e gabimet e mëdha që e detyruan të heqi dorë nga posti i Presidentit.

Si ndodhi konflikti me Berishën?

-Me të direkt nuk kam patur kurrë konflikt dhe as jam takuar për të biseduar veçmas. Madje të tre librat e mia,edhe pse në to ka shumë kritika për të,ia kam çuar si dhuratë me autograf. Por ai nuk mund të toleronte që një njeri i cili botoi gazetën “Koha Jonë” të vazhdonte të drejtonte shtypshkronjën amerikane që ishte dhuratë për gazetat antimoniste. Do të kenë ndikuar edhe ankesat e puthadorëve të tij që donin të botonin gazetat pa para ose me fare pak para.

Si e kishte përballuar shtypshkronja “Demokracia” lindjen dhe botimin e shumë gazetave?

-Në fillim pala amerikane na la 20 ton letër dhe kimikate për 6 muaj deri 2 vjet (më duket). Po 20 ton letër konsumohen shpejt, prandaj na lindi nevoja që jo vetëm bashkëpronarët të paguanin për koston e materialeve,por të gjenim klientë për të përballuar shpenzimet. Prandaj botuam “Cfurk-un”, gazetën “Rilindja” të Prishtinës dhe gazetën mollë sherri për mua me emrin “Koha Jonë”. Kjo na dha dorë dhe për 4-5 muaj që drejtova shtypshkronjën nga 0 lekë si fond e lashë me 40 mijë dollarë amerikanë.