Schmitt: Ja çfarë mendoj për vazhdimësinë iliro-shqiptare dhe afërsinë e Shqipërisë me Lindjen ose Perëndimin

0
47

TemA, 10 Shkurt 2013

Historiani Oliver Jens Schmitt, në një intervistë të gjatë për Gazetën Shqiptare, jep shpjegime për disa nga pikat kyçe të librit – ese, që ka publikuar ai për shqiptarët.

Fillimisht, Schmitt e nis duke i dhënë një përgjigje sulmeve që i janë bërë për librin “Skënderbeu”.

I gjithë debati prej publikimit të ‘Skënderbeut’ shpalos modele shumë komplekse të interesave politike dhe kulturore. Unë nuk kam ndërmend të komentoj shumë rreth kësaj, sepse mendoj që publiku shqiptar është i familjarizuar me momentet kyçe të diskutimit si dhe motivet dhe interesat e tyre. Por unë mbeta shumë i habitur nga fushata ekstremisht agresive kundër mikut tim të ndjerë Ardian Klosi. Mendoj se brezat e ardhshme të studiuesve e intelektualëve do të jenë në gjendje të gjykojnë si duhet mbi integritetin moral të atyre pjesëtarëve të elitës politike dhe veçanërisht asaj kulturore të cilët e ‘sulmuan’ këtë njeri të madh kur ishte gjallë dhe pastaj e nderuan kur ai vdiq,” thotë Schmitt.

Ndërsa i pyetur për vazhdimësinë iliro-shqiptare, ai shprehet: “Së pari, dua t’ju bëj një vërejtje, e cila ka të bëjë me të gjithë intervistën: pyetjet që ju bëni janë shumë komplekse dhe është shumë e vështirë që ato të zvogëlohen në përgjigje të shkurtra. Unë, gjithsesi, do të përpiqem të kujtoj lexuesin se nuk ka përgjigje të thjeshta, dhe shumë probleme janë akoma të diskutueshme e shumë përgjigje nuk mund të jenë më shumë se komente hyrëse për këto debate studimore. Jam përpjekur të shpjegoj ne libër qëndrimin e sotëm të studiuesve të huaj. Ekziston një konsensus për sa i përket teorisë së vazhdimësisë Iliro-Shqiptare, sipas të cilës kjo vijimësi nuk mund të provohet për shkak të mungesës së gjurmëve të mjaftueshme të gjuhës ilire. Po ashtu ekziston një konsensus mbi proto-shqiptarët, një term përcaktues për të përshkruar folësit e formës së lashtë shqiptare – që jetonin atëherë në Antikitet në një zonë, e cila përmblidhej nga zona e hinterlandit të Shkodrës e deri në Kosovën e sotme dhe Maqedoninë Qendrore. Qarkullojnë ide të ndryshme rreth vendndodhjeve të proto-shqiptarëve në zonën e Jugut të Shqipërisë së sotme. Kështu që, kur mendoj mbi baza të tilla, se shqiptarët jetuan në Antikitet në shumë nga zonat ku ata gjenden akoma dhe sot, unë mbështes edhe mendimin e linguistëve, të cilët e konstatojnë thjesht se ne nuk mund të provojmë që gjuha moderne shqiptare vjen nga ilirishtja, pasi ne nuk e njohim aq mirë sa duhet atë. Mund të ekzistojë një vazhdimësi iliro-shqiptare, por për momentin ku ndodhen kërkimet tona, kjo është vetëm një hipotezë”.

I pyetur nëse Shqipëria është më pranë Lindjes apo Perëndimit, ai jep këtë përgjigje: “Unë kam përdorur Lindjen dhe Perëndimin në titullin e librit tim, vetëm për të treguar kornizën kulturore në të cilën u zhvillua shoqëria shqiptare, por jo si një njësi ontologjike. Lindja apo Perëndimi janë dy terma kyç në debatin e vazhdueshëm mbi identitetin kombëtar në shoqërinë Shqiptare, por unë mendoj se pyetjet qendrore janë të tjera: a jetojnë Shqiptarët në një shtet ligjor, me institucione të besueshme shtetërore, një shkallë korrupsioni të ulët, një demokraci pluraliste, ku opinionet e ndryshme pranohen si një pjesë esenciale e jetës politike, ku kundërshtarët nuk janë ‘tradhtarë’ apo ‘spiunë’. Unë kam përshtypjen se shumë shqiptarë do të dëshironin një model të tillë, por për shkak të vështirësive ekonomike, përpjekja e përbashkët për të mbijetuar ekonomikisht, ndikimi i kudondodhur i politikës në jetën sociale dhe politike, bën që shumë njerëz nuk e kanë fuqinë apo mundësinë të luftojnë për këto vlera. Ekziston një opozitë politike radikale, e cila megjithatë ofron më shumë slogane nacionaliste dhe demonstron një shkallë të lartë paaftësie në çështjet e politikës ekonomike. Përveç kësaj, perspektiva evropiane e ka humbur joshjen e saj, dhe është shfaqur Turqia si një lojtar i ri. Turqia është një shtet me një numër të konsiderueshëm njerëzish të persekutuar apo të burgosur për shkak të ideve të tyre, me një media vetëm pjesërisht të lirë, ku nacionalizmi i fortë ofron një model të ndryshëm për udhëheqësit shqiptarë. Në kontekstin e Lindjes se Afërme, Turqia është një demokraci, por duke u krahasuar me shtetet e Evropës, Turqia është akoma një shtet me një demokraci në zhvillim. Për momentin, Lindja dhe Perëndimi nuk janë vetëm terma në debatin e brendshëm kulturor Shqiptar, por gjithashtu shumë mundësi për orientim politik. Shpërthimi i retorikave nacionaliste që ndodhën rreth 28 Nëntorit 2012 japin përshtypjen se liderët politikë janë më shumë të interesuar në mbrojtjen e privilegjeve të tyre, duke u fshehur pas zhurmës nacionaliste- kurse pyetja themelore nuk është Lindja apo Perëndimi, por se si do arrijë Shqipëria të ndërtojë një nivel shtetëror të ndershëm dhe si do t’u ofrojë ky shtet një jetë të paqtë qytetarëve të tij”.