Atdheu im dhe atdheu i ambasadorëve

0
77

Ilir Yzeiri, 03.07.2011

Jemi përsëri në ankth, përsëri me mendje të ngritur dhe përsëri në pritje të vendimit të Kolegjit… Jemi thuajse në ajër, pa menduar se kështu në ajër kemi rreth njëzet vjet, njëzet vjet që rrimë si të ngrirë, pa e mësuar kurrë se çfarë duam të ndërtojmë, pa e ditur se si e ka emrin shoqëria që jetojmë, çfarë na lidh e çfarë na ndan me njëri-tjetrin. Shkurt, pritja ose dita më e mirë ngjan se nuk do të vijë kurrë.

Ankthi për t’u çliruar nga e keqja është bërë një sindromë kolektive dhe, kush më shumë e kush më pak, por ama të gjithë presin që të çlirohen nga pesha e rëndë e së keqes. Presim me padurim që të vijnë një palë zgjedhje dhe dalim e votojmë gjithë shpresë, të urtë e në radhë, me hap të lehtë e pa hapur gojën, si dele perëndie e hedhim fletën atje ku duhet, pa e ditur se dikush pas nesh do të marrë ca fletë të tjera dhe, në emër të “paqes” sonë, në emër të shndërrimit tonë në dele të urta perëndie, do t’i hedhë ato në kutinë alternative ose në kutinë e gabuar. Dhe ne presim që pas zgjedhjeve të çlirohemi nga e keqja, por… jo.

Na duhet të presim, të presim… dhe kështu në imazhin kolektiv të shqiptarëve është futur Kolegji, një trupë gjyqësore, tek e cila ne të gjithë kemi varur shpresën se do të çlirohemi nga e keqja. Mirëpo, naivitetin tonë e shkund herë pas here trokëllima e hapave të trojkës. Në imazhin tonë kolektiv apo në fjalorin nacional-popullor është futur dhe shenja “trojkë”. Trojka janë tre ambasadorë që dalin gjithmonë të buzëqeshur. E kini vënë re? Nëse jo, shihini këtej e tutje. Ata dalin në publik gjithnjë duke buzëqeshur. Puna e tyre është edhe e lehtë, edhe e vështirë, por siç më duket mua, është shumë joshëse. Ata shëtisin sa te selia e PS-së, sa te selia e Kryeministrisë dhe natyrisht, te Presidenti.

Me buzëqeshjen në buzë, ata, sapo dalin nga ndonjë prej zyrave që shënuam më sipër, gjëja e parë është të buzëqeshin dhe gjëja e dytë është shqiptimi i një fraze lapidare që tani e dinë edhe ata që nuk dëgjojnë në Shqipëri: ata rekomandojnë. Rekomandimi është fjala e gjetur, është çelësi magjik që ata na vënë në tavolinë. Po çfarë rekomandojnë ata, trojka, pra? Ata rekomandojnë që të dëgjohen institucionet, që procesi të mbyllet, që të shohim përpara, që të nisë dialogu. Dhe, duke buzëqeshur largohen nga gazetarët, hipin në veturat e rënda e luksoze për t’u shfaqur përsëri të nesërmen, në mënyrë që folëset e televizioneve të shqiptojnë gjithë neps se, “trojka e ambasadorëve u takua sot me…”, se ata rekomanduan se…

Ndërkaq, unë kam kohë që vras mendjen se çfarë lidhjeje ka mes rekomandimit dhe ligjit. Trojka jonë e shtrenjtë rekomandon gjithmonë që të gjitha këto të bëhen në emër të interesave të atdheut tim, pra në emër të vendit tim. Dhe unë rri e shtrydh trutë e gjendem si i zënë në faj kur mendoj: vallë, trojka e do më shumë vendin tim se unë apo se qindra e mijëra si unë që mendojnë ndryshe nga ata, që mendojnë se mes rekomandimeve dhe ligjit duhet zgjedhur zbatimi i ligjit? Mirëpo, në këtë ndërdyshje e sipër më tërheqin vëmendjen disa ngjarje, bie fjala, ngjarja që po bën bujë më shumë dhe që ditën e premte i mblodhi që të gjitha kamerat dhe penat e mendjes në një pikë.

E kam fjalën për çështjen DSK (Dominique Strausse Kahn). Në vendin e një prej ambasadorëve që përbën trojkën që shëtit në Tiranë sa në një zyrë në tjetër, pra atje në SHBA, drejtësia amerikane vuri në pranga njeriun që drejtonte institucionin financiar më të fuqishëm të planetit. E zbriti nga avioni dhe e dërgoi drejt e në qeli, në një nga burgjet më të tmerrshëm të New York-ut. E shkërmoqi karrierën e një njeriu brenda një minute. Në emër të ligjit, e thërrmoi kandidatin për president të ardhshëm të Francës brenda një sekonde, pra, në emër të ligjit. Si ka mundësi, pyes unë, që drejtësia në atë vend nuk përfilli rekomandimet, po zbatoi ligjin?!

Mirëpo, po në emër të ligjit, prokurori që e kishte flakur në burg si një leckë ish-presidentin e FMN-së, pasi hetoi se akuzuesja kishte gënjyer dhe kishte fshehur të dhëna, ai, prokurori i SHBA-së, figura kyçe e sistemit të drejtësisë amerikane, thirri një audiencë urgjent dhe e liroi të akuzuarin nga pjesa më e madhe e akuzave, sepse e akuzuara kishte gënjyer në pjesën më të madhe të dëshmisë së saj. Në Amerikë, etika dhe besueshmëria e atij që akuzon janë elemente themelore të akuzës. M’u kujtua pezmi i amerikanëve kur panë presidentin e tyre, Bill Klinton para prokurorit amerikan vite e vite më parë, kur ai u detyrua të tregojë të vërtetën para miliona e miliona amerikanëve dhe para gjithë botës. Vetëm atëherë Amerika e fali presidentin e saj, pra kur ai tregoi të vërtetën. Mirëpo në vendin tim, për fat të keq, nuk ndodh kështu.

Në vendin e ambasadorëve, demokracia, me gjithë krizën e rëndë të besimit funksionon, në vendin tim jo. Mirëpo, ambasadorët apo trojka që shëtit në vendin tim, më rekomandon mua dhe shqiptarëve të tjerë se ligji mund të shkelet në emër të atdheut. Të cilit atdhe, pyes unë, dhe a është e vërtetë se trojka e do më shumë atdheun sesa unë? Unë e dua atdheun e secilit prej ambasadorëve të trojkës, por më shumë dua atdheun tim. Ndaj, nuk mund ta mirëkuptoj mesazhin e vonuar të zotit Bejker, që thotë se për hir të atdheut, duhet pranuar shkelja e ligjit. Jo, i dashur zoti Bejker! Ju, të nderuar ambasadorë të trojkës, e dini që opozita ka deklaruar se nuk do ta tolerojë vjedhjen e mandatit të Tiranës dhe shkatërrimin e zgjedhjeve më 8 maj.

Opozita dhe publiku i gjerë është i vendosur që të mos ia dorëzojë mandatin e Tiranës njeriut që vrau më 21 janar dhe Kryeministrit që po e shkatërron këtë vend, duke e vjedhur e duke e shqyer me copa e me dhurata sa në veri, sa në jug. Jo pse ata në përfytyrimin e përgjithshëm janë të tillë, por sepse kandidati i mazhorancës, ish-ministri i Brendshëm i Kryeministrit aktual, nuk ka fituar. Opozita ka deklaruar kështu se ka prova që mandati i saj po tentohet të vidhet dhe ajo është angazhuar të mos e lejojë këtë akt. Ajo i ka kërkuar Kolegjit që të shpallë të pavlefshme zgjedhjet në Tiranë, e për pasojë, ajo ka kërkuar përsëritjen e tyre.

Ndërsa ju, të nderuar ambasadorë të trojkës, siç ju thërrasin folëset e ndrojtura të televizioneve shqiptare, jepni rekomandime për të kundërtën. Unë këtë mesazh tuajin e lexoj si një nxitje për konflikt, sepse ju nuk shqiptoni me zërin tuaj thënien “të zbatohet ligji” dhe se ju do të ishit gati të ndiqnit çfarëdolloj procesi, sado i gjatë të ishte ai, vetëm që në këtë vend të marrë fund vjedhja e zgjedhjeve. Jo, ju thoni të kundërtën dhe dërgoni mesazhe në vendet tuaja demokratike që procesi të mbyllet, që të mos vazhdojë, që t’i kthehemi dialogut. Ju e dini shumë mirë se dialogu mund të vendoset vetëm po të zbatohet ligji.

Mirëpo, ju në vend të ligjit keni zgjedhur një fjalë tjetër. Ju jepni rekomandime në emër të dashurisë suaj për atdheun tim. Unë nuk e paragjykoj ndjenjën tuaj, por për një gjë jam i sigurt, se unë e dua më shumë atdheun tim, dhe për të qenë i sinqertë, më shumë se ju e duan këtë vend edhe populli i opozitës, të cilët kërkojnë që të zbatohet ligji, që, në qoftë se edhe një votë më shumë se një zgjedhës po të jetë regjistruar, zgjedhjet të përsëriten. Një vendim të tillë e ka dhënë kjo trupë që do të gjykojë ankesën e PS-së më 6 korrik.

Përkundër dëshirës suaj, unë jam i sigurt se shqiptarët, në emër të njëzet vjetëve tranzicion kriminal, të njëzet vjetëve zhgënjim e dëshpërim, të njëzet vjetëve që pasuruan një kastë të rrezikshme kriminale dhe shkatërruan vlerat në këtë vend, ne të gjithë jemi gati të presim edhe njëzet muaj vetëm që të bëhen zgjedhje të vërteta, që askush të mos guxojë të vjedhë votat. Ne jemi gati të presim, të nderuar ambasadorë, sepse ne e duam vendin tonë dhe duam që edhe te ne të zbatohet ligji dhe jo rekomandimet që na vijnë nga ato vende që ne i duam sinqerisht.