VISAR ZHITI: SHKRIMTARËT QË BËNË DOSJEN TIME MBAJNË POZICIONE TË NDJESHME

1
67

 INTERVISTË-PRESS

Zhiti: Dosjet duhen hapur. Kemi një rrjet të tmerrshëm të fuqishëm të spiunëve që sundojnë, që mbajnë pozita dhe që dëmtojnë!

SHKRUAN: Ilda Lumani, 04-07-2011

Çdo përgjigje e tij rrjedh si një poezi… Po a mund të flasë ndryshe një shkrimtar si Visar Zhiti?! Spunton e kësaj intervista e mora nga botimi në gazetën “Mapo” të akt-ekspertizës së shkrimtarëve të Lidhjes (së Shkrimtarëve), që çuan në dënimin e Visar Zhitit. Por biseda me të rrodhi edhe në kanale të tjera, të prekshme, të ndjeshme, të dhimbshme… me të vërteta që djegin. Aq më tepër, kur e di që njerëzit e torturave i sheh jo thjesht rrugëve, por edhe në pozicione të ndjeshme… Apo kur mëson se të tjerë si ai, nuk e përballuan dot dhunën, kërcënimin, shtrëngimin dhe u bënë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit… dashje padashje biseda shkon edhe te shkrimtari Fatos Kongoli. Më tej tek Safo Marko, së cilës, sipas Zhitit, iu targetua edhe faji i shkrimtarit!!!

Zoti Zhiti, këto ditë është botuar në gazetën “Mapo” dosja juaj e formuluar nga anëtarët e Lidhjes, përpara se t’ju çonin në hetuesi, nga do të vinte më pas edhe dënimi juaj. Cila ka qenë ndjeshmëria juaj?

Së pari ju falënderoj për vëmendjen, marrjen në konsideratë të saj. Më është dukur një akt qytetarie dhe i guximshëm për të njohur të vërtetën, qoftë edhe të hidhur. E konsideroj si një akt që nuk ka të bëjë vetëm me mua, por dhe me shoqërinë dhe kthimin edhe njëherë tek e vërteta, pasi shpesh jemi larg saj. Ndjesia ime vetjake ishte tronditëse! Mua më kujtohej ajo dosje vetëm në hetuesi, atëherë në vitin e largët të shekullit të kaluar. Ato më sollën atë jehonë, atë zhurmë qelish, dyersh, hapash, britmash, torturash, ulërimash, të cilat kam shumë dëshirë të harrohen, por njëkohësisht të harrosh, nuk do të thotë që po i lë rrugë të keqes të përsëritet. Shoqëria ka nevojë t’i kujtojë në mënyrë që të mos krijohet mendësia e përsëritjes. Shkurt ishte një tronditje, ajo që pashë në gazetën tuaj.

Ata që përgatitën dosjen tuaj ishin kolegë të Lidhjes. I njihnit? E dinit kush ishin?

Po, ata i di sepse m’u shpallën, por unë nuk di emrat që më ndiqnin apo që më kanë denoncuar, sepse në dosjen e hetuesisë ata figurojnë me pseudonime. Shpesh herë edhe me pseudonime të bukura, siç është “Penda e Artë”, – që më vjen mirë që nuk e kam marrë atë çmim, se më kujton ndjekjen, – apo edhe pseudonime si Shkëndiaja apo Mali. Më është bërë i njohur Peneli, një ordiner nga Kavaja, nuk e di a ka lidhje me atë zhurmën që bëri ajo kavajsja në zgjedhje, por si i tillë ishte edhe ai.

Po me anëtarët e Lidhjes, kishit njohje personale?

Po, po. Nëse e vutë re akt-ekspertizën, ajo fillonte me anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve. Librin që kisha dorëzuar për botim ua kisha dhënë unë në duart e tyre dhe deklaratat e tyre bënë që të merrej ai dënim që u mor. Mua më bën përshtypje se akt-ekspertiza është bërë para se unë të dënohesha dhe ata avancojnë në drejtimin e së keqes, sepse më konsiderojnë armik. Unë nuk isha cilësuar ende armik në atë kohë. Se të jesh armik e vendoste gjyqi. Ata thoshin ky pseudopoet, ky armik, etj. Pra ata kanë paraprirë gjyqin, ndoshta-ndoshta ata ishin gjyqi i vërtetë!

Jeni takuar më pas me këta njerëz?

I kam parë, i kam parë! Janë aktualisht në detyra të ndjeshme! Njihen!

Kanë pozicione të rëndësishme?

Njihen! Jo aq sa unë (qesh)! Po një pjesë e tyre janë edhe në Itali apo Angli. Gjithsesi, ky ndoshta është shkrimi më i mirë i tyre, akt-ekspertiza për mua. Është i vetmi rast ku ata janë botuar edhe në vende të tjera të botës.

Nuk është aspak e lehtë të shohësh pikërisht ata njerëz të jetojnë jetën sikur të mos kenë lënduar askënd në botë…?

Unë të jem sa më i saktë e sa më i drejtë, e di që nuk është se janë vetëm ata. Edhe ndoshta ata nuk e kanë pasur të lehtë të bëjnë këtë gjë. Jo se ishte e pamundur të kundërshtoje, edhe mund t’u thoshe JO, por ndoshta janë ndjerë edhe ata keq, dhe u është kërkuar diku më thellë kjo gjë. Pra, mund të mos ketë qenë e tëra gëzimi i tyre i zi kjo gjë, por nuk kanë pasur forca ta kundërshtojnë dhe pas tyre ka të tjerë. Unë do të pëlqeja që ata më çiltërsisht, qoftë me mua, qoftë me veten, qoftë me kohën të shpjegonin diçka: si u është kërkuar? Si kanë qenë të detyruar ta bëjnë?

Dhe e vetmja keqardhje, kur i shoh, është pse nuk e ndihmojnë kohën, veten e tyre dhe të vërtetën, për të qenë më mirë gjithçka! Ndonjë hakmarrje nuk më duket me vend ndaj tyre, sepse ajo që më ndodhi mua nuk ma kthen dot askush, as Zoti! Keqardhje tjetër është se ata shpesh herë mezi na durojnë kur na shikojnë, sepse ne u kujtojmë fajin dhe mëkatin dhe, sipas tyre, duhet të ishim groposur akoma më thellë. Kjo më trishton, që nuk shoh ndjenjë pendimi apo aftësi për të kërkuar ndjesë. Institucioni i ndjesës, ose mungon, ose është keqpërdorur, si ndonjë ndjesë personale që shohim në ndonjë pothuajse roman!

Këtu i referoheni romanit të Fatos Kongolit?

Jo nuk e di, m’u kujtua vetvetiu.

Gjithsesi, ai roman dhe ndjesa e tij në të, për dëshminë që ka dhënë në gjyq ndaj një kolegu, është bërë pjesë e debateve të fundit, çka sollën edhe identifikimin e një prej agjenteve, një tjetër personazh i njohur…

Po, kam qenë edhe unë në këtë vorbull. Jam pyetur madje. Dhe kam thënë diçka që ma kanë cilësuar si të ashpër. Kam thënë se këto janë si skuadrat e pushkatimit, që pushkatojnë, por nuk pushkatojnë njëkohësisht ata, sepse është një urdhër diku tjetër i atyre që mund të mos kenë kapur kurrë armë me dorë, por ja që firmosin apo urdhërojnë pushkatimin! Por nuk duhet ta lejojnë veten të përdoren, sidomos kur ajo ka të bëjë me njerëz publikë, me shkrimtarin, kur ai në një farë mënyre është deputeti shpirtëror i popullit apo tribuni i tij. Shkrimtarët-deputetë, atëherë i kanë shërbyer diktaturës.

Sipas jush, dëshmia e Kongolit ishte po aq e dëmshme sa edhe ata që e spiunuan atë, denoncuan e më tej ndëshkuan?

Mund të thoshte JO. Pse jo?! Mund të thoshte jo, e mbase nuk do të ishte shkrimtar aq i përkëdhelur apo s’do ishte shef, por ama nuk do ishte e thënë se do të shkonte ku shkoi ai, kolegu i tij, të cilin e përcolli me dëshminë e vet, shkrimtari!

Po faktin që e publikoi këtë të dhënë pas kaq vitesh, si e komentoni?

I duhej atij. E ndjeu së brendshmi ta thoshte tani, është puna e tij, e ka shpjeguar. Kur e lexoj më dhimbet! Më vjen keq!

Z. Zhiti, ju vetë keni pasur oferta për të qenë bashkëpunëtor i Sigurimit?

Po, disa. Dhe njëherë kur u arrestova në qeli, hetuesi më ulëriste duke më thënë: “I poshtër, maskara, ti nuk e meriton atë që kemi menduar për ty dhe kërkesën tonë”. Meqë e hapët këtë, kujtoj një provokator që e kam pasur në qeli. Është histori e gjatë për të thënë pse e di që ishte provokator, (sepse e kam shpjeguar në librin tim “Rrugët e ferrit”), i thosha shpesh një poezi të mrekullueshme të përkthyer nga Petro Marko për bashkëpunëtorët e sigurimit. Poezi e një poeti kuban Nicolas Guillen, “E gjora Dona Maria/ e mjera që s’di gjë/ biri i saj gjarpër pa zë/ paguhet nga policia/ dje si dhelpra me zile/ vinte rrotull shtëpisë sime/ i veshur me rroba civile/ e gjora Dona Maria/ e mjera që s’di gjë/ bir i saj gjarpër pa zë/ paguhet nga policia/.

Më bënte shumë përshtypje kjo poezi, se elegjia është për nënën e mjera ajo. Dhe në një farë mënyre, më është kujtuar ajo dhe kam thënë i mjeri Petro Marko, sepse atë që nuk ja bëri dot e tmerrshmja lufta civile e Spanjës, atë që s’ia bënë burgjet e fashizmit, e komunizmit, e mbretërisë shpesh herë, si të thuash ja bëri familja! Gjëja më e rëndë për të ishte burgosja e të birit. Ai të paktën nuk pa ikjen e tij të parakohshme, dhe njëkohësisht nuk pa atë gjëmën që bënë gazetat duke nxjerrë emrin e bashkëshortes së tij, si agjente sigurimi.

Mendoni se Petro Marko e ka ditur për bashkëshorten e tij?

Besoj jo! Nuk ja aprovonte. Edhe ajo nuk ka pasur forcë ta kundërshtojë. Ka dashur që të nxjerrë të birin nga burgu, me çmimin e tmerrshëm, duke futur të tjerët.

E justifikoni veprimin e saj?

Veprimin e saj nuk e justifikoj! Kishte plot përgjigje të tjera, me humbje natyrisht, por them më vjen keq. Nëse ngelet hetimi apo kërkimi që të fillojë me Fatos Kongolin, pra ai për shkak të një dënimi, dhe të përfundojë me: “Jo nuk është ai shkaku, por është Safo Marko” dhe të mbyllet këtu… Të dy këta janë mjete, janë përdorur. Duhet pyetur kush i urdhëroi ata? Pse i urdhëroi? Urdhëruesit kush i urdhëroi? Dhe të mbajë përgjegjësi penale! Të gjithë nga pak.

Fakti që doli në këtë mënyrë emri i Safo Markes, për shkak të rrugës që ndoqi kjo histori, a nuk është e gabuar?

Po, e konsideroj të padrejtë! Madje ne e pëshpërisnim emrin e saj, e dinim me njëri-tjetrin, por kur merr vulën, kur bëhet e njohur publikisht, pra zyrtarizohet në një farë mënyre, unë do të thosha se nuk është radha e saj. Dhe kur prish hierarkinë e së keqes, radha duket sikur po e ndëshkon të keqen me një të keqe të madhe. Kjo është e padrejtë.

Ju duket e vonuar hapja e dosjeve? A do të hapen një ditë ato?

Dosjet duhen hapur. Edhe janë hapur. Por duhen hapur të atyre njerëzve që shquhen apo kërkojnë të shquhen. Është e nevojshme që publiku ta dijë me kë ka të bëjë. Kemi një rrjet të tmerrshëm të fuqishëm të spiunëve që sundojnë, që mbajnë pozita dhe që dëmtojnë!

Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse nuk hapen dosjet!?

Po në dobi të vendit, në dobi të kohës, edhe në dobi të tyre do të ishte mirë që të hapeshin pa dëmtuar moralin, por njëkohësisht duke shëndoshur moralin, pasi ka një rënie të tmerrshëm morali.

Ka moral sot në Shqipëri?

Po, natyrisht, vetë pyetja tregon se shqetësohemi për të. Diku ka rënë shumë, diku është vrarë, diku qëndron. Një komb nuk përbëhet nga shumica, përbëhet nga njëshi, nga dinjitari i tij. Unë jam një nga ata që besoj se Shqipëria ka moral!

Z. Zhiti, po rikthehem edhe njëherë tek oferta e bashkëpunimit. Për sa ju përket juve, mund të na tregoni konkretisht, ato kanë ekzistuar vetëm brenda burgut apo edhe kur keni dalë jashtë tij?

Po kanë ekzistuar, edhe ofertat, edhe shtrëngimet, edhe detyrime, edhe kërcënime, qoftë në kohën e burgut, qoftë mbas tij. Sidomos mbas burgut më kanë thirrur, më merrnin hoteleve kryetari i Degës, nënkryetari, operativi i Intelektualëve, (më çudisnin këto termat e tillë, që paskësh pasur operativ të intelektualëve) dhe vinin, madje më mbyllnin në dhoma hoteli me orë të tëra. Hiqnin xhaketën që t’u dukej arma, kërkonin e i binin rrotull, aq sa në një moment më thanë që ti do të shkosh prapë në burg, siç reagon sepse le që do ngelesh gjithë jetën punëtor… Dhe unë u thashë po, sipas stilit të tyre, po Partia e Punës është dhe gjëja më e madhe ishte se ata më thanë, ‘po, po, aty mbahu ti, me ato jeto, me budallallëqe të tilla’. Pra, as ata vetë partinë e tyre s’e donin. Apo e shpërdoronin. Apo e dinin që ajo është një maskë, një klik vrasësish, që vriste përditë njerëz.

Vetë humbja e lirisë është gjëja më e rëndë për një individ, por torturat e burgut sa të dhimbshme ishin?…

Në burg ne nuk jetonim, thjesht rronim! Ishim qenie që merrnim frymë, shërbenim për të shtyrë vagonë, për të nxjerrë mineralin. Është një punë e madhe kolosale e papaguar. Me vlerën e asaj pune janë paguar spiunët, janë botuar botimet e shkrimtarëve, që sot janë bërë të lavdishëm, janë paguar udhëtimet e tyre, udhëtimet e bllokut. Unë e kam thënë që në Shqipëri ekzistonte një simetri, simetria midis dritës dhe errësirës. Çdo buzëqeshje e gjithkujt në atë kohë paguhej me lotët apo me errësirën e të tjerëve. Që Shqipëria të vendosë ndryshim shpirtëror moral ka nevojë që këto të dyja të ballafaqohen dhe të falin njëra-tjetrën.

Po pas burgut, çfarë ju rëndonte më shumë?

Pas burgut unë isha i dënuar me humbjen e së drejtës elektorale dhe me humbjen e së drejtës së profesionit. Isha mësues, kisha mbaruar për gjuhë-letërsi dhe të drejtën e botimit e kisha të humbur. Unë shkruaja fshehurazi edhe në burg, edhe kur dola prej tij shkruaja. E drejta elektorale më kishte humbur nga fronti demokratik. Unë isha një autor ndër të paktit të dënuar për poezi, dhe nuk më jepnin të drejtë të shkruaja nga Fronti, që mesa di unë, ky front ka pasur në përbërjen e vet edhe shkrimtarë.

Shkrimtarë që shkruajnë ende?

Po sigurisht. Mbas 90-ës post diktatoriale, u evidentuan edhe më shumë këta shkrimtarë. Pra nuk janë ndaluar shkrimtarë dhe duhet t’i jemi mirënjohës kësaj kohe. Jo vetëm që nuk ndaloi shkrimtarë, por solli edhe shkrimtarë të ndaluar, që nga Fishta që i kishin ndaluar varrin, erdhi ai, erdhi Konica, Ernest Koliqi që janë korifejtë e panteonit të letërsisë shqipe. Ndërkohë erdhën dhe emra të ndaluar si Kasëm Trebeshina, si Pjetër Arbnori, si romancieri i shkëlqyer Astrit Delvina, poetë të ndryshëm, pra një plejadë yjesh të zinj (po e quaj në këtë rast) që po i sillnin dritën e moralit dhe të së vërtetës letërsisë shqipe.

Në dokumentet e botuara, përmendet dhe njohja, miqësia juaj me Frederik Reshpjan…

Kam pasur miqësi, Frederik Rreshpja ishte një nga njerëzit që po të mos kishte diktaturë, po të mos kishte dhunë, ishte një nga njerëzit më të mrekullueshëm, me një fantazi të ç’thurur, tamam fantazi shkrimtari, një mitoman gjenial do të thosha, që po të mos kishte diktaturë, ai do të bënte vepra akoma më të shkëlqyera. Unë e njihja, kur isha student në qytetin e tij në Shkodër na afronte shumë, ishte i lirshëm, guxonte, dinte të tallej me dhunën e shtetit, por ama nuk dinte t’i rezistonte presionit, dhunës, nuk dinte të rezistonte dhe këtë pikë të dobët të tij e shfrytëzuan. Nuk u qëndronte dot gjërave mund të them..!

Ç’ndodhte me njerëzit kur nuk pranonin të ishin bashkëpunëtorë?

Nëse e kërkonin për bashkëpunëtor dhe nëse nuk pranonte, fillonin represionet ndaj tij. Kishte dhe presione të tilla që e merrnin me makinë dhe e linin 3 orë larg shtëpisë, në një vend që ai nuk e dinte. Kthehej në këmbë pas dy ditësh, i përbaltur. Apo nisej me shërbim në një qytet tjetër e arrestonin atje, i vinin batanijen mbi kokë, që të mos e shihnin kush ishte, dhe qelia e tij dyllosej, që edhe polici i qelisë të mos dinte kë kishte brenda. Vinte kryetari i degës i atij rrethi dhe i kërkonin bashkëpunim. Di që ka pasur njerëz plot që e kanë pranuar, por ama di edhe mjaft të tjerë që i kanë thënë ‘jo’ kësaj gjëje, si për shembull Jorgo Masho, i cili është një djalë nga jugu që i ka thënë ‘jo’. Siç më kanë thënë dhe emra të tjerë që i kanë thënë po bashkëpunimit. Kur nuk pranonin si në këtë rast, i mbanin në qeli dhe nuk i lironin më këta, sepse u doli një sekret dhe në një farë mënyre forcat e sigurimit dështuan me këtë njeri dhe i gjenin një faj dhe e dënonin.

Cilat kanë qenë torturat më të rënda?

Torturat ishin nga format më mesjetare, t’ia lidhësh këmbët me rripin e pushkës dhe t’i biesh pushkës për t’i enjtur këmbët, t’i krijosh plagë dhe t’ia lyesh me kripë që t’i djegin, t’i shkulësh thonjtë, t’i shkulësh dhëmbët, ta varësh në mënyrë të tillë që këmbët t’i cikin pak në tokë, por njëkohësisht të mos prehet dot, lënia pa ujë, lënia në uri, lënia në diell me orë të tëra, ose rënia e pikës së ujit në kafkë gjatë me net të tëra dhe e fundit fare, ajo më e turpshmja, më e pamoralshmja, përdhunimi i pjesëtarëve të familjes në prani të personit… e keqja është se vërtetë ka pasur ligje të rënda diktatoriale që shkelnin katërcipërisht të drejtat e njeriut, shkelej jeta e tij dhe vdekja e tij, por edhe në këto ligje kaq të poshtra tejkalohej. Forcat e sigurimit, armata e operativëve, e oficerëve, e spiunëve, e kanë tejkaluar dhunën. Shpeshherë ambiciet e tyre, apo epshet e tyre, i kanë realizuar duke zbatuar këto ligje. Dhe diktatura i ka përkrahur atëherë i ka mbështetur, i ka dekoruar, ndërsa sot nuk kanë pësuar asnjë gjë.

Ekspertiza e plotë e Lidhjes për poezitë, që e dënoi me 10 vjet burg

SHKRUAN: Shpëtim Koli, 30-06-2011

Visar Zhiti u arrestua në përvjetorin e themelimit të PPSH-së, më 8 nëntor 1979. Pak ditë më parë në Tiranë ishte bërë edhe një ekspertizë e veprës së tij letrare. Më 14 prill 1980 Gjykata Popullore e Shkodrës mori në gjykim dhe vendosi penalizimin e Visar Zhitit, duke kërkuar 10 vjet burg për të. Në arsyetimin e gjykatës thuhej se Zhiti kishte mbaruar studimet e larta në vitin 1974 dhe menjëherë ishte emëruar mësues së fshatin Vilë të Kukësit. Vlerësohej se duke filluar nga viti 1972 e deri në çastin e arrestimit, kishte zhvilluar agjitacion e propagandë, “i ndikuar nga ideologjia borgjeze revizioniste në fushën e letërsisë dhe arteve, nga leximet e autorëve të huaj, nga shoqërimi me armiq të pushtetit popullor, si Frederik Reshpja”.

Kjo “veprimtari armiqësore” ishte kryer edhe nëpërmjet ditarit personal. “Krijimtaria e tij politike karakterizohet nga një frymë armiqësore, nga një fantazi e sëmurë, paqartësi dhe hermetizëm, ekuivoke të rrezikshme e me nëntekste politike, konceptime moderne etj., të cilat si në aspektin politik ideologjik dhe në atë të shprehjes janë të ndërthurura me njëra – tjetrën dhe i shërbejnë qëllimit armiqësor të të pandehurit, por edhe mund të grupohen dhe konkretisht” – thuhej në vendim. Për këtë arsye, gjykata miratonte kërkesën e prokurorit, duke e dënuar Zhitin me 10 vjet burg, në bazë të neneve nr.55/1 dhe 25 të Kodit Penal të RPSSH-së. Zhiti do vuante dënimin deri më 28 janar 1987.

Ekspertiza letrare e veprës së Visar Zhitit

Ne, anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe redaktorë në redaksinë e poezisë pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, sipas kërkesës së organeve të Punëve të Brendshme Tiranë, ekspertuan krijimtarinë poetike të autorit Visar Zhiti. Ka 7 vjet, duke filluar që nga viti 1972 që Visar Zhiti sjell për botim librin e tij. Ky ka qenë një problem serioz për redaksinë e poezisë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Edhe pas plenumit të 4-t të KQ (1973), ky letrar ka vazhduar me ndërgjegje të ecë në gjurmët e një poezie të huaj për shoqërinë tonë dhe të mbushur me ide të gabuara politike, me koncepte dekadente ose “të majta” dhe me një ndikim të hapur të poezisë moderniste reaksionare.

Në të gjitha variantet e sjella në redaksi, ai ka po ato poezi, po atë koncept për poezinë, gjë që dëshmon se ai me bindje ka vazhduar të ecë në një rrugë të gabuar politike dhe artistike. Fantazia e sëmurë, paqartësia dhe hermetizmi, ekuivokët e rrezikshëm me nëntekst politik, konceptimi modernist kanë qenë disa nga tiparet kryesore të poezisë së tij. Duke analizuar për së afërmi dhe tërësisht poezinë e këtij letrari, arrijmë në përfundimin se gabimet e tij janë të rënda dhe bien ndesh me gjithë zhvillimin e poezisë sonë të realizmit socialist. Gabimet e tij, që reflektohen nëpër poezi, mund t’i ndajmë në 3 grupe.

Së pari, në shumë poezi ka pikëpamje të gabuara politike në vështrimin e realitetit tonë. Ta konkretizojmë këtë me shembuj nga krijimet e tij. Në poezinë e vitit 1972 gjejmë vargje të tilla: “Dëgjo miku im, ca fjalë që dridhen/diell të dytë do të krijojmë/me gjakun që derdhet”. Në poezinë tonë, dielli është simbol i Partisë i marksizëm–leninizmit, i komunizmit, në përgjithësi i idealeve tona të shenjta. Kurse ky autor thotë: “diell të dytë do të krijojmë me gjakun që derdhet”. Tek ne nuk derdhet gjak dhe kjo mbetet një shpifje për realitetin tonë dhe dielli i dytë është kundërrevolucioni për këtë autor. Këtë ide ai e shpreh më hapur në poezinë “Eci” ku thotë: “E di që do të dal në një arë me diell”, pra është konsekuent në mendimet e veta armiqësore.

Dhe këtë “diell”, ai e parashikon të vijë nëpërmjet shkatërrimit të diktaturës së proletariatit. Për këtë flet hapur në poezinë “Homeri”: “Iliada ime lexohet kudo, tha ai (Homeri)/Iliada juaj s’ka mbaruar akoma/dhe iku …” Poema “Iliada’ e Homerit përshkruan shkatërrimin e Trojës së lashtë nga grekët; një Iliadë të tillë, pra shkatërrimin tonë, pret dhe autori i këtyre vargjeve. Në poezinë “Fytyrat”, motivi është i përcaktuar në kohë dhe hapësirë; kjo të bën të mendosh që ato që thuhen, i atribuohen njerëzve tanë. Tek njerëzit tanë, te punëtorët dhe fshatarët tanë, autori sheh ambicie në sytë e tyre, sharje që varen buzëve si jargë etj., duke shtrembëruar kështu pastërtinë e figurës së njeriut tonë të ri. Ai nuk ka afeksion për këta njerëz, po për vajzat e spiunëve, siç thotë në poezinë “Gruas sovjetike” me vargjet: “Vajza jote – statujë tragjike e miqësisë/unë vajzën tënde e dua sinqerisht”.

Këto vijnë e trashen dhe në librin e sjellë në redaksi në vitin 1974. Në poezinë “Pakënaqësia ime” gjejmë vargjet: “Pakënaqësia ime s’kënaqet nga gjoksi/brinjët i thyej copë-copë si frëngji/deri në pamundësi”. Kjo është esenca e gjithë këtyre shfaqjeve armiqësore. Autori nuk është i kënaqur me realitetin tonë dhe është gati të thyejë edhe brinjët e tij, vetëm të dalë nga ky realitet, të cilin ai e quan frëngji. Vazhdojnë këto edhe në librin e vitit 1976. Në poezinë “Natyrisht, nuk jemi gjithmonë fëmijë” lexojmë: “Unë nuk çava përpara në art, sepse paskam dashur gërmadhat/por nuk më deshën/dhe s’më ndihmuan/sepse unë duke u bërë burrë/do të isha talent/i tmerrshëm! … Dhe nëpër depo e lanë zemrën time si një mi/që bren veten e vet…”

Ai e ndien veten të persekutuar padrejtësisht dhe e parandien se fundi i tij do të ishte i turpshëm. Akuza që ai bën kundër shoqërisë sonë, që e shtyp këtë “talent të tmerrshëm”, siç e quan ai veten, është shpifje, sepse ky pushtet i ka dhënë shkollë dhe punë, pra nuk e ka lënë “si një mi që ha vetveten” në depo, por i ka dhënë të gjitha mundësitë që të ecë në jetë si njeri i ndershëm, duke e bërë edukator të brezit të ri. Më tej vjen poezia “Dritaret” me këto tri vargje: “Dritaret/janë britma ime që të braktiset me forcë/dhoma e errët e vetmisë”. Ja si e karakterizon ky element armik vendin tonë “një dhomë të errët vetmie” dhe për këtë ai kërkon “braktisje me forcë”, duke aluduar kështu në një veprim kundër-revolucionar. Por këtu ka edhe një farë sinqeriteti. Si element armik, ai e ndien veten të vetmuar dhe të braktisur në ambientin tonë revolucionar.

Probleme të kësaj natyre gjejmë edhe në poezinë “Fusha e betejës”, “Lagjja ime e vogël”, “Dreri”, “Macja dhe macja e pasqyrës”, “Tromba dhe burokratët”, “Studentët e Shkodrës (strofa e III), “Fëmijët e detit”, “Mermeri i ditëve dhe i statujave”, “Revolucioni”, “Baladë moderne për një skllave”, “Vrulli i mençur”. Më hapur shprehet ky element armik te poezitë “Mikut tim që punon”, “Fëmija me këpucë të mëdha”, “Djali i Rozafë Xhulisë”, ku pozicioni i tij armiqësor është i përcaktuar mirë. Kjo për faktin se shpreh “shqetësimin” e tij për një fëmijë malësor që zbret së pari në qytet dhe ngaqë nuk ka ç’të veshë ka mbathur këpucët e mëdha të të atit (në poezinë “Fëmija me këpucë të mëdha”, kurse në poezinë “Xhulia” një malësore shkon në universitet e veshur me xhaketën ushtarake që ia dhanë të vëllait, kur ai mbaroi shërbimin ushtarak. Këtu duket qartë qëllimi i tij.

Me këto vargje kërkon të njollosë jetën tonë dhe shpif për mirëqenien ekonomike që u ka sjellë socializmi, ashtu si gjithë popullit, edhe malësorëve tanë. Në librin e vitit 1977 gjejmë poezinë “Do të dal kundër robërisë”, megjithëse i është thënë gjithmonë që është me nëntekst, por ai mjaftonte vetëm me ndërrimin e titullit. Edhe në librin e vitit 1978 gjen të tilla gjëra. Në poezinë “Bisedë me një punëtor për Partinë”, autori ka një koncept të “vetin” për Partinë në strofën I, kurse poezia “Sfinksi”, me karakterin e saj të papërcaktuar dhe në lidhje me mjaft poezi të tjera të gabuara, fsheh një mendim të poshtër. Paralele të fshehura ka edhe në poezinë “Në amfiteatrin e madh”, ku lexojmë vargjet: “ndoshta një djalë të guximshëm/ (ai paska fytyrën time)/e burgosë në sallën me tigra/se desh të bënte kryengritje”.

E paadresuar është edhe poezia “Poetëve që mbyllën në kullën e fildishtë”, që mund të interpretohet edhe si reagim kundër poezisë sonë, sidomos me vargjet “vallë ç’duhet bërë për të shpëtuar poezinë nga fati i drunjtë i dobësive?!” Në librin e vitit 1979 është poezia: “Ne, 20-vjeçarët që shkuam në fshatin e ri socialist’. Poshtë titullit të saj është vënë një citat i shokut Enver. Por fundi i poezisë nuk përkon me të, bile e kundërshton. “Valle burrash me Mic Sokolin në krye” nuk ka asnjë detaj nga koha e Mic Sokolit; kështu, edhe kjo fsheh mendimin e autorit. “Njerëzit e punës” – fillimi dhe fundi i kësaj poezie janë shprehje e një anarkie të thënë troç. Së dyti, në mjaft poezi ky pseudoletrar shpreh hapur edhe botëkuptimin e tij ideologjik të huaj për shoqërinë tonë, sidomos lidhur me rolin e artit. Kjo del në poezinë “Vagneri”.

Ky është një kompozitor i njohur gjerman, që ka të mirat dhe dobësitë e tij. Ai shpreh në veprën e vet protestën kundër shoqërisë borgjeze të asaj kohe, por protesta e tij është individuale dhe e mbyllur në vetvete. Ka edhe një gjuhë të vështirë muzikore për t’u kuptuar. Pikërisht këtë zgjedh si “idhull”, si mësues të vet, ky element armik. Veç kësaj, kuptohet që këtu s’i drejtohet Vagnerit, por simbolit të tij, pra, artistit që është kundër rendit ekzistues dhe i bën thirrje “të flakë” tej jorganët e heshtjes, të thyejë llambën e zbehtë të gjumit, të nënshtrojë qentë, t’i bjerë ballit të ftohtë të mosmirënjohjes” etj. Pra, ai bën thirrje për një art që të ngrihet kundër socializmit. Në poezinë “Kockat që kalben” (1972) gjejmë një influencë të hapur nga poezia e sotme revizioniste.

Plot nëntekste të kësaj natyre janë edhe poezitë “Gurët e një lumi”, “Natë dimri”, “Mos lyeni këpucët” etj. Konfuzion ideologjik vumë re edhe në librin e vitit 1978. Në poezinë “Pjekuria”, autori huton një vajzë 16- vjeçare me “filozofitë” e tij; kurse në poezinë “Lirikë me zogj dhe me burokratë” burokratizmin e sheh si fatalitet kur thotë: “Lart e më lart/veç kujdes, kujdes/se lart janë edhe zogjtë naivë” dhe në fund predikon “të ecim në rrugët e vërteta njerëzore”. Problem është poezia “Tregimet e dimrit” (1979), ku spikat tendenca drejt një poezie me prirje borgjezo-revizioniste, që shprehet me shkrirjen e çdo kufiri të prozës me poezinë. Poezia mbart idenë e dashurisë “pan-njerëzore” në dy strofat e para. Një udhëtar, në një natë dimri troket në një shtëpi malësore. Derën ia hap një grua e re, e cila thotë autori: “s’e ngriti fenerin të shihte se kush isha. Mjafton që fytyra ime ishte e njeriut”.

Pra, malësori ynë, sipas këtij pseudopoeti, ia hap derën kujtdo, mikut dhe armikut, mjafton që ai t’i shkojë në shtëpi. Kurse realiteti ka treguar se malësori ynë s’e ka pranuar armikun në shtëpi. Mendja e sëmurë e bën këtë element armik që të sajojë edhe fenerë në malësi, kur dihet që drita elektrike ka shkuar kudo në vendin tonë, edhe në skajet më të largëta të atdheut. Nëntekste kanë edhe këngët që vihen në fund, në gojën e plakut dhe të mbesës. Në poezinë: “Ç’do t’i thuash Migjenit më 1937” gjen jehonë një mendim i disa studiuesve kosovarë për “subkoshiencën” në veprën e Migjenit (“Ti ‘Migjeni’ brenda teje ndjen një ulërimë ujku të përzier me yje”), “Kravata s’do të kishte kuptim/në qoftë se s’do të bëhej litari i varjes” – si ka mundësi që t’i thuhet kjo gjë Migjenit!

Në poezinë “Një çështje e errët në jetën e M. Golemit”, ai përkrah një tezë të rrëzuar nga historiografia jonë dhe thotë diku se “… dhelpëria e domosdoshme/s’qenka dhelpër, por qenka luan …” pra, mjeti justifikon qëllimin. Së treti, nga pikëpamja e konceptimit dhe e mjeteve të shprehjes, ky pseudoletrar përgjithësisht është në pozita moderniste, edhe formaliste. Flagrante për këtë janë poezitë e vëllimit të vitit 1976, tre vjet pas plenumit të 4-t të KQ, kur krijuesit dhe opinioni ynë kishin dënuar me forcë shfaqje të huaja të këtij karakteri. Këtu përmendim poezitë “Përrallë e vërtetë e radios”, “Lahuta”, “Këngë me kitarë për Frederik Garcia Lorkën” (shtrembëron thelbin e poezisë së këtij autori të madh). “Mund të flasim edhe ashpër për të kuptuar bukurinë” etj. Kurse poema “Ruman partizan’ është një krijim i mirëfilltë simbolist dhe i çoroditur. Këto krijime janë shkruar sipas modeleve të shëmtuara të poezisë që kultivohet sot në vendet borgjezo-revizioniste dhe lexuesi e ka të vështirë të kuptojë se ç’thonë vargjet, cili është mendimi i autorit.

Këto janë një kundërvënie e hapur ndaj mësimeve të partisë për artin dhe ndaj letërsisë së metodës së realizmit socialist, qëllimi i së cilës është edukimi komunist i masave punonjëse. Duhet thënë se këto qëndrime armiqësore të këtij elementi armik që theksuam si në aspektin politik, ideologjik ashtu edhe në atë të konceptimit të mjeteve të shprehjes (të cilat spikatin fund e krye në krijimtarinë e tij) nuk janë të ndara me thikë, përkundrazi ato thuren me njëri-tjetrin dhe i shërbejnë njëri-tjetrit në qëllimin e këtij pseudoposti. Pas kësaj analize, arrijmë në disa përfundime. Ky element armik është i bindur në mendimet e tij të gabuara dhe armiqësore. Vërejtjeve të redaksisë, këshillave që edhe ai ta vërë talentin në shërbim të popullit, V. Zhiti s’ua ka vënë veshin fare; përkundrazi, për vite me radhë ka vazhduar të ngulë këmbë që këto krijime armiqësore të botohen. Me këto krijime ai ka dashur të çorodisë lexuesit, të derdhë helm në mendjet dhe ndjenjat e tyre. Siç u vu re më sipër, në mjaft poezi ai shpreh hapur apo në mënyrë të tërthortë pikëpamje të gabuara politike në pasqyrimin e shtrembëruar të realitetit tonë socialist, duke iu kundërvënë kështu gjithë letërsisë dhe arteve tona që militojnë në ndihmë të Partisë për edukimin e popullit. I ndikuar rëndë nga ideologjia borgjezo-revizioniste ka rënë në prehrin e një poezie të huaj dhe armiqësore për ne, që dëmton vijën e Partisë. Nëpërmjet një gjuhe të errët dhe plot nëntekste, ai ka synuar të mbjellë idetë e tij kundërrevolucionare. Në raste të tjera, ai është krejt i mbyllur dhe përdor figura që nuk zbërthehen dot. Këto poezi hermetike e të pakuptueshme janë në kundërshtim me orientimet e partisë për një letërsi të qartë e të kuptueshme. Ky pseudopodet me imitimet e shëmtuara të artit reaksionar është përpjekur të mbjellë barëra për të helmuar kopshtin tonë të pastër letrar dhe të prishë kështu atmosferën letrare. Tiranë 24 tetor 1979

Dosja e Visar Zhitit, ja denoncimet që nisën me një kartolinë për Vitin e Ri

SHKRUAN: Shpëtim Koli 28-06-2011 12:11

8 nëntorin e vitit 1979 shkrimtari Visar Zhiti e pa veten në pranga. Partia e Punëve me veglat e saj nuk i përzgjidhte rastësisht arrestimet, madje i bënte të bujshme ato. Ky 8 nëntor i 1979-s ishte 38-vjetori i themelimit të Partisë së Punës, ndërsa më 29 nëntor 1979 do festohej me madhështi i ashtuquajturi 35-vjetori i çlirimit. Kishte qenë një vit i vështirë për Visarin, nga çdo pikëpamje. Goditja ndaj tij bëhej nga e quajtura luftë e klasave nga njëra anë dhe për ato që ai shprehte si intelektual, nga ana tjetër.

Shkrimtari Visar Zhiti ishte dërguar nga regjimi për të punuar në një fshat të humbur të Kukësit, në Vilë. Përbërja klasore jo e pëlqyeshme për regjimin ishin një arsye e mirë për zhvillimin cilësor, por edhe mizor të një përndjekjeje. Do mjaftonte një kartolinë drejtuar mikut të tij Frederik Reshpja, për të hapur një dosje të zezë. Kjo kartolinë, dërguar nga Kukësi në Shkodër, do të kategorizohej si veprimtari armiqësore. Kartolina në njërën anë të saj tregonte një vend pushimi e më larg liqenin e Pogradecit.

Në arsyetimin e organeve të kohës, meqë Visar Zhiti ishte armik i “pushtetit popullor”, çdo gjë që dilte nga goja e tij ishte veprimtari e fshehtë ose e stërholluar armiqësore.

I gjithë viti 1979 do të ishte një vit i zi për shkrimtarin Visar Zhiti. Në mesin e vitit 1979 Partia e Punës dhe organet e specializuara, si degët e punëve të brendshme, informoheshin për “rrezikun” që i vinte nga “armiku” Visar Zhiti. Organet e specializuara në një rresht të raportit kanë vënë shënimin “interesant është sesi e lënë kaq gjatë jashtë”. Fill pas kësaj organet e specializuara hartojnë planin për ngritjen e kurtheve të specializuara, me provokime si dhe me interpretime të atilla që të çonin në burg çdo njeri të ndershëm kundërshtar të atij regjimi.

***

Raporti i 20 qershorit 1979 për Visar Zhitin

Organi i Degës së Punëve të Brendshme Kukës ndjek në përpunim aktiv 2A për agjitacion e propagandë armiqësore objektin Visar Hekuran Zhiti.

Visar Hekuran Zhiti është i biri i Hekuranit dhe i Resmijes, lindur në qytetin e Beratit dhe me banim në qytetin e Lushnjës, me arsim të lartë pedagogjik, me origjinë shtresë e mesme dhe me gjendje nëpunës, me punë arsimtar në shkollën 8-vjeçare Vilë, Kukës, me shtetësi e kombësi shqiptare.

Qëndrimi politik i familjes së tij para dhe gjatë luftës nacionalçlirimtare nuk ka qenë i mirë. Babai i tij ka qenë sekretar i Abaz Ermenjit dhe më vonë adjutant i komandës së batalionit të Ballit “Tomorrica”, ndërsa nëna e tij rrjedh nga një familje bejlerësh e Durrësit. Pas çlirimit të plotë të vendit, familja e tij nuk ka mbajtur qëndrimi të mirë politik. Xhaxhai është arrestuar për aktivitet armiqësor dhe ka vdekur në burg.

Në ngarkim të Visarit organet e Sigurimit disponojnë materiale që flasin për aktivitet armiqësor kundër partisë dhe shtetit në formën e agjitacionit dhe propagandës. Të dhëna të tilla i janë investuar organit nga “P.A”, “S”, dhe “M”. Këto të dhëna flasin për veprimtari të fshehtë armiqësore kundër udhëheqjes së Partisë dhe kundër vendit tonë.

Nga e dhëna e “P.A”, datë 19.1.1975, del se objekti Visar Zhiti i shkruan një kartolinë shokut të tij në Shkodër, Frederik Reshpja, ku thuhet: “E ç’t’i urosh gëzuar poetit, kur ai gëzohet shumë rrallë. Ç’të shkruash: Për misrin? Për malet? Për Pal Vatën? Këtu është zor të jetosh”.

Nga të dhënat e “M” rezulton se i përmenduri, duke krahasuar gjendjen ekonomike të vendit tonë në kohën e Zogut dhe tani, është shprehur: “Atëherë, kur futeshe në dyqanet e mishit në derë lexoje ‘kasap’ dhe brenda gjeje mish, ndërsa sot lexon ‘mish’ dhe brenda gjen kasap”. Në komentet e tjera që ka zhvilluar me këtë dhe në prani të personave të tjerë, është munduar të shtrembërojë realitetin e vendit lidhur me letërsinë dhe artet dhe indirekt ka dashur të thotë se për këto probleme politika e partisë sonë është e ngjashme me atë të revizionistëve sovjetikë. Po kështu, është shprehur me ashpërsi kundër udhëheqjes së partisë dhe të shtetit, ku ka thënë: “Populli thotë që udhëheqësi kryesor i Partisë (Enver Hoxha) është i butë dhe udhëheqësi i dytë (Mehmet Shehu) është xhelat, ndërsa në fakt Enver Hoxha është xhelat, madje xhelati kryesor”. “Beqir Balluku kishte rrënjë të forta. Heqja e tij nga skena do sjellë vazhdimisht avari”.

Pastaj vazhdon me ironi: “Partia është e fortë, ajo të pret edhe kokën”. Duke komentuar rreth prishjes së marrëdhënieve të vendit tonë me revizionistët kinezë, është shprehur: “Shqiptarët izolojnë vetveten si krimbi i mëndafshit”.

Mbi këtë bazë më datën 14.2.1979 është marrë në përpunim paraprak për veprimtari të mprehtë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës. Gjatë procesit të përpunimit u morën një seri masash agjenturore – operative për të bërë të mundur vërtetimin e shpejtë të kësaj veprimtarie, nga ku dolën materiale të tjera me vlerë operative, në të cilën vërtetohej plotësisht pozita dhe aktiviteti armiqësor i Visar Zhitit.

Sipas një informacioni të një shkrimtari, datë 12.4.1979, rezulton se objekti Visar Zhiti ka dërguar për botim më se dy herë një vëllim poetik, i cili është kthyer për të meta të karakterit ideo-politik. Po kështu, në këtë informacion shpjegohen edhe disa lidhje të Visarit, që janë me interes operativ, si dhe jepen disa episode të veprimtarisë armiqësore të zhvilluar nga objekti. Nga denoncimi i qytetarit B.T., datë 12.5.1979, thuhet se në një mbledhje me mësuesit e shkollës 8-vjeçare Vilë, mbi metodikën e punës së arsimtarëve në lëndën e gjuhës shqipe, u trajtua nevoja e dhënies së mësimit duke e ilustruar me artikuj nga jeta në vendin tonë. Në lidhje me këtë debat, u ngrit edhe Visar Zhiti, i cili theksoi se nga ana gramatikore realizohej qëllimi edhe po të thuash “Rroftë Hitleri” etj.

Të bazuar në materialet e mësipërme, që flasin për aktivitetin armiqësor në vazhdimësi të objektit Visar Zhiti, gjithashtu duke marrë për bazë përbërjen politike shumë të keqe të objektit, më datën 15.6.1979 është ngritur në përpunim aktiv 2A për veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës. Vlen të theksohet se ky objekt, jo vetëm që e zhvillon aktivitetin e tij në mënyrë direkte, duke synuar të godasë raporte të rëndësishme shoqërore e që u përmenden më sipër, por ai e zhvillon aktivitetin e tij armiqësor duke përdorur edhe shprehje të maskuara e një ironi therëse, që në pamjen e parë krijon përshtypjen se nuk është armiqësor etj.

Po kështu është i rëndësishëm fakti se objekti visar Zhiti ka një rreth të gjerë shoqëror me letrarë të rinj, si me Frederik Reshpjen, Agim Isakun, Rudolf Markun, Zija Çelën, Bajazit Cahanin, Agim Spahiun etj., një pjesë e të cilëve nuk janë me përbërje të mirë politike. Zija Çela, i cili ka punuar për disa vjet në Kukës, tani punon në redaksinë e revistës “Nëntori”, e ka ndihmuar dhe e ndihmon Visarin për të botuar në këtë revistë krijimet e tij, pjesë e të cilave janë të paqarta nga ana ideore ose i kundërvihen ideologjisë sonë. Kështu p.sh. në revistën “Nëntori”, nr.2 të këtij viti, është botuar një cikël poezish të këtij objekti, ku ndër të tjera është edhe një vjershë prej 4 vargjesh ku objekti i bën thirrje gjyshit të tij të ngrihet nga varri e të shikojë se ç’bëhet etj. etj.

 

Duke u nisur nga fakti se gjyshi i tij ka qenë kulak dhe i goditur nga reformat e pushtetit popullor dhe duke u bazuar në materialet e tjera që kemi, mendojmë që me thirrjen që i bën gjyshit të tij të vdekur, ai i bën thirrje të kaluarës së hidhur të popullit tonë dhe borgjezisë për t’u ngritur e për të marrë atë që e kanë humbur. Për t’u futur më tej në përpunimin e këtij objekti, kemi hartuar një sërë detyrash agjenturore – operative si dhe detyra për dokumentimin legal të veprimtarisë së tij. Meqenëse ekipi i Drejtorisë së Parë që ndihmoi dhe kontrolloi organin tonë në muajin maj 1979, la detyrë që ndjekja e këtij përpunimi të centralizohet në Degën VIII të Drejtorisë së Parë, meqë ka lidhje në disa rrethe, po u dërgojmë këtë informacion ku kemi shënuar shkurtimisht materialet në ngarkim të tij.

Zbardhet hetuesia e Visar Zhitit, ditari sekret dhe poezitë e pabotuara

SHKRUAN: Shpëtim Koli, 29-06-2011

Krijimtaria e poetit Visar Zhiti ishte në syrin e kritikës së redaksisë së poezisë, dramës dhe kritikës letrare në Tiranë. Ky institucion i profilizuar kthente përgjigje zyrtare për të gjitha çështjet që kishin të bënin me krijimtarinë, poezi apo prozë. Natyrisht fryma e plenumit të radhës ishte gjithnjë në plan të parë. Plenumi ishte goditës sipas asaj që kërkonte partia vit pas viti. Kjo frymë ishte më e keqe se kurrë në vitet ‘70. Kësaj radhe ishte plenumi famëkeq me numër 4 ai që përcaktonte valën e goditjeve. Ky plenum u mbaj më 26 – 28 qershor 1973. Vetë Enver Hoxha mbajti fjalën ditën e parë të plenumit, i cili iu kushtua “thellimit të luftës kundër shfaqjeve të huaja e qëndrimeve liberale”. Hoxha pohonte se partia kishte hyrë në lidhje me “disa deviatorë të djathtë, kundërshtarë të vijës marksiste – leniniste të saj”. Ato kohë armiku kërkohej me qiri. Sidomos armiku që cilësohej “tradicional” ishte më i kërkuar si gjah i parë.

Dy vjet para arrestimit, në tetor 1977, redaksia në fjalë i kthente përgjigje Visar Zhitit për vëllimin e tij poetik “Ditë dhe net të zakonshme”. Midis të tjerash, në këtë përgjigje shkruhej: “Disa here radhazi na keni dërguar për shqyrtim vëllimin tuaj poetik dhe redaksia jonë ju ka vënë në dukje. Redaksia e mbështet mendimin e vet në mendimet e dhëna prej recezentëve poetë e kritikë. Jua përmendim këtë fakt që ju të reflektoni drejt në vërejtjet tona, duke punuar më me përgjegjësi, të vini edhe ju talentin tuaj në shërbim të poezisë shqipe.

Kësaj do ia arrini duke u ndalur edhe një herë e duke u thelluar në mësimet që nxori plenumi i 4-t i Partisë dhe materialet e tjera kundër ndikimeve të huaja në letërsi. Në kopjen që po ju kthejmë do të gjeni shënime të vlefshme të bëra nga kritiku R.B., gati për çdo poezi. Në këtë përgjigje nuk u ndalëm në anët pozitive të poezisë suaj. Në këtë fazë shqetësuese dhe të rëndësishme me rëndësi janë ato të meta e dobësi që vazhdojnë të shfaqen akoma me shumicë, pa eliminimin e të cilave as që mund të bëhet fjalë për botim. Besojmë se këtë radhë ju do të reflektoni më drejt në vërejtjet që ju janë bërë e do të na dërgoni një variant të ri të librit, pa të meta e dobësitë që ju përmendëm”.

Një vit më vonë, më 8 gusht 1978, e njëjta redaksi kthente përgjigje për vëllimin poetik “Kjo është jeta ime”. Në këtë përgjigje midis të tjerash shkruhej: “Redaksia u ndal në mënyrë të veçantë dhe e studioi me kujdes këtë variant të ri të vëllimit tuaj. Si gjithmonë mendojmë se nuk ju mungon talenti dhe këmbëngulja në punë. Në poezitë e mira të këtij varianti bie në sy përpjekja për të kapur aspekte të rëndësishme të realitetit tonë, një konceptim dhe gjuhë të gjetur poetike”. Të dyja këto përgjigje administrohen si provë hetimore në procesin ndaj Visar Zhitit.

Përndjekja

Në mesin e vitit 1979, të dhënat operative për poetin Visar Zhiti kishin ardhur në rritje. Për të çuar në një stad tjetër përpunimin e tij, u pa rrethi shoqëror ku ai jetonte. Në një zonë të largët të Shqipërisë si fshati Vilë i Kukësit, rrethi shoqëror ishte i kufizuar dhe përbëhej nga arsimtarët dhe banorët e zonës. Dy ditë pas nisjes së përpunimit aktiv të Visar Zhitit, brenda shkollës së Vilës, brenda radhëve të arsimtarëve, u gjet “Peneli”, një arsimtar nga Kavaja që ishte emëruar edhe ai në veri të vendit. “Peneli” u tregua shumë aktiv në përpunimin e Visar Zhitit në gjysmën e dytë të vitit 1979. Natyrisht ai nuk do dilte në gjyq.

Hetuesia, hetohet ditari

Në Tiranë ka nisur lëvizja për arrestimin e mësuesit Visar Zhiti. Më 5 nëntor 1978, hetuesi Isa Halili, pasi ka studiuar materialet në ngarkim të tij, konstatonte se kishte të dhëna që e fajësonin atë, bazuar në nenin 55/1 të Kodit Penal të RPSSH-së, agjitacionin e propagandën. Për këtë gjë vendosi fillimin e çështjes penale ndaj Visar Zhitit.

Më 30 dhjetor 1979, hetuesi i çështjes, me miratim të prokurorit të rrethit, harton planin për hetimin e çështjes. Në të thuhet se i pandehuri i arrestuar më 8 nëntor 1978, jo vetëm me të tjerët, por edhe në ditarin e vet, kishte shprehur mendime e thirrje kundër-revolucionare. Hetuesi i vë vetes kufi kohor datën 5 janar 1980, ndërsa afat shtesë deri në datën 5 shkurt 1980. Megjithatë, këtë afat e shtyn përsëri. Gjatë hetimit, të pandehurit i janë kapur një numër i madh vjershash dhe disa blloqe me shënime të ndryshme, në formë ditari, në të cilat ka të shprehur në mënyrë hermetike mendime e thirrje kundër-revolucionare, të cilat i ka diskutuar edhe me shokë të tij.

Me qëllim që të thellohen hetimet e të zbërthehet më në thellësi veprimtaria armiqësore e të pandehurit Visar Zhiti, është e nevojshme të kryhen disa veprime hetimore, si pyetja e shumë personave që janë në dijeni të veprimtarisë së tij armiqësore, pyetja e vet të pandehurit për të dhënë shpjegime lidhur me shkrimet e tij me përmbajtje armiqësore, të cilat janë voluminoze, si dhe mbi rrethin e personave ku i pandehuri e ka shtrirë veprimtarinë armiqësore. Për këtë arsye kërkohej shtyrja e hetimit deri më 5 mars 1980.

Kallëzimtarët e 26 shtator 1979

Sipas procedurave të rastit, lojën për proces e luajtën disa persona të përpunuar nga hetuesia. Drejtori i shkollës Vilë dëshmonte se Visari shpesh herë paraqitej me veshje “jashtë modës sonë”. Ai kishte vërejtje edhe për leximin e materialeve të Partisë së Punës. Në gojën e këtij dëshmitari vihen edhe thënie të Visarit për çështjen e furnizimit të popullit me mish.

Të njëjtën ditë dëshmitari tjetër, mësues në shkollë, “zbardh” dëshminë e “çështjes së Hitlerit”. Këto deklarata janë të gjitha të një date dhe nga persona të shkollës ku Visar Zhiti jepte mësim. Kallëzimtari pohonte:

“Në muajin tetor ose nëntor 1978, me arsimtarët e shkollës sonë, u zhvillua një mbledhje metodike me temë forcimi i boshtit ideologjik, duke pasur si qëllim harmonizimin e boshtit ideologjik, duke pasur si qëllim harmonizimin e qëllimit arsimor me atë ideologji, duke e konkretizuar me shembuj nga puna për ndërtimin e socializmit në vendin tonë. Në një çast Visari u çua pa leje dhe tha se nga ana gramatikore qëllimi mësimor realizohet edhe po të themi ‘rroftë Hitleri’. Kjo gjë nuk u pëlqye nga asnjë shok”.

Në hetuesinë e zhvilluar më 18 nëntor 1979 pyetja shtrohet te kartolina dërguar Frederik Reshpes. Me këtë të fundit Visari ishte njohur gjatë kohës që kryente Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës.

Poezitë dhe plenumi i 4-t

Hetuesia e datës 25 nëntor 1975 i kushtohet tërësisht krijimtarisë së Visari Zhitit. Pavarësisht se akuza ishte për agjitacionin e shprehur në biseda shoqërore, analizimi dhe kërkesa ndaj veprës letrare ishin tregues të qartë se ky ishte aspekt kryesor i hetimit.

I pyetur, Visar Zhiti deklaronte:

“Me sa më kujtohet, duhet të ketë qenë viti 1972 kur isha student, kam përgatitur një vëllim me poezi, të cilin e titullova “Kapsolla e jetës së trëndafilave”, ku ishin shkruar më se 40 poezi të ndryshme. Këtë vëllim me poezi e kam çuar në shtëpinë botuese në Tiranë. Gjatë kohës që vëllimi ishte në proces, zhvilloi punimet plenumi i 4-t i KQ të PPSH-së, i cili analizoi gjendjen në letërsinë e artet tona, duke kritikuar të metat e dënoi shfaqjet e huaja edhe në letërsi e art. Pas këtij plenumi ma kthyen vëllimin për të rishikuar e riparuar e ta çoja përsëri në botim. Shtëpia botuese prapë nuk e botoi”.

I pyetur nga hetuesi, Zhiti deklaronte se kishte lexuar poezi nga Jevtushenko, japonezi Isikava Takuboku, francezit Pol Eluar, nga Kafka etj.

Në analizën e hetuesit hyn edhe ditari i Visar Zhitit, që i takonte 5 viteve të fundit. Në të pasqyroheshin të gjitha shqetësimet sociale të vendit, sidomos varfëria që prekej kudo në vend. Në syrin e poetit të ri kjo varfëri ishte befasuese, deri edhe revoltuese. Njeriu ndihej përballë një realiteti që donte ta ndryshonte, por nuk kishte sesi. E në këto raste shpirti revoltohej.

Pjesë nga pyetje-përgjigjet me hetuesin

Hetuesi: I pandehur Visar, shpjegoni se në poezinë tonë të realizimit socialist, e në përgjithësi në letërsinë e artin tonë, çfarë simbolizon dielli?

Visari: Në letërsinë tonë, në poezi, dielli përfaqëson Partinë, socializmin, kur i referohen pozitivisht këtij dielli.

Hetuesi: Në ditarin tuaj, në shënimin e bërë më datën 9 gusht 1974, keni shkruar për një kalë të lodhur që rrëmihte tokën e hingëllinte. Pastaj keni bërë krahasimin e tij me njeriun dhe hingëllimat e tij me klithmat e të rënëve. Cili është qëllimi i këtij shkrimi, i këtij krahasimi, ç’keni shprehur me këto rreshta?

Visari: Kam krijuar një lidhje të parregullt e të qartë të gjërave që kisha lexuar për kalin si një kafshë fisnike, punëtore, besnike, e urtë, të lidhura këto me unitetin që ka midis kalit e luftëtarit, i kam shënuar si mbresa.

Hetuesi: Cili është nënteksti i këtij shkrimi: Kalë, lodhje, punë, mjerim, koka jote është dielli! …Mallkuar qofshin kamxhikët e gjatë si flokët e shtrigave që i bien diellit!

Visari: Nënteksti i këtyre rreshtave është se nganjëherë puna e lodhjes e kësaj qenie nuk kuptohen e përdhunohen nganjëherë.

Hetuesi: Sikurse del nga ky shkrim, kali këtu barazohet me njeriun, atëherë cili diell nga qenka ky njeri që puna e tij nuk i kuptohet dhe përdhunohet?

Visari: Kam parasysh njeriun në përgjithësi.

1 COMMENT

  1. “sepse ajo që më ndodhi mua nuk ma kthen dot askush,as Zoti!”

    Mos te duket pak pak ajo qe je sot?
    Mos te duket pak nderi qe te eshte bere?
    Mos te duket pak fakti qe edhe deputet u bere dhe s’fole asnje fjale ne parlament?-njelloj si ata qe kritikon!
    Mos te duket pak fakti qe jeton me paret e ketij populli per te cilin nuk shkruan snje fjale te mire?
    Zoti te ngriti ne ate nivel qe je sot!
    Mosmirenjohja jote nuk te nderon!
    Ka te drejte Fishta kur shkruan :
    ” Per lirine e vete,shqipaterti ban fli shpine,token,dhe mjerisht edhe besimin.”
    Per te vazhduar me Ciceronin qe thote :
    ” I dashuruari me vetveten nuk ka rival.”
    Kur lexoj per historine tende nuk me vjen keq per ty,por me vjen keq per popullin tim,qe ka jetuar,jeton,dhe po rijeton ne te njejten menyre.
    Per te jetuar kete jete qe Zoti te ka falur ,ti personalisht,ne fillim duhet te falesh veten tende,pastaj te tjeret.Eshte vetja jote armiku me i madh i vetes tende.

Comments are closed.