At e bir të rënë për Atdhe në një ditë tek beteja e Gërhotit, Gjirokastër

0
99

Nga: Prof. Neki Babamusta, Londër, 1 janar 2012

Nano Sako Gjoni ka lindur në Picar të Gjirokastrës me 15.1.1894. Ndërsa i biri, Hasan Nano Gjoni, ka lindur me 12.12.1927 po në Picar të Gjirokastrës.

Nano Gjoni rrjedh prej një familje të mesme, me tradita patriotike dhe fetare. Përkrah fisit të tij, që në moshën 16-vejçare, luftoi me armë në dorë kundër pushtuesve turq, grek, italian dhe serb. Vatra e tij strehoi luftëtarët e lirisë Çelo Picarin,Vath Dervish Hasanin, Çerçiz e Mihal Gramenon. Ai kundërshtoi me forcë bandat e Asat Pashë Toptanit, ku mbeti i vrarë i vëllai, Braho Sako Gjoni dhe kushëriri i tij, Dari Gjoni.

Për kontributin e dhënë në zbatim të vendimeve të Kongresit të Lushnjes (janar 1920), Nano Gjoni u gradua si oficer. Trimësisë së Nanos, populli i thuri këto vargje:

“O Nano Sako Gjoni,
More dyfekun shkove,
Porsi pëllumb fluturove,
Hakun e xhaxha Zenelit more,
Për Shqipërinë luftove,
lule Nano Gjoni, lule …”

(këngë popullore)

Nano Gjoni ishte përkrah të varfërve dhe kundërshtar i vendosur ndaj feudalëve raksionarë.

Si patriot, i brumosur me idetë e Ismail Qemalit, merr pjesë në Kuvendin e Vlorës në vitin 1912, si delegat i Picarit të Gjirokastrës. Pastaj kaloi në emigrim në Greqi, Turqi dhe Amerikë. Pasi u kthey nga emigracioni, në Gjirokastër formoi një çetë luftarake, e cila mori pjesë në Luftën e Vlorës në qershor 1920, për të luftuar kundër pushtuesit italian. Çeta e tij e kishte emrin “Shqiponja”.

Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, me 7 prill 1939, Nano e priti me indinjatë të thellë. Si trimi Mujo Ulqinaku në Durrës, edhe Nanoja e zgjeroi çetën e tij, për të vazhduar rezistencën kundra pushtuesve fashistë.

Partia Komuniste Shqiptare (P.K.Sh.-ja), i bëri thirrje Nanos të luftonte nën komandën e saj. Por Nanoja nuk pranoi, sepse shihte tek Komunizmi skllavërimin e ardhshëm të Shqipërisë, si bashkëpunëtore me serbët dhe Rusinë e Stalinit. Nanoja nuk pranonte simbolin e tyre komunist, yllin e kuq. Përkundrazi, ideali i tij ishte Atdheu, flamuri i Skënderbeut dhe i Naim Frashërit, me shkabën e zezë dykrenare. E megjithatë, me çetën e tij, ai vazhdonte t’u shkaktonte dëme të mëdha pushtuesve italian.

Idetë e tij pajtoheshin me nacionalistët dhe demokratë si Mustafa Gjinishi, Hysni Lepenica e Skënder Muço, që luftonin për një Shqipëri pluraliste dhe të bashkuar me Kosovën. Për këtë arsye, ai mori pjesë në Konferencën e Mukjes, me 2 gusht 1943, në Krujë. Aty, u shpalos haptazi pabesia e P.K.SH.-së, që nuk pranoi dy forcat opozitare, Ballin Kombëtar dhe Legalitetin që të luftonin së bashku kundër pushtuesve. Partia Komuniste Shqiptare, duke përfituar nga “indiferentizmi” i Fuqive të Mëdha, të cilët nuk i bënë vlerësimin e duhur rrezikun e komunizmit në Shqipëri. Fuqitë e Mëdha shpresonin se me kalimin e kohës, komunistët e Tiranës do e ndërronin kursin e tyre gradualisht, siç bëri Titoja. Por kjo nuk ndodhi. Komunistët u fuqizuan në Shqipëri, drejtuan luftën çlirimtare dhe morën pushtetin.

Partia Komuniste e Shqipërisë i akuzonte këto dy parti si bashkëpunues me pushtuesit (italianë dhe gjermanë), duke u bazuar në aktivitetet e disa ekstremistëve.

Por, dy paratitë opozitare (Balli Kombëtar dhe Legaliteti) e vazhduan luftën me çetat e tyre kundra pushtuesve. Ata nuk i tradhëtuan idealet e tyre për lirinë e vendit. Idetë e Mithat Frashërit (udhëheqës i Ballit Kombëtar) dhe të Abas Kupit (legalist dhe komandant i forcave nacionaliste) ishin liria e kombit.

Pas Konferencës së Mukjes, Nano Gjoni me 14 shtator 1943 shkon në Gërhot të Gjirokastrës. Me çetën “Shqiponja” ai rrethon divizionin italian, për t’i marrë armët dhe muniocionet, për t’i përdorur kundër pushtuesve të rinj, gjermanë. Por drejtuesit komunistë, si Bedri Spahiu dhe Shemzi Totozani, me dredhi, bënë marrëveshje të fshehtë me gjeneralin italian që t’a qëllonin çetën e Nano Gjonit, me pretekstin se çeta e tij kishte sulmuar rojet e bazës italiane. Kjo lloj përpjekje organizuar nga komunistët, hapi një luftë civile vëlla-vrasëse midis forcave partizane dhe forcave nacionaliste. Në luftë e sipër u vra Hysni Lepenica, Nano Gjoni, dhe 30 trimat e tij. Në fushën e betejës me flamurin e Skënderbeut në dorë, ra edhe 16-vjeçari, Hasani, i biri i Nano Gjonit.

Kjo kasaphanë, e kurdisur nga xhelatët komunistë, i tronditi thellë zemrat e popullit. Populli sërish u këndon trimave të rënë:

“Çeta nacionaliste,
Rrethon Gërhotinë,
I pari sulmove me bomba dore,
Lule Nano Gjoni, lule* ….”

(këngë popullore, *lule simbolizon dëshmor)

Në Mars 1945, komunistët organizuan një gjygj të kurdisur, ku egzekutuan vëllezërit e Nano Gjonit, me emër Habil dhe Hamit Gjoni, si dhe katër shokët e tyre dhe dy vëllezërit Mustafaj.
Fisit Gjoni, regjimi komunist i sekuestroi pasurinë dhe i interrnuan në Kavajë. Atje ku ranë edhe të vdekur, nuk i lanë të qetë, duke ua prishur edhe varret e tyre, dhe i përdorën për poligone (prova) qitje.

Nga fisi Gjoni mbetën të vravë për vatan 9 dëshmorë: 1. Nano Sako Gjoni, 2. Hasan Nano Gjoni, 3. Habil Sako Gjoni, 4. Hamdi Sako Gjoni, 5. Ibrahim Sako Gjoni, 6. Feta Sako Gjoni, 7. Dori Gjoni, 8. Hazbi Gjoni dhe 9. Neslie Gjoni.

Në kohën e proçeseve demokratike, nipat e Nano Gjonit, si Fisniku, Genci, Nanoylli, Krenari, ishin përkrah opozitës demokratike, me z. Sali Berishën në krye, për fitoren e Demokracisë, e cila hodhi dritë mbi vlerat e tyre të mohuara dhe ngriti lart kontributin e madh të dhënë për kombin.

Me datë 21.11.1992, me dekret të ish-Presidentit të Republikës, z. Sali Berisha, Nano Sako Gjonit i akordohet titulli i lartë “Dëshmor i Atdheut” dhe “Urdhëri i Lirisë së klasit të II”, me motivacionin: luftëtar i lëvizjes Nacionaliste Shqiptare, në luftë kundër pushtuesve, për çlirimin kombëtar dhe fitoren e demokracisë. Ndërsa të birit, Hasanit iu dha titulli i lartë “Dëshmor i Atdheut” si dhe “Urdhërin e Lirisë të klasit të III”. Trimat e çetës “Shqiponja” të rënë në Gërhot të Gjirokastrës dhe betejat që vijuan, u shpallën “Dëshmorë të Kombit”.